Saturday, November 10, 2012

Pasqyrë interesante dhe me vlerë e gjuhëtarëve shqiptarë dhe albanologëve

nga Gjovalin Shkurtaj


Rreth librit “Leksikon: Gjuhëtarë shqiptarë dhe Albanologë” (800 f.), hartuar nga A. Haxhi e T.Topalli, shtypur nga shtëpia e re botuese “FIORENTIA






Mbas veprës “Historia e albanologjisë” të prof.dr.Jup Kastratit, pa dyshim, libri që sapo ka dalë nga shtypi me titull  “Leksikon: Gjuhëtarë shqiptarë dhe Albanologë”, i hartuar nga binomi i njohur A. Haxhi e T.Topalli, që të dy profesorë të Universitetit të Shkodrës “L.Gurakuqi”, i shkon përshat atmosferës së gëzueshme e festive të jubileut të 100-vjetorit të Pavaërëssisë së Shqipërisë. Aty, në fakt, pasqyrohet gati plotësisht paraqitja e albanologëve dhe e gjuhëtarëve shqiptarë, duke theksuar edhe me vlerësime e pjesë krestomacie, ndihmesat dhe prurjet e secilit prej 69 gjuhëtarëve shqiptarë dhe 51 albanologëve të huaj, vargu i të cilëve nis, për gjuhëtarët, me Kostantin Kristoforidhin e Sami Frashërin dhe vjen deri te brezi më i ri i gjuhëtarëve të sotëm, kurse për albanologët e huaj, qysh nga Gotfrid Lajbnici  e Hans Tunmani, deri te Robert Elsie. 

Ashtu sikundër kam pasur nderin ta shpreh edhe në vlerësimin tim si njëri prej recensuesve të saj, vepra “Leksikon: Gjuhëtarë shqiptarë dhe Albanologë” është me të vërtetë një kurs albanologjie, pasi të dhënat e thelluara  që japin autorët për kërkimet e gjuh`tarëve shqiptarë dhe të albanologëve të huaj, prej më se dy shekujsh, ravijëzojnë historinë e  gjuhës sonë të shkruar, nga etapa teorike e studimit të saj, prejardhjes, familjes gjuhësore ku bën pjesë, leksikut autokton, huazimet dhe kontaktet me gjuhët fqinje, periodizimin e saj, alfabetizimin dhe planifikimin gjuhësor. Kjo përmbledhje në formë krestomacie është mjaft e pasur me literaturë shkencore, burime të drejtpërdrejta, që do t’u shërbejnë lexuesve dhe studiuesve për një njohje  edhe më të gjerë se përmbajtja e këtij leksikoni. Nga ana tjetër, veprat e gjuhëtarëve tanë më të shquar, pasqyrojnë orientimin e studimit bashkëkohor të dukurive të shqipes moderne, sipas disiplinave, drejtimeve dhe shkollave më të përparuara të kohës. 

Duhet vënë në dukje se  mjaft analiza për veprat e gjuhëtarëve  dhe albanologëve të njohur janë bërë në veprimtaritë e pasura shkencore që ka zhvilluar Universiteti i Shkodrës, ku autorët e këtij libri, kolegët e nderuar A.Haxhi e T.Topalli, kanë qenë  pjesëmarrës aktivë me shkrimet e tyre.