Ky libër me titullin domethënës “Takim me Col
Cufin” sjell mbresa e kujtime të miqve, bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të Col
Cufit, të përmbledhura në një vëllim të hijshëm e të shoqëruar edhe me një numër fotosh të bukura, që ilustrojnë
bëmat e jetën e këtij veprimtari të njohur të Malësisë sonë të Madhe.
Col Cufi, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, nga ata që kanë shkruar për të, po
edhe nga kushdo që ka ka pasur rastin ta
njohin, përmendet e vlerësohet si një nga burrat e shquar të Malësisë së Madhe
të periudhës mbas Çlirimit, krahas figurave të mirënjohura si Bejto Faslia, Çun
Jonuzi, Gjeto Keqi, Ramadan Reçi, Rifat Nuzi, Xhemal Bejtja (Vukaj) etj.
Edhe unë e kam njohur Colin dhe ruaj për të nderim
të veçantë. Ka qenë mik i familjes sonë dhe disa herë, kur vinte në Bajzë, nuk e linte pa ardhur edhe në
shtëpinë tonë, ku ishte i mirëpritur, e
donte shumë im atë dhe krejt familja, ishte i shkueshëm dhe gjithmonë buzagaz
si me të rriturit ashtu edhe me ne të vegjlit. E mbaj mend si burrë të pashëm,
gjithmonë i veshur mirë dhe i lidhur fort me popullin. Për të flasin mirë të
gjithë ata që e kanë njohur dhe që kanë bashkëpunuar me të.
Burra si Col Cufi nuk harrohen. Emri dhe
veprimtaria e tij janë pjesë e vlerave dhe virtyteve që Malësia jonë e Madhe u
ka ushqyer tradicionalisht bijve të vet. Col Cufi ka qenë dhe mbetet një bir i madh i
Malësisë sonë dhe si i tillë do të kujtohet përherë.
Gjovalin Shkurtaj
8 Tetor 2014
No comments:
Post a Comment