Friday, October 10, 2014

Dhimbje e vlerësim për ndarjen e parakohshme nga jeta të poetit Paskal Renda




Pasquale Renda (18.7.1955-29.10.2014)

Më 29 shtator, është ndarë së gjallësh Paskal Renda, poet dhe veprimtar arbëresh, por mbi të gjitha një mik i mirë dhe i shtrenjtë i imi dhe i të gjithë atyre që kanë pasur rastin të vizitojnë Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) të Sicilisë.  



Paskalin e kam njohur këtu e 31 vjet më parë, së pari, në të vitit  1983, kur vajta për anketime dialektologjike në Horë dhe, për disa ditë radhazi, Paskali, bashkë me miqtë e tjerë arbëreshë, si poetët Zef Skiro di Modika, Zef Skiro Maji, si dhe me shumë prej atyre që i kishim njohur më parë në  Shqipëri në përbërje të grupeve të studentëve arbëreshë që vinin për kurse verore të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, si Xhino (Giorgio) Ales, Rozeta Riolo, Zef e Rosana Vasoti, Pino e Pina Verga etj. 



Paskali ishte gjithmonë me ne, gjithmonë i gatshëm për të na njohur me veprimtarët e nismat  kulturore të arbëreshëve të Horës. Paskali ishte djalë i ri dhe disi me ndrojtje më tregoi se shkruante edhe vjersha. Njërën prej tyre, të cilën ma dërgoi mbasi u ktheva nga ajo ekspeditë, meqë ishte edhe  shumë e bukur dhe me freski tematike e pata botuar te gazeta “Drita”, shoqëruar me disa rreshta përnjohës. Kjo ishte një nxitje për poetin e ri dhe, kur u takuam për herë të dytë, në dhjetor të vitit 1984, në Kongresin e Pakicave Etnike, të organizuar nga Instituti Albanologjik “R.Petrotta” dhe Katedra e shqipes e Universitetit të Palermos, të drejtuara  nga prof.Antonino Guzzetta, Paskali mezi po na priste. Grupi ynë ishte i përbërë nga shkrimtarët Dritero Agolli e Nasho Jorgaqi dhe nga dy gjuhëtarë: prof.Androkli Kostallari dhe unë. Në aeroportin e Palermos për të na pritur kishin dalë, të veshur me univformën e policisë, Paskali dhe një tjetër koleg i tij, Franko, që të dy arbëreshë dhe që të dy flisnin aq bukur gjuhën shqipe. Kjo ishte një befasi shumë e këndshme sidomos për Driteroin që shkonte për herë të parë në Piana, porse gjatë atyre ditëve që qëndruam në Piana, befasia do të zëvendësohej me realitein e bukur që në Horën e arbëreshëve flitej kudo e kurdoherë shqip. Shqip flisnin edhe pronarët e punonjësit që na shërbenin te Restarant “Montagnola”, shqip fliste edhe kryetari i bashksë Giacomon Cuccia, të cilin Paskali dhe të tjerët e thërrisnin miqësisht me zbunimin Xhakomin; shqip flitej në të gjitha shtëpitë e miqve që na prisnin më bujarinë tradicionale të Horës, që nga mëma e Mateut (prof.Matteo Madala, atëherë student e mik i Paskalit, sot profesor titullar dhe emër i dalluar i studimeve alanologjike); shqip këndonte natë për natë te Bar Rotonda  edhe Nikolla Lo Jakono dhe grupi tij “Shqiponjat arbëreshe”; shqip fliste krejt katundi, kur dilte në sheshin e Horës për të parë “kullumbin”(pëllumbin) në oborrin e kishës, që ishte jo larg nga shtpia e Paskalit të ndjerë. Për një kohë më të gjatë në ngulimet arbëreshe të Sicilisë kam qëndruar në vitin 1988, kur, bashkë më dy kolegë gjuhëtarë (Mehmet Çeliku e Thoma Rrushi), ishim të ftuar nga Bashkia e Kuntisës (Contessa Ettellina) për të zhvilluar një kurs njëmujor të gjuhës shqipe me arsimtarë e veprimtarë kulturortë arbëreshë të atij ngulimi. Ne e kishim punën dhe qëndrimin në Kuntisë, që është rreth 60 km larg Pianës, por Paskali, herë vetëm, herë me Matteo Mandalain vinin e na gjenin dhe kemi kaluar ditë shumë të bukura, në shoqërinë e tyre dhe të mikpritësve të Kundisës, sidomos nga organizatoret e kursit të shqipes: prof.Giuseppina Cuccia Lo Jacono dhe prof.Guarina Tomasso in Cilluffo, që bashkë me Pinon (Giuspeppe Ciluffo) kishin organizuar një kurs shumë të frytshëm për gjuhën shqipe, si dhe na kanë mundësuar të kryenim edhe anketime e hulumtime gjuhësore shumë të vlefshme. Aso here kam plotësuar edhe një anketë të plotë dialektologjike në Kuntisë, duke pasur si informatore zonjën Pia Skiro, motrën e të shquarit prof.Giuseppe Schiro Junior.

Paskal Renda ka qenë kurdoherë shoqëruesi ynë i përzemërt, na ka ndihmuar të gjenim njerëzit e përshtatshëm për anketimet tona rreth gjuhës arbëreshe, na ka njohur me poetë e veprimtarë kulturorë arbëreshë dhe na ka pritur shumë herë për dreka e darka në shtëpinë e tij bujare, ku na priste nëna e tij, një zonjë tipike arbëreshe,  gjithmonë e buzëqeshur dhe e ëmbël; kemi qenë edhe në shtëpinë e vëllezërve të tij: dr.Sebastianit e Vitos, që ishin më të mëdhenj se ai në moshë, por që për Paskalin kishin dobësi dhe bëheshin copash që të na gostitnin e të na kënaqnin.

Kam pasur edhe lëtërkëmbim të gjatë me Paskalin, kam ndjekur edhe vjershat që ka botuar, sidomos vëllimin e tij me titullin “Shtegu”, Poezi, Hora e t’arbëreshëve: Mondo albanese, 1984, ku është përfshirë edhe vjersha e tij aq e bukur e plot dashuri për shqipërinë e shqiptarët “Dëshirë”.


“Kam dëshirë
të shtrëngoj duar të lodhura.
Kam dëshirë
 të shoh sy plot shpresë.
Kam dëshirë
të puth një flamur gurgull me djersë.
Kam dëshirë
të dëgjoj si e këndojnë Lirinë
zogjtë shqiptarë.
Kam dëshirë
të shoh si rriten lulet,
potisur me djersët e të gjithë popullit.
Kam dëshirë
të përqafoj një vëlla.
Kam dëshirë
të përqafoj dhjetë...njëqind...
një mijë...tremiliona
vëllezër shqiptarë.”

Ti ike, Paskal, mik i shtrenjtë dhe i dashur, por mbeten kujtimet e bukura, mbeten letrat dhe vjershat e tua të sinqerta dhe emri yt fisnik.

Të qoftë i lehtë dheu i Horës tënde që e deshe aq shumë.


Gjovalin Shkurtaj






No comments:

Post a Comment