Sunday, October 19, 2014

Atë Zef Pllumi – meshtar atdhetar dhe dëshmitar i krimeve ndaj klerikëve katolikë



Sot në Shëngjin u organizua ceremonia e dorëzimit të dekoratës së lartë “Urdhri i Flamurit”, akorduar  Atë Zef Pllumit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me motivacionin meritor:  Simbol i qëndresës antikomuniste”.

E ndiej veten të gëzuar për këtë akt nderues ndaj këtij burri të shquar, ndaj këtij birit të Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, të cilin kam pasur edhe unë fatin e mirë ta kem njohur, kam biseduar disa herë në qelën e kishës së tij të vogël, në afërsi të Shkollës së Kuqe, në Tiranë.

Ishin vitet e ringjalljes së fesë dhe sapo kishin filluar të mëkëmbeshin institucionet fetare. Atë Zefi, me tipin e tij të çiltër e me sytë e ndezuar flakë nga dëshira për të lënë gjurmët e veta edhe në lëmin e shkrimit, ftonte në qelë intelektualë, profesorë universiteti, gazetarë nga rrethet katolike, por jo vetëm. Bashkëpunonte shumë me Aurel Plasarin, pastaj, nëpërmjet tij, do të njihte edhe mjaft prej ne të tjerëve dhe, me kohë, krijoi edhe bashkëpunim për gatitjen për shtyp të librit të tij “Rrno vetëm për me tregue”, po edhe për botime të tjera.

Ka qenë viti 1994, kur Atë Zefi më besoi përkujdesjen gjuhësore (lektorimin) e librit të tij “Rrno vetëm për me tregue”, por, duke ma dorëzuar dorëshkrimin e daktilografuar mbi të cilin do të punoja , më kërkoi vendosmërisht që të mos ia dëmtoja as stilin, as formën e tij të shprehjes, realizuar në variantin letrar të gegërishtes dhe me një etnografi ligjërmore të thekur me elementet më të bukura të tregimtarisë tipike të maleve tona. Kam ndier kënaqësi të plotë teksa e lexoja në dorëshkrim dhe, shpesh, e rilexoj atë libër të shkruar me aq hijeshi e pasuri ligjërimore.

Dhe ashtu bëmë. Kur ia dorëzova , më falënderoi dhe, duke pirë një hurbë raki në filxhanat e tij të mveshur me dru, që shkonin në përshtatje e harmoni edhe me zhgunin e tij të murrmë e të lidhur me konopin françeskan, më dha për redaktim gjuhësor edhe një libër tjetër “Publicistikën e Gjergj Fishtës”.

Pa shkuar shumë mot, në filllim të viti 1995, kur po hyja në leksion, ia behu në koridorin e Fakultetit tonë të Historisë e të Filologjisë, Atë Zefi, me dy kopje të librit të tij ”Rrno vetëm për me tregue”, që sapo kishte dalë nga shtypi. Ishte  shumë i gëzuar, se libri kishte dalë edhe tipografisht i hijshëm. E mora në sallën 201, ku jepja lëndën e Dialektologjisë, e prezentova me studentët, e përgëzova për librin e tij dhe ai, para se të largohej, në faqen e parë të librit që ma dhuroi, më shkroi edhe këtë autograf: “Bashkëpunëtorit të kësaj vepre prof.Gjovalin Shkurtaj me nderime autori ia dhuron. (+firma).

Këtë autograf dhe librin  ”Rrno vetëm për me tregue” e ruaj si një nga dhuratat më të vyera dhe e kam gjithmonë para sysh në raftin  përballë tryezës së punës në studion time, midis librave të Gj.Fishtës, E.Koliqit, Migjenit, etj.

Sonte, teksa shihja në televzionin publik lajmin se vetë Presidenti Nishani kishte shkuar në Shëngjin për t’ia dorëzuar zyrtarisht  drejtuesve të Bashkisë së Shëngjinit, dekoratën e lartë ”Urdhri i Flamurit” ndjeva një krenari të ligjshme, si malësor që jam edhe unë, po edhe si njeri që pata fatin ta njihja e të bashkëpunoja sadopak me atë burrë të shquar,  fisnik e dashamirë të letrave shqipe e të studiuesve.

Mbaj mend se në raftat e qelës së tij të vogël, të thjeshtë e me pak orendi, Atë Zefi më ka treguar ndër të tjera, dorëshkrime të çmueshme të Atë Benedikt Demës, midis të cilave “Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” dhe disa studime monografike madhore, të gjitha të pabotuara deri atëherë.

Me kërkesën  e Atë Zefit, në vitin 1994 kam kryer edhe përkujdesjen gjuhësre  për veprën  “Publicistika e Gjergj Fishtës” dhe ,  sa herë jemi takuar në atë periudhë, më ka treguar shumë episode e ngjarje të lidhura me Atë Gjergj Fishtën, ish-profesorin e idhullin e tij.


I qoftë i lehtë dheu i tokës ku prëhet, pastë dritë e diell dhe qoftë në lumninë që meriton për jetën, sakrificat dhe dëshmitë e lëna për vete, por mbi të gjitha, për etërit  françeskanë e përgjithësisht për klerikët e nderuar me të cilët atij i ra fati i keq të vuante Kalvarin e burgjeve e kampeve të punës , por edhe barra e detyra e nderit për ta treguar. Dhe ai e tregoi më së miri e në mënyrë të pavdirë në veprën e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregue”.

No comments:

Post a Comment