Friday, October 17, 2014

Miq faqebardhë tek mikpritës faqezinj

nga Gjovalin Shkurtaj




Dashamirësia dhe dashakeqësia janë dy cilësi të përjetshme të njerëzimit dhe, mbi bazën e tyre, në rrjedhë të shekujve, janë etiketuar edhe popujt, kombet e shtetet përkatëse.

Shqiptarët kanë qenë gjithmonë dashahmirës, bujarë, mikpritës dhe besnikë. Edhe ndaj fqinjëve ballkanikë, kurdoherë, shqiptarët kanë treguar gjoksin e hapur  e zemrën bujare, kanë qenë të lidhur me Atmen e trojet e veta, kanë derdhur edhe gjak për t’i mbrojtur, por kurrë nuk kanë bërë prapashpina, kurrë nuk kanë ushqyer urrejtje të pamotivuar. Përkundrazi, historikisht, fqinjët tanë, pa të drejtë, pa arsye e pa shkak, kurrë nuk na e kanë dashur të mirën, na i kanë pasur zili edhe bjeshkët e malet e larta, edhe fushat, edhe detin e brigjet ku rrojmë qysh se është populluar Ballkani, qysh kur serbët ishin diku në Lindje. Nuk është faji i shqiptarëve që janë anas në trojet e veta, që shkencat historike dhe përgjithësisht humane i kanë dëshmuar se janë ”autoktonë”.

As serbët nuk mund t’i quajmë të këqinj, vetëm sepse kanë ardhur në Ballkan shumë shekuj mbas shqiptarëve. Ata kanë qenë, janë dhe do të jenë fqinjët tanë. Si vendës më të hershëm, shqiptarët u kanë shtrirë kurdoherë si serbëve, ashtu edhe fqinjëve të tjerë, dorën e bashkëjetesës e të fqinjësisë së mirë. Por, të parët tanë e kanë ditur se cilët janë serbët dhe kanë lënë fjalën e urtë që thotë: “Të huajin mos e duaj, por nderin ia ruaj!”. Shqiptarët kurrë nuk i përshkëndojnë as me fjalë as me vepra kundërshtarët e aq më tepër fqinjët. Sigurisht, përvoja e hidhur e shekujve murdarë e kanë bindur popullin tonë të ketë gjithmonë syçeltësi e të mbajë fort parimin e njohur “Besnik banu, por besë mos zen!”.

Edhe Shekspiri i madh thoshte :”Ruaju nga zilia e mikut, por mbi te gjitha nga keqdashja e armikut!”. Dhe në fakt, prej veprave madhore të atij gjeniu, gjithë bota e ka nxënë dhe nuk e harron se keqbërësit, vrasësit, intrigantët, zemërzinjtë gjithmonë shohin ëndrra të kqija. Makbetin e lanë pa gjumë vrasja e pabesia. Droni ishte ëndrra e keqe e serbomëdhenjve e jo provokim prej shqiptarëve. Në stadiumin e Beogradit nuk u lejua asnjë flamur shqiptar, asnjë për be, ashtu si nuk u lejuan as tifozat normalë, duke çuditur botën me këtë frikë të pashpjegueshme nga prania e tifozëve shqiptarë dhe sidomos e simboleve kombëtare të një populli fqinj.

Edhe po të mos ishte shfaqur droni mbi fushën e futbollit në Beograd, serbët dhe e gjithë bota e dinë tashmë se shqiptarët dhe Shqipëria janë faktor me rëndësi në hapësirën e Evropës juglindore, po edhe më gjerë në Evropë në Botë. Shqiptarët nuk dalin para botës me tifozë të paqytetëruar e të dhunshëm, as më shpatë e topuz në dorë, sepse epoka e atyre veprave “është kryer”.

Shqipërinë dhe shqiptarët i përfaqësojnë sot në botë Lorik Cana dhe plejada e sportistëve të shquar që luajnë në klubet sportive më të njohura të Evropës e të botës.

Lorik Cana dhe djemtë e kombëtares shqiptare shkuan në Beograd faqebardhë e gjoksahapur, pa asnjë të keq, në besë të organizatorëve të Federatës së Futbollit e në përputhje me të gjitha rregullat e protokollet që rregullojnë zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit.

Pritej një tjetër frymë dhe fillimi qe shumë i bukur. Po përmend vetëm nëj imtësi (detaj) që nuk duhej t’u shpëtonte as analistëve, as specialistëve të futbollit. I ati i Lorik Canës, një ish-sportist njohur, dhe një ish-koleg i tij serb, që kishin ardhur për të parë ndeshjen, u takuan dhe u përqafuan miqësisht, duke i thënë se “gjatë ndeshjes, për nëntëdhjetë minuta do të jemi kundërshtarë, por mbas ndeshjes përsëri do të jemi miq” dhe në mënyrë shumë domethënëse u përqafun dhe i ati i Lorikut e puthi serbin, mikun e tij. Por, për fat të keq, puthja e zotit Cana në faqen e serbit do të mbetej e ngrirë. Pa kaluar as dyzet minuta të ndeshjes, tërbimi i tifozëve dhe i organizatorëve serbë do të kalonte çdo kufi të sjelljes njerëzore.

Profesionalizmi dhe përgatitja e mirë e futbollistëve tanë ua vranë shpresat për fitore çmendarakëve që mbushnin stadiumin. Humbën logjikën, harruan dhe rregullat e detyrimet ligjore si vend pritës dhe shfrynë mllefet e vjetra e mendësitë anakronike e në mënyrën më të pahijshme e më të paqytetëruar, duke mos nderuar as himin  kombëtar shqiptar, duke thirrur me tone të shfreuara “të vriten shqiptarët” dhe, përtej çdo norme  e qytetarie, ushtruan edhe dhunë fizike ndaj djemve të skuadrës sonë.

Edhe një herë, pra, faqe të gjithë botës, në vend të korrektësisë e zbatimit të regullave të fqinjësisë së mirë, tifozë serbë, si qentë e tërbuar  të lëshuar nga hekurat, u vërsulën në fushë, goditën e lënduan sportistët shqiptarë. Turp  dhe vetëm turp për të gjithë ata që vepruan, por edhe më shumë për qarqet e epërme qeveritare, të cilët në vend që t’i dënonin e të merrnin masa ndëshkimore ndaj tyre,  u dolën në mbrojtje dhe u përpoqën e po vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e një shteti të madh për të dënuar shqiptarët  e jo fajtorët.

Te thuash se ai qe një turp i madh për serbët është pak.Turp e faqe e zezë dhe njollë e pashlyeshme joqytetëruese, po edhe tregues i papërshtashmërisë më të skajshme të Serbisë për t’u pranuar në BE.

Edhe UEFA duhet t’i bëjë ndëshkim shembullor stadiumit dhe Federatës së Serbisë. Fitorja zero me tre në tavolinë për skuadrën tonë kombëtare është gjëja më e paktë që duhet të zbatojë UEFA.

Dhe, meqë disa nga drejtuesit e UEFA-s janë francëzë, më duket e rastit t’u kujtoj një thënie të vyer të Viktor Hygoit që thotë: “La bonté doit être récompensée, et la negligence doit être punir!”(“Mirësia duhet shpërblyer, kurse neglizhenca duhet ndëshkuar.”)

Vetëm kështu, serbët dhe të gjithë qytetarët e vërtetë, që ëndërrojnë dhe shpresojnë të hyjnë në Evropë do ta marrin vesh se me mjetet, mendësitë dhe frymën e mykur shoviniste nuk mund të ecet përpara.

Edhe pa lëshuar dronin mbi një stadium të Beogradit, sot e gjithë bota e ka marrë vesh se shqiptarët janë faktor paqeje e stabiliteti, prania e tyre aq masive edhe në të gjitha metropolet e Evropës, të Amerikës, Australisë etj. nuk u bën dëm të tjerëve. Shqiptarët kanë pasur e kanë dije e kulturë, kanë kodet e veta morale dhe virtytet e dalluara e të lëvduara nga bota mbarë.

No comments:

Post a Comment