Tuesday, December 28, 2010

Prof. HAMIT BORIÇI: 80-VJETORI I PUBLICISTIT,

Kliko ketu per artikullin ne Fjala e Lire

imageLule për Prof.Dr. Hamit Boriçin dhe bashkëshorten, Myzejenin

PEDAGOGUT DHE STUDIUESIT TË PALODHUR

Nga Prof.as.Dr. Murat Gecaj

publicist e studiues

Sonte në mbrëmje, në sallën kryesore të Hotelit “Tirana”, në kryeqytetin e Shqipërisë, u organizua një ceremoni festive, me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së Prof.Dr. Hamit Boriçit, publicist, pedagog dhe studiues i palodhur. Kishin ardhur familjarë të tij, kolegë, pedagogë e studentë, personalitete të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Hapja e veprimtarisë, nga Edlira Birko

Para auditorit e paraqiti këtë ngjarje të shënuar jo vetëm vetjake, por dhe familjare e shoqërore, znj. Edlira Birko. Ajo ia dha fjalën publicistit Qemal Sakajeva, i cili u ndal kryesisht në punën e Prof.Boriçit në vitet e shërbimit në redaksinë e gazetës “Bashkimi”. Ndërsa Bashkim Gjergji foli në ndihmesën e tij në përgatitjen dhe aftësimin e gazetarëve shqiptarë, si në Universitetin e Tiranës dhe, vitet e fundit, në Universitetin jopublik “Ufo”. Ai evidentoi, sidomos, botimin e tij madhor “Historia e shtypit shqiptar” e disa botime të tjera, për studentët e degëve të gazetarisë dhe punën voluminoze për publikimin e 28 veprave të Dr. Vasfi Samimit, në vitin 2009. Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Mark Marku u ndal në mjaft cilësi e virtyte, që e dallojnë në punë dhe në jetë Pro. H. Boriçin, pra si njeri i mirë e punëtor, shumë aktiv në jetën pedagogjike e publicistike e tjerë. Akademikja Floresha Dado e vlerësoi atë mik e bashkëpunëtor shembullor. Ndërsa Prof.Dr. Gjovalin Shkurtaj e cilësoi Prof.Boriçin dashamir të gjuhës së bukur shqipe dhe se ai i meriton te gjithë cilësorët pozitivë, që ajo përmban.

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria (Fotot nga: Murat Gecaj)

Universiteti “Ufo”, ku Prof. H. Boriçi është përgjegjës i Departamentit të Komunikimit, bëri një “suprizë” për këtë pedagog të tij, me anën e një “kartoline urimi”. Ajo ishte ndërtuar mjaft bukur, përmes fotografive dhe filimimeve të gjetura e të rralla, nga jeta e tij e gjatë dhe e begatë, në disa fusha të jetës dhe veprimtarisë, si pedagogjike, publicistike e shkencore. Me këtë rast, u lexua dhe një pershëndetje e dërguar nga Prof. Zef Sima. Plot frymëzim e pasion ishin dhe përshëndetjet e bëra nga pedagogu Aleksandër Çipa dhe studentja e Universitetit “Ufo”, Alda Dalushi. Ndërsa Rektori i këtij Universiteti i dorëzoi Prof.Dr., Hamit Boriçit diplomën “Profesor Nderi”.

Prof.Boriçi (në mes), me kolegët (nga e djathta): Q.Sakajeva,

D.Baxhaku e M.Gecaj

Duke i falënderuar nga zemra gjithë pjesëmarrësit dhe folësit në këtë veprimtari, Prof. Boriçi u shpreh, në mbyllje të saj, se ai është e do të mbetet deri në fund udhëtar i zellshëm e i palodhur, në fushën e gazetarisë, shkencës e diturisë.Pjesëmarrësit, morën pjesë në koktejin e organizuar për nder të jetës dhe veprimtarisë së Prof.Dr. Hamit Boriçit dhe i takuan përzemërsisht gotat e urimit me të.