Saturday, December 11, 2010

BalkanWeb: Pas 30 vitesh Chapman: Pse e vrava Xhon Lenonin?


LONDER
-Ishte mbrëmja e 8 dhjetor 1980. Xhon Lenon (John Winston Ono Lennon 9.10.1940-8.12.1980) po hynte në apartamentin e tij në New York, së bashku me gruan, Yoko Ono. Përpara tij ndodhej vrasësi Mark David Chapman. Xhon do të vdiste në autoveturën e policisë, ndërsa e transportonin për në spital. Ishte 40 vjeç.
Në procesin gjyqësor të zhvilluar, Mark Chapman u deklarua fajtor dhe u dënua më 20 vjet burgim. Ai e vuajti dënimin në burgun e Atikës.
Përse e vrave Lenon?
Chapman: "Xhon Lenon mbushte plotësisht një zbrazëtirë brënda meje, një zbrazetirë të thellë. Duke e vrarë, mendova se do të bëhesha pronar i famës së tij, i suksesit të tij".
Kjo ishte ëndrra e Chapman?
Chapman: "Të isha i famshëm. Unë që isha askushi".
Chapman zuri vend në mendjet e qindramijerave të rinjve të mbledhur në Central Park, për të qarë idhullin e tyre. Mendime të mbushura me dhimbje, me indinjate, me urrejtje të miliona të rinjve të tjerë nga e gjithë Bota, që e donin dhe e adhuronin Xhon Lenon, sikundër edhe ai i donte ata.
Chapman: "E doja Xhonin, e doja vazhdimisht, deri kur brenda meje lindi idea për t'a vrarë. Edhe unë do t'a urreja cilindo që do të donte të më bënte keq. Mund t'i kuptoj këta të rinj. Sot jam në gjendje të përballoj realitetin dhe të arrij të shikoj atë që kam bërë nga një këndvështrim racional. Në kujtesë kthehem vazhdimisht prapa për të kujtuar atë që ndodhi atë natë".
Mark Chapman kishte qënë një fëmijë i vetmuar. Për t'a kapërcyer, për t'i ikur kësaj vetmije, krijonte një Botë imagjinare. Një qytet - mbretëri të mbushur me qindramijëra persona. Ai i kundërvihej kësaj mbretërie. "The Beatles" ishin kolona e tij e preferuar. Gjatë gjithë fëminisë dhe adoleshëncës dëgjonte disqet e tyre në mënyrë të pandërprerë, besonte në këngët e tyre, në mesazhin e tyre. Por megjithatë vetmia nuk e kishte lënë. Duke u rritur humbiste vazhdimisht lidhjet me realitetin. Humbiste në mënyrë të përsëritur vendet e punës. Ndjehej përherë i ndryshëm nga të tjerët.
Chapman: "Por ja se çfarë ndodhi. Dua të tregoj se si më lindi idea për të vrarë Xhon Lenon. Shkoja vazhdimisht në bibliotekë. Ishte ky vendoazi im i vetëm dhe i preferuar, ku gjeja paqe. Një ditë, gjeta në një sirtar një libër të Anthony Fawcett që titullohej "Xhon Lenon one day at the time". Fillova t'a shfletoj për të parë fotot e Xhon Lenon. Por ja, nga këto foto dilte jashtë një tjetër Xhon, që jetonte në New York, në një pallat shumë të madh në Dacotta Building. Një pallat ku jetonin të pasur. Për mua ishte një deziluzion i madh. Më indinjoi shumë. I doja "The Beatles" dhe besoja në këngët e tyre, në atë që thonin, në idealin e tyre që ngjasonte me idealin tim. Prej asaj dite në bibliotekë, Xhon u transformua në sytë e mi në një hipokrit. Brenda meje shpërthente një indinjatë dhe dhunë e papërmbajtur kundër tij".
Mark atëhere vendosi të blinte një pistoletë, një kaliber "38" dhe një biletë për në New York. Ditën e fundit, firmosi në regjistrin e prezencës në punë, duke shënuar emërin Xhon Lenon.
Chapman: "Ishte një ditë shumë e gjatë. Ishte mjegull. Qëndroja me orë të tëra në këmbë në hyrje të pallatit ku banonte Xhon Lenon. Ndërsa isha aty duke pritur, kalonin njerëz që më shikonin.
Improvizoja sikur ai po dilte. Më kalonte përpara dhe unë i kërkoja një autograf në kopertinën e albumit të tij të fundit. Firmosi kështu: - Xhon Lenon. 1980 -. Ky ishte një moment tepër i vështirë për mua. Xhon dukej i qeshur dhe xhentil. Nuk më dukej aspak një burrë fals, një i shtirur. Isha tepër konfuz...
Kaluan shumë orë, një, dy, tre... Ishte errësirë. Ja limuzina e tij tek ndalon para hyrjes së pallatit. Shoferi nuk zbriti. Përkundrazi, e para zbriti Yoko nga dera e pasme. Kaloi para meje pa u ndalur, pa pritur Xhonin. Menjëherë më pas zbret Xhon, duke u drejtuar para hyrjes së pallatit. Kaloi para meje dhe më shikoi.
Atë çast dëgjova brenda meje një zë, që më përsëriste vazhdimisht: - Vrite atë, vrite atë -. Ishte një tjetër "unë" Brenda meje, që më dha urdhër.
Në atë çast nxora nga xhepi revolverin. Mora pozicion qitje. Ngrita revolverin dhe shtrëngova me dorën e lirë pulsin për të ndaluar dridhjen. Pastaj qëllova. Ishin pesë goditje drejt gjoksit të Xhon Lenon.
Fundi i këtij momenti, për mua ishte sikur të mbaronte një film. Arriti policia dhe në ndaloi. Më pas më mbyllën në një autoveturë. Qëndroja për minuta të tëra ulur në sedilen e pasme, përpara së të më dërgonin në rajonin qendror të policisë. Vështroja një figurë që ju afrua autoveturës dhe më shikoi në sy, ndërsa isha brenda. Ishte Yoko Ono. Më mbërtheu ai vështrim. Donte të më shikonte në fytyrë… Akoma sot ai vështrimi saj më torturon.
"Yoko, të lutem përpiqu të më kuptosh. Unë nuk vrava një person të gjallë. Unë vrava një imagjinacion në kopertinën e diskut".
Ka shumë vuajtje në këtë Botë. Po unë shkaktova atë më të rëndën. Vrava një gjeni, një bashkëshort, një baba. Para se t'a vrisja, pashë atë ditë Sean (Shonin), djalin e Xhonit. Ishte vetëm 5 vjeç. Mjaftonte vetëm kjo për të më ndalur. Nuk pres të jem i falur... por të lutem besomë, më vjen keq, më vjen keq...".
Përktheu: Linda Poda