Saturday, January 31, 2015

Përurimi i romanit “Përtej mjegullës ka dritë” i shkrimtarit Isa Alibali


'Përtej mjegullës ka dritë'
Sot në sallën e Akademisë sonë të Shkencave, shkrimtari  Isa Alibali përuroi romanin e tij të ri “Përtej mjegullës ka dritë”. Përurimi ishte organizuar në një mënyrë tërheqëse dhe të atillë që të pranishmit, edhe ata që ende nuk e kanë lexuar librin, morën mjaft përshtypje e përfyturime interesante nga sa u paraqit në kumtimet e rastit nga zotërinjtë Andrea Zisi, Ded Shkurti dhe Jak Luka, si dhe nga leximi mjeshtëror i disa pjesëve të zgjedhura të romanit nga aktorja dhe këngëtarja e shquar Justina Aliaj.


Me Artisten e Popullit Tinka Kurti
Kishin ardhur në përurim shumë njerëz, shumica shkodranë, miq e dashamirë të autorit, familjarë të derës së madhe e të shquar shkodrane të Alibalajve, studiues dhe artistë shkodranë, si Artistja e Popullit Tinka Kurti, pranë së cilës pata nderin e kënaqësinë të isha ulur në radhën e parë; punonjës të organeve të shtypit e të televizioneve  të ndryshme, që kanë njohje, respekt e vlerësim për punën e frytshme e ndihmesat e vyera që z. Isa Alibali ka dhënë në fushën e arsimit, të kulturës dhe të letërsisë.

I diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, pastaj, ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion. Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vjetët e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.

Kohët e fundit z.Isa Alibali jeton në Tiranë dhe, krahas punës së tij si shkrimtar dhe autor i shumë librave studimorë e prozë artistike, është edhe një nga veprimtarët më të gjallë të Shoqatës “Shkodra”.  

Njeri me kulturë e dije të shumta, po edhe me rreth shoqëror e miqësor të gjerë, Isa Albali  pëfraqëson intelektualin që mbron virtytet e traditat më të mira të Shkodrës dhe është, pa dyshm, një emër i rëndësishëm në yjësinë e shkodranëve me të cilët krenohet qyteti dhe krejt krahina jonë. Ai është autor i librit “Në Shkodër të gjithë këndojnë”, të cilin e shfletoj shpesh me ëndjen e përmallimin që na shkakton përmendja dhe gdhendja  e bukur e disa prej këngëtarëve dhe artistëve të paharrueshëm të muzikës shkodrane.

Vite më parë kisha lexuar librin e tij “Si e njoha Mirditën”,  ku shprehet dashuria e autorit për Mirditën e mirditorët, duke vlerësuar figurat e vlerat e krahinës dhe bijve të saj të shquar, një libër i është shkruar thjeshtë, ku ai  rrëfen kujtime, por edhe shpreh vlerësime e pohime me vlerë etnokulturore. Libri është një homazh i bukur për Mirditën, por edhe për ata dhjetëra e,ndoshta, më se  njëqind, mësues jomirditorë, pjesa më e madhe e të cilëve shkodranë, që vitet më të bukura të rinisë së tyre i  kaluan në punën për arsimimin e një zone të vështirë, siç ishte Mirdita e asaj kohe, e që Mirdita u është mirënjohëse për jetë e i konsideron si bij të saj. Për tre vjet, aq sa qëndroi gjithsejt në Mirditë e aq më tepër duke u transferuar çdo vit në një qytet të ndryshëm (Shpal-Rubik-Rrëshen) Isa Alibali ka arritur të mbledhë aq shumë kujtime, të hyjë aq thellë në jetën e botën e mirditorëve, të lidhet aq shumë me ta e t’i dojë aq shumë, sa edhe pas 50 vjetësh ai ka mbetur i lidhur ngusht me ta, i kujton dhe nuk mungon asnjëherë në përvjetorët e gjimnazit të Rreshenit, ku ai ishte drejtori i parë.
Kam lexuar edhe librin tjetër të Isa Alibalit   me titull  “Rrënjë dashurie”, që ka si nëntitull  “ Shkodranët për Kosovën”, ku ai, në të vërtet, tregon se  lidhjet e Shkodrës e të shkodranëve me Kosovën kanë  qenë të afërta në shumë drejtime. Aty, autori ka trajtuar bashkëpunimin e Shkodrës me Kosovën dhe ka paraqitur një idenë e rëndësishme, të cilën ai e shpreh kështu: “Kur themi “Kosova”, mendja na shkon te pushtimi, ndarja, dhuna, vrasjet, përgjakjet  etj., që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës. Por shpesh herë harrojmë se kjo pjesë e popullit shqiptar të ndarë, ka bërë edhe jetën e vet shpirtërore, ka kënduar dhe ka krijuar këngë, ka bërë dasma, ka nxjerrë figura të shquara të të gjitha fushave të jetës etj. Prandaj, ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, më lindi dëshira që të trajtoj në një libër lidhjet e Shkodrës me Kosovën në fushën e artit, kulturës e arsimit dhe ndikimin reciprok të tyre, duke nxjerrë një ide të rëndësishme se jemi një popull, një komb, kemi të njëjtën gjuhë, të njëjtat tradita, etj., prandaj mendoj se duhet të punojmë të gjithë që të ecim drejt bashkimit të dy shteteve tanë, duke vënë theksin te lidhjet tona shpirtërore në radhë të parë”.

Sot, sapo morëm librin e tij më të ri, romanin “Përtej mjegullës ka dritë”, të cilin, natyrisht, do ta lexojmë më ëndjen që i takon veprës së një shkrimarit, që e kam mik dhe e respektoj shumë, por edhe me kureshtjen e madhe që na ngjallën referimet e ligjëruesve dhe, sidomos, leximi mjeshtëror dhe aq mbresëlënës i aktores e këngëtares Justina Aliaj.


Tiranë, 31 janar 2015

No comments:

Post a Comment