Vitet kalojnë dhe, ndërsa lënë shenja në flokët që thinjen, zbardhen e pakohen, si dhe në faqet që vyshken e lërohen nga rrudha të thella, mbeten të freskëta e nuk na shlyhen kurrë nga mendja kujtimet e rinisë. Ato, si “kutia e Pandorës” në mitologjinë greke, hapen herë vetiu, herë me raste të ndryshme, si p.sh. në përvjetorët e ditëlindjes së burrave të shquar të kombit.
Njëri prej tyre është pa dyshim akademiku Alfred Uçi: autor i një vargu të gjatë librash
studimorë themelorë për estetikën dhe artin, filozof e mendimtar, figurë e
dalluar e profesoratit shqiptar dhe e botës akademike, ish-drejtor i
Institutit të Kulturës Popullore, ish-Ministër
i Kulturës, por, mbi të gjitha,
studiues serioz, shumë prodhimtar dhe i
përkushtuar.
E pashë dhe e urova për 84-vjetorin e ditëlindjes pak
ditë më parë, afër hotel “Karlsberg-ut”. Dikur truplartë e i hijshëm, tani
edhe jo pak i rënë nga pesha e viteve,
por gjithmonë me jetësinë dhe gjallërinë e tij të përhershme, do të thosha djaloshare
dhe, si përherë, madhështor e fisnik.
Pa mbaruar mirë s’e uruari për ditëlindjen, fjala shkoi te De Rada dhe arbëreshët, si lëmi
që na ka afruar e bashkuar tematikisht qysh para shumë vitesh.
Sapo ishte kthyer nga një tubim shkencor në Prishtinë,
kushtuar 200-vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës, ku kishte mbajtur edhe një
kumtesë. Ai është marrë gjatë me “Estetikën” e De Radës dhe me botimin e saj në
Shqipëri, shoqëruar me një studim hyrës
të gjatë e të nyjëtuar bukur e me hollësira të vlefshme për shkollartë e
studiuesit, po edhe ka pasur lidhje të ngushta e shumëvjeçare me veprimtarët
e sotëm arbëreshë, sidomos me Mario
Brunetin dhe me figura të tjera të
dalluara të botës arbëreshe.
Si ish-student
e koleg i tij në Akademi, është pikërisht rasti t’i shpreh disa vlerësime për
zotin Alfred Uçi:
Së pari, duke rikujtuar
përshtypjet dhe vlerësimin e mirë që
ruajmë për të qysh kur ishim studentë dhe ai ligjëronte lëndën e Filozofisë.
Bashkë me prof.Zija Xholin, prof.Petro
Lalain, prof.Bujar Hoxhën etj. që
përbënin trupën pedagogjike të asaj katedre, na kanë lënë shijen e mirë të qëndrimit serioz dhe modelin e kundrimit
të shkencës e të jetës “duke u kapur te hallka themelore”.
Na ka vlerësuar me nota të larta, por nota më e vyer e tij ka qenë modeli i punës së palodhur, i vullnetit të pathyeshëm
dhe i këmbënguljes në kërkimin e vlerave estetike në veprat e autorëve shqiptarë,
arbëreshë e të huaj.
Ndër veprat e
tij kryesore janë: “Estetika, jeta, arti”(1976), “Mitologjia, folklori, letërsia”(1982),
“Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986), “Estetika” (në tri vëllime,
1986-1988),”Shekspiri në botën shqiptare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1977), “Ferr-parajsa
danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, Athinë,1998), “Grotesku
kadarean” (1999), “Estetika e groteskut”(4 vëllime,Tiranë, 2000), “Estetika në
letërsinë shqipe” (2001), “Pesë të
mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën
e një rileximi (N.Frashëri, Gj.Fishta, F.Konica, M.Kuteli, Migjeni), Shkup, 2003;
“Filozofia e Teodor Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007),
“Universi estetik” (3 vëllime, 2004-2007), “Estetika metateorike mbi artin” (2
vëllime, 2008). Më 2014, sikur të mos mjaftonin ai mal me vepra që përmendëm,
prof.Alfred Uci botoi edhe monografinë e
gjerë “Estetika migjeniane-Fryma modern në
letërsinë shqipe ”, të cilin e
përuruam në Akademinë tonë të Shkencave.
Ka marrë tri herë Çmimin e Republikës së Shkallës së
parë.
I urojmë shëndet e jetë të gjatë profesorit, kolegut e
mikut tonë të nderuar.
No comments:
Post a Comment