Friday, August 10, 2012

Telegraf: -- Abetarja e njësuar, model bashkëkohor i mësimit të lexim-shkrimit të gjuhës shqipe

Kliko ketu per te lexuar artikullin ne Gazeten Telegraf



INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Shezai Rrokaj, arkitekti i librit të parë të abetares të gjuhës shqipe, fituese e konkursit mbarëkombëtar
- Prof. Rrokaj, copëzimi gjeografik i trojeve shqiptare, çfarë pasoja ka sjellë edhe në evoluimin e gjuhës shqipe?
- Padrejtësia historike që i është bërë kombit tonë nëpërmjet copëzimit, ka lënë gjurmë të thella në tërë përbërjen e tij materiale e shpirtërore. Ndarja e tij në shtete me gjuhë dhe kultura të tjetërfarta, trysnia e tyre e pashmangshme, e mbarsur në mjaft raste me ideologji etnike bizantine e vrasëse të shteteve përqark, mbyllja e shtetit komunist shqiptar dhe politizimi i kulturës, kanë sjellë pasoja të tilla që i kanë detyruar shpeshherë shqiptarët të sillen ndaj njërit-tjetrit, jo si bashkëkombës, por si fqinjë. Njësimi është një proces vetëdijesimi i përbashkët për tërësinë e vlerave shoqërore, historike, kulturore e gjuhësore. Ai kryhet në kushtet kur këto vlera nuk mbeten vetëm potenciale, por kthehen në pjesë përbërëse të çdo individi.
- Sa dhe si e njohim ne shqiptarët njëri- tjetrin, sa dhe si e njohim historinë, kulturën dhe gjuhën tonë të përbashkët?
- Vetë çrregullimi demografik e politik i areas gjuhësore të shqipes nuk vinte në ndihmë për një njësim të natyrshëm, pasi folësit e saj gjendeshin në kushte veçimi tejet specifike por, ndërkaq, edhe njësimi i pretenduar është ende larg së qeni gjithëpërfshirës. Mirëpo, pas viteve ‘90-të, kanë ndodhur dy dukuri demografike me ndikim të drejtpërdrejtë në arealin gjuhësor të shqipes. Janë hequr pengesat gjeopolitike që pengonin qarkullimin e njerëzve e, bashkë me ta, edhe mallrave, ideve, marrëdhënieve shoqërore e kulturore, të cilat gjejnë shprehje në rrjetën e shenjave gjuhësore. Gjithmonë e më shumë, shqiptarët po dalin nga enklavat, ku i pati vendosur padrejtësia historike dhe po homogjeneizohen. Bashkë me ta edhe kultura, gjuha, institucionet, mënyra e njëjtë e perceptimit të botës dhe formimit të vetëdijes gjuhësore e kombëtare. Përpos kësaj dukurie makrolinguistike, një dukuri tjetër po ndodh në arealin e shqipes: zhvendosja e lirë e njerëzve brenda enklavave, hap pas hapi, po “prish” dialektet dhe të folmet, të paktën në kuptimin klasik të këtyre koncepteve, duke dhënë një pamje të re në atlantin gjuhësor të shqipes. Kjo gjë ka bërë të mundur që brumi i shqipes të vihet në lëvizje shumë më të gjerë, duke rritur ndjeshëm kontaktet. Në këto kushte, çështja e standardit nuk mund të trajtohet me të njëjtin këndvështrim si më parë. Në këto kushte, roli i edukimit shkollor duhet të rrokë gjithë hapësirën shqipfolëse, prej trevave deri në diasporë. Në këtë drejtim po shkojnë edhe politikat e edukimit nëpërmjet shkollës dhe kulturës në tërësi. Kjo sintoni vjen në përputhje me zhvillimet strategjike të cilat përkthehen në vizione politike, ekonomike, shoqërore njësuese e integruese.
- Abetarja e njësuar çfarë vlerash përfaqëson?
- Që prej Abetares së N. Veqilharxhit, në një hapësirë kohore prej gati 150 vitesh janë hartuar mbi 160 abetare për t’u mësuar fëmijëve abc-në e gjuhës shqipe. Është, pra, një traditë e madhe dhe një vlerë e vyer ky përkushtim ngulmues për t’u sjellë fëmijëve tanë Librin e librave, atë që më mirë se gjithçka tjetër u mëson me urtësi gjuhën e nënës. Parë në këtë vështrim, Abetarja fituese ishte fryt i një përvoje dhe një tradite qindravjeçare të shumë dijetarëve për të përmirësuar këtë libër të artë. Abetarja fituese e konkursit mbarëkombëtar të shpallur nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës është një kurrikul i ri, i cili synon t’u japë nxënësve të klasave të para një kurrikul, ku ata të gjejnë veten dhe mundësi për ta mësuar me lehtësi lexim-shkrimin dhe për të arritur një cilësi të mirë në aftësitë e tyre për të lexuar dhe për të shkruar.
- Cilat janë risitë e abetares së njësuar?
- Si libri i parë i fjalëve, ky libër mëton t’u japë nxënësve shqiptarë, kudo që janë, gjuhën shqipe, pasurinë e saj leksikore dhe strukturore. Ai u jep gjuhën standarde shqipe të pastër e të bukur, ashtu siç është. Nisur edhe nga interesat e shkollës shqiptare, për një reformim në kurrikul, Abetarja e re synon të paraqesë një paketë të re kurrikulare të mbështetur në kritere të reja shkencore dhe metodike. Është bërë përpjekje për të gjetur zgjidhjet më të mira, si në planin e metodave të përdorura, ashtu edhe në gjetjen e strategjive dhe teknikave, që jep nëpërmjet tekstit të mësuesit. Në këtë këndvështrim, Abetarja është më tepër se një libër për nxënësit. Ajo jep një informacion të ri edukativ si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, informacion, i cili do të përvetësohet shkallë-shkallë nga të dyja palët në punën e tyre të përditshme.
Duke qenë një nismë mbarëkombëtare, ne shpresojmë që kjo Abetare të plotësojë interesat dhe t’u përshtatet fëmijëve shqiptarë, kudo që ata janë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë e kudo ku ka shqiptarë të hershëm e të rinj. Abetarja jonë jep një përmbajtje të re të mbështetur në parimet e didaktikës bashkëkohore dhe në studimet e fundit në fushën e lexim- shkrimit. E gjejmë me vend të përmendim këtu se për lexim-shkrimin fillestar bashkëveprojnë metodat globale, analitike, sintetike dhe alfabetike. Në studimet e fundit thuhet se metodat e mësipërme, kur bashkëveprojnë me parimin e të mësuarit kontekstual (të mësuarit me fusha tematike apo të mësuarit me tema), ndikojnë shumë në cilësinë e të mësuarit të nxënësve.
Lexim-shkrimi paraprihet nga një periudhë përgatitore e organizuar me shumë vëmendje dhe e studiuar mirë në planin e kërkesave dhe të rëndësisë që ka kjo periudhë për të përgatitur nxënësin dhe për ta bërë të aftë për të filluar mësimin e lexim-shkrimit në mënyrë të organizuar dhe të disiplinuar. Nëpërmjet kësaj periudhe synohet të aftësohen fëmijët për të folur, për ta pasuruar fjalorin bazë, për të risistemuar strukturat gjuhësore të fituara në këtë moshë, për unifikimin e një gjuhe të përbashkët shkollore për shmangien e streseve të moshës të diktuara nga mjedisi i ri (shkolla), për zhvillimin e një sërë aftësish motorike të nevojshme për lexim-shkrimin etj.. Periudha e mësimit të abetares është shumë e rëndësishme. Ajo kërkon që të jenë të gjetura dhe të gërshetuara mirë parimet dhe metodat që veprojnë në zhvillimin e saj. Për këtë qëllim, në tekstin tonë, ne jemi treguar të vëmendshëm për të bërë një gërshetim të metodave të përmendura më sipër. Abetarja jonë nuk i jep përparësi njërës metodë në raport me tjetrën, por në këtë tekst është treguar kujdes që të ketë një gërshetim, duke i dhënë rëndësi, sidomos në fazën e parë të mësimit të saj, procesit të analizës së strukturës së fjalisë dhe të fjalës. Në çdo faqe abetareje shihet qartas kujdesi që tregohet për këtë gërshetim. Që nga rreshti i parë, në të cilin janë vendosur të gjitha shkronjat e alfabetit e, më pas, fjalori, në pjesët anësore të fjalëve, duke vazhduar me temën e ditës me strukturën bazë të fjalisë, që analizohet dhe, duke zbritur deri në analizën dhe sintezën e fjalëve të veçanta të cilat janë edhe çështja kryesore, vihet re se të gjitha janë në funksion të realizimit të procesit të analizës dhe sintezës në situata të caktuara komunikimi. Mësimi i lexim-shkrimit pasohet nga një pasabetare, për të cilën ne do , të këshillojmë vetëm disa objektiva dhe pjesë leximi me aparate të thjeshta pedagogjike, të cilat kemi bashkëngjitur abetares, pa përjashtuar mundësinë edhe për t’i dhënë edhe të ndara. Po për këtë periudhë ne kemi përgatitur një libër pune shumë tërheqës, i cili synon t’i aftësojë nxënësit për më shumë zhdërvjelltësi komunikimi gjuhësor të mbështetur në logjikën intuitive të tyre. Pas çdo ushtrimi të parashtruar në këtë libër pune, qëndrojnë dukuri gjuhësore, të cilat do t’i zgjerojnë më tej aftësitë e tyre.
- Ju faleminderit!