Wednesday, August 1, 2012

Përbashkësia e gjuhës si dëshmi e njësisë së kombit shqiptar në veprat e Mjedës

Akademik as. Gjovalin Shkurtaj


I falënderoj organizatorët dhe, më për së forti, të përndritshmin Dom Nika, mikun tim të nderuar, të cilin me plot gojën e kam quajtur “të kudogjendur për mirë”, të kudogjendur për të sjëllë në kujtesën e kombit bëmat atdhetare, letrare, artistike dhe kuturore të figurave të ndritura të kombit shqiptar, nga radhët e klerit katolik, prej Gjon Buzukut e deri te dom Simon Jubani.Në këtë hulli dorëmbarë e të vyer, hyn, pa dyshim, edhe veprimaria shkencore e sotme kushtuar Ndre Mjedës.

Vjershëria e Ndre Mjedës ka “vulë’ të dukshme e të theksuar atdhetarie, duke dalë, ashtu si bashkëkohësi e bashkëvendasi tjetër zadrimor, Atë Fishta, si ideator dhe mëtues i pamposhtur  i pohimit: “Kjoftë mallkue, kush qet ngatrrime,/ ndër kta vllazën shoq me shoq:/ kush e ndan me fjalë e shkrime,/ çka natyra vet përpoq!

Sa të fuqishme, po edhe për fatin e lig të shqiptarëve, edhe sa aktuale e prekëse, tingëllojnë edhe sot këto fjalë e ajo thirrje e poetit e gjuhënjohësit të të nderuar, në jubileun e 75-vjetorit  të vdekjes, pikërisht këtu në vendlindjen dhe truallin  ku lindi, jetoi dhe shkroi, e ku jemi tubuar sot për t’i blatuar Atij fjalë miradie e lavdie të merituara.

Mjeda, i cili, sikundër dihet, ka pasur jo vetëm përgatitje të gjerë humanistike e filologjike, por edhe është marrë mirëfilli me studime gramatikore, e ndiente më mirë e më thellë se të gjithë bashkëkohësit e vet se  kishte rëndësi të madhe atdhetare e kombëtare, jo vetëm “të dashunit e gjuhës, por edhe të dalunit zot” asaj me dije e me pohime të mbështetura prej shkencëtarëve të mirënjohur, sikundër ishte, ndër të tjerë, edhe albanologu i shquar Gustav Mayer, të cilin poeti e njihte jo vetëm nga sa kishte gjurmuar e pohuar albanisti i madh për historinë e gjuhës shqipe, po edhe kishte  letërkëmbim me të. Kështu, poeti gjen rastin të shtjerë në vargjet e vjershës “Gjuha shqype” “indin”e përfundimeve dhe rezultateve të dala nga hulumtimet e dijetarëve të shquar e dashamirë të shqipes e të popullit shqiptar, siç është rasti i Meyer-it, të cilit Mjeda ia kushtoi pikërisht vjershën e tij më të bukur dhe, ndonëse në kufijtë e rrudhur dhe në mënyrën  që i shkon përshat vjershërisë, ai do të na japë, në fakt, thelbin e parashtresës së albanologëve të kohës rreth hershmërisë dhe hireve të gjuhës sonë.

Me vargje të një bukurie e hijeshije të pakundshoqe deri atëherë, po edhe mbi shtratin e mbërritjeve e pohimeve të dijetarëve për hershëmrinë e shqipes dhe të qenët e saj “pa lidhje birërie me asnjë nga gjuhët e vjetra të Evropës”, poeti  përthekon metaforikisht sa vijon:

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
Si ‘i bij kje qi pa prind mbet;
Per t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
S’t’kishte kush për motrë t’vet
”.

Dhe, mbas këtij parafrazimi poetik të dijes shkencore rreth hershmërisë e lashtësisë së shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane, poeti, ashtu si e kemi pasur (dhe e kemi) në traditën e mirënjohjes ndaj dashamirëve ne veripërëndimorët, i blaton edhe një perifrazim përlëvdues nga më të bukurit e me gjithë solemnitetin e merituar albanologut të shquar austriak me fjalët:

Kur nji burrë u çu n’Austri
E me sy gjithkund t’kërkoj:
Gustav Meyer-i asht emni i tij,
Emni i burrit qi t’madhnoj
”.

Dhe, vijon edhe më tej vlerësimi e lartësimi i ndihmesës shkencore të Meyer-it me fjalët më të zgjedhura, ashtu si e zgjedhin mjeshtrat mermerin për lapidare:

Porsi dielli tui flakue
Shpërndan terrin qi na mbëlon,
Njashtu Meyer-i tue kërkue
Kah ke dalë po  ta difton.
T’difton motrat, t’difton fisin
Neper shekuj fluturim,
T’çon njatje ku luftnat krisin,
Ku â kap’ Roma e Iliri shqim
”.

Në vargjet e kësaj vjershe, Mjeda ngërthen edhe idenë se shqipja vjen prej ilirshtes, se edhe shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, duke përmendur Bardilin (mbretin ilir Bardylis) dhe duke përthekuar metaforikisht pikërisht idenë e karakterit autokton të shqiptarëve në trojet e veta ballkanike:
E njat tokë qi je tui gëzue
E ke xanë tesh sa mijë vjet.
Shqyptarija qi mbet mbëlue
Sot nën dhe, edhé shqyp flet
.”

2.Vjershat dhe poemat e Ndre Mjedës janë kushtrim për ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë truallësore të kombit e popullit shqiptar, duke u shprehur qartë e katërcipërisht edhe nëpërmjet toponimisë që përmend e shtie në vargjet e veta, si p.sh.: “Prej Tivarit e n’Prevezë, / nji â giuha e kombi nji,/ Ku lëshon dielli njato rreze/ Qi veç toka jote i di”.

Askush më bukur, po edhe aq me forcë e ndikim në thelb të zemrës së popullit, nuk i ka kënduar njësisë dhe përbashkësisë së dy dialekteve të shqipes, sa Ndre Mjeda, kur thotë:

 “Gege’ e Tosk, Malci jallija,
janë nji komb m’u da s’duron:
 Fund e maje nji a Shqypnija,
E nji gjuhë t’gjith na bashkon
”.
 
Kësaj ideje madhore (të njësisë dhe përbashkësisë së shqiptarëve, të lidhur me një gjuhë “shejte “  e të vetme ) Mjeda i është qasur e rikthyer disa herë e gjithmonë me theksim e ton kushtrimues, si p.sh. te vjersha “Bashkonju “, ku ai thërret :

 Mblidhn’ju vllazen, e bashkon’ju
Nen flamur të Shqyptaris :
Prej nji gjaku, nji gjinis
  shqyptari kand e kand.
Nji gjuhe shejte t’gjith kuvesim
Nji istori, nji atdhe ne kemi,
Geg’ e Toskë nji zemre jemi
Me ndjekë Shqype hovin tand.

Dashuria për gjuhën shqipe dhe ndjenja që ngjall rrethana se “shqipja ndihet” shkon gjithmonë krahas me ndjenjën se  “Shqyptarija rron”, dhe ky binom madhështor e drithërues për çdo shqiptar të vërtetë përshkon tejendanë vjershërinë e Mjedës dhe vrujon këndshëm  jo vetëm  te vjersha “Gjuha shqype”, po edhe gjetiu, ashtu si gurrat freskuese që mbajnë gjallë gjelbërimin e barin e butë të bjeshkëve.
Le ta shijojmë së bashku një strofë tipike për sa më lart nga “I tretuni”:

Mirë se vjen! Vetë Perendija
T’paska prumun nder kto vende;
Se me ty gjith Shqyptaria
Fluturim mue m’erdh, e n’mende
T’tanë me’j herë njaj dhe m’përtrihet,
O lejek, ku shqypja ndihet.

Te vjersha “Malli për Atdhe”, madje, Mjeda, nuk mënon edhe t’i mallkojë ata që ,
qoftë edhe për t’u pasuruar, largohen nga vendi i vet:

Njaj zemrë nierit nuk ka qi udhtimin
Per mirakande merr me u begatue;
Lerg teje, o Shqype, kush lyp gjallimin
Po do mallkue.

3. Onomastika dhe shtresëzimet e saj në vjershat e Ndre Mjedës

Mjeda mbetet si poeti i damë në shenj për shkurtinë dhe përpunimin e  kujdesshëm të vargjeve, rimave, theksave dhe, mbi të gjitha, për zgjedhjen e fjalëve dhe emrave të përveçëm, qofshin ata emra vendesh (toponime, hidronime, oikonime të moçme  a të reja), qofshin emra njerëzish (antroponime) të kohës apo të traditës së hershme, jo vetëm mirëfilli historike, po edhe mitologjike, fetare etj. Mjeda, ashtu si të gjithë shkrimtarët  që mëtojnë ndikim e parapëlqimin e lexuesit, në krijimtarinë e vet, jep ndjenjat e mendimet, përvojën shpirtërore, vëzhgimet nga shoqëria e nga natyra, bindjet dhe kërkimet, ëndrrat dhe idealet e tij, mirëpo, për t’ia dhënë të gjitha këto lexuesit, ai ka në dorë vetëm mjetet e gjuhës, fjalën shqipe. Kjo do të thotë se gjetja e fjalëve dhe e shprehjeve të goditura, e ndërtimeve sa më të përshtatshme, nuk arrihet lehtë; ajo është punë e gjatë që kërkon përgatitje të mirë kulturore e arsimore të shkrimtarit, kërkon njohje e përvojë jetësore, si dhe hulumtime e kërkime për të njohur pasurinë dhe mjetet shprehëse të gjuhës. Dorëshkrimet e shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë botërore si të U. Shekspirit, L.Tolstoit, G. Floberit, A. Manxonit etj. na tregojnë se çfarë mundimi i madh u është dashur atyre për gdhendjen e veprave që kanë shkruar.Shpreh bindjen se e tillë, fryt i një pune të kujdesshme, të imtë e me dorë mjeshtri, ka qenë edhe krijimtaria poetike e Ndre Mjedës,  ndonëse me përmasa të hajthme e të atilla që, ndokush, edhe mund të gabojë e të thotë : po ai pak e gjë ka shkruar, ku qenkan ato vlera të mëdha e aq më tepër modelore të përpunimit gjuhësor e stilistik ?

Rreshtat e kumtesës sime, ndonëse pa qenë as rasti as mundësia t’i dalim për zot një paraqitjeje shteruese, do të tregojnë, besoj edhe shumë bindshëm, se poeti ynë punonte me gjuhën, me fjalët, me format dhe deri me onomastikën artistike, ashtu si argjendarët e sprovuar me rgjâtet e moçme, që i zgjedhin, i masin, i lëmojnë, i zbardhojnë dhe i vendojnë me maturi në prodhimet  që nxjerrin nga dora. Lidhur me këtë, na duket me vend të citojmë si pikë mbështetëse një vlerësim të shkrimtarit e kritikut Qemal Draçini, shkruar në qershor të vitit 1939, ku jepet, mendoj, jo vetëm me objektivitet, po edhe me dashurinë e stimën që meritonte (e do ta meritojë gjithmonë) Ndre Mjeda për stilin dhe hijeshinë e vjershërisë së tij:

‘’S’ka  gja ma plastike, ma të kumbueshme, ma harmonike se mënyra e të shkruemit të D.Ndres. Ay (stilii tij) rrjedh tue i shkue mbrapa gjithkund natyrsis së motivit që i nep shkas : hera-herë rrshqet i shpejtë e i turrshëm, trandës e shkapërderdhës,i ndezët e i potershëm ; herë të tjera tërhiqet i ngadaltë e i ndeshëm, i vranët e i ngrysun, i mekun e përvajtues.Veç gjithmonë me tinguj kumbuesa që të zgjojnë në fund të pandergjegjës kujtimin e fashitun të një kalese tronditëse, veç gjithmonë më harmoni muzikore që t’a ndezin shpirtin para Faltores së re të një hyjnie së panjoftun.‘’
Le të ndalemi, më për së afërmi, në ndonjë prej këtyre cilësive, duke u mbështetur, kryesisht, në fushën e onomastikës ose, thënë ndryshe, në zotësinë e Mjedës për të ngjyrosur gjeofrafikisht dhe emocionalisht vjershërin e tij me anën e emrave të përveçëm.

3.1. Onomastika shqiptare e Shqipërisë dhe e trevave të saj  (Shkodra, Lezha,Tivari, Preveza, Babuna, Malcia,Taraboshi, Maranaji, Cukali etj.)  dhe antroponimia artistike në vjershat e poemat e Mjedës ( Lokja, Trin(g)a, Zoga, Mordja) si  përthekuese të idesë së përbashkësisë etnike dhe e ruajtjes së visareve të mëdha amtare e gjuhëruajtëse.

Disa dhjetëvjeçarë  më parë, në një artikull timin me titull   Edhe emrat e personazheve kanë rëndësinë e tyre theksoja se çdo epokë historike, lë gjurmët e veta edhe në gjuhë, sidomos në fjalor dhe në emrat e njerëzve. Kështu, rilindësit tanë të mëdhenj, duke e kuptuar se pushtuesit e huaj me anën e fesë po i përdornin edhe emrat e njerëzve si nxitje për dallim, përçarje e copëtim krahinor e shoqëror të shqiptarëve, u ngritën aso kohe me moton e madhe që formuloi Pashko Vasa: "Feja e shqiptarit është shqiptaria". Pra, nuk ishte e rastit që edhe në fillesat e letërsisë artistike të asaj periudhe, një tregim si "Gjahu i malësorëve" i K. Kristoforidhit, na jep emra personazhesh të tillë, si: Arbër, Toskë, Gegë, Gjergj, Mërkur, Mark Shalgjati etj., të cilët, përveç simbolikës përbashkuese, kishin edhe një vlerë modelore si emra njerëzish (antroponime) të brumit amtar ose të shqiptarizuar në mënyrë të ndjeshme. Naim Frashëri si dhe rilindës të tjerë, dihet se kanë bërë punë të madhe me gjuhën në shumë drejtime. Këtu, do të përmendim, ndër të tjera, emrin e Kamanit ("Historia e Skënderbeut"), një personazh aq simpatik po edhe me një emër të bukur e me një jehonë të përshtatshme për të gjitha trevat shqiptare. Në të njëjtën hulli ecën aso kohe edhe shkrimtarët arbëreshë. Le të kujtojmë, p. sh., se F. A. Santori, personazhin kryesor të dramës së parë të letërsisë shqipe, do ta quante Emira, ndërsa De Rada tek "Milosao", krahas Milosaut, na jep edhe emrin e bukur Rina. Kjo hulli e mbarë do të vazhdonte edhe për shumë mote në letërsinë shqiptare të Rilindjes. Le të kujtojmë se A. Z. Çajupi, në radhën e personazheve të komedisë "Pas vdekjes" ka edhe Lulushen. Ndre Mjeda në poemën "Andrra e jetës" parapëlqen për heroinat e veta emrat vendas të traditës së malësive shqiptare: Zoga e Tringa, që të dy emra jofetarë dhe parakristianë, ndërsa për figurën e nënës ai pëlqen, gjithashtu, një emër të bukur Loke, që duke qenë edhe tipik malësor, po edhe me një ngjyresë e tingëllim të përshtatshëm, do të mbetej si një emër i parapëlqyer edhe më vonë në letërsinë shqiptare. (Le të themi, me këtë rast, se Lokja do të na dalë si emër i personzheve kryesorë në dramën "Toka jonë" të K. Jakovës, pastaj edhe te drama "Cuca e maleve" e L. Papës).
Mbas kaq kohe, hera e mbarë e pruri që, atë ide të hershme rreth modelit të bukur dhe dorëmbarë që Mjeda kishte dhënë me Loken, si emër jo vetëm tipik shqiptar, po edhe  aq të pëlqyeshëm saqë do të mbetej si personifikim i nënës shqiptare në  gati mbarë veprat me temë nga Shqipëria e Veriut, t’u kthehem atyre shënimeve të hershme dhe të shtoj edhe disa shqyrtime e pohime të tjera, si fryt i rileximit më të imtë dhe detyrinmisht edhe më të përputhshëm me rrudhat e thinjat që ma mbulojnë kryet…

Mjeda, jo vetëm pse vinte nga një krahinë ndejtare dhe e njohur për gjinde të butë e të përvujtë, kryesisht bujq e blegtorë të devoçëm, po  edhe për formimin e tij shumë të gjerë e të hapët, me njohje të thellë të fjalës së thënë në popull dhe  i regjur nëpërmjet leximeve në gjuhë të huaja  e në shkrimtarinë pararendëse të autorëve të vjetër dhe të kolegëve të tij bashkëkohës, sidomos të Fishtës, ishte si të themi në një “garë” a konkurrencë shkrimtarie:  shtrohej pyetja, pra, se cili është më fjalëbukuri?

Nuk dua t’u hyjnë në “synore”letrarëve e historianëve të letërsisë, por nuk mund të rri pa thënë se, edhe cilësimi tashmë  i mirënjohur  që i atribuohet Fishtës, sikur ai paska shprehur se Mjeda “ka nji melankoni që i rrjedh ma shumë prej mendjet,sesa prej zemret”, po të lexohet në dritën e asaj që i takon Mjedës si mjeshtër, si argjendar i fjalës, atëherë, ndoshta, edhe thënia e Fishtës së Madh nuk do të tingëllojë si kritikë veskeqe, por thjesht si vlerësim, madje, ndoshta edhe si një përulje  përpara punës tejet të kujdesshme që bashkëvendasi i tij bënte mbi vargjet e rimat në vjershat e tij gjithmonë “fjalëpeshuara”, gjithmonë të “lëmuara”.

3.2.Onomastika historike dhe mitologjike dhe legjendare në vjershat e Mjedës
Mjeda në lirikat e tij me tematikë historike, si dhe në poemthat e tij “Lisus” dhe “Scodra”, në funksion të ngjyresave të duhura të kohës e mjediseve  që evokohen në to, ka shtënë në punë edhe një numër të mirë emrash apo onomastikë me “ngjyresa” të caktuara, si p.sh.: Bjeshkët e Nemuna (O ti diell, qi pa nji hije/ Mbi Bjeshkë t’Nemuna shkëlzen); Bahti (
Neper kodra të stolisuna me vneshta
Ku vilet arit xhixhlloshin në dielli,
E rrotull fushen tui kaditun, prilli
Edhe lulzonte kur kish himun vjeshta.
Nder ullishta gjelbrore qi kah Kreshta
E  terthores s’Merqijes vishin nji filli,
Ku Velja e rrmbyeshme qi perket te qielli
Ambel me hyjzit mban kuvende t’shpeshta.
“Darzmore të Bahtit, t’Aferdites shkoshin
Veshun me gunza e krah’t e bardh’ t’shpervjelun
Vashat e Ilirve me koshere n’krye.
E ngrehshin valle dora dora, e kndoshin
Kreshnik’t e Ilirvet e anmiqt e ngelun:
Gadhnjyes Bardhylin e Perdikën e thye
.”

3.2.1.Emrat e shenjtorëve në hapësirat shqiptare dhe disa prurje plotësuese nga vjershat e Ndre Mjedës

Te poema  “Andrra e jetës” në kreun “Zoga”,ndër të tjera ndeshim dhe emrin e një shenjtoti që rrallë  na kishte dale në në shënimet tona: shën Ejlli:

Nuk ishte begu: nen diell t’valtë
Ve[ dy dallndysha bajshin do baltë,
Balt’ e kashtare per çerdhe t’vet,
Se shën Ejlli â nget.

Në Mbishkodër e gjetkë në Veri kishim të njohur e të fiksuar emra si: Shnarroku, Shnatoni, Shmarku, Shnjergji i Ri, Shnjergji Plak, Shpietri, Shnjoni’, Shumhilli, Shumllija, Zoja e Hotit, Zoja e Shkodrës, Zoja e Grudës,Shtoma (Shën-Toma ose Shën-Thomai në pjesën ortodokse). Në Pogradec dalin edhe: Shën Marena, në Lëngë të Pogradecit, Shën Ashti.

3.3.1.Kundrime rreth drejtshkrimit të onomastikës te Mjeda

Me interes na duket, gjithashtu, të përmendim rrethanën që Mjeda, disa herë në vjershat e veta kur përmend emra vendesh dhe njerëzish, sidomos të atyre me karakter historik, u qaset me dëshirë edhe formave të kryehershme, zakonisht, në trajta të shkruara sipas gjuhëve të huaja, sidomos në latinisht: Scodra, Lissus me siguri si shprehje e gjakimit të tij fisnikërues dhe vjetërsi e evropinësidëshmues. Ndërkaq, ai përdor gjithandej format shqiptare (përkat. Shkodrë, Lesh e  Lezhja). Kjo besojmë, do parë e lidhur edhe me traditën e mbarë dretshkrimore që Mjeda ka ndjekur në shkrimin e emërtimeve me vlerë etnike, të cilat, ashtu si në traditën shkrimore italiane, franceze, gjermane etj. i shkruan me nistore kapitale, si: Romaku,  Etolat (banorë të Etolisë), Iliri, Liburnët, Shqyptar, Gegë, Toskë, Hoten, Shkrelas, Kruetan etj.Po ashtu, Mjeda shkruan me të madhe etnikat Gegë e Toskë, si dhe Shqype për gjuhën.

Nji gjuhe shejte t’gjith kuvesim
Nji istori, nji atdhe ne kemi,
Geg’e Toskë nji zemre jemi
Me ndjekë Shqype hovin tand
.”

Po ashtu, Mjeda, me të drejtë, shkruante me shkronjë të madhe nistore emrat Hyji, Zot, Zojë (Shën-Mrija), Perendija, i Lumi Krisht.

Mbas kaq kohësh, sikundër po shihet nga përvoja e zbatimit (përkat.e moszbatimit) të rregullave të drejtshkrimit lidhur me përdorimin e shkronjës së madhe në emra të tillë, do të duhet t’u rikthehemi disa qasjeve më të drejta që kishin pararendësit tanë, sidomos ata që , si Mjeda, Fishta etj. jo vetëm e njihnin, sepse edhe ia kishin vënë themelet alfabetit drejtshkrimit të njësuar qysh me Kongresin e Manastirit e me “Komisinë Letrare”, po edhe  gjakonin  të kishim një gjuhë shkrimi sa më të ngritur, po edhe me spkamën e nevojshme nga pikëpamja e etnografisë së ligjërimit dhe e respektit a kortezisë gjuhësore. 

Në përfundim, le të na lejohet  të ritheksojmë se gjuha e Ndre Mjedës, ashtu si dhe e të gjithë shkrimtarëve të mirë në rrjedhë të shekujve,  ushtron ndikim të ndjeshëm gjuhësor në jetën e shoqërisë. Nëpërmjet letërsisë së shkruar, masat e gjera të lexuesve njihen me pasurinë e leksikut të shqipes popullore, me fjalë e shprehje të reja të krijuara prej shkrimtarëve dhe i bëjnë ato pronë të ligjërimit të tyre. Në mënyrë të veçantë ndikojnë në popull veprat e shkrimtarëve më të pëlqyer, pesha e fjalës së të cilëve ndihet e fuqishme në kulturën ligjërimore e shkrimore të popullit. Të tillë peshë kanë pasur, p.sh., Dante Aligeri, Alesandër Manzoni, De Amiçis për italishten, Molieri, Balzaku, Mopasani, Floberi etj. për frëngjishten, Shekspiri, Dikensi, Thekërei, Gollsuorthi për anglishten, Gëtja, Shileri, Hajne për gjermanishten, Pushkini, Tolstoi, Turgenjevi, Gorki, Majakovski për rusishten etj. Edhe shkrimtarët shqiptarë, me artin e fjalës së tyre, e kanë ngritur gjuhën tonë letrare në shkallën e gjuhëve më të përparuara të letërsisë botërore, e kanë bërë shqipen letrare të jetë shprehëse e saj, e kanë rritur në mënyrë të ndjeshme forcën e saj shprehëse. Në këtë punë me rëndësi të veçantë historiko-letrare kanë marrë pjesë disa breza shkrimtarësh (Naimi, Çajupit, Fishta, Noli, Migjeni, Konica, Koliqi  etj.) midis të cilëve Ndre Mjeda, qëndon me dinjitet. Fjala e Ndre Mjedës dhe e ‘’korit’’ të poetëve e shkrimtarëve të tjerë, bashkëkohs e pasardhës të tij, zë vend e ngulitet thellë në zemrat e mendjet e lexuesve, i pasuron e i fisnikëron ato dhe ua shton dashurinë për gjuhën amtare.

Tiranë, 1 korrik 2012


 Kemi paraysh studimet e tij: “Vrejtje mbi artikuj e përemna pronës të gjuhës shqipe” (1934), ”Mbi  shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet të gjuhës shqipe” (1902), si edhe  transkriptimin e pjesshëm të veprës së P.Bogdanit (1930) dhe të P.Budit (1932), po edhe shkrimet e tij Për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Për Perikopenë e ungjillit të shek.XIV-XV (1933), të cilat janë të njohura dhe përmenden në historinë e albanologjisë. (Shih: FESH, Tiranë, 2008,f.1748).
 Shih: Qemal Draçini, Dom Ndre Mjedja (Dy fjalë analyze estetike mbi lyrizmin e poetit të pavdekshem), Shkodër, qershor 1939, në librin Qemal Draçini,Era,Muzeu Historik i Shkodrës, Shkodër, 1995, f.108.
 Botuar në gazetën "Drita", të datës 6 maj, 1979, f. 5, si dhe në librin tonë: “Ta  duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur”, SHBLU, Tiranë,1998, f.77-80.
 Nga zona e Pogradecit, mjaft emra shenjtorësh dalin edhe në librin e Gjergji Gushos, Mbi përhapjen e krishtërimit në rrethin e Pogradecit, 2000, f.21. Shih edhe librin e Gjergj Gashit: Vatikani dhe Arbëria.


PAGE   \* MERGEFORMAT 1


 Gustav Majer (Meyer), albanolog i shquar auastriak (1850-1900), u mor më fort me etimologji,fonetikë dhe gramatikë historike.Më 1891 botoi veprën Etymologisches Worterbuch der albanesichen Sprache”, si dhe gjashtë vëllime me studime shqiptare (Albanesiche Studien,I-VI),Vjenë, 1883-1897),ku ai ka trajtuar tema të rëndësishme të gramatikës së shqipes.Më 1888,botoi në Lajpcig edhe veprën “Kurzgefasste albanesiche Grammatik”, si edhe disa studime të tjera me rëndësi, si: “Pozita e shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane”(1884), “Perfekti indoevropian me ç: (1895) etj. Majeri mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja dhe përcaktoi shkencërisht positën e saj si gjuhë qëzë vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane.

No comments:

Post a Comment