Monday, December 20, 2010

Konferenca mbi Gjuhen Shqipe doli me 12 propozime per pasurimin e standartit te shqipes - Cfare mendoni per keto propozime?

Kliko ketu per me shume


Konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me pjesëmarrjen e specialistëve nga tërë hapësira shqiptare, i zhvilloi punimet më 15-17 dhjetor në Durrës. Konferenca u zhvillua në pesë sesione. Në secilin sesion u paraqitën dy referate që sollën trajtime të thelluara të temës së sesionit, si dhe një numër prej pesë deri shtatë kumtesash që u përqendruan në problemet e veçanta. Mbi referatet dhe kumtesat e paraqitura në sesione u zhvilluan diskutime në përfundim të çdo sesioni, në të cilat diskutuesit sollën argumentet e tyre në mbrojtje, në kundërshtim, ose në specifikim të problemeve të veçanta.

Pesë sesionet patën përkatësisht këtë tematikë: I - Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni; II - Probleme gramatikore të standardit; III - Probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit; IV - Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma leksikore; V - Standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat).

Konferenca arriti në përfundimet e mëposhtme:

1) Megjithëse u vendos në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore, standardi gjatë gjithë këtyre viteve e ka dëshmuar vlefshmërinë e tij.

2) Praktika e përdorimit të shqipes standarde në këto dyzet vjet dëshmon se shqipja, ashtu si të gjitha gjuhët e lëvruara, ka nevojë që t’i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet.

3) Është e nevojshme që të shqyrtohen më tej disa rregulla të drejtshkrimit, me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores -ë ka nevojë për rishqyrtim.

4) Të rishikohet përdorimi i shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj të përveçëm, si dhe drejtshkrimi i toponimeve.

5) Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme.

6) Të thellohet puna për begatimin, njësimin dhe kodifikimin e terminologjisë në të gjitha fushat.

7) Në sistemin morfologjik, të rishqyrtohet formimi i shumësit të emrave, për një saktësim të mëtejshëm paradigmatik, duke synuar njësimin dhe shmangien e përjashtimeve të shumta.

8) Të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes.

9) Studimet dhe hulumtimet të jenë të hapura edhe në fushën e sintaksës.

10) Nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare.

11) Në konferencë u shfaqën edhe shumë mendime e teza të veçanta lidhur me standardin dhe me përdorimin e shqipes. Konferenca dëshmon se debati për çështjet e normës së shqipes dhe të përdorimit të saj është një debat pjellor, i cili e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes.

12) Krijimi i Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik, mund të jetë një rrugë e mirë për t’u gjetur zgjidhje çështjeve të rëndësishme të politikave gjuhësore, të planifikimit të gjuhës dhe të strategjisë për zhvillimin dhe mbrojtjen e shqipes.

No comments:

Post a Comment