Showing posts with label standarti. Show all posts
Showing posts with label standarti. Show all posts

Tuesday, November 13, 2012

AS TV: Shkurtaj: Shqipja e ka një standard, ta ruajmë nga fjalët e huaja

Kliko ketu per ta lexuar te plote ne Albanian Screen TV: http://news.albanianscreen.tv/pages/news_detail/50796/ALB


Tiranë - 
Gjuhëtarët nuk bashkohen në një mendim, se për gjuhën shqipe duhen studime të mëtejshme. Gjovalin Shkurtaj, një prej studiuesve të shqipes thotë se ne kemi trashëguar shume studime nga e kaluara dhe tashmë shqipja e ka një standard. Sigurisht - shprehet profesor Shkurtaj- ka nevojë edhe për përmirësime, kjo përsa i përket drejtshkrimit apo pasurimit të gjuhës nga ana folklorike. Një rrezik i madh janë edhe fjalët e huaja të cilat do të vazhdojmë ti trashëgojmë si pasojë e globalizmit.

"Gjuha shqipe ka pasur një hulli të drejtë në ecjen e saj dhe se zgjidhjet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, me gjithë ndonjë gjë të vogël që mund të përmirësohet...nuk themi se nuk ka për tu përmirësuar, por në thelb janë të asaj tipologjie siç janë të gjitha tipet e drejtshkrimeve të botës. Ne kemi fjalë të huaja nga halli dhe nga malli. Sa herë që marrim një objekt i cili ka dh emërtimin e vet, nëse është i prodhuar në vend tjetër ne do ta themi me emrin që ka. Malli është që ka dhe njerëz, sidomos në shtresa të caktuara, edhe elitare, të cilët pëlqejnë në mëdyshjen për ta thënë shqip, bukur dhe qartë, apo me një fjalë të huaj, pëlqejnë të huajën se kështu duken më të mençur, më të ditur", thotë prof. Gjovalin Shkurtaj, studies i gjuhës.

Gjuhëtarët thonë se duhet që shqipja të integrohet më mirë në tekstet e shkollave të mesme. Të rinjtë e sotëm thotë profesor Shkurtaj nuk e marrin si duhet nivelin gjuhësor në bankat e shkollave. "Rreziku më i madh është mungesa e kujdesit, dhe mungesa e studimit. Në shkollën e mesme duhet studiuar gjuha më mirë, nxënësi duhet ta ketë të qartë se cilat janë fjalët e huaja të mënjanueshme dhe cilat janë fjalët e huaja të pamënjanueshme", vijon ai.

Një ditë më parë, në çeljen e javës së Albanologjisë, gjuhëtarë të njohur në vendin tonë ngritën shqetësimin se mungojnë studimet e mirëfillta për gjuhën. Dhe se duhen kryer sa më parë të tilla pasi ka mangësi të theksuara në folklor e drejtshkrim.

Edlira Sulejmani

Balkanweb: Rrokaj: Duhen ndryshime në gjuhën shqipe, pa cënuar standardin


Kliko ketu per ta lexuar te plote ne Balkanweb: http://www.balkanweb.com/kulturė/2691/rrokaj-duhen-ndryshime-ne-gjuhen-shqipe-pa-cenuar-standardin-109486.html

Nga: MARIGLEN MËRTIRI
Rrokaj: Duhen ndryshime në gjuhën shqipe, pa cënuar standardinTIRANË- Dekani i Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, Shezai Rrokaj, ka deklaruar se gjuhës shqipe duhet t'i bëhen rregullimet e nevojshme, por pa e cënuar standardin e saj. Sipas Rrokaj duhen studime të mirëfillta të brendshme të folklorit, etnologjisë dhe jo t'i kushtojmë rëndësi gjuhësisë historike të jashtme.

Më tej Rrokaj nënvizoi se duhen bërë rregullimet e nevojshme të gjuhës sipas rregullave që janë përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit. Deklarata e Dekanit Rrokaj bëhet në aktivitetin ‘Java e Albanologjisë’, që organizohet në kuadër të 100-vjetorit.

“Të bëhen edhe rregullimet e nevojshme, për rregullat që janë përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit, sepse ne tanimë kemi një periudhë gjatë së cilës shqiptarët e kanë përdorur dhe përdorin standartin. Kjo periudhë tashmë mundëson të bëjmë verifikimet e kësaj natyre dhe të bëjmë ato ndreqje të nevojshme, pa e cënuar standartin dhe jo t'i kushtojmë një rëndësi asaj që quhet gjuhësi historike e jashtme siç kemi pasur prirje deri më sot”,- deklaroi Rrokaj. 

Monday, December 20, 2010

Konferenca mbi Gjuhen Shqipe doli me 12 propozime per pasurimin e standartit te shqipes - Cfare mendoni per keto propozime?

Kliko ketu per me shume


Konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me pjesëmarrjen e specialistëve nga tërë hapësira shqiptare, i zhvilloi punimet më 15-17 dhjetor në Durrës. Konferenca u zhvillua në pesë sesione. Në secilin sesion u paraqitën dy referate që sollën trajtime të thelluara të temës së sesionit, si dhe një numër prej pesë deri shtatë kumtesash që u përqendruan në problemet e veçanta. Mbi referatet dhe kumtesat e paraqitura në sesione u zhvilluan diskutime në përfundim të çdo sesioni, në të cilat diskutuesit sollën argumentet e tyre në mbrojtje, në kundërshtim, ose në specifikim të problemeve të veçanta.

Pesë sesionet patën përkatësisht këtë tematikë: I - Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni; II - Probleme gramatikore të standardit; III - Probleme të drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit; IV - Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma leksikore; V - Standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat).

Konferenca arriti në përfundimet e mëposhtme:

1) Megjithëse u vendos në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore, standardi gjatë gjithë këtyre viteve e ka dëshmuar vlefshmërinë e tij.

2) Praktika e përdorimit të shqipes standarde në këto dyzet vjet dëshmon se shqipja, ashtu si të gjitha gjuhët e lëvruara, ka nevojë që t’i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet.

3) Është e nevojshme që të shqyrtohen më tej disa rregulla të drejtshkrimit, me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores -ë ka nevojë për rishqyrtim.

4) Të rishikohet përdorimi i shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj të përveçëm, si dhe drejtshkrimi i toponimeve.

5) Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme.

6) Të thellohet puna për begatimin, njësimin dhe kodifikimin e terminologjisë në të gjitha fushat.

7) Në sistemin morfologjik, të rishqyrtohet formimi i shumësit të emrave, për një saktësim të mëtejshëm paradigmatik, duke synuar njësimin dhe shmangien e përjashtimeve të shumta.

8) Të studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes.

9) Studimet dhe hulumtimet të jenë të hapura edhe në fushën e sintaksës.

10) Nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare.

11) Në konferencë u shfaqën edhe shumë mendime e teza të veçanta lidhur me standardin dhe me përdorimin e shqipes. Konferenca dëshmon se debati për çështjet e normës së shqipes dhe të përdorimit të saj është një debat pjellor, i cili e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes.

12) Krijimi i Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik, mund të jetë një rrugë e mirë për t’u gjetur zgjidhje çështjeve të rëndësishme të politikave gjuhësore, të planifikimit të gjuhës dhe të strategjisë për zhvillimin dhe mbrojtjen e shqipes.