Showing posts with label gjuha shqipe. Show all posts
Showing posts with label gjuha shqipe. Show all posts

Sunday, July 3, 2016

Një fjalë e huaj më pak ose fitorja përfundimtare e "këndores" në vend të "corner".

'Këndore' apo 'Corner'
Bashkë me gëzimin e madh që përjetuam nga pjesëmarrja e kombëtares sonë në Evropianin 2016, tani që emocionet janë qetësuar, sepse beteja e skuadres sonë me De Biasin në krye qe e lëvdueshme, më duket se është rasti të përmendim edhe ndonjë nga gëzimet e vogla, por gjithsesi të këndshme e me vlerë kombëtare për pastrimin e pasurimin e gjuhës shqipe.

Per hir të kujdesit dhe këmbënguljes së komentatorit Dritan Shakohoxha, sa herë që u gjuajtën goditje nga këndi, ai në vend të fjalës së huaj "corner" përdori (dhe po vazhdon të përdorë ) sistematikisht fjalën shqipe "këndore" te krijuar prej tij dhe si fryt i dëshirës së tij per t'i thënë shqip edhe disa nga termat e futbollit.

E përgëzojmë komentatorin Shakohoxha, i cili është jo vetem zemërvalë e adhurues i lojës se bukur, po edhe mëtues i lëvdueshëm e dorëmbarë për pastrimin e pasurimin e terminologjisë sportive.

Sa mirë do të ishte që shembullin e zellin e tij gjuhëdashës e gjuhëruajtës ta ndiqnin edhe shtetarët e politikanët shqiptarë, si dhe të gjithë sa jemi në veprimtaritë dhe punët e përditshme. 


A photo posted by Dritan Shakohoxha (@dritan_shakohoxha) on

Sunday, April 10, 2016

Çfarë është Fonetika?

Fonetikë quhet ajo degë e gjuhësisë që merret me studimin e mjeteve tingullore të gjuhës, me përbërjen dhe ndërtimin tingullor të saj, me theksimin e fjalëve, me timbrin e realizimin e tingujve zanorë e bashkëtingëllorë të një gjuhe. Fjala a termi fonetikë, ashtu si shumica e termave të gramatikës e të gjuhësisë vjen nga greqishtja e vjetër ' φωνή ' ("phōnē" - tingull, zë).

Friday, February 20, 2015

Problemet me shkrimin e gjuhës shqipe - në emisionin 'Ditë e re' në Ora News TV

Sot fola në Emisionin “Ditë e re” te Ora  News, të drejtuar nga Edvin Peçi dhe Stela Kotri.

E fillova bisedën me parafrazmin e një  këngë shkodrane,që thotë : “Ke me u pendue, por atëherë ka me kenë vonë ” dhe  me këtë doja të  theksoja shqetësimin tim dhe mendimin se do të pendohemi për qëndrimin e padrejtë e pakujdesitë ndaj gjuhës shqipe, por, kur të  na vijnë mendtë, me siguri, do të  jetë vonë.

Sunday, February 8, 2015

Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik (nga Akad. Kolec Topalli)

Akad. Kolec Topalli 
            Hoti është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, me faqe historie të përgjakshme por të lavdishme, me tradita e zakone fisnike, të ruajtura e të kultivuara brez pas brezi e me përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur gjallë besën e të parëve. Banorët e kësaj treve, të izoluar nga kohët e pushtimeve, por edhe të lidhur me besë e burrni me pjesët e tjera të atdheut, kanë mundur të ruajnë si gjënë më të vyer gjuhën, shqipen e kulluet e të pastër, ashtu siç janë përpjekur të ruajnë lirinë, qenien e tyre shqiptare e çdo gjë që i lidh me tokën, ajrin, fushën e malin. Edhe pse kjo krahinë u nda padrejtësisht në dy shtete, duke u kufizuar shqiptarët me shqiptarë, banorët e saj e kanë ruajtur identitetin dhe unitetin, duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat. 

            E folmja e Hotit, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit. Karakteri konservativ i kësaj të folmeje lidhet me historinë e kësaj krahine, e cila, e strukur në vetvete dhe e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.

Friday, December 26, 2014

Të miratohet ligji për gjuhën shqipe, jemi ende me VKM të vitit 1974 ( marrë nga SOT NEWS )

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe në muajin dhjetor duhej të kishte zhvilluar mbledhjen e radhës për diskutimin e çështjeve të tjera, që kanë lidhje me gjuhën shqipen, por kjo mbledhje duket se nuk do të bëhet këtë vit. Me një aktivitet që ka vite që ka zhvilluar Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, si një bashkëpunim mes akademikëve dhe gjuhëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova, deri më tani ka zhvilluar disa takime dhe ka pasur jo pak diskutime, të cilat kanë sjellë dhe përplasje mes gjuhëtarëve të ndryshëm.

Por për mbledhjen e fundit që pritet të bëhet vitin që vjen, akademikët dhe gjuhëtarët pohojnë se do të trajtohen dy çështje të tjera të rëndësishme. Këto kanë të bëjnë me problemet e gjuhës shqipe në shtyp dhe në administratë, si dhe fjalët e huaja. Akademiku dhe gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj bën të ditur se grupet e punës e kanë dorëzuar materialin pranë KNGJSH prej kohësh, por ende nuk ka pasur një thirrje për mbledhje.

 “Grupet e punës kanë dorëzuar materialin në KNGJSH, por nuk është bërë mbledhja. Deri tani nuk jemi thirrur, besoj se ajo do të bëhet vitin tjetër. Këtë herë do të jenë në diskutim gjuha shqipe në shtyp dhe administratë dhe si ndikojnë fjalët e huaja në gjuhën shqipe, terminologjia, rreptësia”, pohon akademiku Shkurtaj. Por vërejtjet e akademikut të njohur këtë herë janë dhe për një ligj, që duhet për gjuhën shqipe.

Lexoni artikullin e plote tek Agjencia e Lajmeve 'Sot News': http://www.sot.com.al/kultura/akademik%C3%ABt-t%C3%AB-miratohet-ligji-p%C3%ABr-gjuh%C3%ABn-shqipe-jemi-ende-me-vkm-t%C3%AB-vitit-1974#sthash.sLMU3JXa.dpuf

Saturday, December 20, 2014

Kolë Ashta - intelektual dhe dijetar i madh i Shkodrës

Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidomos çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Leksikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës.
Para pak kohësh, pas një pune vullnetmadhe e të frytshme shumëvjeçare si pedagog dhe si studiues i gjuhës shqipe, u nda së gjallësh prof. Dr. Kolë Ashta, njëri nga hulumtuesit më të zellshëm e më të përkushtuar të fjalës shqipe, njohës i mirë i teorisë dhe i praktikës filologjike, figurë e paharrueshme dhe e lidhur me ndihmesa të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë shqiptare. Ai vdiq dhe nuk la trashëgimtar: as djalë as vajzë dhe kjo, natyrisht, në planin njerëzor e bën edhe më të dhimbshme humbjen, veçanërisht për familjen e tij, porse ai, ashtu si disa burra të tjerë të shquar të letrave e të shkencës sonë, la një vepër madhështore e të përmasave të mëdha, na la “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, vëllimin e parë të së cilës e botoi më 1996 Sektori Shkencor Albanologjik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”: një punë madhore dhe e hapët, prej rreth 500 faqesh, në të cilën janë përfshirë kërkimet dhe hulumtimet e të ndjerit rreth katër pikave-nyjë në filologjinë historike shqiptare: 10) “Formulës së pagëzimit” apo dokumentit të parë të gjuhës shqipe, shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli, 2) Dokumentit të dytë të gjuhës shqipe “Fjalorthit” të Von Harfit (1467), 3) “Perikopesë ungjillore” të përkthyer nga fundi i shek. XV e që përbën të tretin dokument të gjuhës shqipe dhe 4) “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) që përbën burimin më të madh e më të plotë të shqipes së shkruar deri atëherë.
Le t’i japim një sy, së bashku, të nderuar lexues, kësaj vepre të jetës së mjeshtrit Kolë Ashta, këtij libri të botuar nga Shtypshkronja “VOLAJ” me ndihmën financiare të Fondacionit “SOROS” dhe të Dhomës së Tregtisë të Shkodrës. Redaktorë të vëllimit janë një treshe e profesoratit shkodran, As. Prof. Dr. Tomor Osmani, As. Prof. Dr. Simon Pepa dhe Tefë Topalli, që të tre miq dhe kolegë të Ashtës, po edhe njerëz që i lidh fort zemra me ndihmesat e vyera të albanologjisë e që, duhet ta themi, në botimin e kësaj pune që përmban gjithë jetën e Kolë Ashtës, kanë rolin e atyre që shpëtojnë dikë nga përmbytja. Gaditja për shtyp e punët redaktoriale që kërkon një veper kaq e vëllimshme si “Leksiku historik i gjuhës shqipe” përbënte me siguri një mund e zotim të shënueshëm dhe atyre u përket një nderim për këtë. Por, para se të hyjmë në thelbin e paraqitjes sonë, le të ndalemi një çast në përkushtimin e kësaj vepre nga autori: “Gjithë punën për kryerjen e këtyre studimeve ia kushtoj An-etës, gruas sime, e cila m’u gjet gjithmonë pranë”. Kjo na kthen edhe një herë tek ajo që prekëm në hyrje: Kolë Ashta nuk la bij, por ai, ashtu si Martin Camaj, pasi çoi jetën me familjen e vet, pasi iu mbaruan ditët, i la bashkëshortes veprën e tij të madhe, e cila e pavdekëson mbiemrin e autorit më shumë se do ta përjetësonin një çetë djem e nipa: ai la emrin e ndritur të studiuesit që kurrë nuk diti të thoshte “kam hulumtuar mjaft”. Ai e vijoi kërkimin dhe punën shkencore deri në çastet kur iu mpa-kën e iu shterruan të gjitha forcat dhe, pa dyshim, në shkëlqimin më të mbramë të syve të tij, para se t’i mbyllte përgjithmonë, zonja e tij e nderuar, Aneta, me siguri që, bashkë me lamtumirën e burrit, do të ketë ndjerë edhe “amanetin” e autorit për veprën që la në botim e sipër.
Tek lexojmë veprën, natyrisht, nuk mund të mos shprehim dhe nderimin që meriton zonja Aneta Ashta që, këtë amanet të të shoqit, arriti ta plotësojë, duke pasur pra-në edhe studiuesit e Sektorit të Albanologjisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Sa herë të lexojmë, të citojmë a të vlerësojmë atë çka thuhet në “Leksiku historik i gju-hës shqipe” të Kolë Ashtës, krahas tij do të na shkojë mendja natyrshëm edhe tek personat që me aq përkushtim bënë të mu-ndur botimin e saj. Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me for-mim të thellë e vizion të gjerë perëndim-or, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta. Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidom-os çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Lek-sikut …” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës. Kush lexon e studion veprat e Çabejt sheh se atë lëndë e citonte dhe e shfrytëzonte gjerë për etimologjitë e shqipes dhe më tej në kundrimet rreth historisë së gjuhës shqi-pe.
Nuk gabojnë aspak, po të themi se, në veprën e E. Çabejt “Studime etimoligjike në fushë të shqipes” Kolë Ashta është au-tori që është cituar më shpesh. 1. Punimi i parë që zë edhe vendin e kreut hyrës të vëllimit është ai që i kushtohet figurës së Pal Engjëllit, si personali-tet e bashkëkohës i Skëndërbeut, si historian a biograf i tij, i përmendur gjithandej në shkrimet historike kushtuar heroit tonë kombëtar, krahas Biemnit, Barletit etj. po, duke u ndalur, në mënyrë të veçantë në Kuvendin e Matit të vitit 1462, si një nga sinodet shumë të rëndësishme, ku ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli shkroi edhe të famshmen “Formula e pagëzimit”. Koha kur u shkrua Formula ishte një pikë kriti-ke e historisë kombëtare shqiptare: Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot – Skëndërbeu ishte atëherë më i plakur dhe i lodhur e kishte filluar të ndihej trysnia e ndikimit turk. Kuvendi i Matit mishëronte përpjekjet atdhetare për t’i bërë ballë sado pak vërshimit të kësaj vale. Në sythin e titulluar “Dokumenti i parë i shkrimit shqip është “Formula e pagëzimit”, shkruar në Mat, më 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli”, Kolë Ashta i qaset shtruar shqyrtimit filo-logjik dhe përshkrimit të hollësishëm të brendisë e të formës gjuhësore të atij do-kumenti. “Formula e pagëzimit” e shkruar latinisht e shqip nga Pal Engjëlli është kjo “Ego te baptizo in nomine patris et filij spiritus sancti”. Teksti shqip i Pal Engjë-llit: “vnte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit”, që e tejshkruan kështu: “Un të pagëzonjt pr emënit/të/ Atit et birit et spertit senit”. Dokumenti i parë i shqi-pes gjendet brenda një konteksti udhëzim-esh të shkruara latinisht. Këto udhëzime, që kanë të bëjnë me këtë shërbesë fetare, me pagëzimin e në lidhje me formulën e tij, që lexohen në tekstin e Pal Engjëllit, dëgjohen përsëri e do të shtjellohen më gjerë edhe në shekujt vijues, si në Kuven-din e Arbnit, të mbajtur në Mërqinjë të Lezhës më 1706. Autori ngulmon se “ato janë dy më të moçmet sinode shqiptare që nga koha e Skëndërbeut”. (fq. 43).
Formula e pagëzimit, ndonëse është një tekst i shkurtër, gjithsej vetëm një fjali, përmban një hallkë të rëndësishme që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane. Ajo është formula që do të ketë qenë në përdorim të kishës në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse e fiksoi me shkrim atë traditë të trashëguar brezpasbrezi e me një trajtë pothuajse të pandryshuar. 2. Dokumenti i dytë i gjuhës shqipe është “Fjalorthi” i Arnold fon Harfit (Von Harf) i vitit 1497. Ky shtegtar gjerman, qe nisur nga Këlni i Renanisë në vitin 1496 për një udhëtim të largët nëpër Itali, Siri, Egjipt, Arabi, Etiopi etj. Gjatë atij udhëtimi ai u ndal diku edhe në brigjet tona. Ato që pa e dëgjoi gjatë udhëtimit të tij Harfi i renditi në një vepër, e cila asokohe nuk qe botuar. Vetëm mbas shumë vjetësh, më 1860, do të botohej në Këln “Die Pilgehrfart des Ritters Arnold Von Harf…”, në f.65 të të cilit, autori sjell disa fjalë shqipe së bashku me disa fraza e me disa numërorë, që u mblodhën prej tij në vendin to-në dhe po prej tij u përkthyen në gjermanisht. Së këtejmi, edhe quajtja e tyre “Fja-lorth shqip-gjermanisht” i vitit 1497. Nga shqyrtimet e shpjegimet e imëta të Ashtës del se Harfi, së pari, do të jetë ndalur në Ulqin, për të cilin thotë se “ky është një qytet i bukur, i vogël, pronë e venedikasve dhe është tokë shqiptare”. Prej andej ka-lon nëpër det dhe del në Durrës e aty, mbledh disa fjalë dhe mban shënime që, më vonë, do të ngjallnin aq interesim.
Në të vërtetë, përtej interesimit të mirëfilltë për historinë e shqipes së shkruar, ato pak fja-lë të Harfit, do të meritonin edhe një he-tim e analizë të hollë dialektologjike, sep-se, bash qysh aty, mund të vinim re edhe ndonjë dukuri dialektore karakteristike për të folmet bregdetare të Shqipërisë së Mesme dhe të toskërishtes, përderisa dihet se, gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, ai qëndroi edhe në Sazan. Porse, puna është se teksti origjinal nuk na ka mbërritur, kemi në dorë vetëm kopjimin sipas botimit që ka bërë Mario Roku (Roques). Të interesuarit, studiues apo studentë të le-trave shqipe, në studimin e prof. Kolë Ashtës kanë tërë listën e fjalëve shqip-gjermanisht të Harfit, bashkë me disa shpje-gime kritike në kllapa. Aty kemi, gjithashtu, alfabetin e shqipes të nxjerrë nga “Fjalorthi”. Sa thotë Ashta rreth veçorive gjuhësore-historike të “Fjalorthit” si dhe të dhënat leksikore të nxjerra së andejmi kanë pasur e do të kenë edhe më tej rëndësi të madhe për studimet rreth fonetikës historike të shqipes, si dhe përgjithës-isht rreth morfologjisë e leksikut të gjuhës sonë. Ato janë përfillur e cituar gjerë sidomos në kërkimet e Eqrem Çabejt. 3) Dokumenti i tretë i shqipes, të cilin Ashta e trajtoi gjerë në veprën e vet, është “Perikopeja ungjillore”. Aty flitet për për-kthyesin anonim të dokumentit, për ndryshimet mes kodit dhe dokumentit shqip të Anonimit “Perikopeja ungjillore”, bëhet përshkrimi i dokumentit nga ana filologjike, jepet pasqyra e alfabetit të “Periko-pesë ungjillore” dhe teksti i dokumentit shqip të Anonimit. Tërheq vëmendjen, në mënyrë të veçantë, shqyrtimi i gjerë dhe plot erudicion i të dhënave rreth fonetikës dhe përbërjes leksiko-frazeologjike që nden “Perikopeja”.
Aty, praktikisht, Porf. Ashta ka derdhur shpjegime e shpallime etimologjike, historiko-kulturore, etnolo-gjike etj., të cilat nuk mund të mos përfilleshin nga dijetarët bashkëkohës dhe at-a që do të vijnë. 4) Natyrisht, puna më e madhe dhe themeli i vëllimit është studimi “Gjon Bu-zuku dhe vepra e tij “Meshari” (1555), një monografi e hapët dhe e plotë prej gati 400 faqesh. Kemi të bëjmë me një studim të kryer qysh më 1963 dhe është bërë du-ke u mbështetur fillim e mbarim vetëm në fotokopjen tërësore të “Mesharit”, sepse, deri atëherë nuk kishte dalë ndonjë botim filologjik i tij. Vendin kryesor në studimin e Ashtës për librin e Buzukut e zënë, siç e thotë edhe ai vetë, sidomos dy gjëra të re-ja: ana letrare e përkthimit shqip dhe leksiku i plotë i nxjerrë nga vepra. Monogra-fia është nyjëtuar si vijon: pas disa shënimeve paraprake, shkurt, vjen hyrja me titull “Jehet e kohës e të hapësirës në she-kullin XVI dhe Buzuku me veprën e tij” (f. 113-120), sythi rreth jetës së Gjon Buzukut dhe disa vija të personit të tij (f. 121-1126), Arsyetim për çështjet biblio-grafike të veprës së Buzukut (f. 127-134), vrojtime grafike për shkronjat e alfabetit në veprën e Gjon Buzukut (f. 135-141), Një përpjekje për studimin e anës letrare të veprës “Meshari”, sipas përkthimit shq-ip nga Gjon Buzuku (f. 141-175), Veçori dalluese të gjuhës së Buzukut (f. 183-220), Bibliografi për Gjon Buzukun (f. 221-223) dhe Leksiku i plotë nxjerrë nga vepra e Gjon Buzukut, punuar mbi foto-kopje (f. 227-494). Vëllimi që kemi në dorë na fton ta këndojmë me nge, po edhe të nxjerrim së andejmi shumë fakte, pikëtakime e të dhëna që do të na duhen shpesh për të shqyrtuar e zhdavaritur të errëtat e kërki-meve rreth gjuhës shqipe. Po ndalem, kalimthi, vetëm në ndonjë ide e përsiatje që na del gati spontane duke lexuar Leksikun e veprës së Gjon Buzukut. Së pari, në afrinë shumë të madhe fonetike dhe leksikogramatikore të asaj që nden “Meshari” me të folmet e anës veriperëndimore, sidomos me ato të Malësisë së Madhe.
E kam fjalën, në mënyrë të veçantë, për pika të mëdha takimi e përkimesh që nuk ka si kalohen në hije, si p.sh. grupin e zano-reve uo (afëruom, amëshuom, amëltuom, anëkuom, bekuom, besuom, bukuruom, buollicë, dërguom, dëftuom, dëshmuom, duoj, duruoshim, fabrikuom, faruom, firmuom, gruoja, guxuom, gjatuor, gjimu-om, idhënuom), që nuk e ndeshim më kurrkund në të folmet e gegërishtes veri-perëndimore, përveç trevave të Malësisë dhe të zonave prej nga kanë qenë shpërngulur malësorët, si në anët e Krajës dhe në diasporën e krijuar prej mërgimtarësh krajanë e anamalas në Zarë të Dalmacisë. Shumëkush, ndonjëherë edhe në radhët e gjuhëtarve që maten me hijen e mëngjesit, harrojnë se, p.sh., të folmet e Kastratit, të Hotit, të Kelmendit etj, bash hir të pranisë së togut uo dhe fazës së mëtejme të tij ua (grua, mua, prrua, shkua) dallohen prerazi nga mbarë të folmet e tjera të gegërishtes, dhe, least but not least, bashkëzanojnë më dukshëm me toskërishten e me gjuhë letrare standard, sesa me të folmet e tjera, qoftë edhe aq pranë, si p.sh. me të folmen e qytetit të Shkodrës. Pikërisht ashtu si gegërishtja e Gjon Buzukut, siç e kemi thënë edhe gjetkë, ngjason aq fort e përputhet harmonishëm në shumëçka me tos-kërishten e Lekë Matrëngës.
Natyrisht, hi-poteza si kjo mbeten gjithësesi “në kantier” e duhen çuar më tej, porse mua më duket se , edhe në shumë raste të tjera, leksiku dhe semantika buzukiane që nden “Meshari”, jo vetëm gjen përputhje të plo-ta, po edhe jep shteg për të menduar për një zanafillë të mundshme të Gjon Buzukut pikërisht nga ndonjë vis veriperëndimor që kishte një të folme si ato që ndeshim edhe sot në Malësi të Madhe.
Sa për ilustrim, po theksojmë këtu se, duke lexuar Leksikun e Buzukut, mua më vijnë kundruall e krejt të njëjta shumë leksema si këto: ardhija dhe shqiptimi i saj në formën ërdhi, që aq shpesh e kisha ndeshur ndër të moshuarit e Kastratit; mbiemri ci-lësorë i atillë, e atillë me kuptimin “i fortë, i fuqishëm”, që e kam ndeshur në Budishë e Kastrat të Epërm qysh kur punoja për temën e diplomës për të folmen e Kastratit (1965-66); bakeq “keqbërës” dhe antonimi bamirë “mirëbërës”, forma briena si shumës i emrit brini “briri”, folja bukuroj dhe rrjedhojat e saj bukuruom, e bukuru-ome, që ndërtohen pa parashtesë, por dre-jtpërdrejt nga tema bukur: ka nis rrushi m’u bukurue (Kastrat), butak-u që lidhet me but-i, por që në Kastrat e ndeshim në formën bucak-u; fjalët dejem, i dejun “dehem, i dehur”; forma me ll e emrit të së di-elës: Buzuku dielle-ja, Kastrat e gjetkë në Malësi edhe sot: e diell, t diell n mrame; djergem “zbres”, duoj “dorëz kallinjsh”, fjala ndez me formën në dh: dhezunë, dhezëllimë, që, krejt ashtu, na shfaqen në Malësi: me llez i cigare, zjarmin e laç llezun, ka marr t llezun etj. Dukuri të tilla, sigurisht, nuk mjaftojnë vetëm të hetohen, ato duhet edhe të ndiqen në ballë të gjerë e sipas një ideje për te mbërritur në përqasje sa më të plota e sistemore. Vetëm kështu besojmë se mund të jepen pamje më të hapëta e prurje më të sigurta, mbi bazën e të cilave edhe mund të zhdava-riten sadopak mjegullnajat rreth fazave të hershme të gjuhës shqipe e të jo pak pro-çeseve fonetike e morfosintaksore të saj. Paçim shëndet e jetë për t’u ardhur rreth e për të hulumtuar mbi to. Pastë dritë e iu përmendtë kurdoherë për mirë emri mjeshtrit të madh Prof. Dr. Kolë Ashtës.

Tuesday, December 2, 2014

Alfred Moisiu - shtetari dinjitar në 85-vjetorin e lindjes



nga Gjovalin Shkurtaj


Fjala e mbajtur në 85-vjetorin e Alfred Moisiut

Autoritete të nderuara,
Zonja dhe zotërinj,

1. Dola këtu, jo vetëm për ta uruar  zotin Moisiu  për  këtë festim të 85-vjetorit të ditëlindjes së tij, jo vetëm për t’i shprehur  lavde të merituara dhe fjalë miradije, -sigurisht edhe këtë do ta bëj dhe ndjehem i nderuar që më jepet rasti ta shpreh vlerësimin tim shumë të lartë për veprimtarinë dhe shkrimtarinë e tij, në një tubim kaq meritor, si ky i sotmi,- por, së pari, dola për ta falënderuar z.Moisiu për  qëndrimin e tij të shpallur e të lëvdueshëm ndaj gjuhës shqipe, për mbrojtjen e gjuhës standarde dhe  anësimin e tij të vyer ndaj  gjuhësisë dhe gjuhëtarëve shqiptarë, pikërisht ashtu si i ka hije një personaliteti të lartë e figure të shquar  të  shtetit dhe kombit shqiptar.

Si Kryetar i Shtetit, për pesë vjet radhazi (2002-2007), z.Alfred Moisiu ka dhënë shembullin më të plotvlershëm të shtetarit dinjitar, i cili në çdo shkrim, fjalim a ligjërim të tij zyrtar ka gjakuar të zbatojë sa më mirë normat e shqipes së shkruar, prandaj, sa herë ka qenë rasti, por sidomos kur shikojmë se sa keq nëpërkëmbet shqipja nga disa zyrtarë të lartë, kam përmendur rolin e zotit Moisiu dhe, madje, kam shkruar shprehimisht në faqet e një kumtese e në një prej librave të mi:

“Ashtu siç është i pashëm dhe i hijshëm, i mbajtur dhe i veshur sikundër i takon statusit zyrtar që ka si President  i  Republikës, ai flet edhe me gjuhë të përpunuar dhe i zbaton në mënyrë shembullore rregullat e drejtshkrimit, jep shembullin e modelin e vlerësimit të kulturës gjuhësore dhe normave të shqipes standarde si shenjë e njësisë  dhe unitetit të kombit tonë”.

Por, zonja dhe zotërinj, ato që do të them më poshtë, tregojnë se zoti Moisiu, e ka dashur, vlerësuar dhe mbrojtur gjuhën shqipe, njësoj si Atdheun e Kombin e vet, jo vetëm kur qe President, por edhe më parë e, në mënyrë të veçantë, gjatë viteve  të ashpra të tranzicionit shqiptar.

Do të citoj me këtë rast disa vlerësime e mendime që lidhen, së pari, me librin e tij “Kosova mes luftës e paqes” (botimet Toena, 2005) dhe me Kujtime, 2, 3, (Botimet Toena, Tiranë, 2012).

Ua kam pohuar disa herë studentëve në universitetet ku jap mësim, e kam thënë edhe dy vjet më parë, po në këtë sallë, kur përuruam vëllimet e tij me kujtime, dhe po lejohem ta ritheksoj edhe sonte në këtë tubim jubilar e solemn, se zoti Alfred Moisiu, edhe në librat (e me librat) e tij që ka botuar, i ka dëshmuar konkretisht dhe katërcipërisht anësimin, vlerësimin dhe lartësimin e gjuhës shqipe. Dhe, si shembull, kam zgjedhur një nga konkluzionet e zotit Moisiu në librin e tij “Kujtime”, ku ai thotë sa vijon:

“Patjetër që gjuha duhet ruajtur, sepse sot, te ne ka një  trend të çuditshëm, sidomos nga politikanët, që përdorin vend e pavend e me shumicë fjalë të huaja, të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre. Jo vetëm kaq, por kohët e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë brutale në ”Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo bëhet, gjoja për të shmangur vendimet e marra në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke i quajtur ato vendime si komuniste. Në përfundime të tilla mund të  arrihet vetëm nga presioni që mund të bëjnë politikanë jonormalë në gjykimin se “gjithçka që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”. Zoti e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave iu duhet kundërvënë fuqishëm!” (A.Moisiu, Kujtime, Vëllimi II, f.77)

2. Një nga idetë e vyera dhe shumë të rëndësishme për të sotmen dhe për të ardhshmen e kombit shqiptar është edhe ajo që shpreh zoti Moisiu lidhur me patriotizmin e mediave. Po lejohem të citoj këtu një fragment prej  librit “Kosova mes luftës e paqes”, ku ai e thotë qartë e katërcipërisht e të miradresuar :

“ Shtypi shqiptar  dhe media në përgjithësi duhet ta marrin në dorë seriozisht  punën për rritjen e patriotizmit. Mafton t’i hedhësh një sy shtypit shqiptar gjatë viteve të Luftës së dytë Ballkanike  dhe duket qartë  sa larg janë gazetarët e sotëm nga kolegët  e tyre të asaj kohe. Forcat politike shqiptare, ka ardhur koha të ulin armët kundra njëra-tjetrës dhe të mendojnë më shumë e më seriozisht për Shqipërinë, për të ardhshmen e saj, për rrezikun që po na kanoset.” (A. Moisiu, Kosova mes luftës e paqes, botimet Toena, 2005, f.65)

3. Si përforcim të asaj që shpreha më lart,  po shtoj edhe dy “rrëfenja” që, në këtë rast, janë pikërisht si qershia mbi tortë:

Disa vjet më parë, kur autori merrej me ndjekjen e shtypit të vëllimeve të tij me Kujtime, më ka marrë në telefon nga zyrat e Shtëpisë Botuese “Toena”  për të më pyetur si duhen shkruar shkurtesat e tipit OSBE-së, SHBA-së, UNRRA-s, NBU-së etj., sepse nuk donte të lejojë asnjë rast, sado të vogël, të mospërputhshëm me normat e sotme të standardit.

Kjo “vogëlimë” në dukje, ka rëndësi themelore, të nderuar të pranishëm, sepse tregon madhështinë dhe seriozitetin e një burri shteti, i cili nuk lëshon pe as në dukuri të vogla drejtshkrimore, ndërsa te ne, sikundër nuk kam mënuar ta pohoj e ta kritikoj, për turp të dheut, ka ndodhur që deri në prerjen e  monedhave të shtetit ka pasur gabime drejtshkrimore.

Së mbrami, dhe me këtë do ta mbyll, Presidenti Moisiu, ndjek me shumë shqetësim qëndrimin e pamirë të shoqërisë së sotme ndaj gjuhës, i mbështet gjuhëtarët që e mbrojnë dhe na inkurajon deri për bisedat në TV. Po ju citoj vetëm një prej mesazheve të Tij të kohëve të fundit,  ku ai më shkruante mbas një bisede time në një nga kanalet televizive:
“Ju ndoqa me vëmëndje. Keni kapur një problem vital për gjuhën shqipe, që rrezikohet nga padija dhe politika. Alfred Moisiu”

Dhe për të mos ju lodhur më tej, po pohoj edhe sa vijon:

Vëllimet “Kujtime” të z.Alfred Moisiu lexohen me ëndje, ka jetë e shpirt njeriu, ka elemente të bukura shkrimtarie, ka fakte e citime të dorës së parë e mbresëlënëse, ka onomastikë të pasur sa për të shkruar një studim doktorature rreth saj, sidomos emra dhe shpjegime që të mahnisin, po edhe që nuk i dinim, si p.sh. për toponimi Çuka e Frëngut diku te Qafa e Gjarprit, duke sjellë edhe shpjegimin se “i ka mbetur nga që aty ishin kryer beteja të ashpra midis Ushtrisë  Franceze dhe asaj Austriake gjatë Luftës së Parë Botërore” (Vëll.II, f. 84), ose sa shkruan lidhur me ndonjë intimitet antroponimik, si  p.sh.vënia e emrit të vajzës së tij, Rubenës (f. 24 ); citimet e shumta, të sakta dhe autentike, përzier edhe me elemente të bukura të etnografisë së ligjërimit e të slloganeve të kohës (si.p.sh.”shfaqje të huaja”, “ushtria e popullit ushtar” (f.73) çun Tirane (f.106, kur flet për Spiro Mëhillin), të cilat unë i vlerësoj,  jo pse  janë  të  tilla (=të bukura), por sepse janë të Tijat.

Dihet se shumica e librave të burrave të shtetit, që kanë titullin “Jeta ime” (angl. "My life”) vetëm firmën dhe idenë e kanë të vetën, sepse “mielli” e “brumi” janë nga “autorë në hije”.

Zoti Moisiu na ka vënë përpara vëllimet e tij, të shkruara me dorën e Tij, por mbi të gjitha me dijet e tij të sigurta e të shumta, me profesionalizmin dhe nderin e Tij, me çiltërsinë dhe me zemrën e Tij, prandaj le t’ia urojmë solemnisht 85-vjetorin: u mbledhshim për t’ia festuar edhe 90-vjetorin, edhe 100-vjetorin!


Tiranë, 01. 12. 2014

Sunday, November 16, 2014

Ribotimi i Gjuha Shqipe për të Huajt dhe Shqiptarët jashtë atdheut



Libri “Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut” është një metodë për të nxënë gjuhën shqipe. Aty jepen njohuritë kryesore të gramatikës së shqipes standarde, me një metodë të thjeshtë e kryesisht praktike. Synimi i librit është i kufizuar dhe i qartë: t’u mësojë atyre që dëshirojnë se si lexohet dhe flitet shqipja e sotme letrare.

Libri nis me 14 mësime hyrëse të thjeshta, pastaj ka 30 mësime me tekste dhe shpjegime gramatikore dhe me ushtrime. Ai është i pajisur edhe me pjesë leximi nga autorë të zgjedhur shqiptarë dhe me pasqyra gramatikore dhe me fjalorin e mësimeve të përkthyer në anglisht, gjermanisht,frëngjisht dhe italisht.

Ky libër synon t’u japë njohuritë kryesore për të lexuar dhe për të shkruar e folur gjuhën shqipe letrare, në radhë të parë, atyre që shqipen e kanë gjuhë të nënës, por nuk i kanë mundësitë për ta nxënë në shkolë me program të rregullt si lëndë mësimore. Fëmijët e arbëreshëve dhe të shqiptarëve të diasporës kudo që gjenden, e kanë këtë libër një ndihmës të mirë e të vlefshëm. Ky libër u shërben dhe u drejtohet, gjithashtu, edhe atyre që shqipen nuk e kanë gjuhë të nënës, porse dëshirojnë ta nxënë atë, duan të jenë në gjendje të lexojnë, të flasin dhe të shkruajnë shqip.

Libri mund të përdoret nga mësues të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare dhe arbëreshe, por mund të përdoret edhe pa mësues. Ai ka të gjitha lehtësitë dhe shkallëzimin e nevojshëm e metodik të lëndës, që të mund të kuptohet e të zbatohet edhe nga ata që nuk kanë mundësi të gjejnë një mësues.

Libri ishte është botuar nga Toena dhe mund të gjendet në të gjitha libraritë e Botimeve Toena.

Saturday, May 17, 2014

Dialektet e shqipes dhe standardi në kushtet e globalizmit


Akademik Kolec Topalli

Dihet se krijimi i standardit të një gjuhe, si mjet komunikimi mbarëkombëtar, nuk përjashton ekzistencën e dialekteve. Ato vijojnë jetën e tyre duke pësuar ndryshime në përshtatje me vetë zhvillimin e krahinës ku fliten dhe në marrëdhënie me standardin. Rastet e gjuhëve të mëdha të Europës, si anglishtes, frëngjishtes, italishtes etj.,  që kanë krijuar standardin e tyre prej disa shekujsh duke ruajtur edhe dialektet, janë një shembull i qartë për këtë. E njëjta gjë mund të thuhet për gjuhën shqipe, e cila, ndryshe nga gjuhët e mësipërme, ka një standard të ri, të krijuar prej jo më shumë se një gjysmë shekulli, por dialektet e saj gjëllijnë duke hyrë në marrëdhënie të ndërsjella me të: nga njëra anë, standardi ushtron ndikimin e vet mbi dialektet duke futur elemente të modernizimit të gjuhës, fjalë të reja që lidhen me mënyrën e re të jetesës dhe ndryshimet e mëdha ekonomike e shoqërore; nga ana tjetër, dialektet derdhin vazhdimisht pasurinë e tyre leksikore e frazeologjike në gjuhën standarde. Për këtë arsye çdo nënvleftësim i fuqisë krijuese të dialekteve sjell dobësim e varfërim jo vetëm të dialektit por edhe të vetë standardit.
Gjuha popullore, që jeton përmes dialekteve, është ajo që i jep jetë e gjallëri standardit, që e freskon dhe e njom, e përtërin, e këndell dhe e ardhang duke e mbrojtur nga shtërpësia e thatësira dhe nga krijimet me gjedhe të huaja. Sidomos standardi i shqipes, që është i ri, ka nevojë për pasurinë e dialekteve, për krijimet popullore, që mund të gjenden në të folmet e popullit. Nëse e përbashkëta e krijuar, gjuha standarde, shkëputet nga baza e vet prej së cilës ka dalë, ajo rrezikon të shterpëzohet e të dobësohet, duke u ushqyer jo më me gjakun e vet, por me gjak të huaj.
Jetojmë në epokën e globalizmit, kur marrëdhëniet e dendura ndërmjet shteteve, krahinave e gjuhëve janë shtuar së tepërmi; kur këmbimet kulturore, letrare e artistike janë shumëfishuar, kur zhvillimi i vrullshëm i shkencës e teknikës ecën me ritme të paparashikuara. Në kushte të tilla, të gjitha gjuhët ndodhen para një dukurie të re, që është globalizmi gjuhësor. Gjuhët e mëdha e të zhvilluara, që kanë përparësinë e zhvillimit ekonomik, shkencor, teknik e artistik, gëzojnë edhe përparësinë gjuhësore duke u bërë rrezatuese të fjalëve, shprehjeve dhe formave të reja në të gjitha gjuhët me të cilat janë në kontakt popujt e vendeve të ndryshme të globit. Një dukuri e tillë është e pashmangshme edhe për shqipen, madje, në një shkallë edhe më të lartë se gjuhët e tjera, që kanë pasur stabilitet më të hershëm kombëtar e gjuhësor, krahas stabilitetit politik, ekonomik e shoqëror.
Për gjuhën shqipe, globalizmi është një dukuri e pashmangshme. Shumë fjalë, shprehje dhe ndërtime gramatikore të gjuhëve të huaja depërtojnë çdo ditë, orë e minutë në gjuhën shqipe. Ky depërtim është i fuqishëm nga dy burime: nga gjuhët romane, për arsye të traditës së krijuar prej disa shekujsh, sipas së cilës elementet e reja të gjuhës kanë depërtuar kryesisht nga këto gjuhë, sidomos prej italishtes e frëngjishtes; e para me kontakte të drejtpërdrejta prej marrëdhënieve historike; e dyta si gjuhë kulture kudo në Evropë në shekujt e fundit. Burimi i dytë është anglishtja, fuqia e së cilës si gjuha me prestigjin më të madh botëror, është bërë e ndieshme në të gjitha gjuhët europiane, sidomos në shekullin e fundit, duke përfshirë edhe shqipen.
Në rrethana të tilla, duke qenë globalizmi një dukuri e pashmangshme, në shumë raste mund të mënjanohet duke përdorur në vend të fjalëve, shprehjeve a strukturave të huaja sintaksore, elemente dhe materiale prej brumit të vetë shqipes, që janë farkuar me mjeshtri prej popullit dhe mund të gjenden në dialekte e në të folmet të veçanta, që vijojnë të gjallojnë e të bëjnë jetën e tyre. Po jap ndonjë shembull. Për fjalën e huaj model, populli i krahinës së Elbasanit ka krijuar gjedhe, që shkon me foljen zgjedh, domethënë “ajo që zgjidhet”. Për foljen krijoj arbëneshët e Dalmacisë kanë lentoj nga fjala e shqipes landë. Janë dy shembuj që dëshmojnë se sa ndihmesë mund të sjellin dialektet për të mënjanuar fjalët e huaja, që po vërshojnë me fuqi e shpejtësi të madhe në gjuhën shqipe.
Shkrimtarët e mëdhenj dallohen për një punë të vullnetshme dhe frytdhënëse për gjurmimin e thesarit popullor, çka i jep jetë e gjallëri veprave të tyre. Po sjell vetëm ndonjë shembull nga fjalori i Fishtës, ku spikat puna e tij e madhe për të gjetur, për të hulumtuar e për të vënë në qarkullim fjalë të rralla të shqipes, siç janë ato që i kemi nxjerrë nga vepra “Lahuta e Malcis”, p.sh., adra  për “dokrra”, ag për “drita e mëngjesit”, angërr për “të brendshmet”, avër për “rrasë akulli”, baetë për “një lloj arme, hobe”, bercak për “peshk i vogël”, boenë për “përmbytje”, brâsh për “pjepër i vogël”, bubazhel për “gogol”, camerdhok për “fëmijë i vogël”, cecas për “grimcoj”, cokël për “copa të vogla druri”, çakla për “sende shtëpie” e shumë të tjera, që janë një pasuri e madhe dialektore, por edhe e mbarë shqipes po të vihen në qarkullim të përgjithshëm gjuhësor.
Standardi i shqipes, që kryen funksionet e tij kudo ku ka shqiptarë, ka nevojë për përmirësim, për latim e pasurim, për përsosje e zgjerim të mëtejshëm të funksioneve të tij. Të gjitha këto mund të realizohen më së miri duke u mbështetur në pasurinë e madhe që kanë krijuar prej shekujsh dialektet, në gjedhet e farkuara me mjetet e shqipes. Shqipja standarde krijon marrëdhënie bashkëveprimi të vazhdueshëm me dialektet e të folmet e veçanta të shqipes. Nëpërmjet lidhjeve të ngushta e të përhershme që mban me dialektet, ajo pasurohet e përsoset. Kontaktet e standardit me dialektet janë shumëfishuar dhe përshpejtuar sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit, kur shqiptarët, që për gati një shekull qenë të copëtuar në disa shtete, hoqën kufijtë ndarës dhe filluan lëvizjen e lirë, duke rritur ndjeshëm komunikimin e drejtpërdrejtë gjuhësor me njëri-tjetrin.
Në fushën e leksikut, janë të gjitha mundësitë që shumë fjalë të huaja të zëvendësohen me fjalët shqipe; si p.sh.: për absorboj mund të përdoret përthith; për adaptoj, përshtas, për afirmoj, pohoj, për aks, bosht, për akumuloj, grumbulloj, për  akut, i mprehtë, për alivan, të fikët, për aluvion, lyshtër e lymishtë, për angazhohem, zotohem etj. 
Në fushën e frazeologjisë, ku dialektet kanë ruajtuar shprehje të bukura popullore, janë mundësitë e përdorimit të tyre për të zëvendësuar shprehjet e huaja frazeologjike, që shfaqen si kalke gjuhësore; si p.sh.: njeri gjysmë i vdekur, sipas gjerm. halbtot, mund të zëvendësohet me gati i vdekur a si i vdekur; shprehja kam një besim të verbër sipas fr. avoir une confiance aveugle mund të zëvendësohet me vë dorën në zjarr; shprehja ishte i mirënjohur sipas it. era ben conosciuto mund të zëvendësohet me e njihnin të gjithë etj.   
Veçanërisht të dëmshme e të rrezikshme janë gjedhet e huaja në sintaksë, në ndërtimin e fjalive. Si një gjuhë e lashtë që ka mundur t’u shpëtojë shumë ndikimeve të huaja, shqipja ka krijuar gjedhet e saj të ndërtimit të fjalive, të cilat më mirë se askund tjetër ruhen nëpër dialekte. Por në ditët tona, kur kontaktet me gjuhë të huaja janë shtuar së tepërmi, është rritur edhe rreziku i depërtimit të strukturave të huaja në fushën e sintakës, një rrezik që mund të mënjanohet letësisht duke studiuar e duke vënë në qarkullim strukturat e gjedhet popullore, që gjenden në çdo dialekt të shqipes. Sintaksa dhe morfologjia, me një fjalë gramatika, është kështjella e fundit që mund të tjetërsojë një gjuhë. Shformimi i tyre prish palcën kurrizore të gjuhës, skeletin e saj; prandaj ruajtja e tyre është detyrë parësore e çdo gjuhëtari, shkrimtari a intelektuali që përdor gjuhën amtare. Disa shembuj ku mund të mënjanohet ndikimi i huaj, janë: përdorimi i përemrit gjithë para përcjellores, në raste si: gjithë duke ecur, sipas fr. tout en marchant; përdorimi i lidhores pas foljeve që shprehin të parë, të dëgjuar, të ndier etj., në raste si: jam i kënaqur ta kem njohur atë njeri, sipas fr. Je suis content d’avoir connu cet homme; përdorime të gabuara të parafjalëve, në raste si: i pasur në minerale, sipas gjerm. reich an Erzen; nën mbikqyrjen e tij sipas it. sotto la sorveglianza, pra, edhe nën edhe mbi etj.
Drejtimet e një pune të mirëfilltë shkencore për mbrojtjen e pasurisë dialektore mund të jenë sa vijojnë: mbledhja, evidentimi dhe hulumtimi i fjalëve, shprehjeve dhe strukturave ndërtimore të dialekteve, me qëllim që të bëhen pasuri e standardit duke ndihmuar mënjanimin e elementeve të huaja; studimi i pasurisë gjuhësore të autorëve të ndaluar ose të mënjanuar në periudhën e diktaturës komuniste për të marrë prej tyre atë pasuri që ata e shfrytëzuan nga thesari popullor për të krijuar veprat e tyre; hartimi i fjalorëve dialektorë, sidomos për të folme ende të pastudiuara; hartimi i një fjalori të tipit thesaurus, ku të përfshihet e gjithë pasuria leksikore e dialekteve të shqipes etj. Për të gjitha këto, nuk mjafton puna e kujdesshme dhe e vazhdueshme e institucioneve shkencore të specializuara, por nevojitet edhe qëndrmi i ndërgjegjshëm i të gjithë shoqërisë shqiptare, veçanërisht i intelektualëve që kultivojnë gjuhën amtare.

Kliko këtu për videon: http://youtu.be/1BsniGUQlNM

Wednesday, February 26, 2014

Kandidatët për President te FYROM duhet të shprehin qartë qëndrimin e tyre mbi përdorimin e Gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare krahas asaj Maqedonase

Zgjedhjet Presidenciale në FYROM do të mbahen në dt. 13 Prill 2014. Ndërkohë që shumë emra po përfliten si kandidatë të mundshëm, asnjë nga këta individe (qoftë Maqedonas apo Shqiptarë) nuk po shrehen qartë për një ndër kushtet themeltare të Marreveshjes së Ohrit: - Përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, krahas maqedonishtes, aty ku shqiptarët përbejnë më shumë se 20% të popullsisë.

Shqiptarët që banojnë në tokat e tyre brenda FYROM, kanë të drejtën e tyre të plotë të kërkojnë me ngulm që, cilido që do të jetë Presidenti i ardhshem i ketij vendi, ai/ajo duhet të shprehet qartë se do të mbrojë të drejtat e ligjshme të bashkësisë shqiptare, e cila ka prani dhe peshë të rëndësishme në atë shtet, si dhe do institucionalizojë përdorimin e shqipes (krahas Maqedonishtes) në jetën publike të FYROM.

http://sq.wikipedia.org/wiki/Marrëveshja_e_Ohrit

Tuesday, February 25, 2014

Gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja si lëndë më vete në shkollat e mesme (Gazeta Telegraf)


INTERVISTA/ Flet Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Anëtar i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe
Anëtar i Komitetit Shqiptar për “Atlas Linguarum Europae” (ALE)

Tranzicioni i tejzgjatur shqiptar ka ndikuar jo vetëm në politikë, ekonomi, karakter, por edhe në huazimet gjuhësore.

Tendencat e huaja gjithnjë kanë bërë vend në territorin shqiptar. Duke qenë një vend i vogël, strategjik, gjithnjë të huajt kanë plaçkitur kulturë dhe kanë lënë zakone të mbrapshta dhe një mënyrë të shprehuri që thellë- thellë, nuk i përket rrënjëve tona. Kosova ka jetuar gjithnjë nën represionin serb dhe si e tillë, është munduar ta ruajë gjuhën e saj shqipe në thelbin e saj, duke ruajtur të folurën më të kulluar që i përket gegërishtes së vjetër  Nëse padashur do hysh në mënyrën se si të rinjtë përshëndeten, patjetër që do keqkuptohesh me fjalët e tyre. Por ndërsa lojërat e moshës bëjnë të vetat, përdorimi i fjalëve të huaja ka zaptuar shtresën e lartë të shoqërisë. Elita, fut këtu dhe politikanët, ose përdorin një gjuhë të pakuptueshme ku frazat dhe terminologjitë mbizotërojnë, ose bien kryekëput në hulli mendimesh, që i çojnë dhe të tjerët në qorrsokak. Duke sjellë një hendek të madh mes politikës së tyre të pakuptueshme dhe popullit të thjeshtë. Karakteristikë e Parlamentit shqiptar është përdorimi pa fund i frazeologjisë së rënduar me sofizma . Por ndodh një fenomen i çuditshëm. Kur sherret janë pikante dhe ndoshta nga më të vështirat, pra në momentet më delikate të karriges së tyre funksionare, me shumë dashuri politikanët i kthehen gjuhës së popullit duke i nxjerrë dhe me tepri nga bagazhi i tyre . Problemet e gjuhës shqipe sot janë të shumta, por kryesore mbetet ruajtja e gjuhës standarde midis dy vendeve Shqipëri-Kosovë.

Thursday, November 28, 2013

Ismail Qemali: "Kush nuk mëson gjuhën shqipe nuk ka vend në administratë"



Këto ditë doli nga shtypi libri “Himni Kombëtar” i  akademikut Vasil S.Tole, studimi monografik rreth njërit prej simboleve më të rëndësihme të njësisë dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Kam kënaqësinë që këtë libër, ashtu si dhe disa prej botimeve të mëparshme të mikut e kolegut tonë, akademikut Vasil S.Tole, e mora si  dhuratë nga autori pikërisht në prag të përurimit që do t’i bëhet atij libri në Akademnë tonë të Shkencave.

Libri është një studim historik dhe muzikologjik,pra edhe disi në shmang të interesave të mia të mirëfillta si gjuhëtar, porse, qysh nga  nëntitulli joshës e kurreshtjendjellës “Betimi mi flamur” më solli në mendje “betimin mbi gur”, që shqiptarët e zbatonin në raste pajtimesh e përbetimesh. Qysh në kreun e parë të tij, gjeta edhe shumëçka interesante e që dëshmon se udha e himnit tonë kombëtar ka qenë   e njëkohshme dhe e njëjkahshme  edhe me dy prej simboleve të mëdha të kombit: me flamurin dhe me njësimin e alafabetit të shqipes  dhe, të tria këto simbole kombëtare, do të  shenjtëroheshin madhërishëm në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend: në shpalljen e Pavarësisë dhe në veprën madhore kombëtare të krijimit të shtetit të parë shqiptar të “mosvarëm” nga Ismail Qemal Vlora, më 28 nënto 1012, në Vlorë.

Po lejohem, me këtë rast, të bëj disa  vlerësime  e shpallime rreth vlerave të këtij  libri, të nyjëtuara në tri kahe shkencore meritore dhe me vlerë të shënueshme historike dhe aktuale:

Së pari, mund të përmendim vlerat e librit   “Himni Kombëtar” në lidhje me  tematikën e ngushtë, që lidhet me himnin si krijim poetik dhe muzikor, për të cilin autori, me kompetencë të plotë, shqyrton e përthekon dijet dhe pohimet e bëra më parë dhe ato që i takojnë edhe sot zanafillës dhe realizimit  poetik e muzikor të tij. Akademiku V.Tole, ende  i ri në moshë, por me përvojë tashmë të gjatë e të respektueshme si muziktar e studiues i shquar i vlerave etnomuzikologjike dhe historiko-kulturore të popullit shqiptar, i ka hyrë kësaj teme duke ndjekur shembullin e muziktarëve pararendës të tij, të prof.dr.Fatmir Hysit, i cli është edhe redaktor muzikor i studimit të pranishëm, po edhe  të prof.Ramadan Sokolit e muziktarëve të tjerë. Kështu, në libër janë kundruar, peshuar e vlerësuar pohimet e nismëtarëve e veprimtarëve adhetarë shqiptarë, të trojeve e të ngulimeve shqiptare jashtë, sidomos të shqiptarëve të Bukureshtit. Autori  merr  në mbrojtje me të drejtë duke nënvizuar vlerat e mëdha historike e kombëtare të atyre burrave të shquar e atdhetarë shqiptarë, që ia hynë punës për ta realizuar atë, sidomos të poetit e veprimartit atdhetar Aleksandër Stavre Drenovës (Asdrenit), si dhe të krejt vatrës atdhedashëse të shqipatrëve të mërguar me banim në Bukuresht. Aty, me shumë kujdes e me trajtime të argumentuara e të mbështetura në literaturë të gjerë burimore nga botimet e dokumentacioni i arkivave, jepet pamja më e plotë dhe e qartë e udhës së Himnit tonë Kombëtar. Dhe është ajo, në tërësinë e vet, një udhë e ndritur, një udhë  që ka shkuar krahas me ngritjen e vetëdijes kombëtare  dhe me përpjekjet e luftën e gjatë të patriotëve dhe ideologëve të Pavarësisë  së Shqipërisë për të shkuar në ditën fatlume të shpalljes së pavarësië me “pajën” e nevojshme  të solemnitetit të rastit: me Flamurin Kombëtar dhe me Himnin zyrtar të shtetit të parë shqiptar.

Së dyti, duhet theksuar  ndihmesa e librit në lidhje me simbolet e tjera kombëtare të shqiptarëve, duke  theksuar  vlerën përbashkuese të tyre dhe, mbi të gjitha, konsiderojmë të dobishme ndihmesat e këtij studimi për të nxjerrë në pah një rrethanë shumë të rëndësishme e me vlerë kombëtare madhore: lidhjen e ngushtë të përfaqësuese të Shkodrës, Korçës, Vlorës etj. në kahun e mbarë mjedjan”: Geg’e toskë Malësi Jallija, janë një komb m’u da s’duron, fund e maje nja asht Shqypnija, e një gjuhë të tanve na bashkon”.

Libri i Vaso Toles, në një farë mënyre, duke përshkruar udhën që ka përshkuar himini kombëtar i shqiptarëve, ka përthekuar e përmbledhur në mënyrë racionale e të urtë se,  në ato vite të ndezura e të ethshme  të kurorëzimit, qoftë edhe me aq vonesë, të ëndrrës  shumëshekullore për të qënë më vete, shqiptarët e trojeve kompakte ballkanike dhe bijtë e shquar të diasporës në dhe të huaj, u gjendën si kurrë më parë së bashku, pikërist ashtu sikundër e thotë edhe vargu i parë i vjershës së Asdrenit “Rreth falmurit të përbashkuar”. Ata që  e pëlqyen, e mbështetën dhe e brohoritën këtë himn, po edhe që e kënduan më zjarr e afsh liridashës, qysh para se të shpallej Pavarësia në Vlorë, kanë qenë  figura të mëdha të kombiut tonë, burra të penës e të gishtit të pushkës, si Hilë Mosi nga Shkodra, Pandeli Cale, Thanas V. Floqi, Spiridon Ilo dhe P. Mborja nga Korça, si Murat Toptani, Lef Nosi, Ferit Vokopola etj, të cilët ishin në lidhje e bashkëpunim të ngushtë me figura të tjera të kohës, sidomos nga Korça dhe nga shoqëria  e shqiptarëve të Bukureshtit, si Dhimtitër Zografi, Dhimtitër Mborja e Dhimtitër Berati. Të gjithë ata, në këtë studim përmenden dhe vlerësohen me të drejtë ashtu si u takon dhe lexuesi fiton pamjen më të saktë e të bindshme rreth asaj nisme e përpjekjeje madhore, që do të kurorëzohej me shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Së treti, libri nxjerr në dukje dhe pohon sa të rëndësishme kanë qenë për shqiptarët vlerat e himnit, flamurit dhe gjuhës amtare shqipe,  si trinomi frymëzues dhe i patjetërsueshëm i shpirtit të kombit tonë. Vetë autori e nis një nga sythat e librit pikërisht me këto fjalë: ”Na duhet të pohojmë se flamuri, himni dhe gjuha shqipe, si simbole të identitetit kulturor dhe politik shqiptar, ishin në qendër të ditës së shpalljes së Pavarësisë, si një dëshim e qartë e Shqipërisë “më vehte, të lirë e të mosvarme”.(f.87)

Dhe, në këtë pikë, nuk mud të mos ndalem diçka më gjatë, jo thjesht pse jam gjuhëtar dhe më pëlqen mësimi i mbarë që del nga ky libër edhe për vlerat e shqipes e peshën e saj shpirtërore kombëtare të atillë që ka pasur e ka ajo në jetën e konstitucionin shpirtëror të shqiparëve. Kjo, po se po, por,  dëshiroj të theksoj edhe  disa konotacione aktuale, do të thosha krejt të ditës, që mbart lënda e  kësaj vepre lidhur me qëndrimin ndaj shqipes nga Ismail Qemali dhe Qeveria e parë  e Shqipërisë së “ mosvarme”. Kreun e dytë me titullin “Pranimi  dhe popullarizimi i himnit kombëtar, përhapja e “këngëve kombiare”, autori e nis me sythin e goditur e shumë domethënës: “Ismail Qemal Bej Vlora, bekuesi i simboleve tona kombëtare”, ku  shqyrton e mbështet (me dije të shumta  dhe referenca të plotvlershme) pohimin rreth njohjes që kishte I.Qemali për simbolet shpirtërore për një komb dhe fuqinë e tyre në krijimin e unitetit kombëtar. Dhe, ajo që më intereson më së forti mua si gjuhëtar,po  besoj edhe të gjithë dashamirëve të tjerë të shqipes e të shqiptarisë, është një fakt që e sjell libri i V.Toles në f.88, ku, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit , sjell edhe një shënim në fund të faqes, ku jepet edhe pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë. Aty  lexojmë: “Në gazetën “përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913 botohet ”Lajmim”:  “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnënë qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”(Shënimi nr.222)

E citova këtë “lajmim” dhe, pikërisht për vlerat e idenë dorëmbarë që ngërthen ajo nismë e Qeverisë së I.Qemalit, do të lejohem të përmend se, pikërisht atë ide kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulkturën e gjuhës së shtetit”.(Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17) Të gjithë jemi dëshmitarë se sot shkollarët dhe pasuniversitarët janë të interesuar dhe, madje, të drithëruar për dhënien provim e pajisjen me dëshminë e njohjes së anglishtes, pra për “Toeflin”, por askush nuk shqetësohet për gjendjen jashtëzakonisht të pamirë të shqipes së shkruar e të folur në zyrat e shtetit, në universitetet publike e private e kudo. Dhe kjo situatë do të vazhdojë nëse nuk do të kemi edhe ne zyrtarisht kërkesën me ligj të provimit dhe njohjes së gjuhës shqipe si kusht për të pasur një vend të caktuar në administratë (vendore apo qendrore). Pra, le ta bëjmë pa humbur kohë atë që pat ideuar dhe shpallur aq bukur e qartë Qeveria e Ismail Qemalit.

Së mbrami,  përfundoj duke  pohuar  se vepra si “Himni kombëtar” i  akademikut Vasil S.Tole meritojnë jo vetëm fjalë e vlerësime të mira, por edhe mirënjohje e çmimin më të lartë edhe zyrtar shtetëror. E di se është edhe një institucion, që quhet Akademia-Kult, e cila ndan edhe çmime. Uroj që ëdhe aty kjo vepër e zotit Tole të pëlqehet e të vlerësohet, por, mbi të gjitha, shfrytëzoj rastin të bëj edhe një propozim tjetër: Akademia jonë e Shkencave duhet të ideojë, ta themelojë dhe ta zbatojë dhënien e çmimeve të larta për veprat më të mira strudimore e shkencore të realizuara me dinjitet e akribi, sikundër është edhe ky libër, vërtet i vlershëm, i kolegut e mikut tonë, akademikut më të ri në moshë, por edhe nga më meritorët që ka Akademia jonë.
Urime të sinqerta dhe, për ta thënë sipas traditës shqiptare: Të lumshin duart, mjeshtër!

Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj
Akademik i asociuar

Anëtar i Këshillit Ndërkademik të Gjuhës Shqipe