Saturday, December 11, 2010

Balkanweb: Tiranë, ja aktivitetet kulturore të javës

Kliko ketu per BalkanWeb

Tiranë, ja aktivitetet  kulturore të javësInstitucionet kulturore në Tiranë parashikojnë disa aktivitete për publikun këtë fundjavë dhe në vazhdim. Disa prej tyre janë:
Teatër:
Teatri Kombëtar shfaq në datat 11 dhe 12 dhjetor, ora 19:00, premierën e dramës “Një Tablo absurde” të autorit Ferdinand Hysi, e cila kthen vëmendjen nga jeta e artistit në komunizëm. Me regjinë e Milto Kutalit dhe një kast aktorësh si, Fatos Sela, Roland Trebicka, Naun Shundi, Olta Daku, Anila Bisha dhe Dritan Boriçi, drama bazohet në një histori të vërtetë. Në qendër të dramës është një tablo e pikturuar gjatë periudhës komuniste nga një piktor i njohur, por që në periudhën postkomuniste u bë nga më të ndjekurat, jo më shumë për vlerat artistike, se për kalvarin e kësaj pikture dhe autorit te saj.

Teatri i Metropolit në Tiranë shfaq në datat 11,12 dhe 16,17,18,19 dhjetor, ora 20:00, komedinë “Çifti i shqyer” të dramaturgut italian Dario Fo, me regji të Julia Sinanit dhe Armela Demaj, nën interpretimin e aktorëve Klodjana Keco dhe Ledion Zoi. Komedia trajton në mënyrë groteske historinë e një çifti të martuar. Gruaja është një femër në depresion, e cila ka tentuar disa herë vetëvrasjen e zhgënjyer nga tradhtitë e vazhdueshme të të shoqit. Nga ana tjetër, burri është në një përpjekje të vazhdueshme për ta paraqitur këtë mënyrë jetese si diçka normale.

Në datën 13 dhjetor, ora 18:00, në skenën e Akademisë së Arteve vjen komedia “Të Brendshmet” e regjisorit dhe pedagogut të kësaj shkolle, Milto Kutali, si pjesë e projektit “Qyteti i arteve” i cili do të përmbajë një sërë aktivitetesh në fushat si, muzikë, art skenik ndërdisiplinor dhe pamor.

Në datën 12 dhjetor, ora 19:00, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë, në kuadrin e Javës Teatrore të të Rinjve, shfaqet komedia “Andi dhe Norman” e Neil Simon, me regji të Andia Xhungës. Kjo komedi tregon historinë e një trekëndëshi dashurie të përzier me politikë.

Në datat 15 dhe 16 dhjetor, ora 19:00, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar, në kuadrin e Javës Teatrore të të Rinjve, shfaqet drama “Për mua, atë dhe të tretin?” e autorit kosovar Haqif Mulliqit, me regji të Sonila Kapidanit. Kjo eshte nje shfaqje psikologjike, ku ndërthuret realiteti dhe ëndrra, ndjenja e fajit dhe dëshira për të zbuluar vetveten, marrëdhëniet njerëzore që shpalosen sa dramatike po aq edhe komike. Luajnë aktorët Ledjon Zoi, Dori Caushi, Qëndrim Rijani dhe aktori nga Maqedonia Petrit Neziri.

Në kuadër të Javës Teatrore të të Rinjve, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë do të shfaqet në datën 17 dhjetor, ora 19:00, premiera e komedisë “Pse nuk rri për mëngjes” të Ray Cooney dhe Gene Stone, me regji të Rozina Kostanit. George Clarke, personazhi kryesor i komedisë është një nëpunës i nderuar civil, që jeton i lumtur vetëm në një apartament të mirë, por kur në jetën e tij hyn Luiza Hamilaton, një vajzë e bukur dhe shtatzënë, jeta e rregullt e Georgit kthehet përmbys.

“Nusja dhe vjehrra” do të shfaqet në Teatrin Kombëtar në 18 dhjetor, ora 19:00 e Carlo Goldoni me regji të Alma Hotit. Në qendër të komedisë është një familje, babai, nëna, djali dhe një nuse, që nuk është e preferuar e vjehrrës, pasi vinte nga një familje aristokrate. Djali vihet në udhëkryq, sepse nuk di se kujt t’ia prishë apo t’ia ndreqë mes nënës dhe nuses. Luajnë aktorët Julian Deda, Anila Muça, Ledio Janushi, Manjola Merlika, Gentian Zeneli, Klodian Hoxha, Ledian Gjeçi, Sonjela Leco, Arbër Islami dhe Florian Kokona.

Koncerte:
Ditën e shtunë, datë 11 dhjetor, trioja “Saule Kilaite and The Madrix” nga Italia do të japë në skenën TKOB-së koncertin me titull “Trio performancë për violinë”. Muzikantja shoqërohet në koncertin e saj në Tiranë nga kitaristi Max Guglielmonene dhe Adriano Sangineto, i cili luan në harpë, klarinetë dhe këndon.

Në kuadrin e “Stinës koncertore VI”- Dimër 2010 – 2011, ne 18 dhjetor, ora 19.00, në sallën e madhe të koncerteve të Akademisë së Arteve në Tiranë do të jepet një koncert me piano - duo, ku pianistet studente Merita Balliu dhe Mimoza Kongo do të luajnë për publikun kryeqytetas vepra nga Mozart, Brahms, Gershwin.
Gjatë kësaj stine do të zhvillohen 19 koncerte me pjesëmarrës studentë dhe profesorë të Akademisë. Koncertet kanë filluar në datën 8 dhjetor dhe do vazhdojnë deri në datën 31 janar 2011.

Në 12 dhjetor, ora 19:00, në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë në Tiranë një orkestër italiane do të japë një koncert me muzikë popullore. Orkestra Piccola La Viola është themeluar në vitin 1994 me qëllim ruajtjen e rrënjëve të muzikës tradicionale popullore italiane.

Arte pamore:
Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi me titull “Mbi gjurmët e Nënë Terezës së Kalkutës” në kuadër të aktiviteteve të 100 vjetorit të lindjes se saj. Në këtë ekspozitë janë paraqitur imazhe të marra nga vëllimi “Bukuri e harruar -The forgotten beauty” i dy autoreve italiane Elisa Venturelli dhe Federica Miglio.

Ekspozita “Antoni Clave -Një Botë Arti. Veprat 1934 – 2002” do të qëndroje e hapur në Galerinë e Arteve në Tiranë deri në datën 15 dhjetor. Në ketë ekspozitë janë paraqitur 44 vepra të autorit në fjalë, të cilat janë seleksionuar nga koleksione private. Në të përfshihen kolazhe, postera kinematografikë, skenografi teatrale dhe piktura, por të gjitha shprehin krijimtarinë e gjerë të artistit.

Teatër për fëmijë:

Teatri Kombëtar për Fëmijë do të shfaqë në fundjavë, në datat 18 dhe 19 dhjetor, pjesën për fëmijë “Miss pylli”. Të shtunave shfaqjet fillojnë në 11:00, ndërsa të dielave jepen dy shfaqje dhe pikërisht në oraret 10:30 dhe 11:00.

Teatri i Metropolit për fëmijë vazhdon të shfaq këtë fundjavë dhe atë në vazhdim shfaqjet e Milena Selimi, “Treni Magjik” dhe “Ishulli pa emër”. Shfaqjet fillojnë në orën 10:30 në sallën “Çehov”.

Cirk:
Cirku i Metropolit në Tiranë shfaq çdo të shtunë dhe të diele ora 11:00 pjesën “Përpëlitje në mjegull”, premierë është një përzgjedhje artistike me numra akrobatikë dhe elemente të tjerë konceptuar nga mjeshtri Fatos Roshi dhe të shoqëruar nga orkestra e Cirkut të Metropolit nën drejtimin e Leonard Topi.

Kinema:
Edicioni i 8-të i Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Tiranë hapet në 13 dhjetor deri në 18 dhjetor në kinema të ndryshme dhe në fund, do të shpallen fituesit e çmimeve përkatëse sipas kategorisë së konkurrimit.

Kinema “Millenium”. Filmi “Harry Potter and the Deathly Halloës: Part 1” do të vazhdojë të shfaqet në këtë kinema deri në 16 dhjetor, kur fillon shfaqja e filmit “Wall Street”.

Kinema “Imperial”. Në këtë kinema do të shfaqen filmat “Harry Potter and the Deathly Halloës: Part 1”, si dhe komeditë “Going the Distance” dhe “Dinner for the Schmucks”.
(atsh/BalaknWeb)

No comments:

Post a Comment