Tuesday, December 28, 2010

Murat Gecaj: Libër, që na mëson se si ta ''gdhendim'' me mjeshtëri fjalën e bukur shqipe

E Enjte, 19-11-2009, 08:40pm (GMT)

LIBËR, QË NA MËSON SE SI TA “GDHENDIM” ME MJESHTËRI FJALËN E BUKUR SHQIPE

(Mjaft i nevojshëm për studentë e pedagogë, mësues, nxënës e prindër)

Nga Prof. as. Dr. MURAT GECAJ

Nga data 12-16 nëntor 2009, në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet , qëndroi i hapur Panairi i 12-të Kombëtar i Librit, “Tirana-2009”. Si zakonisht, morën pjesë dhjetëra shtëpi botuese e autorë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Panairin e vizituan qindra pedagogë e studentë, mësues e nxënës dhe prindër të tyre. Me këtë rast, u organizua dhe përurimi i disa librave, të fushave të ndryshme të jetës dhe në gjini të larmishme.
Ndër librat e bukur dhe të dobishëm për lexuesit, që u paraqitën në këtë Panair, ishte ai i Prof.Dr. Gjovalin Shkurtaj, pedagog në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës. Ka titullin domethënës “Pesha e fjalës shqipe”(Studime të zgjedhura për gjuhën e letërsinë artistike), me afër 400 faqe. Drejtore për botimin është Valbona Nathanaili dhe recenzentë të tij janë Prof. Dr. Hamit Boriçi e Prof.as.Dr. Tefë Topalli. Është venë në qarkullim nga Shtëpia Botuese Universitare “U.F.O. Press”.
Meqenëse përmbajtja e këtij libri u drejtohet, në radhë të parë, mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve, po japim diçka nga përmbajtja e tij.

***

Duke përmendur në “Fjalën paraprirëse” disa nga studimet e kryera nga ai, në fushë të shqipes letrare e dialektet e saj, autori i librit, Prof. Gj.Shkurtaj shpjegon për lexuesit: “Mbi këtë bazë, po edhe duke shtuar një numër hulumtimesh, studimesh e shqyrtimesh të reja, po u japim të interesuarve një libër tjetër, me studime e ndihmesa të zgjdhura, tashmë edhe më të gjerë, me prurje edhe për disa figura të tjera, deri vonë, pak ose aspak të studiuara nga pikëpamja e vlerave ligjërimore…”.

Siç del edhe nga tërë përmabjtja e këtij libri dhe dihet nga të gjithë ne, fjala është mjeti kryesor i lidhjes ndërmjet njerëzve. Për fuqinë e fjalës janë edhe mjaft thënie të njohura, si: Fjala e “thërmon” gurin dhe e “bren” çelikun e tjerë. Në përgjigje të fjalëve të ëmbla e ninullave të nënës, fillon të bëlbëzojë foshnja. Pastaj, hapa pas hapi e vit pas viti, në gjuhën e prindërve, fëmija nisë të flasë. Pra, prindërit tanë janë mësuesit ose mjeshtërit e parë të gjuhës së folur te pasardhësit e tyre. Sigurisht, në këtë mision fisnik marrin pjesë familjarët e tjerë, fqinjët e njerëzit, që i rrethojnë të vegjëlit. Lindë e formohet kështu tek ata shqiptimi i mirë, letrar ose dialektor, i fjalëve dhe e vazhdojnë ligjërimin e tyre në shoqëri.
Më tej, shkolla është ajo që e disiplinon fjalën e fëmijëve, që e futë në kanalet e dëshiruara dhe bën njësimin e fjalëve të veçanta të tyre ose të dialektit të mësuar e të përdorur. Këtu, natyrshëm, rritet përgjegjësia ndaj brezit të ri. Se mësuesi ka në dorë, tashmë, jo vetëm tekstet shkollorë, që i shfleton nxënësi i tij, por dhe letërsinë artitike. Si dhe më parë, vazhdojnë të ndihmojnë në formimin gjuhësor të fëmijëve: emisionet e radios e televizionit, teatri e shfaqjet e ndyshme, shkrimet e gazetave dhe revistave të larmishme e tjerë.
Autori e ka hedhur vështrimin e ka analizuar me optikë shkencatari të sprovuar, gjuhësisht e me shumë kujdes, te mjaft autorë veprash letrare-artistike, “gurëgdhendës” të fjalës shqipe. Të tillë janë që nga Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e Rexhep Qosja dhe deri te Ndoc Gjetja, Visar Zhiti, Anton Pashku, Viron Kona, Nokë Sinishtaj, Nikolla Spathari e të tjerë. Ka shkruar, ngultazi, për ligjërimin në dialekte e nëndialekte, ka qëmtuar me mjeshtëri gjuhën e folur në shfaqjet e teatrove dhe në filmat e shumtë artistikë shqiptarë. Analiza e vëmendshme e gjithë kësaj këqyrjeje gjuhësore të kualifikuar, ka sjallë përfundimin nga ai, se ne, të gjithë folësit e gjuhës sonë amtare, mund e duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e thesarit leksikor të saj. Po kështu, të dijmë mirë të t’harrim e të hedhim mënjanë fjalët e panevojshme, sidomos nga burimi i gjuhëve të huaja, të cilat na kapërthuren në gjuhën tonë, të folur ose të shkruar. Në këtë libër trajtohet, si çështje themelore, edhe pastartia e gjuhës së sotme shqipe.
Prandaj, janë kuptimplote vargjet e vjershës së Fishtës, shënuar në kapakun e parë të këtij libri:
“…dhe atij, iu thaftë, po goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore
e, n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja
flet, e t’ veten len mbas dore!”
Duke analizuar vepra letrare ose shfaqje skenike, pra gjuhën e personazheve të tyre, autori e gjen me vend (dhe mendoj se bën mirë) që të japë trajtat e sakta të përdorimit të fjalëve, në tekst ose në ligjërim a bisedë. Kështu, aty marrim mësime gjuhe për gjinitë gramatikore dhe sintaksën e fjalive etj.
Prof. Shkurtaj nuk shkruan as nuk jep mendime, vlerësime e përfundime për gjuhën e shkruar ose të folur në një truall djerrë. Përkundrazi, si një nikoqir i mirë e vëzhgues i hollë, ka ditur të vjelë dhe, mbi ta, të bëjë përgjithësime, sa e sa autorë të zëshëm, nga figura të shquara të studimeve gjuhësore të gjuhës shqipe. Ai ndalet thekshëm në format e ligjërimit në letërsinë artistike ( i drejtë-i zhdrejtë, i ndërthurur, dialogu dhe monologu dramatik). Me vlera të shumta njohëse e praktike është pjesa, ku trajtohen e ndriçohen bukur marrëdhëniet e gjuhës së sotme shqipe me dialektet. Këtë gjë ai e bën me aftësi të dukshme, sepse është kaherë ligjërues i zellshëmi lëndës së dialektologjisë, në shkollën e lartë.
Nga ky libër nxjerrim dhe një mësim tjetër të vyer, se çdo brez njerëzish, fëmijësh ose të rriturish, ndodhen nën “kudhrën” e mjeteve të shprehjes e përhapjes së fjalëve, që përmendëm më lart. Por detyra jonë është që, peshën e tyre, ta përballojmë me sukses dhe prej tyre të marrim më të mirën, më të bukurën e fjalës, së folur ose të shkruar.

Autori i këtij libri e ka hedhur vështrimin, gjerësisht dhe si profesionist i spikatur, si mjeshtër e skalitës i fjalës së bukur shqipe, mbi të gjitha këto fusha e të tjera si këto. Se nuk është aq e lehtë që të shfletosh sa e sa libra, të vëzhgosh sa e sa folës, në skenë dhe në radio-televizion ose në udhë te tjera. E, gjithëherë, me syrin e kritikut gjuhësor të vëmëndshëm dhe të profesionistit të regjur e ligjëruesit-pedagog fjalëmirë, në këtë fushë të dijes njerëzore. Mendoj se këtë detyrë të vështirë, Prof. Gjovalin Shkurtaj e ka përballuar me sukses.
Ndër duar tani kemi jo vetëm një përmbledhje me vëzhgime e analiza gjithëpërfshirëse, me studime të thella gjuhësore në lëmin e gjuhës letrare shqipe, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Kosova e treva të tjera shqiptare e diaspora.
Nga një vështrim i shpejtë, menjëhërë e kupton fare qartë se ky libër u shërben fort mirë nxënësve e studentëve, mësuesve e pedagogëve, pa mënjanuar prindërit e profesioneve të ndryshme. Por është dhe një udhëzues i mirëfilltë gjuhësor, për njerëzit tanë të të gjitha fushave të dijes dhe profesioneve të ndryshme. Ndër ta, me të drejtë, autori veçon dhe folësit në RTV e gazetarët, të cilët, si “me çekan”, na godasin çdo ditë me fjalët e tyre mbi veshët tanë, sapo të hapim sytë në mëngjes.
Duke qëmtuar me këmbëngulje e kujdes, në libra dhe në shfaqje e skenarë artistikë, por dhe duke u mbështetur në dhuntitë vetjake fjalëformuese, si gjuhëtar me përvojë të gjatë, Prof. Shkurtaj ka sjellë në vëmendje të lexuesit fjalë disi “të harruara”, nga vetë burimi i shqipes së folur ose të shkruar, si dhe ka krijuar shumë fjalë të reja e të bukura. Vetë autori shprehet se ato i ka marrë nga shqipja e moçme, nga folklori dhe të folmet gege.Të tilla janë të panumërta. Por po përmendim vetëm disa, sa për të krijuar një përfytyrim më të saktë te lexuesi për ngulmimin e autorit në këtë drejtim. Na mbesin në mendje dhe fjalë të tilla, si: fjalësi, terriset, figurshmëria, mëtues, ojnatar, vjershëria, përthith, përhumb, ngjizje, jetësia, sprovë, vetjakësia, kahe, ngjyresa, përftesa, mbrujtje, pohuese, hiret e tjerë e tjerë.
Në përgjithësi, në libër vërehet lirshmëria e thjeshtësia në kapjen, trajtimin dhe nxjerrjen e përfundimeve të arsyetuara mirë. Ndoshta, kësaj përpjekjeje të suksesshme të autorit i shkon për shtat vjersha e Dritëro Agollit, “Dëshirë poetike”, ku ai thekson me bukuri të nënkuptuar mirë: “Ta marr fjalën e ta bëj plis ugari…”.
Gjithashtu, duke u thelluar në gjuhën e folur dhe në atë të shkruar, ky libër na mëson e na udhëzon se si duhet të flasim e të shprehemi mirë e bukur, pa e tepruar me fjalët tona, në ligjërimet e ndryshme. Na këshillon për t’i zgjedhur ato me kujdes, siç merr bleta nektarin, nga lulet shumëngjyrëshe e me shije të ndryshme.
Çdo gjuhë, e folur dhe e shkruar, jeton e kalon nga një brez në tjetërin, duke u bazuar në norma e rregulla të përcaktuara mirë, nga studiuesit bashkëkohorë e më të aftë të saj. Prandaj, më pëlqen të ritheksoj këtu një thirrje ose mirëdashje të autorit të këtij libri, drejtuar sot të gjithë folësve të gjuhës së bukur shqipe:
“Normëshkelësit duhet të përgjigjen për dëmin, që i shkaktojnë gjuhës shqipe!”
Pesha e fjalës shqipe është e madhe dhe e gjërë, ashtu siç është i madh e i gjërë në fomë, ky botim i ri i Prof. Gjovalin Shkurtajt.
Prandaj, në mbyllje, dëshiroj të theksoj ose, siç do të shprehej ndonjë dashamirë i fjalës së rrallë e të bukur shqipe, “të ve në spikamë” këtë mëndim të palëkundur: Libri ose, më mirë e më saktë, vepra “Pesha e fjalës shqipe”, është jo vetëm e vlefshme, por dhe e nevojshme për mësues e nxënës dhe pedagogë e studentë të degëve: gjuhë e letërsi shqipe, mësuesi e gazetari, por dhe për pasunivesitarë e kërkues të gradave e titujve shkencorë, si dhe për të gjithë ata, që nesër do të luajnë në skenë, në teatër ose në filma. Se është një botim rrallë, në llojin e vet, që na mëson më së miri se si ta “gëdhendim” me mjeshtëri fjalën e bukur shqipe.

Tiranë, 13 nëntor 2009

No comments:

Post a Comment