Edhe nëse konferenca shkencore për gjuhën do të propozonte rishikimin e standardit, ndryshimet nuk mund të sanksionohen pa vullnetin institucional. E treta herë në njëzet vjet që specialistët shtrohen në tryezë pune për hetuar dhe për të propozuar: Çfarë?
08.12.2010
Programi i konferencës shkencore "Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit" ka marrë formë përfundimtare: është bërë një grupim i referateve sipas temave që trajtojnë.
Akademik Kolec Topalli, anëtar i Komisionit Shkencor të Konferencës konfirmoi se konferenca organizohet në Durrës, Tropikal Resort, duke e mbajtur larg vëzhgimit dhe ndërhyrjeve të medias, sepse kjo është një tryezë ku specialistët kanë për të punuar.
Ka gjuhëtarë që e shikojnë të padrejtë mediatizimin që i është bërë konferencës ende pa filluar. Nuk është se aty do të merren vendime. Edhe sikur të donte, kjo elitë e disiplinave gjuhësore, nuk është vendimmarrëse.
"Ky nuk është kongres, është tryezë pune", qetëson prof. Topalli i cili na tregoi dje programin e datave 15-17 dhjetor që ka përgatitur Qendra e Studimeve Albanologjike. Ky është edicioni II i Ditëve të Albanologjisë, ku paraqiten kërkimet dhe arritjet në studimet albanologjike. Vitin e kaluar kishte edhe formën e një konkursi ku u vlerësuan me çmime veprat më të mira në gjithë fushat e albanologjisë.
Konferenca e radhës prezanton disa tema të mëdha, në bazë të të cilave është bërë edhe një grupim i çështjeve të referuesve.
Për Historinë e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni, flasin: Bahri Beci, Rexhep Ismajli, Seit Mansaku, Bardhyl Demiraj, Gjovalin Shkurtaj etj..
Për Problemet gramatikore të standardit, flasin: Ethem Likaj, Wilfried Fiedler, Besim Bokshi, Anila Omari, etj.. Për Problemet e drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit, flasin: Kolec Topalli, Mehmet Elezi, Besim Kabashi, etj..
Për Marrëdhëniet e standardit me dialektet. Norma Leksikore, flasin: David Luka, Ardian Vehbiu, Ardian Klosi, Ledi Shamku-Shkreli, Ferdinand Leka, Asllan Hamiti, Ajten Qamili, etj.. Për Standardin dhe normën letrare, flasin: Sabri Hamiti, Valter Memisha, Imri Badallaj, Ali Jashari, Tomor Plangarica, etj..
Ndërmjet seancave do të ketë promovime të botimeve gjuhësore, takime me shkrimtarë.
Është konferenca e tretë shkencore që mbahet në këto njëzet vjet. Në platformën e kësaj të fundit thuhet: "Shqipja e sotme gjallon si gjuhë e mbarë shqiptarëve në formën e dy dialekteve kryesore dhe në variantin shqipe standarde.
E ndodhur përballë hapjes dhe liberalizimit të shoqërisë shqiptare, ajo po pëson zhvillime të fuqishme të brendshme, që lidhen me shtimin e jashtëzakonshëm të kontakteve ndërmjet vetë shqiptarëve, me migrimet dhe me emigracionin, me rikonfigurimin gjeopolitik e gjeokulturor të faktorit shqiptar në rajon, si dhe përgjithësisht me ngritjen e përshpejtuar ekonomike, sociale e kulturore të shoqërive shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit. Gjuha shqipe po kalon një proces të vrullshëm zhvillimi e pasurimi dhe në këtë dinamikë lipset shqyrtuar edhe vetë standardi, si një variant i saj.
Vërejmë se disa nga dukuritë dhe problemet e shumëllojshme që janë bërë të pranishme mbas Kongresit të Drejtshkrimit, kanë tërhequr më shumë vëmendjen e publikut sesa të gjuhëtarëve, ndërkohë që situata e sotme gjuhësore nuk e toleron më këtë komoditet. Gjykojmë se ka ardhur koha që çështja të shihet pa pasione të ndezura, në një prizëm thjesht shkencor, për të evidentuar me përgjegjësi problematikat e krijuara, me një vështrim përfshirës dhe me parashikime afatmesme e afatgjata."
Prof. Kolec Topalli tha të njëjtën gjë që ka përsëritur këto ditë në media se qëllimi i gjithë kësaj është që të analizohet standardi i sotëm, politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të tij dhe të shihet se çfarë rrugësh do të ndiqen në të ardhmen.
Çfarë do synonin këto politika? Edhe njëherë, prof. Topalli thotë se politikat do synonin mundësitë e pasurimit të standardit, dhe "disa aspekte të tij të shqyrtohen për të ndryshuar në favor të rregullimit më të mirë të rregullave të drejtshkrimit.
Aty ku ka kontradiktë të rregullohet."
Me sa është dukur deri tani në shkrimet në shtyp, është kjo vija e hollë e politikave të mundshme mbi standardin që i ndan gjuhëtarët në pro ndryshimit, pro sanksionimit të disa rregullave të reja, dhe ata që janë pro vetëm zbatimit korrekt të këtij standardi që e kemi të keqpërdorur tashmë.
Për çfarë natyre kontradiktash që mund të rregullohen, e ka fjalën prof. Topalli?
"Rregullat janë vendosur në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit" thotë ai, "Kongres që është zhvilluar në kushtet e diktaturës komuniste, të totalitarizmit."
Raporti i standardit me dialektet është një temë për diskutim në konferencë.
Për këtë aspekt anëtari i Komisionit Shkencor të Konferencës mbron një ide që është mbështetur nga jo pak specialistë: studimi i gjuhës shqipe në shkolla, e cila duhet të ketë ekskluzivisht si bazë standardin e sotëm, duhet të përfshijë edhe dialektet, jo vetëm atë gegë, po edhe arbërishten e Italisë. "Shkolla duhet të japë njohuritë mbi dialektet që nuk janë përfshirë në standard", shton prof. Topalli.
"Një nga gabimet në tekstet shkollore, që nga viti 1945 deri vonë, është ky: nuk janë dhënë njohuritë e nevojshme për pasuritë dialektore gramatikore të dialekteve të tjera por është marrë gramatika e mirëqenë duke menduar që dialektet e mbyllën historinë e tyre."
Nevoja për ta rishikuar herë pas here standardin është parashikuar qysh në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit më 1972 dhe është parashtruar në Konferencën shkencore me rastin e 20-vjetorit të Kongresit, dhe sërish në 30-vjetorin e tij.
Në vitin 2002 është mbajtur një tjetër konferencë ku u vendos që të krijohet një Këshill Ndërakademik për të shqyrtuar problemet që ka nxjerrë standardi i sotëm.
Në vitin 2004 "duke u nisur nga vlerësimi i përbashkët se gjuha shqipe është tipari themelor i kombësisë shqiptare, se ajo siguron ndërlidhjen shpirtërore midis hapësirave dhe vendeve që flasin shqip dhe mjetin më të qenësishëm për komunikim midis tyre përtej ndarjeve administrativo-politike", u krijua Këshilli Ndërakademik për Çështjen e Shqipes Standarde i përbërë nga anëtarë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Arbëria, i kryesuar nga akademikët Shaban Demiraj dhe Rexhep Ismajli.
Gjatë vitit 2005 Këshilli nxori rregulloren e punës, u krijuan komisione për çështje të drejtshkrimit, të kulturës së gjuhës, të morfologjisë e të sintaksës, të leksikut, etj, të cilët duhej të raportonin për gjendjen ekzistuese dhe problemet.
Në bazë të tyre Këshilli duhej të merrte një vendim. Në vitin 2006 në Takimin e Prishtinës, Këshilli konkludoi se për shqyrtimin e çështjeve drejtshkrimore që lidhen me përdorimin e gjysmëzanores ë në pozita të ndryshme, ishte i nevojshëm një material më i gjerë studimor dhe kjo iu kërkua Komisioneve në Tiranë dhe Prishtinë.
Por Këshilli arriti në përfundimin se "nuk është e nevojshme të ndërmerren "rishikime" për çështje që për një arsye a për një tjetër mund të jenë (para)gjykuar të rishikueshme."
Kështu, asnjëherë nuk është sanksionuar asnjë ndërhyrje në Kodin Standard të Shqipes. Kësaj radhe prof. Topalli thotë: "Do të diskutohen realisht problemet pa duartrokitje, pa lëvdata, po si në një konferencë shkencore. Do të propozohen edhe rrugët e zgjidhjes. Por konferenca nuk është kongres. D.m.th ajo nuk do të marrë vendime. Ajo do të japë orientime se si do veprohet më vonë."
Kanë deklaruar në "Shekulli"
Kolec Topalli: Ndryshimet të pasqyrohen në drejtshkrimi
"E kemi të nevojshme të ndjekim hap pas hapi zhvillimet e gjuhës dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme në kohën e duhur.
Sigurisht që gjuha nuk ndryshon kaq shpejt, por ato ndryshime që kanë ndodhur, mendoj se duhet të pasqyrohen edhe në drejtshkrimin e saj, sepse kryesisht bëhet fjalë për drejtshkrim.
Për disa probleme të tilla të cilat po rishikohen, edhe unë jam i mendimit që mund të gjejnë një rishikim të duhur, me qëllim që të mos krijohet një shkëputje e madhe ndërmjet gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar, siç ka ndodhur për shembull në anglishte."
Kristina Jorgaqi: Përgjegjësia, indiferenca e institucioneve
"Niveli aspak i kënaqshëm i njohjes dhe i përvetësimit të standardit është sot, për fat të keq, një realitet i pamohueshëm ndër shumicën e shqiptarëve, toskërisht-e-gegërishtfolës pa përjashtim.
Të gjithë po jemi dëshmitarë të cilësisë së dobët të "produkteve" të shkollës sonë në lëmë të gjuhës shqipe, që, për nga përmbajtja e teksteve ashtu dhe nga metodat e mësimdhënies, qëndron sot në minimumin e vet historik. Dhe për këtë përgjegjësia kryesore do parë tek indiferenca e institucioneve, që e kanë detyrë të përkujdesen për standardin.
Rexhep Ismajli: Kongresi i Drejtshkrimit s'i përgjigjet rrethanave të sotme
"Shqipja flitet në hapësira të ndryshme shtetërore e politike me realitete të ndryshme ekonomike, shoqërore, kulturore.
Në mungesë të bashkërenditjes së ndërmarrjeve dhe të kujdesit për gjuhën, ka mundësi që realitetet e tilla të krijojnë zhvillime disparate në shkallë më të gjerë... Mënyra se si është vepruar me Kongresin e Drejtshkrimit në rrethanat e sotme nuk duket e mundshme. Pos tjerash, ajo ka qenë dhe objekt kritikash në opinion."
Ledi Shamku-Shkreli: Standardi u zhvesh nga prestigji i gegërishtes
"Nga 1952 deri më 1972, pra plot 20 vjet, politika gjuhësore në Shqipëri (ose më mirë 'politika', pasi nuk vërehet kurrfarë ndarje mes Vijës Ideologjike dhe Politikës Gjuhësore) duke ndaluar lavrimin e mëtejshëm të gegnizmave dhe të krejt Koinesë Letrare Gege, e zhveshi këtë pjesë të shqipes nga një element tejet i rëndësishëm që quhet prestigj; pa u zgjatur do thoja se rezultati final i kësaj zhveshjeje, ish krijimi i një kompleksi faji i cili bëri që gegëfolësve, gati-gati, t'u vijë turp nga gjuha e tyre."
Italo Fortino: A ekziston nevoja e riformulimit?
"Problemi nuk është riformulimi i kodit të standardit vetëm me qëllimin e riformulimit, por duhet verifikuar më parë nëse ekziston nevoja e riformulimit, d.m.th. nëse gjendja sociolinguistike kërkon një ndërhyrje në rishikimin e standardit për një rivlerësim të të gjitha mundësive gjuhësore. Besoj edhe që gjendja e re e Kosovës, që marshon në drejtim të pavarësisë, kërkon vëmendje të veçantë për një zhvillim harmonik të problemit gjuhësor."
Ardian Vehbiu: Mangësi serioze në mësimin e shqipes së njësuar
Nëse përdoruesit e sotëm të ligjërimit publik nuk arrijnë ta përdorin shqipen e njësuar në pajtim me rregullat e miratuara, kjo nuk ka aq të bëjë me mangësitë strukturore dhe lëndore të standardit vetë, sesa me shkaqe dhe rrethana jashtëgjuhësore.
Mes këtyre vlejnë të përmenden, para së gjithash, mungesa e një zotimi të qëndrueshëm institucional për ta mbrojtur standardin; mangësitë serioze në mësimin e shqipes së njësuar në shkollat; dhe rënien e prestigjit të standardit vetë në publik, për shkak të përshoqërimit që i bëhet me regjimin komunist, monizmin kulturor dhe politikat gjuhësore totalitare.
No comments:
Post a Comment