Sunday, August 2, 2009

Rreshta të mbarë gazetës “Agon”!

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

Gazetaria në kohën tonë, si kudo në botën moderne, edhe ndër ne është bërë pjesë jetike e kulturës dhe përgjithësisht e ecurisë së shoqërisë.Mediat e shkruara dhe të folura kanë pasur e kanë ndikimim të madh, madje kryesor, në rrjedhat e zhvillimit e të përparimit të çdo vendi, prandaj edhe vlerësimi ynë qysh herët ka qenë dhe mbetet i njëjtë: fjala e gazetarëve dhe e mediave në përgjithësi përbën modelin e të shkruarit dhe të folurit dhe, pikërisht për këtë arsye, më se një herë kemi theksuar se gazetarët kanë detyrë që, krahas asaj çfarë thonë, që lidhet me mjeshtërinë e tyre mirëfilli si gazetarë, kanë përgjegjësi të lartë qytetare dhe kombëtare edhe për mënyrën se si e thonë, sepse fjala e shkruar në gazeta e revista, bashkë me fjalën e thënë nëpërmjet të folurit në mediat elektronike përbëjnë shembullin më të fuqishëm e modelin më të ndjekur të gjuhës së një kombi.Shumëkush, pasi mbaron shkollën e mesme, rrallë e tek lexon letërsi artistike, por shtypin e lexojnë çdo ditë, gazetën dhe informacionet e shtypit të shkruar i ndjekin të gjithë, radiot dhe televizionet ndiqen masivisht nga të mëdhenj e të vegjël. Kjo ka qenë edhe baza që më ka nxitur të pohoj e ta përsëris shpesh se ne kemi punuar e duhet të vijojmë gjithnjë të përgatisim mësues të mirë të gjuhës shqipe dhe përgjithësisht edukatorë e arsimtarë, por nëse nuk kujdesemi për përgatitjen gjuhësore dhe kulturore të gazetarëve, nëse nuk bëjmë kujdes që folësit e radiove e të televizioneve të shqiptojnë qartë e bukur, nëse artikujt e gazetave i botojmë të shkruar dosido, pa i korrektuar e redaktuar me kujdes, mjaft që të mbushim faqet, atëherë do t’i bëjmë dëm shumë të madh jo vetëm gazetarisë në kuptimin e ngushtë, por edhe krejt kulturës kombëtare e sidomos kulturës së gjuhës shqipe. Kam shkruar shpesh për gjuhën e mediave, kam bërë vlerësime dhe kritika, por kurdoherë kam pasur synimin që të përmirësojmë cilësinë e të shkruarit, të zbatojmë drejtshkrimin e njësuar, të mënjanojmë fjalët e huaja të panevojshme, të çelim shtigje të reja për prurjet më të mira nga pasuria e të folurit të shqipes, t’u prijmë mediave dhe gazetarisë së shkruar në lëmijet e etnografisë së të folurit shqiptarisht, pa sharje e fjalë të ndyra, pa fjalor të rënduar e mërindjellës, pa shfrime të tepruara e vulgare që cënojnë etikën dhe traditën e të shkruarit e të të folurit të shqipes.
Vite më parë, kur z.Frrok Çupi ishte drejtor i ATSH-së, më ka ftuar të mbaja leksione me redaktorët, përkthyesit dhe punonjësit e atij institucioni dhe kjo ka qenë një punë e vyer, një përvojë që duhet ndjekur edhe nga redaksitë e gazetave e të revistave, nga televizionet dhe radiot publike e private. Kam dëgjuar se në disa prej gazetave dhe ndonjë revistë kanë reaguar pozitivisht ndaj vërejtjeve të gjuhëtarëve dhe kanë përfshirë në organikat e tyre edhe korrektorë letrarë, gjë që ka dhënë e do të japë edhe më tej frytet e veta. Jam i bindur se këtë do ta bëjë edhe gazeta “Agon”, sepse pa shtuar kujdesin dhe punën konkrete për njohjen e gjuhës shqipe gazetaria nuk mund ta kryejë funksionin e vet modeldhënës që i takon. Gjithçka është privatizuar ose drejt privatizimit ndër ne, ashtu si gjetkë në demokracitë perëndimore e më gjerë, por gjuha nuk do të privatizohet kurrë. Shqipja, gjuha jonë e bukur dhe e lashtë, do të jetë kurdoherë mjet i të gjithë shqiptarëve, ajo ka qenë, është e do të jetë kurdoherë “pronë e përbashkët” e të gjithë shqiptarëve, shenjë e bashkarisë shpirtërore e kulturore të kombit tonë, dukuria më spikatëse e të qenit shqiptar. Kjo është arsyeja pse duhet ta vlerësojmë, ta ruajmë dhe mbi të gjitha ta duam shqipen, gjuhën tonë të shenjtëruar siç e quanin Rilindasit tanë mendjendritur.

Uroj me gjithë zemër që gazeta e re “Agon”, jo vetëm të ketë hapësira të nevojshme edhe për problemet e shqipes, por edhe të japë shembullin e mirë për kujdes e vlerësim të zbatimit të normës letrare, për luftën kundër fjalëve të huaja të panevojshme, për tëhollimin dhe mëtimet drejt një paraqitjeje gjuhësore të atillë siç e kërkojnë koha jonë dhe përparimi i kulturës sonë kombëtare. Jam i bindur se z.Çupi dhe ekipi i tij drejtues i gazetës “Agon”, në faqet e kësaj gazete të re do të na japin edhe një mënyrë të re të qëndrimit ndaj gjuhës shqipe, do të kenë në përbërje edhe figurën e korrektorit gjuhësor, që aq shumë është lënë në harresë gjatë këtyre viteve të tranzicionit në shtypin shqiptar. Uroj që, gjithashtu, edhe gazetat e revistat e tjera shqiptare, kërkesat për gjuhë të pastër, të lëmuar e të përpunuar t’i zbatojnë me të njëjtin përkushtim që synojnë lajmin e informacionin përkatës. Në një nga kanalet televizive reklamohet me krenari “Lajmi jemi ne”. Mendoj se në të gjitha organet e shtypit duhet të zotërojë synimi për të pohuar e faktuar se gjuha e shtypit shqiptar është gjuha e shkruar që mund të merret si model nga të gjithë lexuesit e tyre. Kështu, natyrisht, do të agojë edhe dita kur gjuhëtarët dhe dashamirësit e shqipes nuk do te cilësohen me ironi si “gardianë”, por do të vlerësohen me nderimin dhe cilësimin dashamirës që u takon, si ruajtës e kujdestarë të tiparit më të rëndësishëm përbashkues të kombit tonë.Në shumë vende të qytetëruara të botës, si p.sh. në Danimarkë, gjuhëtarët nderohen e vlerësohen si figurat më të lavdishme të kombit dhe shtatoret e tyre i gjen në vende publike krahas burrave mw të shquar të vendit. Tek ne, për fat të keq, sikur të mos mjaftonte pagesa modeste dhe pensionet gati qesharake që marrin professorët e gjuhës shqipe, nuk mungojnë edhe asi kalemxhinjsh që i shajnë dhe i etiketojnë me cinizëm
si “gardianë” dhe me paturpësi dalin hapur kundër shqipes së njësuar, paçka se nuk kanë as përgatitjen as atributet që duhen për t.u marrë me probleme të tilla të rendësishme të gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare siç ka qenë dhe mbetet krijimi i gjuhës së përbashkët zyrtare.

Ndre Mjedja, poeti i ëmbël që ishte edhe një gjuhëtar meritor, në kohën e vet, në vjershën e tij të famshme “Gjuha shqype” qe ngritur me forcë kundër atyre që nxirnin pengesa për bashkimin e shqiptarëve duke mbivlerësuar dallimet dialektore për të penguar bashkimin e njësimin e shqipes së shkruar.

“Qoftë mallkue kush qet ngatërrime
Ndër këta vëllazën shoq me shoq
Kush e ndan me fjalë e shkrime
çka natyra vetë përpoq”.


Vjersha e Mjedës, si dhe mjaft simotra të saj në shkrimtarinë e Naimit, Fishtës, Filip Shirokës etj., me përmbajtjen e frymën e tyre kombëtare mbeten aktuale dhe të vlefshme edhe sot, kundër disa kalemxhinjve që, vijojnë ta vajtojnë për zgjidhje të tjera të standardit e kundër gjuhës shqipe të njësuar, duke ngritur tym pa nevojë e duke ndjekur avzazin ndonëse tashmë krejt anakronik e bajat të “ristandardizimit të shqipes”.I zëntë të githë mallkimi i Mjedës dhe i vraftë buka siç do të thoshte Fishta për ata antishqiptarë që duan t’i ndajnë shqiptarët sipas vijave të shovinistëve serbomëdhenj: ”allbanci” (shqiptarë të Shqipërisë) dhe “shiftari” (shqiptarë të Kosovës).

Ideja jonë ka qenë dhe mbetet e patundur se, edhe në epokën e sotme të evropianizimit dhe të botërorizimit të thellë kulturor dhe gjuhësor, pavarësisht nga domosdoshmëria për të mësuar sa më mirë e sa më gjerë anglishten dhe gjuhë të tjera të BE-së, do të mbetet kurdoherë hapësirë e gjerë dhe për gjuhët kombëtare të popujve të ndryshëm, pra edhe për shqipen e folur dhe të shkruar. Mëtimi ynë, natyrisht, në kuadrin sociolinguistik mbështet në rrethanën e padyshimtë se standardizimi dhe ushtrimi sa më i gjerë i shqipes së shkruar mbetet faktori kryesor që i shërben mbijetesës së gjuhëve kombëtare. Parimi im mbarë i shkrimtarisë dhe i gazetarisë së çdo kombi është ai që ndjek hullinë e mbarë të vijës nga dialekti te gjuha e përbashkët standarde dhe jo e kundërta. Dialektet janë pjesë e gjuhës së një kombi, ato kanë pasur më shumë hapësirë në kohët e vjetra, në përiudhat kur nuk kishte as shtet të përbashkët, as instituciuone shtetërore e kulturore të atilla që t’i prijnë zhvillimit të njësishëm e sa më unitar. Në kohët e reja, dialektet mbeten dhe do të përdoren edhe për shumë e shumë kohë krahas gjuhës standarde, krahas gjuhës së njësuar zyrtare, për funksione më pak zyrtare dhe sidomos për arsye artistike e folklorike, si dhe si ngjyresë e krahinave të caktuara, porse rolin kryesor në jëtën e vendit e marrin standardi dhe variantet nënstandarde, që lindin e zhvillohen krahas tij.

“Concordia parve res crescunt, discordia maxime dilabuntur” kanë thënë qysh së lashti latinët e mençur. Kurrë më shumë sesa sot nuk kemi pasur nevojë për bashkim shpirtëror e kombëtar ne shqiptarët, kur kombin vijojmë ta kemi me një gjuhë të përbashkët, por të ndarë me kufij shtetërorë, kur ende dikush paguhet për të shkruar e folur kundër gjuhës së njësuar zyrtare, kur ende nuk mungojë asish që nxisin me shkrime e fjalime për t’u kthyer mbrapa në kohë e në mendësitë tashmë fatmirësisht të kapërcyera. Dhe, përsëri, në mbyllje po i drejtohemi një strofe të Ndre Mjedës, të cilën e harrojnë enkas disa:

“Geg’ e Toskë, Malci Jallia
janë nji komb, m’u da s’duron,
Fund e maje nji asht Shqypnia
E nji gjuhë të gjithve na bashkon!”


Rreshta të mbarë gazetës “Agon”!
Tirane, 9 Shtator 2007

No comments:

Post a Comment