Prof Gjovalin Shkurtaj
Follow @gjshkurtaj
(Rreth monografisë “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë” të Gjekë Gjonajt)
Prekë Cali ka qenë dhe mbetet emër i nderuar në Malësi të Madhe e në krejt krahinën e Shkodrës, i përmendur për qëndrimin atdhetar dhe bëmat trimërore për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë nga synimet grabitqare të shovinistëve fqinj, sidomos për të mos e lëshuar Vermoshin, të cilin mbreti Zog pat dashur t’ia dhuronte Jugosllavisë si shpërblim për ndihmat dhe prapashpinat që u detyrohej ai qarqeve të caktuara që e sollën në pushtet. Vermoshi mbeti brenda kufijve shqiptarë, populli ia diti për nder Prek Calit që nuk e lëshoi atë pjesë të trojeve tona, porse Prekë Cali, si për ironi të fatit, do ta paguante shumë shtrenjt atë qëndrim atdhetar: ai do të burgosej dhe qe syrgjynosur në Burgun e Gjirokastrës nga pushteti zogist, kurse, më pas, si antikomunist e njeri me bindjen se komunizmi ishte një nga të këqijat më të mëdha që po i kërcënohej Shqipërisë, bashkë me ajkën e burrave të Kelmendit bëri qëndresë të ashpër ndaj atij sistemi dhe, për atë shkak, pasi e shtinë në dorë me tradhti, duke i premtuar se do të lihej i lirë, u pushkatua mizorisht në Fushë të Koplikut, duke thirrur “Rrnoftë Shqypnija!”.
Me rastin e 60-vjetorit të pushkatimit, një nga stërnipat e tij, gazetari dhe studiuesi i njohur Gjekë Gjonaj nga qyteti i Ulqinit, botoi monografinë “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë”, një libër i plotë historik dhe folklorik, në të cilin na jepet një pasqyrë e qartë dhe e dokumentuar mirë e jetës, veprimtarisë atdhetare dhe e personalitetit të Prekë Calit si burrë i lartë i maleve tona, si figura më e njohur dhe më e lëvduar në popull, si emri më i kënduar në këngët e lahutarëve malësorë që nga Malësia e Madhe ku ai lindi, jetoi, luftoi dhe vdiq, deri në Amerikë e në Australi ku gjenden valë të shpërnguljeve të malësorëve të Këlmendit.
Autorin e monografisë, Gjekë Gjonajn, e kisha njohur kryesisht si gazetar dhe më ka pëlqyer interesi i tij i gjerë për të pohuar vlerat më të mira të gjuhës e të kulturës shqiptare, ka bërë intervista me studiues e personalitete të shkencës së sotme shqiptare, është i kudogjendur në veprimtaritë që u kushtohen problemeve të historisë e të kulturës shqiptare në Ulqin e në Mal të Zi, po edhe vjen aq shpesh në Tiranë, duke bashkëpunuar me artikuj në gazetat shqiptare e sidomos ka shkruar në “Koha jonë”. Disa vjet më parë, kur u takuam në Ulqin me rastin e një tubimi shkencor të organizuar nga Bashkia e Ulqinit për të nderuar prof. Ruzhdi Ushakun, teksa kaluam së bashku mbrëmjen e Shën-Kollit në Shëngjergj dhe fjetëm në qelën e Dom Nik Ukgjinit, Gjeka më pat folur për punën që ishte duke bërë për të shkruar një libër për Prekë Calin. I thashë se edhe unë, diku në dosjet e mia, kam shumë shënime e kujtime të të moshuarve malësorë nga Kastrati, Hoti etj. që e kanë njohur atë trim të maleve tona, si dhe një skicë të një trajtimi për të që i kam vënë titullin “Prekë Cali-Robin Hudi i Shqipërisë”. Në vitin 1991 K. Kunora e Marash Mirashi e përkujtuan Prekë Calin me artikullin sa interesant, aq edhe prekës “E burgosi Ahmet Zogu dhe e pushkatoi Enver Hoxha” (“Koha jonë”, 25 tetor ), kurse gazetari i ri Agron Gjekmarkaj me shkrimin “Prekë Cali, ndërgjegje e vrarë e historisë” (“Tribuna demokratike”, 27 tetor 1995). Shkrime të tilla, bashkë me dekorimin e Prekë Calit “Martir i Demokracisë” (23.6.1993) dhe me ngritjen e monumentit të këtij luftëtari e atdhetari vigan në qytetin e Shkodrës do të shënonin, si të thuash, “ringjalljen e Prekë Calit”, prandaj, edhe kreun e katër të monografisë, z. Gjek Gjonaj e ka titulluar pikërisht ashtu.
E mora këto ditë librin, të cilin ma pruri dorazi miku im Dom Nikë Ukgjini, dhuruar nga autori dhe me këtë autograf: “I ndershmi mik, Zoti profesor Gjovalin Shkurtaj, ju dhuroj këtë libër në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin tuaj të madh në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Do të më gëzonit, z. Shkurtaj, po të ish e mundur të bënit gjekundi në ndonjë gazette (ose mua nëpërmjet E-mailit) një shkrim të paanshëm mbi përshtypjen që ju bën libri. Sinqerisht, autori Gjekë Gjonaj. Ulqin, 28 shkurt 2005.”
Më vjen keq se libri, kjo dhuratë e vyer dhe e mirëseardhur e mikut tim Gjekë Gjonaj, më ra në dorë pas kaq muajve qëkur ma paska nisur autori, porse kohën për ta kënduar dhe për t’ia përmbushur dëshirën atij e gjeta, duke lënë mënjanë shuëmçka tjetër nga detyrimet e punët që kisha në dorë. Gjekë Gjonajt, gazetarit të talentuar dhe dashamirësit të shkencës e të gjuhës shqipe, që me aq përkushtim shkruan edhe për gjuhëtarët e gjuhësinë shqiptare, ia kisha borxh nderi një përgjigje vlerësuese për monografinë e tij. Por, edhe po të mos ishte midis meje dhe autorit kjo lidhje miqësore, do të mjaftonte titulli dhe lënda e monografisë për të gjetur ngenë e mundësinë e një kundrimi, qoftë edhe të shpejtë, për librin që i kushtohet figurës vigane të Prekë Calit. Monografia çelet me parathënien e shkruar nga prof. as. dr. Romeo Gurakuqi, një nga historianët më të dalluar të ditëve tona, i ri në moshë por i thellë në trajtimet dhe i përkushtuar dukshëm ndaj historisë së Malësisë së Madhe e të trevave veriperëndimore në përgjithësi. Kohë më parë, në monografinë e tij të rëndësishme “Kryengritja e e Malësisë së Mbishkodrës 1911” (Shkodër, 2002) lexuesit iu dha një pamje mjaft besnike e asaj kryengritjeje si dhe e krejt lëvizjes atdhetare që pati ajo si shtysë, duke përcaktuar strategjinë dhe taktikat e saj dhe duke vlerësuar e vënë në pah meritat e bëmat trimërore të bijve të thjeshtë të Malësisë së Madhe për shqiptarinë dhe Shqipërinë. Koha dhe punët e shumta më kanë penguar të ulem e të shkruaj diçka për atë libër, por shënimet i kam dhe, parathënia e thukët dhe e ngjeshur e Gurakuqit për librin e Gjekë Gjonajt, ma rikujtoi se e kam ndërmend të shkruaj edhe për atë libër.
Bashkohem plotësisht me vlerësimin e z. R. Gurakuqi se “vepra e Gjekë Gjonajt është një arritje e rendësishme, e cila jo vetëm ka përmbledhur në mënyrë të sintetizuar arritjet e deritanishme të biografëve të heroit, por edhe u ka shtuar këtyre arritjeve një serë dokumentesh të panjohura më parë, të nxjerra me kujdes nga autori prej Arkivit Qendror të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, dhe prej një serëe tregimesh mjaft të vlefshme të dëshmitarëve të kohës”. Më pëlqen, gjithashtu, ta bashkoj mendimin tim të mirë për monografinë e z.Gjekë Gjonaj edhe me vlerësimin e Prof. As. Dr. Alfred Çapalikut, i cili thekson: “Hulumtuesi e publicisti i palodhur, sa gazetar aq edhe folklorist, z. Gjekë Gjonaj, me botimin e sistemuar të krijimtarisë gojore për Prekë Calin, s’po bën gjë tjetër, veçse po i ngre monumentin e dytë, prej bashkëtingëlloresh që ndrisin si bronzi dhe prej zanoresh që tingëllojnë si bronzi”.
Merita e parë dhe kryesore e librit të Gjekë Gjonajt më duket se qëndron në atë lidhje të ngushtë e të natyrshme që ka gjetur aty figura e Prekë Calit me Këlmendin, vis për të cilin ai shkriu rininë e burrërinë e tij, duke dhënë edhe jetën për të. Nuk mund të jepet në tërë madhështinë dhe vlerat që meriton Prekë Cali si luftëtar i paepur për mbrojtjen e trojeve kombëtare shqiptare, pa njohur Kelmendin dhe përgjithësisht Malësinë e Madhe, si visi më i plleshëm në bëmat trimërore në të mirë të atmes e të shqiptarisë, qysh kur i vuri pushkën Vuça Pashës dhe nuk e la të hynte në Kelmend, akt të cilin e lëvdonte madhërisht Pjetër Budi, deri në mbrojtjen e Vermoshit nga Prek Cali.
Autori, Gjekë Gjonaj, është stërnip i Prekë Calit dhe, për këtë rrethanë, ka pasur mundësinë të njohë nga afër shumë nga njerëzit që jetuan e luftuan krah për krah me Prekën, ka thithur qysh në moshë të njomë ajkën e këngëve popullore që i kushtohen atij dhe kjo e ka pasuruar e qartësuar portretizimin e heroit, ka gjetur kujtime e hollësi interesante nga gurra gojore, porse ai ka lakmuar të hyjë më thellë, duke iu drejtuar studimeve historike, gjeografike, demografike e deri gjuhësore, si dhe duke gjurmuar arkivat, gjë që i ka dhënë atij mundësinë ta ndriçojë figurën e Prek Calit ashtu si e meriton një personalitet i atillë i historisë shqiptare. Autori citon veprat e njohura të historianëve, sidomos ato që i kushtohen historisë së Malësisë së Madhe, siç janë, ndër të tjera, studimet e Petër Bartlit, Edit Durhamit, Atë Kolë Berishës, Ali Hadrit, Muin Çamit, Prenk Grudës, Romeo Gurakuqit, Hasan Gjonbalajt, P. Milos, Gjergj Nikprelajt, K. Prognit, A. Putos etj., një listë e gjerë bibliografike, e cila jo vetëm është shënuar në treguesin përkatës, por edhe është shfrytëzuar me dobi dhe është cituar me korrektësi të lavdërueshme në shënimet në fund të faqeve. Po kështu, është për t’u vënë në dukje informacioni shumë i pasur gojor, tregimet dhe dëshmitë e të afërmve të Prekë Calit, kujtime të bashkëluftëtarëve të tij, si dhe këngët epike të krijuara në vite për të, të cilat këndohen me lahutë anekand trevave të Malësisë dhe në diasporën e saj në dhe të huaj.
Shpreh bindjen se monografia “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë” e Gjekë Gjonajt është një libër i mirësardhur në bibliotekat dhe në tryezat e punës së studiuesve që merren me historinë shqiptare, një ndihmesë e re serioze në fushën e historiografisë së sotme shqiptare, një pasqyrë mjaft e besueshme e jetës dhe veprimtarisë atdhetare të një prej figurave më të ndritura të Malësisë së Madhe, Prekë Calit, të cilin autori, me të drejtë, e ka cilësuar si “Piramidë e kufijve të Shqipërisë”. Dhe, për ta mbyllur, nuk mund të mos përmend një fakt të thjeshtë nga përvoja ime: në vitin 1970 kur shkova për herë të parë në Vermosh për të mbledhur lëndën e duhur për studimin e së folmes së Këlmendit, një vendas që më shoqëronte, kur kaluam ne Velipojë, para postës së kufirit, që është krejt pranë piramidës, më tha me zë të ulët: “Kjo ka qenë shtëpia e Prekë Calit, tashti është posta e kufirit”. Heshta, por në mendje më vetëtiu një ide që asokohe nuk mund ta thosha me zë… Atë do ta thoshte (dhe e tha kur erdhi çasti) z. Gjekë Gjonaj në librin e tij sa interesant, aq edhe të vyer e frymëgjatë. E përgëzojmë me gjithë zemër mikun tonë për këtë sukses të ri të tij në fushën e historisë dhe përgjithësisht të letërisë dokumentare.
No comments:
Post a Comment