Saturday, August 15, 2009

Ndihmesat e vyera te Jup Kastratit edhe në fushën e dialektologjisë shqiptare


Prof. dr.Jup Kastratin, “Mësues i Popullit”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, në 85-vjetorin e ditëlindjes së tij, e përkujtojmë me nderimin dhe vlerësimet e larta që meriton një burrë si Ai, i cili qe njëri prej atyre bijve të shquar të Shkodrës, që krenohej me vendlindjen e tij dhe nuk rreshti së dashuri, së vepruari dhe së shkruari për bëmat,vlerat dhe bijtë e saj.

Jup Kastrati qe rreshtambarë në pohimet, hulumtimet dhe shpallimet e tij të shumta e të larmishme rreth vlerave shkrimore të shkodranëve, por jo vetëm.
Si bir fisnik i Shkodrës sonë kulturëlashtë, Ai u nis prej këtij visi, prej një qyteti, por lakmoi hapësirat mbarëkombëtare të dijes, duke u pykëzuar sidomos në disa drejtime më madhore të albanologjisë, siç janë: bibliografia, filologjia, hartimi i teksteve për shkollën e lartë; ai qe gjuhëtar dhe historian i përkushtuar i gramatologjisë shqiptare e më gjerë, por duke mbetur i pakalueshëm sidomos me veprën e tij të jetës “Historia e albanologjisë”.

Ata që e kanë njohur nga afër, studentët dhe kolegët, miqtë e dashamirët e tij të shumtë, mjaft prej të cilëve janë mbledhur edhe sot në këtë tubim përkujtimor e përlëvdues, nuk mund të harrojnë kurrë dijet e tij të gjera, informacionin dhe njohjen shumë të saktë e të imtë të botimeve për gjuhësinë dhe albanologjinë në përgjithësi, si dhe pasionin e përkushtimin e tij proverbial për hulumtime e studime shkencore. Stilografin e tij ngjyrëvishnje e kishte kurdoherë në dorë dhe mbante shënim me zell e vrull studentor edhe kur i kishte fituar të gjitha gradat e titujt shkencorë, edhe pasi kishte shkruar e botuar mbi 900 punime, që kapin shifrën e rreth 15.000 faqe shtypi shkencor: disertacione, monografi, studime, artikuj shkencorë popullarizues, tekste mësimore për shkollat e larta, përshtatje të letërisë arbëreshe në gjuhën e sotme, përkthime në gjuhën shqipe nga latinishtja, italishtja dhe frëngjishtja.
Jup Kastrati lindi, u rrit, jetoi e punoi derisa mbylli sytë në qytetin e Shkodrës, të cilin ai e deshi dhe e përfaqësoi kurdoherë me dinjitet të lartë, porse ai mbante me krenari edhe mbiemrin Kastrati, që i kujtonte origjinën e hershme prej maleve tona, të cilat miku e studiuesi ynë i paharruar, edhe i deshi njësoj si qytetin e tij. Për këtë, ndër të tjera, na flet edhe një pjesë e mirë e veprimtarisë së tij shkencore, sidomos ajo që lidhet me dialektologjinë, me onomastikën dhe me kumtimet rreth temave që i përkasin malësisë sonë. Në vjeshtë të vitit 1996, në Sesionin shkencor “Sofra e letërsisë dhe e artit”, në Koplik, prof. Jupi mbajti kumtesën e tij të bukur “Edith Durham dhe Malësia e Madhe”, si dhe fjalën e mbylljes . Prof. Jupi ishte nga ata studiues që jo vetëm e deshi malësinë shqiptare, po edhe i begeniste dukshëm punën dhe nismat shkencore të mësuesve dhe veprimtarëve të zonave të ndryshme: ai kishte miqësi e nuk përtonte të marrë pjesë në sesione shkencore të Kabashit të Pukës, të Laçit të Kurbinit, të Koplikut,të Lezhës etj. dhe përgatitej për kumtimet që merrte përsipër njësoj si për konferencat a kongreset e mëdha kombëtare e ndërkombëtare, duke fituar kështu dashurinë dhe adhurimin e një plejade të tërë arsimtarësh dhe njerëzish që kishin rastin ta dëgjonin kur kumtonte dhe diskutonte ai . Dhe, për t’u pykëzuar në temën që kemi zgjedhur, do të përmendim se ai e filloi kurorëzimin e gradimin e tij shkencor pikërisht me një temë nga fusha e dialektologjisë. Më 1962 studiuesi ynë i paharruar fitoi gradën “Kandidat i shkencave filologjike” me studimin “E folmja e Thethit” , një punim interesant dhe i shkruar në një kohë kur dialektologjia shqiptare ishte krejt në fillesat e veta dhe njohja e të folmeve të tilla anësore si ajo e Dukagjinit, ku përfshihet e folmja e Thethit, sillte një ndihmesë të mirëseardhur e me vlerë. Po atë vit, në Konferencën e Parë të Studimeve Albanoogjike, ai do të kumtonte pikërisht rreth temës “Mbi disa tipare të së folmes së Thethit” , e cila , bashkë me studimin e V. Cimohovskit për të folmen e Dushmanit dhe të E.Lafes për të folmen e Nikaj Merturit, deri më sot mbeten burimet kryesore të botuara për të folmen e Shalës e të Dukagjinit.

Thethi apo siç e thonë malësorët Thethi i Shalës mund ta tërhiqte studiuesin për bukuritë e tij natyrore, si një nga vendverimet më të këndshme e shëndetkëndellëse të Shqipërisë, porse ai gjente aty edhe një pikë të qëlluar dialektologjike, sepse përbën pikërisht cakun ku ndahen dy degëzime të gegërishtes veripërëndimore: Shtegu i Dhenet (1826 m. lartësi mbi nivelin e detit) është i vetmi udhëkalim nga Malësia e Madhe, që mbetet në anën veriore e perëndimore, në Shalë, që shtrihet drejt pjesës verilindore dhe, në të vërtet, edhe gjuhësisht dallohet e ndahet disi, qoftë edhe në pika të imëta, pikërisht sepse merr diçka edhe nga tiparet e gegërishtes verilindore.

Studimi i së folmes së Thethit ndjek po atë “liturgji” ose metodë kërkimore të zbatuar gati masivisht në përshkrimet tona dialektologjike dhe që, pavarësisht nga mëtimet e deklarimet e ndonjë “modernisti”, vijon të jetë sa tradicionale aq edhe e patundshme përsa u takon vlerave e dobisë që sjell për dialektologjinë, sidomos kur ajo është në fillesat e saj.
Pra, ai nis me një përshkrim të shkurtër gjeografik e historik të Thethit, paraqet përbërjen dhe shtrirjen e nëntë lagjeve të tij, duke i përmendur me emër dhe ashtu si shqiptohen në të folmen e vendit:Gjelaj, Gjeçaj, Nikgjonej, Akol, që i takojnë anës së sipërme dhe quhen edhe me një emër të përbashkët Katundi, pastaj vijnë lagjet e anës së poshtme: Ndreaj, Ulaj, Kolaj, Grunas ose Aliçaj dhe Ndërlysaj. Të gjitha këto lagje, sipas studiuesit tonë, quhen edhe me emrin Fusha.

Kam qenë në Theth dhe në pjesët e tjera të Shalës për anketime dialektologjike në vitin 1980 dhe, në një farë mënyre, kam pasur edhe rastin të kaloj po në ato shtigje e të takoj,ndoshta, edhe të njëjtët njerëz që kishte pasur si informatorë edhe prof. Kastrati. Mund të them se lënda e studimit për të folmen e Thethit,si dhe përshkrimi i tipareve kryesore te saj, ndonëse autori nuk qe mirëfilli dialektolog, po të shprehemi me një mënyrë të thëni të shqipes së moçme, “nuk ka të fëjyem” dhe është mjaft i saktë dhe i shembullzuar më së miri.Punimi për të folmen e Thethit është cituar e përmendur shpesh në të gjitha studimet përgjithësuese rreth dialekteve të shqipes dhe mbetet edhe sot e kësaj dite një pike referimi me vlerë për të folmen e Shalës.
Autori është ndalur në tiparet fonetike të së folmes së Thethit sipas metodës tradicionale të zbatuar edhe në gati të gjitha përshkrimet e të folmeve të shqipes.(Asokohe ende nuk kishte marrë udhë mëtimi i përshkrimeve me metodën e sistemit të çifteve a bigëzimeve të fjalëve që dallohen nga fonemat për të dalluar inventarin fonologjik të së folmes,por, pavarësisht nga kjo, mund të themi se inventari i fonemave zanore dhe bashkëtingëllore të së folmes së Thethit del i qartë dhe i rrokshëm jo vetëm për specialistët, po edhe për një log të gjerë studiuesish të gjuhës).

Në mënyrë të qartë ai na parqet sidomos disa prej dukurive më kryesore që veprojnë në atë të folme, si hundorësia e zanoreve. Ai thekson se hundorësia është “e rëndomtë” në zanoret: â, ê, î, û dhe jep shembuj konkretë duke përcaktuar edhe pozicionet apo fqinjësinë tingullore në kushte e së cilës ndodh hundorësia. Kështu, për zanoren â , si kusht të hundorësisë përmend rënien e bashkëtingëllores n (patâ, bibâ , rikâ, gjâ, zâ, shullâ) dhe thekson se me këtë tipar Thethi “afrohet me Malësinë e Madhe”, gjë që është shumë e vërtetë.Përveç shembujve të tjerë me hundorësi të shkaktuar nga rënia e një n-je (âsht, bâke), dhe rasteve ku hundorësia është edhe sot fryt i ndikimit të bashkëtingëlloreve hundore n, m që vijnë pas zanoreve, Kastrati jep edhe raste të hundorësisë para bashkëtingëllores-j (kopâj, shkullâj).

Të njëjtën gjë ai konstaton edhe për zanoret e tjera hundore: ê, î, û.
Me interes është aty edhe konstatimi se në atë të folme zanorja e patheksuar ë “nuk ndigjohet fare”(ba:ll, pu:n, i fo:rt, dja:l,da:rk ), ndërsa në pozicion pastheksor, e ndodhur para bashkëtingëlloreve l, r, n merr timbrin e e-së (diten, naten, dhelpen). Po ashtu, autori përshkruan si tipar të së folmes së thethit praninë e zanores y (dy, brryl, fyt).
Togjet e zanoreve në Theth janë ue (grue, krue, thue, luej,kërkuen, truell), ye, ie, duke u dalluar kështu nga Malësia e Madhe ku kemi togjet uo dhe ua.

Autori jep në atë studim paraqitjen e tipareve fonetike diferencuese të së folmes, duke u ndalur edhe në pjesën kushtuar sistemit morfologjk si dhe të leksikut. Po lejohemi të përmendim, ndër të tjera, edhe ndonjë nga dukuritë morfologjike të së folmes së Thethit, që anojnë më fort nga pjesa verilindore, si veta e tretë e së pakryerës së foljeve, me mbaresën -ke, të cilën autori ynë e përshkruan si formë ku “janë përzie e pakryemja e dëftores dhe ajo e habitores” (thankesh, thanshnje, thanke, thanshim, thanshit, thanshin).
Me interes është edhe sprova që bën autori edhe për të gjetur e përcaktuar vendin e së folmes së Thethit në kuadrin e ndarjes dialektore të shqipes, duke shprehur sa vijon: “Tue përfundue mund të thomi se e folmja e Thethit, tue u gjetë në mes të Malsisë së Madhe (nga njena anë) dhe Shalës së Dukagjinit (nga ana tjetër), shkon me gegnishten veripërëndimore, pamvarësisht nga ndonjë ndikim nga gegnishtja verilindore, në fonetikë, si p.sh.në kalimin e zanores a në o (ko punue, konari = kandari, lon = ata lane); në kalimin e zanores u në i (liftue =luftue, “tui liftue me do zapti” kangë popullore) ose në leksik, veçanërisht në huazimet sllave” .
Me interes për dialektologjinë shqiptare janë edhe një numër studimesh të tjera të Jup Kastratit, si p.sh.:”Të dhënat e të folmeve të arbëreshëve të Italisë për historinë e gjuhës shqipe” , ”Mbi ekzistencën e difongut në gjuhën shqipe” dhe “Diftongu në gjuhën shqipe” , trajtim me vlerë për fonetikën,por edhe për dukurinë në fjalë në dialektet e shqipes; “ë-ja atone në shqipet” etj. Mendime dhe vlerësime me interes edhe për dialektolgjinë, prof. dr. Jup Kastrati ka shprehur edhe në disa artikuj kushtuar onomastikës arbëreshe, si : “Jeronim de Rada për toponiminë historike shqiptare”, kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor për toponimet në Kabash të Pukës, 21 maj 1977; “Të dhëna e toponime për Lezhën në “Fjamuri i Arbërit” të De Radës” etj.

Në mbyllje, dua të shpreh bindjen time se veprimtaria e prof. dr. Jup Kastratit, në fushën e dialektologjisë për të cilën folëm, po edhe në gjithë ato lëmije të rëndësishme të filologjisë dhe të albanologjisë për të cilat referuan me kompetencë e bindje parafolësit, tregojnë se studimet e tij të shumënduershme përbëjnë ndihmesa me vlerë, të cilave u jemi referuar dhe do t’u referohemi edhe për shumë kohë në studimet albanologjike.

Jam i bindur se të gjithë sa jeni në këtë auditor të nderuar e të dashur për mua, drejtues të Universitetit, profesorë dhe studiues e studentë, familjarë dhe të afërm të jubilearit tonë të paharrueshëm, bashkohemi në vlerësimin se ai qe i kudogjendur për të mirën dhe vlerësimin e pohimin e albanologjisë, të studimeve shqiptare dhe, kurdoherë, me ballin e rrudhur mbi shkrimet e shkrimtarinë e hershme të vendit të vet. Jup Kastrati dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (në krye të herës: ILP i Shkodrës), revista e mirënjohur “Buletin i Institutit të Shkodrës” (sot e revista shkencore e Universitetit), Sektori shkencor albanologjik dhe seria e botimeve shkencore të realizuara (e të pritme) prej tij, madje edhe vetë “trinomi”: prof. dr.Tomor Osmani, prof.dr.Simon Pepa dhe prof.as.dr.Tefë Topalli, kanë qenë pjesë e atij ideimi shpatullagjerë e hapësirëlargët të drejtimit dhe organizimit të punës mësimore në harmoni e gërshetim të natyrshëm me punën studimore shkencore prej ish-shefit të lavdishëm të Katedrës (pastaj: Departamentit) të gjuhësisë: prof.dr.Jup Kastratit.

Ai qe si lisat e mëdhenj, nën hijen e të cilëve freskohen të gjithë ata që e kanë pranë, banorë të vendit e shtegtarë në kalim, prandaj e kujtojnë dhe ndjejnë mall për të kur nuk e kanë më. Emri i Jup Kastratit mbetet përgjithmonë një emër i dalluar në fushën e letrave shqipe.Ai emër (dhe vetëm burrat si Ai) e meriton të kujtohet me citimin e vargjeve të famshme të Dantes, që thoshte:

“E po s’le nam të mirë mbi dhe, çka të duhet jeta?
Zhduket si reja në tym, si shkuma në vale,
Ai që pa lane një gjurmë çoi ditët e veta.”

Shkodër, 21 prill 2009

No comments:

Post a Comment