Sunday, August 2, 2009

GJUHA SHQIPE SI MJET I VETËRUAJTJES DHE I SHPREHJES SË SHQIPTARËSISË



Në këtë kumtesë, do të përqëndrohem në theksimin e disa prej akteve dhe dëshmive më madhore që lidhen me ndihmesën e intelektualëve arbëreshë për lëvrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, për vlerësimin dhe shfrytëzimin e gjuhës amtare si mjet të vetëruajtjes etnike dhe të shprehjes së shqiptarësisë në mjedisin italian. Dhe, sigurisht, për shumë kohë, në mjediset arbëreshe të Italisë, intelektualët përbëheshin gati kryesisht nga klerikët, priftërinj, murgj e përgjithësisht njerëz të kurieve a të abacive, që shërbenin për të mbajtur gjallë fenë, duke kryer ritet dhe shërbesat përkatëse.Këtu, ndërkaq, qëndron edhe thelbi i ndihmesës dhe i synimeve të mëdha gjuhëruajtëse të klerit arbëresh: përpjektet dhe këmbëngulja e tyre për ta kryer shërbimin e mësimet e fesë së krishterë në gjuhën shqipe. Këto përpjekje ndër arbëreshët kanë qenë të hershme dhe të pandërprera, qysh nga krijimi i ngulimeve në diasporë e deri në ditët tona, prandaj edhe Kongresi Gjuhësor i Korilianos, që vinte pas një përvoje e lufte të gjatë të arbëreshëve për ruajtjen e vetiakësisë etnike, kulturore dhe shpirtërore e gjuhësore, u dha një konsistencë e forcë më të madhe mëtimeve tashmë shumëshekullore të kësaj diaspore, duke u kapur në disa hallka themelore, të cilat, në të vërtetë, përbënin edhe themelin e neneve të Shoqërisë Kombëtare Shqiptare të themeluar në Kongres e të drejtuar nga De Rada. Në nenin e parë të Shoqërisë kërkohej:

"a) të hartohej një abetare e gjuhës shqipe,
b) të hartohej një fjalor i shqipes,
c) të botohej një gazetë shqiptare,
ç) të lidheshin marrëveshje me "mëmën" Shqipëri".

Nuk do të ndalem gjatë as në pjesën historike, as në Kongresin si të tillë, as për Rezolutën e tij aq të rëndësishme, sepse për to është folur e shkruar mjaft, si dhe u diskutua në lartësi të lakmueshme nga gojëtarët parafolës. Desha vetëm të theksoj se, edhe njëqind vjet më parë, ashtu si sot, gjuha shqipe për arbëreshët është përherë e lidhur me thelbin dhe simbolikën e vetë ekzistencës së tyre: ata pohonin atëherë dhe po pohojnë bujshëm edhe sot të njëjtën gjë, sa të thjeshtë e madhështore: "na jemi arbëreshë". Themi se kjo është një gjë e thjeshtë, sepse është një fakt i njohur dhe i pohuar nga gjithkush, që arbëreshët janë shqiptarë të Ital;isë, janë një element etnik që për më se pesë shekuj qysh nga mërgimi i të parëve të tyre në Kalabri, Sicili, Pulje e Bazilikatë etj., brez pas brezi kanë ruajtur gjuhën shqipe, kanë ruajtur kujtimin se janë arbëreshë apo "gjak i shprishur" nga Shqipëria, kanë ruajtur krenarinë për origjinën e tyre. Po madhështorja ku është?

Ngulimet arbëreshe paraqesin sot një diasporë historike të moçme e disashekullore, të shprishur dhe të përhapur tejendanë nëpër gjithë Italinë Jugore e në Sicili, që natyrisht, është e përfshirë, tashmë, ligjërisht e "in tutto e per tutto" në jetën e në konfiguracionin e Italisë, si shtetas italianë, por që, megjithëkëtë, arbëreshët nuk jepen kurrë: ata duan të flasin e të këndojnë shqip, të dallohen në mjedisin italian se janë pikërisht të tillë: ARBERESH = ITALO-ALBANESI. Ata janë, pra, qytetarë italianë, me origjinë dhe gjuhë të ndryshme prej shtetasve të tjerë të vendeve ku ndodhen, ndonëse tashmë ata edhe italishten e kanë nxënë dhe e kanë kudo si gjuhë "bukje", kurse shqipen, në variantin e tyre dialektor tradicional e me shumë dukuri ruajtëse (konservative) e kanë pasur dhe vijojnë ta kenë kurdoherë si gjuhë të "zemrës".

Ka njerëz që këtë e kanë quajtur "mrekulli", porse ajo nuk është aspak një mrekulli. Përkundrazi, po të ishte një mrekulli, do të kishte zgjatur më pak. Sllavët, që i kemi fqinj, thonë një fjalë të urtë "Vsjako çuda do tre dana", që do të thotë në shqip: "çdo mrekulli zgjat deri në tri ditë". Puna e arbëreshëve, jeta e tyre prej kaq shekujsh me kujtimin krenar të mëmëdheut tëlavdishëm dhe, sidomos, ruajtja me aq forcë e gjuhës dhe e etnicitetit të tyre si arbëreshë, nuk është aspak një mrekulli, por është një realitet. Një realitet i bukur dhe i shkëlqyeshëm (ashtu i fortë dhe i pëlleshëm e) që mbetet gjithnjë në vlim, që në vend se të tretet e të shuhet, siç ka ndodhur e ndodh zakonisht me çdo diasporë, përkundrazi, rilind dhe përparon me jetësi të çuditshme. Kjo jetësi arbëreshe ka qenë gjithmonë gurrë e pashtershme për mbrothësinë e gjuhës. Për lëvrimin dhe mbrojtjen e saj kanë shkrirë jetën një plejadë e tërë burrash të shquar, midis të cilëve edhe poetë zëmëdhenj e me një erudicion të shkëlqyeshëm, ashtu siç ishte edhe ideatori, organizatori dhe bashkërenduesi e drejtuesi kryesor i Kuvendit të Korilianos për gjuhën shqipe, Jeronim de Rada nga Maqi (Macchia albanese), personalitet i shquar e me një famë gjithëevropiane, figurë shumë e dashur që na ka bërë të ndihemi krenarë me të , të gjithë sa jemi arbëreshë e shqiptarë, i quajtur thjeshtë dhe madhërishëm: "tatëmadhi inë".

Është një gjë shumë e bukur që, edhe sot, lulja e intelektualëve të diasporës arbëreshe në Itali, qoftë ata që nëpër katundet apo qendrat e vogla, me modesti, por edhe me shumë devotshmëri, veprojnë si lëvrues e veprimtarë të thjeshtë vendorë (mësues, priftërinj, këngëtarë, mbledhës të folklorit, artistë popullorë, drejtues të bashkive etj.), qoftë ata që kanë detyra e ngarkesa mjaft të larta e me prestigj zyrtar, siç është drejtimi i katedrave dhe i instituteve universitare të gjuhës shqipe e të letërsisë shqiptaree arbëreshe në qytetet e mëdha ku gravitonte dhe ku tashti është e pranishme një masë e madhe e rinisë studentore nga katundet arbëreshe, si në Kozencë, në Palermo, po edhe në Napoli, në Romë, në Bari e në Leçe etj. Mund (dhe duhet) ta themi me një krenari të ligjshme se, në të gjitha qendrat tradicionale të diasporës arbëreshe dhe veçanërisht në universitetet ku ka katedra të gjuhës shqipe apo edhe institute të albanologjisë, qoftë vetë titullarët, qoftë edhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët të gjithë i njohim, nuk shkëputen kurrë nga hullia e shqiptarësisë. Madje, duke i zgjeruar e zhvilluar edhe më tej hapësirat e studimeve rreth gjuhës shqipe, rreth traditave gojore e letërsisë së shkruar të ngulimeve arbëreshe e më gjerë, duke përgatitur e botuar edhe vepra madhore si ato që janë vënë në dorë të lexuesve gjatë këtyre dhjetë- pesëmbëdhjetë vjetve të fundit nga prof. Solano e prof. F. Altimari të Univeristetit të Kalabrisë, nga prof. A. Guzzetta e bashkëpunëtorët e tij në Universitetin e Palermos, si dhe nga drejtues të katedrave të tjera të gjuhës shqipe në univeristetet italiane, janë dishepuj të vërtetë e krenarë të De Radës së Madh.

E, tashti, pasi thashë këto vlerësime, dua të kthehem edhe një herë prapa, në një fakt mjaft të largët: kur vdiq De Rada, dha shpirt duke thënë me hidhërim fjalët që të gjithë i dimë: "Gjaku inë është e birret". Rreziku i bjerrjes së gjuhës shqipe në mjedisin italian ku rrojnë arbëreshët ishte dhe mbetet i madh, prandaj edhe Tatëmadhi kishte frikë se mos birret gjuha. Dhe ai kishte arsye. Megjithatë, për fat të mirë, në të gjithë këta dhjetëvjeçarë që kanë kaluar pas vdekjes së tij, gjuha shqipe bashkë me gjithë trashëgiminë gojore dhe të shkruar të arbëreshëve vijojnë të jenë të gjalla e në lulëzim dhe, madje, të tërheqin vëmendjen e përfaqësuesve më të mëdhenj të sociolinguistikës e të antropologjisë kulturore etj. Po lejohem të citoj këtu një pohim të kohëve të fundit nga studiuesi i mirënjohur e me famë botërore Tullio de Mauro, i cili, duke prezentuar përmbledhjen me studime "I dialetti italo-albanesi" ("Dialektet arbëreshe") nën 12kujdesin e F. Altimarit e L. M. Savoia-s, shkruan, ndër të tjera: "Gjuhëtarët nuk duhet të lodhen kurrë së gërmuari në realitetin gjuhësor të Italisë dhe të nxjerrin në dritë pasurinë dhe larminë që lulëzon ende dhe, sidomos, si në rastin që kemi përpara, nuk duhet t' i kursejnë përpjekjet për të dhënë vepra përgjithësuese rreth aspekteve të varieteteve të tilla".

Dhe tashti le të ndalemi vetëm në disa pika që dëshmojnë se sa të mëdha e të rëndësishme kanë qenë e janë përpjekjet dhe ndihmesat e intelektualëve arbëreshë në Itali për ruajtjen e gjuhës shqipe, si dhe për të bërë të mundur që ajo edhe të lëvrohej e të përpunohej me kujdes, duke e shikuar e duke e studiuar atë gjerësisht në çdo ngulim apo qendër ku rrojnë arbëreshët. Po përqëndrohemi, pra, vetëm në disa pika më domethënëse:
1. Diaspora arbëreshe në Itali, edhe pas kaq shekujsh qëkur është ndarë nga mëmëdheu, duke jetuar në kushtet e një pakice mjaft të shprishur në të gjithë Jugun e Italisë, që nga Abruci e Pulia deri në Sicili (ku në krye të herës kanë qenë rreth 100 ngulime) diti të gjente një çast të fortë uniteti dhe përbashkimi pikërisht nëpërmjet punës dhe përpjekjeve të pavdira të grupeve intelektuale të atjeshme, që vepronin e veprojnë në emër të amësisë përbashkët etnike, kulturore dhe gjuhësore të kësaj diaspore. Dëshminë më të shkëlqyer për këtë përbashkësi shpirtërore të diasporës arbëreshe dhe të lidhjeve të saj aq të forta me Shqipërinë e shqiptarët e gjejmë në lëvizjen e njohur të Rilindjes, në të cilën ndihmesa e arbëreshëve të Italisë, sidomos e profesorëve dhe e nxënësve të Kolegjit të Shën-Adrianit në gjysmën e parë të shekullit XIX, ka qenë me të vërtetë e madhe. Siç dihet, prania në Kalabri dhe në Sicili, e dy institucioneve shumë të rëndësishme, siç ishin Kolegji i Shën-Adrianit (së pari në Shën-Benedikt Ullano e pastaj në Shën-Mitër Koronë) dhe Seminari Greko-Shqiptar i Palermos u siguronin ngulimeve arbëreshe në Itali një qarkullim të frytshëm e të rëndësishëm të veprave dhe të ideve si edhe një trashëgimi kulturore në saje të të cilave mund të kuptojmë e të shpjegojmë më mirë ndihmesën e dhënë nga intelektualët arbëreshë për thellimin e shqiptarësisë nga shumë pikëpamje etnike, fetare, kulturore, gjuhësore dhe veçanërisht kombëtare. Siç e thotë në mënyrë poetike një këngë e bukur arbëreshe e kohëve të reja, kënduar mjeshtërisht nga Alfio Moça, arbëreshët e Italisë kanë jetuar dhe jetojnë gjithnjë "me Shqipërinë në zemëre në si". Krenaria kombëtare ka qenë kurdoherë për intelektualët arbëreshë si "ylli i dritës" për çdo shteg të kërkimeve dhe të studimeve të tyre. Mjafton të përmendim se "Rilindja" Shqiptare nuk lindi brenda Shqipërisë, porse, siç kanë vënë re me të drejtë akademik Rexhep Qosja e prof. F. Altimari, shpërtheu në momentet e para në grupet e intelektualëve që shprehnin zërin e bashkësive pakashumë të mëdha të diasporës shqiptare, qoftë në Itali, qoftë gjetkë, si në Turqi, në Rumani, në Egjipt, në Bullgari etj.

2. Qysh në agimin e themelimit të një diaspore arbëreshe në Itali bëri udhë edhe përpjekja për shkollimin e djemve e vajzave të saj, për krijimin e qendrave arsimore në ngulimet më të mëdha arbëreshe apo në qendrat e mëdha urbane italiane rreth të cilave gravitonte kjo diasporë, si Palermoja, Napoli, Kozenca pastaj edhe Roma e qytete të tjera, sidomos Bari, Leçe etj.

Arbëreshët e kuptuan shpejt se, edhe pas mërgimit të tyre, mbijetesa e gjuhës, e zakoneve dhe e kulturës së tyre, mund të arrihej vetëm në qoftë se do të kishin njerëz të ditur, burra të shquar që me shkrimet e fjalën e tyre t' u dilnin zot këtyre pasurive shpirtërore e kulturore, përndryshe ato do të zhdukeshin. Historia e diasporës arbëreshe në përgjithësi dhe e çdo ngulimi arbëresh në veçanti, dëshmon bindshëm se sa vigane qenë ndër shekuj puna dhe përpjekjet e tyre për arsimin, për formimin e klerit arbëresh e të institucioneve përkatëse, si qendra që, me kohë, do të bëheshin edhe mbështetje për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, si shprehëse e hallkë e vetiakësisë së arbëreshëve në dhe të huaj. Arsimimi (i institucionalizuar) në kolegjet dhe seminaret arbëreshe jepte mundësi për potencimin e një plejade të tërë mendimtarësh të shquar arbëreshë, kryesisht nga radhët e klerit të ngulimeve arbëreshe, që nga Lekë Matrënga e deri në ditët tona. Duhet ta theksojmë se, kur ky bir i madh i Horës së Arbëreshve, më 20 mars 1592, plot 403 vjet më parë, botoi katekizmin shqip "E mbësuame e krishterë" (që përbën librin e dytë të shkruar shqip fill pas Buzukut e të parin dokumentim të toskërishtes së shkruar), krahas motivit (mirëfilli) propogandistik të doktrinës së krishterë ndër arbëreshët, kishte, pa dyshim, edhe një mëtim të lavdërueshëm patriotik që do të mbetej në fillesat e një hullie të pandërprerë të mësimit të gjuhës shqipe nga arbëreshët e Italisë tekdo gjendeshin. Në "fletushkën" që i prin katekizmit të Matrëngës, siç thotë prof. Fadil Sulejmani, shihet qartë qëllimi dhe arsyeja pse Matrënga e përktheu shqip katekizmin, si dhe dobia që do të kishte e roli që do të luante ajo vepër ndër arbëreshët e Italisë, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit: ajo i shërbente kuptimit më të qartë e më të drejtë të mësimeve të fesë, por, njëherazi, duke thënë meshën në gjuhën shqipe, i shërbejnë drejtpërdrejt edhe mbajtjes gjallë të saj.

Gjuha shqipe dhe riti fetar greko-bizantin në diasporën arbëreshe në Itali, qysh prej themelimit të saj e deri sot, kanë paraqitur dy instrumenta të vetidentifikimit dhe të shfaqjes më të dukshme të qenies së arbëreshëve. Lidhur me këtë, besojmë se nuk është e nevojshme të shtojmë gjë tjetër pas atyre që ka shkruar F. Altimari, me të cilin bashkohem plotësisht se "përveç faktorëve shoqërorë dhe kulturorë, edhe faktorët fetarë kanë pasur dhe kanë edhe sot një pjesë përcaktuese në fushën e asimilimit, si dhe në atë të rezistencës kulturore të një etnie të kërcënuar siçështë ajo arbëreshe. Ndërsa, p. sh., në elementin arbëresh të Greqisë, feja greko-ortodokse, e përbashkët për mjedisin helenik kanë ndihmuar në mënyrë të ndjeshme për asimilimin gjuhësor të atyre bashkësive, në Itali, përkundrazi, vihet re se ky ushtrim i fesë, në formën e ritit greko-bizantin, edhe pse në kuadrin e kishës katolike, ka qenë një faktor i rëndësishëm i ruajtjes së gjuhës dhe të identitetit kombëtar shqiptar". Është bash rasti për të përmendur rolin pararojë që ka luajtur kleri bizantino-arbëresh në luftën shumëshekullore për mbrojtjen e të drejtave të pakicës arbëreshe dhe rëndësinë që kanë pasur në historinë e kulturës shqiptare dy seminaret e lartpërmendura (Kolegji i Shën-Adrianit dhe Seminari i Palermos) në të cilët është formuar një pjesë e mirë e intelegjencës arbëreshe. Në fillim të shekullit tonë, krahas dy seminareve, një rol shumë të rëndësishëm do të luanin edhe dy institucione të tjera: Eparkia e Ungrës (1719), që përfshin bashkësitë arbëreshe të Kalabrisë dhe ajo e Pianës në Sicili (1937), që përfshin bashkësitë arbëreshe të Sicilisë. Që të dyja kanë ndihmuar fuqimisht për të bërë të mundur që mbrojtja e trashëgimisë etnike, shpirtërore dhe gjuhësore e kulturore arbëreshe të kishin një shtysë të re dhe që, pastaj, do të shpinte në përshtatjen e gjuhës shqipe si gjuhë liturgjie në të dy dioqezet, gjë që ishte në përputhje edhe me këshillin ekumenik të Vatikanit II. Prandaj, duhet ta themi me gojën plot se, në plan institucional, Kisha arbëreshe në Itali ka qenë i vetmi "subjekt" që deri më sot ka njohur dhe ka mbrojtur gjuhën shqipe të pakicës arbëreshe. Nuk ka qenë dhe nuk është e rastit që, qysh nga Lekë Matrënga e deri në ditët tona, pjesa më e madhe e klerikëve arbëreshë kanë qenë gjithnjë nismëtarë ose bashkëpunëtorë të çdo lëvizjeje kulturore dhe të çdo veprimtarie për të ruajtur,vlerësuar dhe për të studiuar gjuhën shqipe dhe traditat etnike arbëreshe.

Nuk është e rastit, gjithashtu, që një pjesë e mirë e veprave me vlerë të madhe rreth gjuhës shqipe në Itali janë shkruar e botuar nga priftërinj apo peshkopë arbëreshë, siç janë, p. sh., duke përmendur disa nga ato të dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit tonë: "Fjalori i Arbëreshvet t' Italisë" ("Dizionario degli Albanesi d' Italia") i Atë Emanuel Xhordanos, botuar më 1963; "Gramatika shqipe" ("Grammatica albanese: Parte I") e Atë Josif Ferrarit, botuar më 1971 dhe "Manuale di lingua albanese -Elementi di morfologia e di sintassi, esericzzi, cenni sui dialetti", shkruar nga prof. Francçesko Solano dhe botuar më 1972; "Dizionario fraseologico degli Albanesi d' Italia" ("Fjalor frazeologjik i arbëreshëve të Italisë"), botuar më 1989 nga Atë A. Bellushi, për të mos përmendur këtu, për mungesë kohe, edhe shumë ndihmesa të tjera të të lartpërmendurve dhe të klerikëve të tjerë arbëreshë, si Atë V. Selvaxhit, Atë Xh. Farakos, Atë Xh. Skiro (Sklicës) etj.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për revistat dhe periodikun arbëresh: pjesa më e madhe e tyre janë themeluar e drejtuar nga priftërinj arbëreshë të famullive arbëreshe, si p. sh.: "Zëri i Arbëreshëvet" në Ejaninë nga Atë E. Xhordani, "Zjarri" në Shën-Mitër nga Atë Xh. Farako, "Vatra jonë" dhe pastaj "Lidhja" në qytetin e Kozencës nga Atë A. Bellushi etj. Për të mos e harruar është, gjithashtu, liturgjia në gjuhën shqipe gjatë meshimit të shenjtë, si në kishat e Eparkisë së Ungrës, ashtu edhe në atë të Piana deli Albanezit.

Nga gjithë sa thamë del se në diasporën arbëreshe të Italisë, bashkë me gjuhën shqipe që flasin dhe shkruajnë me aq dashuri, mbrojtja e ritit fetar greko-ortodoks ka qenë dhe është një element i rëndësishëm i vetidentifikimit të arbëreshëve si një etni e veçantë në mjedisin italian: si qytetarë italianë me origjinë, gjuhë dhe besim të ndryshëm prej mjedisit italian.

GJUHA SHQIPE NE SHTYPIN E SOTEM TE ARBERESHVE TE ITALISE

Këta njëzet- tridhjetë vjetët e fundit, në shumë ngulime arbëreshe të Kalabrisë, të Sicilisë dhe të Molizes etj.,janë shtuar e po shtohen radhët e veprimtarëve të kulturës. Falë punës dhe nismave të shmta të tyre vihet re një zgjim i ri, një lëvizje e gjerë mendore, që ka për qëllim mbrojtjen, vlerësimin dhe njohjen e gjuhës shqipe e të traditave të vyera që arbëreshët i kanë ruajtur të gjalla për më se pesë shekuj. Në këtë "rilindje" të dytë të arbëreshëve të Italisë marrin pjesë një numër përherë e më i madh intelektualësh të sferavet të ndryshme: mësues, klerikë, gazetarë, publicistë, poetë e rapsodë popullorë, këngëtarë e kompozitorë, artistë estudiues të profilizuar, veprimtarë të ndryshëm shoqërorë e drejtues të bashkive dhe të shoqatave a rretheve kulturore, grupe folklorike dhe teatro amatore etj. Të gjithë, në mënyrën e vet, herë spontanisht, herë edhe me një farë bashkërendimi e në kuadër më të gjerë deri panarbëresh, përpiqen jo vetëm për t' i mbrojtur e shpëtuar gjuhën e kulturën e tyreamtare, po edhe për t' i lëvruar e pasuruar ato më tej, në hullitë e reja bashkëkohore, me njohje e takime sa më të gjera edhe me gjuhën letrare shqipe të sotme dhe me kulturën më të re shqiptare që zhvillohet brenda në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, si edhe kudo në diasporën e moçme e të re shqiptare. Kjo lëvizje e gjerë gjuhësore dhe etnokulturore e shoqërore zhvillohet kudo: në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë së Epërme e të Poshtme, në anët e Katanxaros e të Potencës, ashtu edhe në Sicili, në ngulimet arbëreshe të Kampobasos etj. Ja si e thotë këtë një poet i sotëm arbëresh nga Piana deli Albanezi: "Çdo katund o çdo horë arbëreshe kërkon të bëjë o bën diçka për ringjalljen e vet: këtu njëherë u bë shkolla arbëreshe, këtje kanë një grup folklorik; këtu kanë një poet, këtje kanë njëqë mbledh përrallëza, këtu shkruajnë arbërisht vetëm dy vetë, këtje e njohin më shumë gjuhën...Kudo mbahet e ndezur një flakë e vogël. E një flakë e vogël disa herë mund të ndezë njëzjarr të madh...Ne nuk jemi arbëreshë të vegjël (ka shumë arbëreshë të vegjël!!!), ne jemi arbëreshë të Mëdhenj, me sy lrgpamës për ringjalljen tonë". Në gji të kësaj lëvizjeje të re mendore, letrare, shkencore e kulturore e shoqërore dhe si tribuna të saj, prej vitesh janë themeluar edhe disa organe të shtypit arbëresh, kryesisht revista e të përkohshme me profil të përgjithshëm shoqëror e kulturor, të cilat dalin herë me shtyp të lartë, herë me shaptilografim apo në formë fletorëzash të ciklostiluara, herë në trajtën e të përkohshmeve të rregullta, herë si numra unikë, vartësisht nga mundësitë dhe mjetet që kanë në dorë drejtuesit e tyre. E rëndësishme është që ato dalin dhe bëjnë një sherbim të çmueshëm për ruajtjen e gjuhës e të kulturës arbëreshe, për t' i nxitur arbëreshët që ta mbajnë edhe më tej të gjallë e ta shprehin më me forcë arbëreshësinë. Siç thotë një publicist i njohur arbëresh: "Mjetet që pati Gutembergu nuk i kemi e ashtu vemi përpara si kemi vatur, duke shpresuar se edhe kështu të lëmë dëshmi e të sjellim mesazhin se arbëreshët janë akoma të gjallë e se mirë o lig gjuha shqipe flitet, se mirë o lig rritet ndjenja e qenies dhe e vetëdijes arbëreshe e jo vetëm, por edhe se kultura jonë është e lidhur me kulturën shqiptare (të djeshme e të sotme) e se, pa lidhje me atë kulturë shqiptare jemi të varfër. Kultura jonë arbëreshe e kultura shqiptare na japin mundësinë të plotësojmë të qenët tonë të veçantë (particolare) këtu në Itali".

Në vijë kronologjike organet e shtypit të sotëm arbëresh rreshtohen si vijon: më 1963 nisi të botohej në Shën-Benedikt Ullano revista "Zgjimi" ("Risveglio") nën drejtimin e Albin Grekos. Disa vjet më vonë në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë filluan të dalin edhe tri revista të tjera, që, shpejt, do të bëheshin shumë të njohura: më 1970 nisi udhën "Zjarri" ("Il fuoco"), në Shën-Mitër Koronë, nën drejtimin e Atë Xhuzepe Farakos; po atë vit (1970) nisi të dilte "Katundi ynë" në Çift (Çivita) nën drejtimin e Demetrio Emanueles dhe , më 1972, në Ejaninë, filloi të dilte "Zëri i Arbëreshvet" nën drejtimin e Atë Emanuel Xhordanos. Në vitin 1976 në Frasnitë (Frascineto) doli edhe një numër i revistës "Vija", nën drejtimin e Atë Françesko Solanos, që qe konceptuar si një e përkohshme letrare e "Rrethit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë", porse ajo nuk pati jetë më tej. Me sa dimë nuk ka dalë numër tjetër i saj.

Në të njëjtën hulli e me synime tëngjashme punojnë edhe veprimtarët e ngulimeve të tjera arbëreshe. Në Sicili, në Horën e Arbëreshëve, më 1972 doli numri i parë i revistës "Lajmëtari i Arbëreshëve", nën drejtimin e poetit dhe arsimtarit Xhuzepe Skiro di Modika (Giuseppe Schiro di Modica). Më 1975 filloi të dalë po atje "Mondo Albanese", nën drejtimine poetit dhe dramaturgut Xhuzepe Skiro di Maxho (Giuseppe Schiro di Maggio). Nga fillimi i vitit 1987 pat filluar të dalë në Horë edhe një e përkohshme tjetër "Pranvera" nën drejtimin e Mateo Mandala-së, por nuk pati jetë të gjatë. Për shumë vjet në Horë ka vijuar të dalë vetëm "Mondo Albanese", e cila, pa dyshim, ndonëse me një tipografi modeste (në shaptilografim) ka pasur një përhapje shumë të gjerë ndër arbëreshët e në botë dhe ka dhënë një ndihmesë jashtëzakonishttë madhe për kulturën e letërsinë arbëreshe e për lidhjet kulturore e miqësore shqiptaro-arbëreshe e më gjerë.

Nga revistat më tëreja, por që ka dalë e po del rregullisht, duke pasur edhe ajo një njohje përherë e më të gjerë jo vetëm në Itali po edhe në botë, është "Lidhja" (L' Unione), që filloi të nxjerrë në qytetin e Kozencës Atë Antonio Bellushi. Po në qytetin e Kozencës dhe me mëtime për një rrezatim panarbëresh, nga fundi i viteve '80 pat filluar tëdalë edhe revista "Rilindja Arbëreshe", organ i Lidhjes Italiane për Mbrojtjen e Pakicës Arbëreshe. Me sa dimë prej saj kanë dalë vetëm nja dy numra, pastaj është ndërprerë.

Përmendëm këtu vetëm revistat a të përkohshmet arbëreshe më të njohura e që dalin më rregullisht, po edhe që janë shquar më tepër si tribuna të mendimit e të nismave përparimtare të studiuesve e të lëvruesve të gjuhës shqipe, të veprimtarëve arsimorë e kulturorë, të mbledhësve të materialeve me vlera gjuhësore e folklorike nga goja e popullit. Mund të thuhet se shtypi i sotëm arbëresh, në përgjithësi, ecën në hullinë e mbarë të shtypit përparmtar të Rilindjes, që pat themeluar De Rada, së pari, me "L'Albanese d' Italia" ("Shqiptari i Italisë"), pastaj me "Fjamuri i Arbërit", organi më jetëgjatë i shtypit arbëresh. Ashtu si në kohën e Rilindjes edhe në revistat arbëreshe të kohës sonë pasqyrohen gjerësisht përpjekjet dhe nismat e shumta për mësimin e gjuhës amtare në shkollat arbëreshe me program të rregullt, ashtu siç janë zhvilluar disa herë në ngulimet arbëreshe të "Comunità montana" në Kalabri, në Katanxaro dhe në Kuntisë (Contessa Entellina) të Sicilisë. Lidhur me mësimin e gjuhës shqipe në ngulimet arbëreshe, qoftë me anë kursesh të shkurtra, qoftë me synimin më largvajtës për ta vënë si lëndë mësimi në shkollë, parashtrohen gjerë kërkesat e hapat që janë bërë, si dhe mundësitë që ekzistojnë, qoftë në kuadrin krahinor, qoftë edhe në rrafsh më të gjerë kushtetues. Na duket me interes që të përmendim këtu disa nga arritjet dhe drejtimet më të rëndësishme të shtypit të sotëm arbëresh lidhur me gjuhën shqipe.

1.Të përkohshmet arbëreshe, pavarësisht nga profilet e ndryshme që kanë, ku më shumë e ku më pak, (vartësisht nga prirjet, formimi kulturor e drejtimet ideologjike të drejtuesve të tyre, si dhe nga "klima" kulturore e mjediseve përkatëse të ngulimeve ku ato dalin) i kanë dhënë e i japin rëndësi të veçantë gjuhës shqipe, duke e parë e trajtuar atë me përparësinë që i përket një problemi thelbësor për jetën e komunitetit arbëresh. Publicistët dhe shkrimtarët më në zë të diasporës arbëreshe, në shkrimet që botojnë në organet e shtypit arbëresh, theksojnë se "Pa gjuhën e vet amtare një popull nuk ka rëndësi në kontekstin e qytetërimit".

Po të shfletojmë koleksionet e revistave që përmendëm më lart, na bie në sy fakti që, në faqet e tyre, kryeartikujt dhe artikujt problemorë më të shpeshë e më me peshë janë ata që i kushtohen gjuhës. Ato mbështesin përpjekjet dhe punën që bëjnë shumë veprimtarë shoqërorë, arsimtarë, priftërinj etj. për të arritur që gjuha e tyre amtare të përvlerësohet e të konsiderohet si pjesë përbërëse themeloree një kulture akoma të gjallë, si mjet që, po të ushtrohet e të mësohet në shkollat e ngulimeve arbëreshe krahas italishtes, mund të shërbejë për të formuar shkollarë arbëreshë me një personalitet më të plotë. Mund të thuhet se shtypi i sotëm arbëresh ka qenë dhe vijon të jetë tribunë e gjallë për të gjitha ata veprimtarë shoqërorë, klerikë, mësues, profesorë të universiteteve apo studiues të qendrave albanologjike nëpër universitetet itliane apo nëpër ngulimet arbëreshe që kanë dashur t' i dalin zot gjuhës shqipe e kulturës arbëreshe në përgjithësi. Për më tepër, duhet theksuar se, vetë drejtuesit dhe bashkëpunëtorët kryesorë të organeve të përmendura vijnë nga radhët e veprimtarëve kulturorë arbëreshë. Ata janë, shumica, arsimtarë, klerikë, studiues, gazetarë dhe publicistë demokratë. Shumë i dukshëm ka qenë në revistat arbëreshe roli i profesoratit arbëresh të katedrave albanologjike të Kozencës (F. Solano. F. Altimari, G. Bellushio), të Palermos (A. Guzzetta, M. Mandala), të Napolti (I. C. Fortino).

Të shumta janë në revistat arbërese edhe shënimet, njoftimet e kronikat kushtuar diskutimeve e debateve, kuvendeve a kongreseve për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat arbëreshe. Kështu, emrat e mësueseve dhe veprimtareve të dalluara Xhuzepina Kuçia Lo Jakono dhe Guarino Tomasa in Çilufo nga Kuntisa e Sicilisë i gjen aq dendur në faqet e "Mondo Albanese", ashtu siç gjen te "Zjarri" artikujt dhe sprovat didaktike për mësimin e shqipes në kantonin kozentin , nga mësues si Françeko Fuska, Xh. Marano; siç gjen artikujt e mësueses Roza Bruno dhe të anëtarëve të tjerë të AIADI-i në revistën "Zëri i Arbëreshëve". Një bashkëpunim të gjerë me mësues e profesorë të gjuhës shqipe ka edhe revista "Katundi ynë". Aty, ndër të tjerë, kanë shkruar shpesh I. C. Fortino, E. Mirako, V. Golleti Bafa, K. Zukaro, D. Mazeo, S. Maiorana etj. Mund të përmendim, sidomos, rubrikën e vijueshme "Restauri linguistici" që kanë mbajtur ër shumë numra radhazi prof. I. C. Fortino dhe mësuesi Elio Mirako. Shumë artikuj e studime për të folmet arbëreshe janë botuar në revistat "Zëri i Arbëreshëve" dhe "Zjarri". Madje, mund të thuhet se , me kalimin e kohës. revista "Zjarri" ka ardhur duke u profilizuar pothuajse kryesisht për kërkime shkencore albanologjike, duke u shtuar faqeve të mirëfillta të saj, edhe kolanën shumë interesante "Rradhonjtë e Zjarrit". Aty, deri tashti, janë botuar një numër i mirë veprash me rëndësi për të folmet dhe për filologjinë arbëreshe, si dhe vepra letrare etj. Le të përmendim, më konkretisht, disa nga ndihmesat dhe punimet e botuara në shtypin arbëresh rreth të folmeve arbëreshe apoproblemit të gjuhës në përgjithësi, duke bërë, me këtë rast, edhe disa rubrikime e përgjithësime:

a)Probleme të mësimit të shqipes në shkollat e ngulimeve arbëreshe

Të dendur kanë qenë në shtypin arbëresh artikujt, studimet që mbështesin dheargumentojnë kërkesat e kahershme dhe të sotme të arbëreshëve për ta mësuar ggjuhën shqipe në shkollë e me program të regullt, krahas italishtes. Gati në të gjitha revistat arbëreshe ka pasur kryeartikuj e artikuj problemorë si dhe mendime të kualifikuara të profesoratit arbëresh e më gjerë, që rreken të argumentojnë se në mjedisin familjar dhe shoqëror të ngulimeve arbëreshe (në shtëpi,në gjitoni, në udhë e në sheshë) flitet gjithnjë vetëm shqip, prandaj rezulton që shumica e fëmijëve deri në moshën shkollore janë njëgjuhës: vetëm albanofonë. F. Altimari për ngulime arbëreshe të Kozencës ka theksuar se "pothuajse dy në çdo tre fëmijë me amësi arbëreshe arrijnë në moshën shkollore pa e ditur gjuhën italiane" . Të dhëna të ngjashme japin edhe studimet e bëra për ngulime të tjera arbëreshe të kalabrisë e të Sicilisë, të cilat na bindin për një mospërputhje të gjuhës së familjes e të krejt mjedisit tradicional arbëresh, vetëm albanofon, dhe të shkollës , vetëm në italisht.

Shumë qartë dhe duke shprehur zërin e mbarë kësaj mase të gjerë arsimtarësh e studiuesish, F. Solano, një nga emrat më në zë të profesoratit arbëresh në Itali, në një artikull te "Zjarri" thekson: "... i vetmi mjet pozitiv kundër asimilimit dhe zhdukjes sonë nëdetin e elementit italian që na rrethon është mësimi i gjuhës shqipe: që çdo arbëresh të bëhet një dygjuhës i përsosur. Krahas gjuhës dhe kulturës italiane ai duhet të zotërojë në masë e nivel të barabartë edhe gjuhën shqipe e kulturën shqiptare". Shumë artikuj të botuar në shtypin arbëresh nga F. solano, F. Altimari, K. Kandreva, K. Stamile, F. Fuska, G. Korteze, G. Marano, R. Bruno, S. Maiorana etj. flasin për traumën e vërtetë psikike që pëson fëmija arbëresh albanofon kur, në moshën enjomë prej 6 ose 7 vjetësh, nga mjedisi i tij njëgjuhës shqipfolës, kalon në atë shkollor ku vihet mënjëherë në detyrimin për të përdorur vetëm italishten dhe pa asnjë përgatitje paraprake dhe pa e ditur atë gjuhë. Sipas mësuesit dhe publicistit F. Fuska kjo përbën "një paradoks pedagogjik, në kuptimin që për të përshpejtuar përdorimin e italishtes në nivelet më të larta shprehëse, shtrohet si domosdoshmëri kultivimi i saj me një intensitet të tillë që injoron tërësisht kushtet gjuhësore të bazës".

Mësuesit dhe pedagogët arbëreshë sjellin edhe shumë shembuj që tregojnë se nxënësit e klasës së parë kur shprehem në shqip arrijnë t' i dallojnë qartë objektet e paraqitura në tablotë e kartelave murore të klasës, që përfaqësojnë diellin, hënën, ujin etj., ndërsa, kur atyre u kërkohet kjo në italisht, atëherë ata i ngatërrojnë me njëra-tjetrën, "sepse arbëreshi në strukturën psikologjike pranë figurës së diellit nuk pret një fjalë që nis me shkronjën /s/ (=it. sole), por një fjalë që nis me /d/ (=diell). Dhe kjo edhe për shkronja të tjera".

b) Artikuj dhe studime të mirëfillta gjuhësore
Në radhë të parë janë për t' u përmendur një numër trajtesash kushtuar përshkrimit të disa të folmeve më interesante të diasporës arbëreshe si dhe sprova për ravijëzimin e paraqitjen përgjithësuese të tipareve karakterizuese të mbarë të folmeve arbëreshe të Italisë. Pas sprovës për një klasifikim e tiparezim të të folmeve arbëreshe që na jep E. Xhordano në studimin e tij "Le parlate degli Italo-albanesi" ("Të folmet e arbëreshëve të Italisë) , një numër i mirë artikujsh dhe studimesh dialektologjike u botuan në faqet e revistës "Zjarri" e në kolanën "Rradhonjtë e Zjarrit" në formë fashikujsh të veçantë.

Vendin kryesor e zënë aty studimet e vetë studiuesve arbëreshë të kantonit kozentin, siç janë ato për të folmen e Plataçit e të Shën-Vasilit , për të folmen e Fermës dhe, sidomos, studimi përgjithësues përmbi krejt të folmet arbëreshe në Itali, që përbën të parën sprovë serioze për një klasifikim shkencor të tyre mbi bazën e dukurive fonetike, shoqëruar edhe me izoglosat përkatëse të një numri hartash gjuhësore. Nga ndihmesat më të reja në lëmin e dialektologjisë janë për t' u përmendur studimi i F. Altimarit kushtuar sistemit fonetik e fonologjik të të folmes së Maqit dhe i L. Savoia-s për të folmebn e Shën-Marcanos. Me interes janë edhe artikuj të tjerë të botuar në "Zjarri" rreth marrëdhënieve të të folmeve arbëreshe me italishten, sidomos rreth ndikimit e depërtimit të elementit kalabrez në arbërishten si dhe për dukuri të tjera.

Një vend të mirë në të përkohshmet arbëreshe ("Zjarri", "Mondo Albanese", "Lidhja") zë edhe botimi i studimeve dhe i artikujve filologjikë nga studiues shqiptarë, sidomos ato me tematikë nga të folmet arbëreshe të Italisë, si p. sh. nga E. Çabej , J. Gjinari , M. Domi , M. Totoni, Gj. Shkurtaj . Në "Mondo Albanese" është zbatuar gjerë edhe ribotimi i artikujve gjuhësorë të autorëve shqiptarë që kanë qenë botuar në "Gjuha jonë" etj.. Kjo praktikë, përveç vlerave mirëfilli shkencore, shërben për veprimtarët arbëreshë edhe si një nxitje e ndjenjës së krenarisë kombëtare; ata bëjnë që lexuesi arbëresh "të mësojë se gjuha që flet ai, në variantin letrar, sot ka dinjitet të madh botëror e se bën mirë të krenohet e të mbajë të gjallë edhe arbërishten në katundin e tij". Një fushë me interes në botimet në shtypin arbëresh përbëjnë edhe kërkimet rreth leksikut dialektor të arbërishtes. Mund të përmendim, sidomos, studimesi "Huazimet italiane tek Variboba" nga I. K. Fortino , si dhe rubrikat e fjalës së rrallë arbëreshe, sipas fushave të ndryshme tematike, që botohen në "Zjarri", "Zëri i Arbëreshëvet", "Lidhja" etj. Në këtë lëmë përfshihet edhe "Fjalori arbërisht- italisht" i hartuar nga S. Prençi që botohet me vijime në "Mondo Albanese".

c) Probleme të kulturës së gjuhës
Në ndonjë nga revistat arbëreshe, si p. sh., në "Mondo Albanese", herë pas here janë trajtuar edhe çështje të kulturës së gjuhës, artikuj për pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja të panevojshme ose kundër ndikimeve të dëmshme në strukturën sintaksore të shqipes etj. P. sh. në rubrikën "Si flasim... si duhet të flasim?" të "Mondo Albanese", Atë Gjergj Skiroi Sklica, ka shkruar artikuj tëashpër kritikë kundër përdorimit të italianizmave të panevojshme në të folmen e Horës së arbëreshëve. Ai thotë, ndër të tjera: "Me të madhe qetësi përdoren fjalë të huaja si të ishin arbëreshe...shërbesi çë më shumë mërzit isht kur gjegj gjinde që njohjen fjalën arbëreshe, por thonë fjalën lëtire, p. sh., thonë rispundir në vend të përgjegjem, nkuntrar në vend të përpjek, rimproverar në vend të kjertonj fjalë arbëreshe që thuhen edhe sot".

Një vend të veçantë në këtë kuadër i jepet në shtypin e sotëm arbëresh formimit të një mendimi sa më të përgjithshëm për nevojën e zbatimit të gjuhës letrare shqipe nga arbëreshët. Di Maxho, Kjaramonte, Xhordano, Korteze etj. theksojnë: "Të evitojmë në takimet tona polemikat e panevojshme për tipin e gjuhës që duhet të mësojmë në shkollë: arbërisht apo gjuhën letrare shqipe. Ai është një diskutim bizantin, që na largon nga synimet tona. Ne duam që gjuha arbëreshe, gjuha jonë amtare të mbijetojë, që shkrimtarët arbëreshë të jenë të njohur e të lexuar, që kultura jonë aq e pasur të mos ketë rrezikim". Nga dita në ditë veprimtarët arbëreshë po e kuptojnë se për ta shpëtuar gjuhën e tyre është e nevojshme të zgjohet vetëdija e masës së arbëreshëve kudo që gjenden: "Gjuha dhe traditat tona nuk mund të ruhen vetëm nga lëvruesit, por nga e gjithë popullsia arbëreshe. Kjo, nën drejtimin e lëvruesve, duhet të bëhet e vetëdijshme për identitetin e vet: ta studiojë, ta analizojë, ta shtojë dhe ta mbrojë...Gjuha shqipe duhet të futet e të mësohet në çdo shkollë të mesme të katundeve arbëreshe". Edhe mëqartë shprehet ky koncept në disa nga kryeartikujt e revistës "Mondo Albanese", ku, duke i mëshuar mendimit të drejtë se "gjuha ruhet atje ku shkruhet", Di Maxho thekson: "Njerëzit e redaksisë sonë "Mondo Albanese" dinë të gjithë të shkruajnë arbërisht të qëruar... e disa shkruajnë drejtpërdrejt shqip, një shqipe të bukur, si për shembull Mateo Grifo. Prandaj problemi në duhet të shkruajmë arbërisht o shqip ngë ekziston: e rëndësishmja ë të shkruash arbërisht për arbëreshët (e katundit tënd) e shqip për gjithë shqiptarët e botës. E pra, jec e mëso gjuhën e çdo katundi arbëresh! Mëso atëherë drejtpërdrejt shqip".

c) Artikuj e të dhëna për historinë e albanologjisë
Nëpër faqet e shtypit të sotëm arbëresh gjejmë jo pak shënime, të dhëna, dokumente e artikuj, dorëshkrime etj. me vlerë për njohjen e veprimtariës dhe të interesave shkencore e kulturore të disa prej personaliteteve të shquara të kulturës arbëreshe e shqiptare. Pa qenë e mundur të japim këtu tregues të plotë të kësaj tematike, po përmendim vetëm disa shembuj. Ka aty jetëshkrime e artikuj përkujtimorë për burra të shquar arbëreshë, letërkëmbime të tyre me personalitete shqiptare e me albanologë të huaj të kohës, si p. sh., midis Dh. Kamardës me Th. Mitkon ("Mondo Albanese", 1984, nr. 41), i De Radës me G. Majerin ("Zjarri",1980, nr. 27); një letër e panjohur e Pal Skiroit (1866-1941) me të cilën kërkohen të dhëna për K. Kristoforidhin ("Mondo Albanese", nr. 43); shënimet dhe të dhënat interesante nga veprimtaria e hershme kërkimore që E. Çabejt për studimin e të folmeve arbëreshe të Sicilisë, që botoi Gj. Skiro Sklica ("Mondo albanese",1984, nr. 40) etj.

d) Recensione e njoftime për botimet gjuhësore
Një vend të mirë në shtypin arbëresh zënë shënimet, njoftimet, recensionet e kritikat përmbi botimet e reja në fushën e studimeve filologjike e përgjithësisht të letërsisë, të historisë e të kulturës shqiptare. Në këtë kuadër aty u është bërë vend me përparësi njoftimeve për botimet gjuhësore më të rëndësishme që kanë dalë në Shqipëri, siç janë "Fjalori i gjuhës së sotme shqipe" (1980), "Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme shqipe" (1976), "Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe" e "Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe", fjalorët terminologjikë, fjalorët dygjuhësh si ai italisht-shqip etj. Me parapëlqim jepen në shtypin e sotëm arbëresh njoftime për librat dhe studimet e autorëve shqiptarë kushtuar arbëreshëve, historisë, gjuhës dhe kulturëssë tyre, siç janë, ndër të tjera, monografitë "Romantizmi arbëresh" , "Shqiptarët ghe Garibaldi", "De Rada - jeta dhe vepra", "Shpirti i arbërit rron", "Larg dhe afër" etj., libra përtë cilët ka pasur recensione e ribotim kapitujsh të tyre gati në të gjitha organet e shtypit arbëresh e , sidomos, në "Mondo albanese", "Zjarri", "Lidhja".

Si përfundim, mund të thuhet se të gjitha këto rubrika, në tërësinë e tyre, si me shtjellimet e argumentimet, ashtu edhe me lëndën e pasur që sjellin, tregojnë më së miri për atë gjallëri e shtysë të re që ka marrë sot lëvizja kulturore dhe shkencore në diasporën shqiptare. Njohja e ndihmesave dhe botimeve filologjike, qoftë në faqet e shtypit arbëresh, qoftë në forma të tjera botimi, paraqitet me interes shkencor e kulturor. Në këtë krye, sigurisht, u bë vetëm një sprovë modeste për një vlerësim paraprak, por që mbetet, gjithsesi, për t' u thelluar në të ardhshmen.

No comments:

Post a Comment