Showing posts with label gjuha. Show all posts
Showing posts with label gjuha. Show all posts

Sunday, May 18, 2014

Gjirokastra: vështrim historik, gjuhësor dhe etnologjik (nga Mimoza Karagjozi-Kore)



Monografia “Gjirokastra, vështrim historik, gjuhësor dhe etnologjik” hartuar nga Mimoza Karagjozi Kore , është një studim i thelluar për qytetin e Gjirokastrës. Mund të pohojmë se kjo monografi është rezultat i njohjes nga afër të veçorive etnogjuhësore të këtij qyteti nga ana e autores, e formimit gjuhësor të saj dhe e një pune kërkimore këmbëngulëse në biblioteka e arkiva, për të zbuluar e parashtruar me dashuri dhe me realizëm veçori gjuhësore dhe etnologjike të vendlindjes së saj. Të gjitha këto e bëjnë këtë punim me interes si për studiuesit ashtu edhe për një rreth më të gjerë lexuesish që dëshirojnë të njohin më mirë mjedisin etnogjuhësor e kulturor të këtij qyteti, i cili zë një pozicion gjeografik, historik gjuhësor e kulturor të veçantë në hapësirën shqiptare. 
 
- prof.dr. Seit Mansaku

Mimoza Karagjozi Kore
Gjirokastra
Vështrim historik, gjuhësor dhe etnologjik
Monografi
Nr. faqe: 312
ISBN 978-99943-0-350-2
Çmimi: 1200 lekë

Monday, February 24, 2014

Teknologjia po shndërron dukshëm edhe mënyrën e të lexuarit.

Sot po ndjek me interes Kongresin e Teknologjise Mobile që po zhvillohet në Barcelonë. ( http://www.mobileworldcongress.com ) Teknologjia po shndërron dukshëm edhe mënyrën e të lexuarit. 

Shumëkush, krahas librave dhe botimeve në letër, ndjek dhe perfiton shumë nga botimet on-line. Pra, mund të pohohet me bindje e siguri se teknologjia ka ndryshuar tashmë marrëdhënien e lexuesve me librin dhe mënyrën e të lexuarit. Shpresoj që kjo të ndikoje sa më shpejt në uljen e çmimeve të librave dhe botimeve në letër, që sot e penalizojnë lexuesin shqiptar, por edhe ndryjnë ndjenjën dhe dëshirën e mirë për botim të autorëve të rinj.

Friday, February 14, 2014

Gjuha shqipe si simbol përbashkues dhe tregues i njësisë etnike dhe kombëtare të shqiptarëve (nga Gjovalin Shkurtaj)

(Diskutim  për Forumin e 6-të Publik të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave - me temë: “ Kosova-shteti me i ri evropian”, e premte, më 14 shkurt 2014)

Të nderuar organizatorë të Forumit të 6-të Publik me temë: “ Kosova-shteti më i ri evropian”,

Të nderuar akademikë, kumtues dhe pjesëmarrës në këtë tubim me rëndësi shkencore e kombëtare,

Së pari, shpreh falënderimin tim për ftesën dhe përgëzimet e mia të çiltra për idenë e mbarë dhe frymëgjatë të kësaj veprimtarie shkencore, e cila i kushtohet një teme kaq të prekshme për sot e për më tej: Kosova-shteti më i ri evropian.

Së dyti, dëshiroj të shpreh  fjalë miradie për referatet dhe kumtesat që u mbajtën sot, të cilat i konsideroj ndihmesa të vyera e me theksin e nevojshëm kombëtar shqiptar, duke nisur me të nderuarin Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe  të akademikëve të tjerë, historianë dhe figura të njohura të botës shkencore e politike shqiptare.

Po lejohem, me këtë rast, të shpreh edhe unë ndonjë mendim, që shkon në të njëjtën vijë me tehun atdhetar dhe kombëtar shqiptar të kumtesave të mbajtura, por duke trajtuar disa vlera e vlerësime për gjuhën shqipe, si simbol përbashkues i njësisë etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.
Jam i bindur se të gjithë sa jemi e kemi ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, rënien e kujdesit ndaj gjuhës shqipe dhe plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve të papërshtatshme, jo vetëm të huaja, kur janë edhe të panevojshme, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur.

Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe  si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit  kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.

Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që për herë të parë sot,por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend  edhe një herë se, këtu e 101 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:

 “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”[1] Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit”[2].

Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht pse po flitet për shtetin Kosovës, i cili, ndërkaq, ndonëse është ”shteti më i ri i  Evropës”,  për fatin e bardhë të atij shteti dhe të popullit shqiptar të Kosovës, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të  Kosovës në Kongresin e Drejtshkrmit të Gjuhës Shqipe dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese  edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sot, duke përfituar nga volia që më dhatë duke më ftuar  e duke më bërë pjesë  të këtij tubimi shkencor, duke qenë se ndodhem midis historianësh dhe personalitetesh me rëndësi historike, po lejohem të përmend me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshin  gordian “Një komb-një gjuhë letrare”, të formuluar nga akademiku kosovar, i ndjeri dhe i shquari, Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit”.

Rasti sotëm e lyp që të pohojmë e ta  lëvdojmë lart pikërisht  rolin e madh dhe ndihmesën themelore që kanë dhënë forcat intelektuale të Kosovës, gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, arsimtarët  dhe veprimtarët kulturorë për zbatimin në ballë të gjerë e pa asnjë mëdyshje të  drejtshkrimit të njësuar dhe të përudhjes së shqipes letrare të përbashkët e të standardizuar njësoj si në Shqipëri, po me atë moto kombëtare që kishte nisur qysh në Konsultën e Prishtinës.

Kemi vënë re me kënaqësi se, edhe Qeveria e re e Kosovës, në të gjitha botimet dhe në krejt praktikën shkrimore zyrtare u është përmbajtur me mjaft kujdes normave të shqipes së përbashkët dhe mund të thuhet se,për sa i përket shqipes standarde, të dyja anët ecin krahas e paralelisht, duke shënuar ngjashëm edhe mbërritje të lakmueshme, po edhe ndonjë të metë të rritjes e që shpresojmë e besojmë të jenë, si këndej ashtu edhe andej,  në të anët kalimtare  e të kapërxyeshme.   

Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Ka pasur një rendje të natyrshme pas gjuhëve të huaja. Kjo është punë shumë e mirë. Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të  mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë, (ndoshta edhe sa s’ka ku të vejë më mirë), gjuhët e huaja. Kjo duhet  vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Shikoni si  flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës  së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa  mëtojmë (dhe arrijmë  përherë e më shumë) të flasim  dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera.

Dhe, krejt në mbyllje, po theksoj se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.

Pohova  dhe ritheksoj se jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si  mbërritje  me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të  kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam  i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme  gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem  ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur  rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehjes, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde,por edhe mund të mbetën jashtë saj.Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.

Mendoj se folësit më të mirë të radiove e të televizioneve shqiptare, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e kudo që emteohet në gjuhën shqipe, janë jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si presidentja e Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një  i huaj nga Suedia, Ul Mar Kuik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor  i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t). Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar  se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes.

Tiranë, 14 shkurt 2014



[1]  ”Lajmim”, botuar  në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913.
[2] Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17.

Sunday, December 19, 2010

Globalizimi, Gjuha shqipe rrezikon të ndahet

Kliko ketu per te lexuar me shume ne MAPO.AL


SHKRUAN: Aida Tuci, Jonida Tashi 17-12-2010 11:50

Fati i Gjuhës shqipe duket se ndodhet në udhëkryq dhe frika që Eqerem Çabej ka pasur që para 40 vjetësh se mos krijoheshin dy gjuhë, njëra e folur dhe tjera e shkruar, tashmë është një rrezik real. Të vënë në alarm nga ky rrezik, gjuhëtarët dhe studiuesit më të njohur në vend propozojnë disa zgjidhje për ta nxjerrë gjuhën nga ky rrezik, për të mos e lënë të “vdesë”, siç ndodhi me Latinishten. Ndonëse të gjithë e njohin dhe e flasin mjeshtërisht shqipen, deri tani, për fat të keq, gjuhëtarët e vendit tonë nuk e kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët për këtë çështje, ndërsa kanë përvijëzuar ndryshimet që ata propozojnë të bëhen në standardin e Gjuhës Shqipe. Debati publik për këtë çështje tashmë ka dytë ditë që ka nisur dhe sot gjuhëtarët e mbledhur në konferencën shkencore “Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, që organizohet nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, do të dalin me një rezolutë për ndryshimet që propozojnë. Më pas do të jetë Këshilli Ndërakademik në Akademinë e Shkencave, institucioni që do të shqyrtojë dhe marrë vendim për ndryshimet. Dje, në ditën e dytë të konferencës, pjesëmarrësit kanë shprehur përkrahjen e tyre për propozimet e bëra nga dy emra të njohur në fushën e Gjuhës dhe Letërsisë, Kolec Topalli dhe Mehmet Elezi, të cilët ndër të tjera kërkojnë hapjen e standardit të Gjuhës shqipe drejt leksikut të gegërishtes, duke marrë prej saj fjalët më të qenësishme dhe me vlera. Por, disa nga ndryshimet e tjera që kanë dalë nga konferenca janë edhe: përfshirja e paskajores në shqipen standarde; heqja e “ë” mbështetëse në fjalët kur para saj gjendet një bashkëtingëllore, si fjala lajmëtar; heqja e disa foljeve të habitores, si rënë etj.; përcaktimi i mënyrës së shkruatjes së emrave të huaj; përdorimi i shkronjës së madhe për disa poste partiake, si Sekretari i Partisë. Në fakt, janë të shumta ndryshimet drejtshkrimore që propozojnë akademikët dhe gjuhëtarët, ndaj për këtë arsye ata kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e botës akademike për këtë çështje, pasi janë fakultetet dhe shkollat, institucionet që do të duhet të mësojnë të rinjtë me standardet e reja të shqipes. Për këtë arsye, duhet të mbahet parasysh fakti se ndryshimet duhet të jenë të tilla që të kupton dhe përvetësohen jo nga akademikët, por nga nxënësit dhe studentët.

Prof. dr. Seit Mansaku (Qendra e Studimeve Albanologjike): Një pjesë të mirë të problemeve që u diskutuan këtu i kemi diskutuar dhe në Këshillin Ndërakademik, por s’kemi dhënë zgjidhje. Jam shumë dakord me të për çështjen e shkronjës së madhe, për emrat e huaj dhe për shumicën e rasteve të “ë” pastheksore. Kjo paraqitje me të vërtetë bind se në rregullat e drejtshkrimit ka inkoherencë, në parimin fonetik e morfologjik.

Prof. dr. Mehmet Çeliku (Universiteti i Tiranës): Problem është shkrimi i “ë” së patheksuar, ka mospërputhje mes shqiptimit dhe shkrimit të saj. Po të vendosim një rregull tjetër, do të ndodhë e njëjta gjë, do të ketë përjashtime të tjera, sepse kjo është gjendja e gjuhës. Prandaj dhe M. Domi thoshte le ta lëmë të sheshohen këto dukuri. Për këto duhen dhe analiza fonetike.

Ardian Vehbiu: Në drejtshkrim jemi të gjithë dakord që të thjeshtohet, ndërsa në leksik mendojmë se thjeshtimi e varfërimi do të dëmtonin gjuhën, ndonëse dhe këtu ka vend për dallime. P. Sh. në leksik, sinonimia leksikografike, kur mbledhim fjalë nga krahina të ndryshme për të njëjtën gjë që i fusim në fjalorë. Në këtë rast “pasurimi” e ndërlikon gjuhën. Ndërkohë që në terminologji, thjeshtimi nuk është diçka e keqe. Cila është zgjidhja për kapërcimin e tyre? Zgjidhja e parë është ajo e kriterit funksional. Pra, të zgjidhet ajo që e ndihmon gjuhën të sillet më mirë.

Akademik Rexhep Ismajli (Akademia e Shkencave dhe Arteve Kosovë): Janë të drejta këto, por ne jemi këtu para standardit dhe kemi detyra që ta bëjmë standardin të përshtatshëm, me sa më pak pengesa për nxënien e tij dhe arritjen e përmbushjes së funksioneve. Ne na takon të bëjmë fjalorin e tipit thesaurus, që nuk e kemi tashmë, i cili shmang konfuzionet e krijuara për fjalë të ndryshme.

Akademik Bahri Beci (Akademia e Shkencave të Shqipërisë): Kjo seancë më krijoi përshtypjen se po u afrohemi problemeve disi më konkretisht. Unë ndjeva dy qëndrime në këtë konferencë, nga një anë dëshira dhe përpjekja për të argumentuar se s’duhen bërë ndryshime, dhe nga ana tjetër nga një diskutim m’u krijua ideja se duhet të presim se kjo është diçka e vështirë. Po, ka vështirësi, por s’duhet të tërhiqemi. Duhet të depërtojmë, ta kapërcejmë këtë fazë. Si do të veprojmë me këtë drejtshkrim? Parimi themelor i tij është parimi fonetik. Por një kolegu ynë në Prishtinë ka deklaruar se parimi fonetik dhe morfologjik po barazohen në shqipe. Cilin parim do të ndjekim? A mos po shkojmë drejt krijimit të dy gjuhëve? Zgjidhjet duhet të jenë vetëm në sistem. Duhet bërë planifikim i punës, por kjo gjë do mbështetje. Ministria e Arsimit duhet të investojë në këto punë. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm, por jo të kemi frikë për ndryshime.

Prof. Dr. Ardian Marashi (Qendra e Studimeve Albanologjike: Në këtë takim kërkohet që të bihet dakord dhe për studimet që nevojiten dhe specifikat që na duhen për të shkuar te rezultati, por në mënyrë të bashkërenduar. Në kuptimin parimor, lidhur me inkonsekuencat brenda normës së standardit, nëse i hyjmë inventarit, gjithmonë do të gjendet diçka. Problemi shihet te shpejtësia me të cilën është bërë norma. Ne e kemi normën gati e kërkojmë kohë për të bërë ndërhyrje. Pra, në momentin e formimit të shqipes është vepruar me shumë shpejtësi.

Prof. dr. Bardhyl Demiraj: Në ditën e parë u diskutua për mundësinë e zbatimit sa më konsekuent të drejtshkrimit. Sot del në pah nevoja për përmirësimin e këtyre rregullave. Mendoj se përmirësimi i rregullave nuk ka të bëjë me ndërlikimin e gjuhës sesa me thjeshtimin e këtyre rregullave. Në këtë mundësi mendoj se disa nënsisteme të gjuhës është e vështirë të preken, sepse, dhe po u prekën, është vështirë të zbatohen. E tillë është paskajorja “me”. Ajo përdoret, por sa pranohet nga folësit e tjerë që s’e përdorin? Është vështirë të ndërhyhet në anën gramatikore të gjuhës. Ndryshe është puna me leksikun, që duhet të jetë më i hapur. Këtu do parë sistematizimi dhe i rregullave. Disa gjëra duhen rregulluar të para në sistem, siç është problemi i “ë” së patheksuar. Studentët e huaj bëjnë pyetje të cilave nuk mund t’u përgjigjem as unë. Shpesh dhe unë bëj ndonjë gabim. Këto gjëra duhen parë, nga specialistë, në rezolutën që do dalë nga kjo konferencë, që komisioni apo këshilli i ngritur duhet të fillojë tamam nga puna për rimarrjen e ripunimin e rregullave të drejtshkrimit.

Prof. as. dr. Aljula Jubani (Universiteti i Tiranës): Edhe në vijim, besoj se do të ketë një problem dhe në përpilimin e rezolutës, sepse propozimet e ardhura janë thjesht individuale, studime individuale. Duhet bërë një organizim institucional i gjithë institucioneve kërkimore e universitare për të bërë një punë të mirë. Vetëm pas një pune konkrete mund të jemi në gjendje të përcaktojmë çfarë duhet të ndryshojmë.

Mehmet Elezi: Që të mos ketë asnjë keqkuptim, askush s’ka ndërmend për të fituar pozitat e humbura të gegërishtes, por për të fituar pozitat shqipja.

Behar Gjoka: Gjuha shqipe, proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve

Kliko ket per te lexuar kte artikull ne SOT

Gazeta SOT

Studiuesi kërkon që gjuhës mos t’i vihen diga penguese në lëvrimin e saj

“Gjuha shqipe gjendet e rrezikuar nga përdorimi vend e pa vend i fjalëve të huaja, si dhe shpesh herë nga përdorimi i gabuar i saj, si ligjërim i shkruar apo i folur”, kështu u shpreh studiuesi Behar Gjoka. I njohur në fushën e studimit letrar, ai tregon se në këtë aspekt jemi më tepër në pasojë, si rezultat i ndërprerjes së kapilarëve të sistemit të gjuhës shqipe, që detyrimisht

herë pas here duhet të përfshijë në përdorim të gjitha prurjet e varianteve dhe dialekteve. Për debatin që ka lindur së fundmi mes gjuhëtarëve shqiptarë sa i takon shqipes standarde, studiuesi Behar Gjoka tregon se kur bëhet një debat secila palë ka të drejtë të shprehë idenë, mendimin dhe arritjen, gjithnjë sipas asaj që ai mendon. “Të debatosh do të thotë të prekësh procesin, e në gjuhe procesi është i hapur, pra ka vend për trajtime dhe shqyrtime, ka vend për të parë hapësirat e munguara, siç është lënia jashtë rrjedhave të verifikimit të dëgjimit të shkruar dhe të folur në të gjithë hapësirat shqipfolëse. Mungesa e pasurisë gjuhësore të variantit të gegnishtes dhe arbërishtes, është një çështje të cilës duhet t'i qasemi, por jo vetëm gjuhëtarët, por edhe studiuesit dhe shkrimtarët”, tregon Behar Gjoka studiues. Ndërkohë që i pyetur mbi refuzimin e pjesëmarrjes së disa albanologëve kosovarë në konferencën e datës 15 dhjetor në Tiranë ai u përgjigj: “Druaj se mosbesimi politik ka zënë vend edhe në hapësirat e tjera të jetës së qenies, në ligjëratat për shkencat apo letërsinë, si dhe një problem që gjithnjë e më shumë, na shpërfaqen njerëz që i dinë të gjitha, dhe i japin drejtim çdo debati, madje duke realizuar një mungesë të debatit shkencor”. Sipas studiuesit Behar Gjoka, gjuha shqipe në fakt përfaqëson një sistem, ku sipas mendimit të tij bën pjesë gjuha e njësuar, por edhe variantet, pra gegnishtaj dhe arbërishtja dhe çdo formë tjetër e ligjërimit të shkruar apo të folur. “Më shumë se sa çështja flamurësh dhe flamurtarësh, kalash dhe kështjellarësh, gjuha shqipe është një proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve, sidomos të ligjërimit letrar, pra të atij procesi real të rrugëve të pasurimit të gjuhës. Gjuhës nuk i duhen vënë diga pengues të lëvrimit të saj, sepse ajo shkon drejt një artificializmi të pagjasshëm, së paku po të marrësh në konsideratë mbijetesën e shqipes nëpër kaq shekuj, por edhe nivelin shprehës se ku ka mbërritur”, tregon studiuesi.

-Sipas jush, cilat janë sot problemet e gjuhës shqipe?
Gjuha shqipe gjendet e rrezikuar nga përdorimi vend e pa vend i fjalëve të huaja, si dhe shpesh herë nga përdorimi i gabuar i saj, si ligjërim i shkruar apo i folur. Natyrisht këtu jemi më tepër në pasojë, si rezultat i ndërprerjes së kapilarëve të sistemit të gjuhës shqipe, që detyrimisht herë pas here duhet të përfshijë në përdorim të gjitha prurjet e varianteve dhe dialekteve.

-E ndërkohë, pse kanë lindur kaq shumë debate mes gjuhëtarëve shqiptarë dhe kosovarë, për shqipen standarde?
Kur bëhet një debat secila palë ka të drejtë të shprehë idenë, mendimin dhe arritjen, gjithnjë sipas asaj që ai mendon. Të debatosh do të thotë të prekësh procesin, e në gjuhe procesi është i hapur, pra ka vend për trajtime dhe shqyrtime, ka vend për të parë hapësirat e munguara, siç është lënia jashtë rrjedhave të verifikimit të dëgjimit të shkruar dhe të folur në të gjithë hapësirat shqipfolëse. Mungesa e pasurisë gjuhësore të variantit të gegnishtes dhe arbërishtes, është një çështje të cilës duhet t'i qasemi, por jo vetëm gjuhëtarët, por edhe studiuesit dhe shkrimtarët.

-Çfarë duhet të bëjnë strukturat shtetërore për të mbrojtur gjuhën shqipe?
Strukturat shtetërore duhet që të krijojnë hapësirat e nevojshme, që gjuha shqipe, kjo pasuri që na vjen nga shekujt, të ruhet dhe pasurohet, por në rastin e gjuhës shqipe, çdo ndërhyrje në këtë proces duhet të marrë në konsideratë faktin që gjuha shqipe flitet deh shkruhet edhe jashtë kufijve shtetërorë, pra së pari duhet hartuar një strategji kombëtare, e pastaj në zbërthim të asaj edhe shteti, i këndej kufirit mundet që marrë për sipër diçka.

-Si e komentoni refuzimin që disa albanologë kosovarë i kanë bërë konferencës shkencore të 15 dhjetorit, që do të zhvillohet në Tiranë?
Në fakt një pjesë e tyre jo vetëm e refuzuan, por bën gjithçka që ta denigronin dhe pa u zhvilluar ende. Druaj se mosbesimi politik ka zënë vend edhe në hapësirat e tjera të jetës së qenies, në ligjëratat për shkencat apo letërsinë, si dhe një problem që gjithnjë e më shumë, na shpërfaqen njerëz që i dinë të gjitha, dhe i japin drejtim çdo debati, madje duke realizuar një mungesë të debatit shkencor.

-Sipas jush, duhet ruajtur shqipja standarde apo duhet të përshtatet me zhvillimin e kohës?
Gjuha shqipe, në fakt përfaqëson një sistem, ku sipas mendimit tim bën pjesë gjuha e njësuar, por edhe variantet, pra gegnishtaj dhe arbërishtja dhe çdo formë tjetër e ligjërimit të shkruar apo të folur, pra më shumë se sa çështja flamurësh dhe flamurtarësh, kalash dhe kështjellarësh, gjuha shqipe është një proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve, sidomos të ligjërimit letrar, pra të atij procesi real të rrugëve të pasurimit të gjuhës. Gjuhës nuk i duhen vënë diga pengues të lëvrimit të saj, sepse ajo shkon drejt një artificializmi të pagjasshëm, së paku po të marrësh në konsideratë mbijetesën e shqipes nëpër kaq shekuj, por edhe nivelin shprehës se ku ka mbërritur.

Reagime: Gjuhëtarët shqiptarë mbi debatin

Ali Aliu: Shqipja standarde nuk duhet prekur


“Debatet për mua shpeshherë përplasen më shumë për ambicie dhe për ide të ndryshme të gjuhëtarëve, por unë e theksoj që standardi nuk duhet prekur”, u shpreh studiuesi dhe akademiku Ali Aliu. Akademiku dhe studiuesi tregon se nuk duhet të ngrihen në debate, pasi tashmë është një problem i zgjidhur prej kohësh. “Ne kemi gjuhën standarde dhe nuk duhet prekur, që duhet të ushqehet dhe të plotësohet dhe pasurohet, si çdo gjuhë në të gjitha gjuhët e zhvilluara fjalorët ribotohen çdo 2-3 vjet dhe plotësohen me fjalë të reja, por që standardi mbetet i tillë”, pohon akademiku Ali Aliu. Më tej i pyetur mbi ata albanologë kosovarë që nuk pranojnë të marrin pjesë në konferencën e albanologjisë që pritet të zhvillohet në Tiranë me 15 dhjetor akademiku u përgjigj se: “Janë probleme të gjuhëtarëve dhe nuk duhet ngritur në nivel konfliktesh, pasi nuk ka asnjë arsye”.


Emil Lafe: Shqipja standarde nuk duhet parë si krijesë të ideologjisë komuniste

“Unë e shoh të drejtë qëndrimin e gjuhëtarëve të Institutit Albanologjik në Prishtinë lidhur me konferencën e 15 dhjetorit në Tiranë”, u shpreh akademiku prof. Emil Lafe. Në debatin që po trajtohet në gazetën “SOT”gjuhëtarë dhe studiues të ndryshëm flasin mbi problemin që po has sot shqipja standarde, por ndërkohë që ka dhe një përplasje mes albanologëve kosovarë dhe atyre të Tiranës. Për të gjitha këto akademiku prof. Emil Lafe shprehet se debatet janë gjithnjë gjë e mirë, kur zhvillohen me kritere shkencore akademike për të ndriçuar më mirë një çështje, për të gjetur një zgjidhje, ndërsa shton se për fat të keq, në rastin e debatit për gjuhën disa janë të prirë ta trajtojnë çështjen si pjesë e luftës për çrrënjosjen e komunizmit, pasi e shohin shqipen standarde si krijesë të ideologjisë komuniste.


Rami Memushaj: Ndërhyrja në gjuhë është tagër i gjuhësorë dhe jo i amatorëve
Profesori i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tiranës tregon se nuk ka modifikime të standardit. “Ndërhyrja në gjuhë është tagër i planifikuesve gjuhësorë dhe jo i amatorëve. Po të shprehemi në mënyrë të figurshme, ata e dinë se “ku pikon çatia”, kështu u shpreh prof. dr. Rami Memushaj profesor në Departamentin e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Ai flet mbi problemet që kanë lindur për shqipen standarde, duke theksuar se planifikues gjuhësorë janë ata studiues që pjesë të veprimtarisë së tyre kërkimore kanë pasur edhe problemet e normave të gjuhës standarde. Më tej prof.dr. Rami Memushaj tregon se vend për amatorë në këtë punë nuk ka. “Sa u përket termave “ndërhyrje” e “modifikim”, do thënë se janë të papërshtatshëm. Mund të flitet për përmirësim e përsosje të normave të gjuhës standarde, po jo për modifikime. Në gjuhë duhet vepruar me kujdes të madh dhe jo të lëvizim si një “ka në një shitore porcelanesh”, thekson ndër të tjera gjuhëtari Memushaj. Ai tregon se ndryshimet në fushën e fonetikës, morfologjisë e sintaksës vijnë natyrshëm si rrjedhim i studimit të këtyre sistemeve.


Qemal Murati: Kontestimi i vazhdueshëm i standardit sentiment arkaik retrograd

Këshilltari shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës në Sektorin e Kulturës së Gjuhës Qema Murati reagon për debatin e fundit mbi shqipen standarde. Sipas Muratit studiuesit kosovarë kanë refuzuar pjesëmarrjen në konferencën shqipja në etapën e sotme politika e pasurimit dhe e përmirësimit të standardit, sepse dyshojnë në qëllimet e kësaj konference organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Prof.dr. Qemal Murati tregon se për çështjen e shqipes standarde, nuk ka debate e kundërshti mes gjuhëtarëve të Tiranës dhe atyre të Prishtinës, nuk ka taborë linguistikë kundërshtarë në vijën Tiranë-Prishtinë, por ka debate mes gjuhëtarëve dhe disa të vetëquajturve gjuhëtarë, të cilët kanë dëshirë të hiqen si gjuhëtarë, por që në fakt janë shumë larg në punët e gjuhës e të filologjisë dhe punojnë pa grant për gjuhën shqipe.

Sunday, August 2, 2009

Figura e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut në letërsi dhe në folkor

nga Gjovalin Shkurtaj



Degjoni emisionin e Radios mbi Skenderbeun


Gjergj Kastrioti pati jehonë të madhe në kohën e vet, jehonë që kurrsesi nuk mund të përligjet me mjetet e komunikimit masiv të kohës, ende të ngathëta e të tilla që çanin kryesisht nëpërmjet letrës së shkruar dhe kumteve të lajmëtarëve gjithsesi të kufizuar në numër. Zulmat e bëmat e tij përhapeshin më fort duke kaluar gojë më gojë, natyrisht edhe duke u stërmadhuar, hiperbolizuar e legjendarizuar aq sa, deri edhe historianë seriozë bashkëkohës të kryetrimit, hera-herës janë rrëmbyer më fort prej legjendares e gojëdhanës, duke mos iu përmbajtur dot arsyes së ftohtë që lypset në shkrimet mirëfilli historike. Dëshmitë e shumta që na kanë mbërritur nga historianë, publicistë dhe udhëpërshkrues evropianë, na bëjnë të ditur se trimëritë e Skënderbeut dhe të luftëtarëve që u printe ai përcilleshin me këngë e valle që në të gjallë. Vetë Marin Barleti, historiani që jetoi dhe, në një farë mase, edhe i përjetoi vetë ngjarjet e lidhura me kryetrimin, duke shërbyer si burimi kryesor referues për studiuesit dhe shkrimtarët e mëpastajmë, na thotë se mbas betejave fitimtare ushtarët shprehnin gëzimin e tyre “me këngë, me shaka e me lojna të ndryshme” . 

Qysh së lashti, popujt e kanë pasur traditë që t’u këndojnë princave e tribunëve të tyre, porse kjo ka qenë ndoshta më e theksuar ndër popujt e vegjël e me armiq të mëdhenj si shqiptarët, prandaj gjatë gjithë kohëve kanë fiksuar në këngët historike çdo akt trimërie e atdhetarie, sepse siç thuhet në anët e Drenicës (Kosovë) “kënga del prej grykës së pushkës”. Gjergj Kastrioti, si shumë prej njerëzve të mëdhenj të dalluar në luftërat çlirimtare, u këndua, u lëvdua dhe u legjendarizua edhe për së gjalli. Kjo ishte në hullinë normale të jetës e të marrëdhënieve të prijësave me popullin. Vegjëlia kurdoherë u ka dhënë si shpërblim tribunëve të vet këngë, vlerësime e hiperbolizime të bëmave trimërore e të pamjes fizike të tyre. Një nga më të bukurat, e zgjedhur prej arsenalit të krijimeve popullore për heroin tonë lavdimadh, është fiksuar në filmin artistik “Skënderbeu”, kënduar nga basi i madhërishëm Lukë Kaçaj, ku fjalët e këngës kanë vlerën e një lapidari:

“Trim mbi trima ai Gjegj Kastrioti,
Forcë të madhe që m’i dhënka Zoti,
S’e djeg flaka, as s’e djeg baroti,
Sa shumë turq menjëherë ai i përlan,
Dhe me një të rame malin dysh e çan!”
Dhe mbyllet me urimin “Kënga jote brez pas brezi u këndoftë!”, si një nga shprehjet më tipike të etnografisë së të folurit shqiptarisht.

Ajo çka shpëtoi prej këngëve të tilla, tregimeve dhe aforizmave të Skëndërbeut do të mblidhej më vonë dhe është botuar nga De Rada në Itali, nga Shtjefën Gjeçovi , Marin Sirdani etj., pastaj edhe në vëllimet e botuara nga Instituti i Folklorit (sot Instituti i Kulturës Popullore).

Trimëritë legjendare të heroit shqiptar, Gjergj Kastriotit, zgjatën njëzet e pesë vjet dhe ai, siç do të thuhej metaforikisht, qe “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, ndaj edhe bëmat e fama e tij u bënë objekt tërheqës për studimet historike si dhe gurrë frymëzimi për vepra të ndryshme letrare e artistike në mbarë kontinentin tonë. Lavdia e tij qe aq e madhe saqë shkrimet e veprat kushtuar atij do të zgjasnin pa shterim në rrjedhë të shekujve, duke u rilindur e rishfaqur heroi ynë sa herë rrymave përparimtare brenda e jashtë vendit u duhej një figurë-simbol, një hallkë e fortë për t’u mbështur breznitë më të reja në luftërat patriotike. Kështu, Skënderbeu që përfaqësoi “Motin e madh të Arbërit” në kujtimet popullore të mërgimtarëve arbëreshë, në penën e dijetarëve dhe shkrimtarëve evropianë, pastaj edhe arbëreshë e, në kohët më të reja, edhe shqiptarë, do të ngrihej në shkallën e pavdekshmërisë, duke e njohur atë si luftëtar të paepur për liri dhe si prijësin që diti të bashkojë shumicën e krerëve dhe masat e gjera popullore, kryesisht fshatare, në një luftë të shenjtë dhe heroike për sovranitetin e popullit të vet dhe dinjitetin kombëtar. Njëkohësisht, studimet historike dhe shkrimtaria evropiane pranuan edhe misionin e rolin e tij të lartë si mbrojtës të denjë të Ballkanit dhe të qytetërimit evropian, duke e quajtur “kalorës i lirisë”, “mbrojtës i krishtërimit”, “mundës i S. Muratit” etj., ndërsa në popull ai do të quhej ”kulshedra e Ballkanit”.

Historianët janë të një mendjeje dhe e kanë shprehur qartë e pa mëdyshje se Kruja dhe kështjellat e tjera shqiptare u bënë beden i pakapërcyeshëm për 25 vjet rresht për osmanët, duke i penguar ata në marshimin e drejtimin e planifikuar drejt Romës, Vjenës dhe Budapestit. Prandaj, kalorësi anglez Njupor, më 1456 bënte këtë vlerësim të lartë dhe real për luftën e popullit shqiptar: “Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella arbëreshe” .

Sasia e madhe e veprave të ndryshme historike, letrare (drama, romane, tregime dhe poema e vjersha), që shkon në më se katërqind , të shkruara kryesisht në gjuhë të huaja e nga autorë të huaj, është dëshmi e qartë e interesimit të gjallë që zgjoi në krejt Evropën figura e ndritur e Gjergj Kastriotit.
Shqyrtimi historik dhe letrar i aspekteve të ndryshme të figurës dhe bëmave trimërore atdhetare të Skënderbeut ka bërë të mundur që të kuptohej e të ndriçohej më thellë madhështia e veprës së heroit dhe e epokës së tij në planin ideor, moral dhe, veçanërisht, roli i rëndësishëm ndërkombëtar i luftës që bëri populli shqiptar për 25 vjet rresht nën udhëheqjen dorësigurtë të Gjergj Kastriotit. Natyrisht, letrarët dhe krijimtaria popullore kanë zhdavaritur edhe shkaqet e gjallërisë së pavenitshme dhe të tharmit rilindës që ka pasur e vijon të ketë kjo figurë, ndoshta njëra nga më emblematiket, në mos më emblematikja e krejt Evropës. “Gjergj Kastrioti i detyroi të gjithë shekujt të flasin për të. Dhe çdo shekull, çdo epokë ka folur me zërin e saj, ka zbuluar tek ai diçka të re.”

1.Figura e skëndërbeut në letërsinë botërore

Figura e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen e historianëve, po edhe të shkrimtarëve. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë qasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.

Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha në latinisht, prej autorësh italianë, miq të Marin Barlecit, i cili i vuri këto krijime në krye të veprës së tij për heroin. Në shek. XVI këto u pasuan nga një varg krijimesh poetike, nga të cilat më të njohura janë sonetet e poetëve të Rilindjes, si. p.sh. të francezit Pjer Ronsar (1576) dhe të anglezit E. Spenser (1596), të cilat e ngrejnë lart heroin, duke e krahasuar me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Po ai na shfaqet edhe në prozën artistike të kohës, si në romanin “Tmerri i turqve” (1548), shkruar nga italiani Antonio Posenti. Kujtimi dhe vlerësimi i luftërave të Skënderbeut vijuan edhe gjatë shek. XVII, si p.sh. në poemën “Skënderbeiada”, botuar në Romë më 1623, shkruar nga poetesha Margerita Sarroki, e cila e paraqet Skënderbeun si hero të vëretë dhe kalorës fisnik. Po ashtu edhe gjermani Jakob Kokert, në “Këngë mburrëse” (1643) dhe francezi Zhan Bysier në poemën “Skënderbeu”(1658). Në këtë shekull u shkruan edhe një varg dramash me protagonist heroin tonë legjendar, prej të cilave mund të përmendim dramën “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, shkruar nga dramaturgu i njohur anglez Kristofor Marlou. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të tjerë, të shumtë, nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj. Përmendim, ndër të tjerë, shkrimtarin e madh spanjoll Lopes de Vega, i cili shkroi veprën “Princi Skandërbeg”, që përfshihet në llojin e komedive të tij të famshme. Po në shek. XVII tema e Skëndërbeut u trajtua edhe në prozë, si p.sh. nga francezi Yrben Shevro (“Skënderbeu”, 1644) dhe një autor anonim rus nën titullin “Tregime për Skënderbeun, princin shqiptar”.

Gjithashtu figura e Skëndërbeut do të trajtohej në shek. XVII edhe në një varg veprash të rrymës kalorsiake, që u shkonte përshtat kërkesave ideore të qarqeve të larta shoqërore evropiane. Përmendim, p.sh., veprën “Skënderbeu i madh” (Amsterdam, 1688), shkruar nga një autore anonime, pastaj edhe “Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë”, botuar në Paris më 1732. Po në këtë kohë botohen edhe drama për Skëndërbeun, si në Angli “Skënderbeu ose dashuri dhe liri” (1747) nga Tomas Uinkop, “Skënderbeu” i Uiljam Havardit, “Heroi i krishterë” nga Xhorxh Lilo.

Kësaj kohe i përkasin edhe disa drama të shkruara nga disa autorë italianë dhe francezë, si ”Trimëritë e princit Skënderbe, mundësit të Sulltan Muratit” (1730) nga Antonio Xamboni, “Skënderbeu princ i Shqipërisë” (1770) nga Mauricio Gerardini, pastaj “Skënderbeu” (1786) nga Pol Debyjsoni. Me kohë, nga skenat e teatrove dramatike këto vepra filluan të shfaqeshin edhe nga trupat shëtitëse angleze e gjermane, gjë që ia shtoi shumë popullaritetin heroit tonë kombëtar.

Një nga anët më interesante të figurës së Gj.K.Skënderbeut është jetëgjatësia e famës dhe lavdisë së tij dhe sidomos të rilindurit apo rikthimi i tij në periudhat më të rëndësishme të lëvizjeve përparimtare të popujve të Evropës dhe të popullit shqiptar. Ai, si moskush tjetër nga burrat e mëdhenj, si pinjoll i një visi e populli numerikisht të vogël, por të etur për liri e gati gjithmonë me jetë kombëtare të trazuar prej pushtimesh të huaja, do të kishte shansin e rrallë të të rilindurit.

Me vrullin e lëvizjeve çlirimtare kombëtare që shpërthyen në Evropë në shek. XIX pati një ringjallje të interesimit për figurën dhe bëmat trimërore të Skënderbeut. U botuan një varg veprash, si drama “Çlirimi i Greqisë” (1821) e gjermanit Karl Sondershaun, në qendër të së cilës ishte pikërisht figura e heroit kombëtar shqiptar, Gj. K. Skënderbeut; drama “Skënderbeu” (1835) shkruar nga suedezi F. G. Rudbek, “Skënderbeu, poemë heroike” (1824), shkruar nga poeti romantik gjerman Fridrih fon Nidda etj.

Rreth një gjysmë shekulli më pas, poeti përparimtar maqedonas Grigor Perliçev shkroi dramën në vargje “Skënderbeu” (1861), në të cilën heroin tonë e paraqet si udhëheqës të madh,po edhe të thjeshtë e të shkrirë me popullin. Po ashtu, nga gjinia e romanit, mund të përmedim veprën e Antonio Xonkadës, pjesëmarrës i lëvizjes garibaldine, vepër që dallohet për frymën e saj demokratike dhe që e paraqet heroin tonë si udhëheqës shumë popullor. Po ashtu nuk mund të lëmë pa përmendur romanet “Kapiteni i jeniçerëve” (1887) të anglezit Xh. Ludllou, “Për jetën” i shkrimtarit polak Tomas Jazh. Në Francë, gjithashtu, heroi ynë u bë personazh kryesor i dramave historike të autorit neoklasicist Gijom K. Perlyse dhe të Rogatien Forresë.
Por vepra më e qëlluar në letërsinë botërore për Skënderbeun është poema me të njëjtin titull e Henri Longfellout (1873), e cila është përkthyer edhe në shqip nga mjeshtri i madh i fjalës shqipe Fan S. Noli.

2.Figura e skëndërbeut në letërsinë arbëreshe dhe shqiptare

Figura e Skëndërbeut jo vetëm simbolizoi unitetin kombëtar përballë përçarjes feudale, krahinore e fetare, por shënoi edhe rrugën e fitores, prandaj Rilindja Kombëtare Shqiptare iu drejtua figurës së heroit të shek. XV si simbol të qëndresës së pamposhtur. “Ai qe për rilindasit një shembull i shkëlqyer se si, duke u mbështeur në bashkimin e pathyeshëm të popullit dhe kryesisht në forcat e brendshme, mund të hidhej tej skllavëria osmane”.

Me këtë arsye shpjegohet interesimi dhe vendi i madh që zuri figura e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, e cila u frymëzua nga idealet e luftës për çlirim kombëtar të popullit shqiptar. Ndër autorët e parë që trajtoi tëmën e Skënderbeut është Jeronim de Rada, poeti romantik arbëresh, në poemat e tij “Skëndërbeu i pafan”, “Pasqyra e një jete njerëzore” dhe “Gjon Huniadi”, ku heroi na shfaqet si simbol i Shqipërisë kryengritëse dhe si kreshnik i pamposhtur dhe udhëheqës i shquar .

Në pajtim me prirjen e përgjithshme të rilindasve, që shihnin te Skënderbeu edhe aspiratat demokratike, poeti tjetër arbëresh, Gavril Dara i Riu, në poemën “Kënga e sprasme e Balës” e paraqet kryetrimin si komandant dhe trim të mençur, sa autoritar e të rreptë, aq edhe popullor dhe të dashur, kurse poeti strigariot Zef Serembe, shkruan për Skëndërbeun duke shprehur besimin se në Shqipëri do të lindnin luftëtarë të denjë për t’i pertëritur traditat dhe shembullin e heroit. Figura e Skëndërbeut gjeti trajtim edhe në poemën e gjatë “Shpata e Skënderbeut në Dibër të Poshtme” të Bernard Bilotës.

Këndej Adriatikut, figurën e heroit tonë të lavdishëm e mishëroi për herë të parë me nota madhore Naim Frashëri në epopenë “Istori e Skëndërbeut”, e cila do t’i jepte tonin krejt letërsisë së mëvonshme shqiptare. Skëndërbeu i Naimit është përsonifikim i shpirtit heroik të popullit dhe shekullit të tij-burim frymëzimi për heroizëm e therori në luftën e ardhshme për çlirim. Këtë udhë të Naimit, do ta ndiqnin edhe edhe poetë të tjerë të Rilindjes, si A. Z. Çajupi, N. Mjeda, Asdreni, R.Siliqi etj. të cilët në krjimet e tyre u përpoqën ta lidhnin kujtimin e Skëndërbeut me detyrat që shtronte lëvizja për çlirim kombëtar.

Në vargun e veprave të kësaj rryme duhen përmendur edhe poema “Kënkat e Krujës” e Kozmo Serembes (në mjediset arbëreshe) dhe dramat e Kolë Mirditës (i njohur me pseudonimin Helenau) “Vdekja e Skëndërbeut” (1917) dhe “Moisi Golemi” (1917). Në periudhën 1912-1939 për t’u përmendur është “Historia e Skëndërbeut” e Fan Nolit, e cila ndonëse është vepër mirëfilli historike, ka edhe cilësinë se është shkruar me stilin e këndshëm e të ngritur që përshkohet edhe nga vrulle epiko-heroike dhe herë-herë lirike.

Edhe pas flakjes së zgjedhës së huaj dhe çlirimit të Shqipërisë, tema e skëndërbeut do të mbetej aktuale, sepse shembulli i qëndresës së tij të pashembullt i mëson vazhdimisht popullit shqiptar se si t’u bëjë ballë heroikisht dallgëve të trysnisë së huaj. Ndërsa në vjershën e shkurtër figura e Skënderbeut u paraqit kryesisht me mjetet e rrymës romantike, në llojet e gjata ajo gjeti pasqyrim më realist. Përmendim, p.sh. romanin “Kalorësi i Skëndërbeut”, vepër postume e Haki Stërmillit (përfunduar në vitin 1950), dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” të Sulejman Pitarkës (19589, “Guri i hekurt dhe mokrat e gurta” (1963), dramë nga Misto Markaj. Në një varg veprash, kryesisht poema e romane, që u botuan gjatë vitit jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit (1968) dhe më pas, mund të vlerësohet edhe konceptimi i ri artistik i problemeve të epokës dhe i figurës së Gj.K.Skënderbeut. Kështu, mund të përmendim poemat “Garda Krutane” të K. Jakovës, “Shkëmbi që theu dallgët” e Klara Kodrës. Në mënyrë mjaft të plotë e të realizuar me mjeshtëri na del figura e Skënderbeut te romani i Gjergj Zhejit “Muret e Krujës”, ku theksohet ideja e heroit se “besëlidhja është e vetmja shpresë e lirisë së Arbërisë”. Në këtë hulli shkon edhe romani “Shqipja e kreshtave tona” i Skënder Drinit, ku shohim edhe përpjekjen e lëvdueshme për ta dhënë figurën e heroit në zhvillim, të gjallë e njerëzor.

Interesim dhe mëtime të mbara për trajtimin e figurës së Skëndërbeut ka pasur qysh në krye të herës edhe në letërsinë shqipe të trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi.Theksojmë se, qysh në shkrimet e Lukë Bogdanit vlerësohet me krenari se “Skënderbeu shitoi mbretnë” , ndërsa më vonë, Shtjefën Gjeçovi nga Janjeva tregoi interes të veçantë për figurën e heroit tonë, duke mbledhur në rrethet e Kurbinit dhe të Krujës 16 tregime popullore që shënojnë mbledhjen e parë të rëndësishme të gojëdhanave për Skëndërbeun . Emri dhe bëmat e Skëndërbeut do të përmenden me art e theksim të veçantë edhe në poezinë e shqiptarëve të Kosovës, ku mund të rendisim, më së pari, vjershërinë e Esad Mekulit, për të cilin poeti thotë se “shndrit mbi të shkuemen si rrfeja në natën e errët”. Mbas tij, dora-dorës me rritjen e sasisë dhe të cilësisë së krijimeve letrare në ato mjedise, figurës së Skënderbeut i qasen me përmasa të reja poetë si Enver Gjergjeku, Rexhep Hoxha, Beqir Musliu, Muhaed Kërveshi, Daut Demaku, Jakup Ceraja, Teki Dervishi, Ymer Shkreli etj . Nga dramat mund të përmendim “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Ahmet Çirezit, me karakter të theksuar lirik dhe rrëfimtar, pastaj vjershën “Nikë Kosova” të Jakup Cerajës, si e vetmja që pohon se edhe shqiptarët e Kosovës dhanë ndihmesën e tyre në luftërat e Skëndërbeut kundër osmanëve .

Kur, më 1968, në vitn jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit, u mbajtën aq shumë referate, kumtesa, diskutime në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike që iu kushtua heroit, po edhe u bënë aq shumë botime folklorike e letërsi artistike, saqë mund të dukej se u sos dhe u shterua ajo temë (kemi parasysh referatin magjistral të prof. Aleks Budës me titull “Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu dhe epoka e tij”, si dhe kumtesat të ngjeshura të një armate studiuesish të autoritetshëm nga e gjithë Evropa dhe hapësirat kombëtare e etnike shqiptare), njeriut mund t’i dukej se nuk mbeti më gjë pa u thënë. Por jo. Vitet që vijuan do të sillnin përsëri prurje të reja, madje shumë interesante. Emri dhe veprat e Gj.K.Skëndërbeut do të hynin në vargjet e gati mbarë poetëve shqiptarë, ndërsa vargu i romaneve e dramave historike ku ai është heroi kryesor do të shtohej në mënyrë të ndjeshme. Për hir të kohës nevojisht të kufizuar dhe të auditorit të sotëm, jo vetëm shqiptar, në pamundësi për të trajtuar gjithçka, po përmendim shpejtazi disa prej veprave më interesante, duke ritheksuar se romani historik me Skënderbeun si hero kryesor do të mbetej edhe më tej arë e lakmueshme e disa prej shkrimtarëve të më shquar shqiptarë.

Kryekreje, meriton të përmendet romani “Skëndërbeu” i Sabri Godos, një vepër e shkruar me dije të thella historike dhe me mjeshtëri të lartë artistike, një nga krijimet më të mira të autorit dhe, besojmë, të krejt lëtërsisë shqiptare. Vepra ka pasur disa ribotime, po edhe është përpunuar e rivëshrtruar për kohë të gjatë nga autori, me ngenë dhe ngulmimin e atij që, në kulmin e pjekurisë së vet artistike, si ata piktorët sqimatarë që nuk kënaqen lehtë me frytin e penelit të vet, edhe Godoja mëton me durim, derisa në variantin e dytë, na ka dhënë një Skëndërbe jo vetëm madhështor e legjendar, po edhe njerëzor e mishërues të tipareve më të mira të shqiptarisë. Kur mbaron së lexuari atë vepër zemra të gufon nga një ndjenjë e çuditshme, që ngërthen krenari e brengë të thellë: krenari që trojet shqiptare lindin një vigan si Ai, brengë për rethanën se, ndërkaq, në rrjedhë të moteve e shekujve, shqiparët i ndoqi fati i keq. Ata qenë kurdoherë “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, porse, për ironi të fatit, deri sot e gjithë ditën do të mbeteshin “jashtë mureve” të BE-së.

Figurës së Skëndërbeut, sikundër e cekëm edhe më lart, i janë qasur me dëshirë gati të gjithë krijuesit shqiptarë e arbëreshë të kohëve të reja, kush me ndonjë vjershë lirike, kush me ndonjë poemë, po edhe me krijime të gjata. Në vargun e tyre, një vend të veçantë zë edhe romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, ku heroi vetë nuk na shafaqet, por ai përfaqësohet nga kështjellarët trima që zbatojnë pa mëdyshje ideimin dhe strategjinë luftarake që u ka mësuar Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu. Ka pasur edhe mjaft krijime të tjera, të cilat në parashtresën tonë nuk është e mundur t’i përfshijmë të gjitha, por po mjaftohemi duke thenë se kanë qenë të shumta, sidomos dramatizimet, radiodramatizimet dhe ekranizimet që kanë si hero Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe vjershat e poemat për fëmijë e të rinj.

Edhe poezia më e re e arbëreshëve të Italisë gëlon nga vjersha dhe krijime dramatike që kanë në themel figurën e Skëndërbeut. Përmendim, ndër të tjera, romanin “La moto di Scanderbeg” e Karmine Abates, nga Karfici arbëresh, që shkruan italisht, vjershën “Skandërbeku” të Karmell Kandrevës dhe “Kruja” të lirikut më të shquar arbëresh Vorea Ujko, me të cilën më pëlqen ta mbyll referimin tim:

“Në majë të malit,
u ngjita në një faltore
të ngritur nga trimëria.
E lavdishme, e papushtueshme
Kjo kala kumbon në histori.
…………………………
Çdo gur kishte duar çeliku
Një gojë, dy buzë të mbyllura,
Një kraharor të gjerë
Dhe sy prej zjarri.
Çdo guri unë ia njoh historinë
E mbi gurinmëtë madh

Ishte skalitur emri yt, Skandërbeg”.