Monday, December 22, 2014

Simboli dhe domethënia e Krishtlindjeve

nga Gjovalin Shkurtaj

Simboli i Krishtlindjeve është bredhi  me gjethet e tij gjithmonë të blerta, që simbolizon  jetën që nuk soset kurrë. Imazhi  i pemës a drurit të njomë,  si simbol i rilindjes dhe i rigjallërimit të jetës, ka qenë qysh në kohët e lashta  temë e njohur edhe në besimet pagane; madje ështëe pranuar dhe praktikuar si në botën antike, ashtu edhe në periudhën mesjetare.

Megjithatë, prejardhja dhe praktika e përdorimit modern të traditës së pemës së Vitit të Ri dhe të Krishtlindjeve nuk është provuar ende me qartësi. Besohet se  ajo ka lindur dhe është përhapur nga Gjermania e shek.XVI. Por, ka edhe gojëdhëna e legjenda, që e shpien  shumë shekuj më parë.

P.sh. njihet edhe një histori që e lidh pemën e Krishtlindjeve  me Shën Bonifacin, shenjt i lindur në Angli rreth vitit  680 dhe që kreu edhe evangjelizimin  e popullsive gjermanike. Tregohet se Shën Bonifaci takoi paganët e mbledhur pranë Qarrit të Shenjtë të  Bubullimës të Geismar-it, për të adhuruar zotin Thor.

Shenjti, me një grup dishepujsh,  mbërriti te grumbulli që ishte rreth “Qarrit të Shenjtë” dhe, duke kryer një rit shenjtëror, thirri: “Ky është qarri juaj i Bubulimës, kurse ky është kryqi i Krishtit që do ta bëjë copë-copë çekanin e Thorit të rremë”.

Mori një sëpatë dhe filloi ta godiste me të drurin e shenjtë. Një erë e fuqishme  u ngrit paparitur, druri ra dhe u nda në katër copa. Mbas qarrit të madh qëndronte një bredh i  ri  dhe  i gjelbër.

Shën Bonifaci iu drejtua përsëri paganëve, duke u thënë : 

Kjo pemë e vogël, ky fëmijë i vogël i pyllit, do të jetë druri i shenjtë sonte. Ky është druri i jetës së pasosur, sepse  gjethet e tij janë gjithmonë të blerta. Shikoni se si drejtohet nga qielli. Kjo qoftë pema e Krishtit fëmijë! Mblidhuni rreth saj, jo në pyll, por në shtëpitë tuaja; atje nuk do të kryhen rite gjaksore, por dhurata  dashurie dhe rite të mirësisë”.

Bonifaci ia doli t’i bindte paganët të konvertoheshin dhe kryetari i fshatit vuri një bredh në shtëpinë e tij, duke vënë mbi degët e tij qirinj.

Nga dëshmitë e para historike për traditën e pemës së Krishtlindjeve, shkenca, nëpërmjet etnologut Ingeborg Weber-Keller  ka identifikuar  një kronikë të vitit 1570 (në Brema), që tregon për një pemë të zbukuruar me mollë, arra, hurma dhe lule prej letre.

Por, është Riga, kryeqyteti i Letonisë, që shpallet si qendër e pemës së parë të Krishtlindjeve në histori: në sheshin kryesor ndodhet një pllakatë e shkruar në tetë gjuhë, ku thuhet se “pema e parë e Vitit të ri” ka qenë realizuar në atë qytet më 1510.

Domethënia e Krishlindjeve

Festa e Krishtlindjeve, apo sikundër quhej në Shqipen e hershme Kshndellat (nga lat.Cristi Natale) është festa me domethënien më të bukur e që e fton njeriun drejt mbarësisë, drejt harmmonisë dhe  gjetjes së ecurisë, që prin nga përvujtënia dhe mirësia për veten dhe për të afërmit e krejt njerëzimin.

Papa Françesku e thotë qartë e thjeshtë këtë domethënie: “Krishtlindjet janë takimi i Zotit me popullin e vet”. Mesnata e Krishtlindjeve, me vajtjen masive në kishë, me ritualet e rastit dhe, mbi të gjitha, me të drejtuarit e mendjes  e zemrës nga misteri i lindjes së Krishtit, si simbol i shpresës dhe i mbarësisë e i përparimit, ka qenë dhe mbetet si pika e adhurimit dhe e ngushëllimit shpirtëror jo vetëm për të krishterët, por edhe për mbarë njerëzimin.

Krishtlindjet për  njeriun e sotëm  janë besimi dhe qasja te dhembshuria dhe shpresa. Zoti duke u takuar me njerëzit u kujton atyre dy gjëra. E para është: të kenë shpresë. Ai u prin nga e mbara, u hap dyert e udhës së mirësisë e të ngushëllimit shpirtëror dhe kurrë nuk ua mbyll horizontet. E dyta është: të mos ndruhemi kurrë nga dhembshuria. Kur njerëzim harron shpresën dhe dhemshurinë, atëherë edhe Kisha bëhet e ftohtë dhe njerëzia shket në udhët e ideologjive të mbrapshta e të kotësive mondane.

Kam frikë nga kur të krishterët i humbin shpresën dhe aftësinë për të përqafuar dhe përkëdhelur”-thotë Papa Françesku. Krishtlindjet, më ëmbël e më bukur se çdo rast tjetër, na kujtojnë edhe fjalën e urtë e të hershme, por gjithmonë me vlerë e aktuale: kujdesin ndaj të pamundurve, ndaj fëmijëve e të moshuarve, dhembshurinë ndaj gjindjes në nevojë:

Atë që flë shumë, zgjoje, atë që rrëzohet ndihmoje të ngrihet,  vogëlushin e të miturin zbunoje e, në mos tjetër, ndiej dhembshuri për të dhe përqafoje; plakun e të mjerin afroje dhe gëzoje së paku me një gjest dhembshurie  e me fjalë dashamirëse”.

Edhe vetë misteri i Krishtlindjeve lidhet pikërisht me kujdesin ndaj fëmijëve si e ardhshmja e mbarë njerëzimit. Zoti zbriti nga qiell dhe u bë fëmijë, që të provojë e të përjetojë kujdesin, dashurinë, dhembshurinë prej njerëzimit. Kjo është edhe arsyeja që Krishtlindjet japin kaq shumë gëzim, shpresë e jetësi në zemrat e njerëzimit.

Tiranë, 22 dhjetor 2014


No comments:

Post a Comment