Saturday, December 6, 2014

Gëzuar Shënkollin!

nga Gjovalin Shkurtaj

Dhjetori  është muaji i festave të fundvitit dhe nis këndshëm me kremtimin e Shënkollit, si festa më popullore e më masive, kushtuar  shenjtit të mrekullive, Shënkollit Dimër, të cilit ia ndezin qiririn  dhe i blatojnë lutje e përkushtim jo vetëm  katolikët, po edhe malësorët e besimit mysliman.

Ka qenë dhe vijon të jetë traditë e Malësisë sonë të Madhe që  natën e Shënkollit, që bie gjithmonë me datën 5 dhjetor, ta festojnë duke  i truar fërlikë  të pjekur  në hell dhe duke   ndezuar qirinj të mëdhenj prej dylli, jo vetëm në kishë, po edhe në secilën shtëpi.

Shënkollit i ndezin qirinj, ia kremtojnë festën  dhe ia drejtojnë mendjen e përdëllimin  të mëdhenj e të vegjël,  gra e burra. Atij i drejtohen për ndihmë  e shpëtim në raste vështirësish e përmbytjesh dhe besojnë se ai është shenjti që gjindet në të gjitha vanat.

Frazeologjia e Malësisë sonë të Madhe ka betimet e hershme e të mirënjohura:
Pasha të Shënkollin!
Pasha qirin e të Shënkollit!
Edhe unë me time shoqe, Leonorën, ishim mbrëmë në Bajzë të Kastratit, ia ndezëm qiriun Shenjtit   të mrekullive, Shënkollit të lëvduar, dhe, me kënaqësi, u uruam atyre ku bujtëm, po edhe të gjithë katolikëve kudo që ndodhen: në Malësi e në diasporën shqiptare në dhe të huaj, me fjalët:
Bashkëvendas e bashkatdhtarë të nderuar! 
Me zemër të galduar nga bujaria, mikpritja dhe fisnikëria proverbiale e bajzjanëve të mi, Ju ftoj ta  bashkojmë sot urimin e zemrave tona me formulimin e bekimin e Papa Françeskut, i cili vetëm pak javë më parë e mbylli vizitën e tij në Shqipëri, duke na ftuar “Lutuni edhe për mua!” 
Ju ruajt Shenjti i lëvduar i Mrekullive! Paçim paqe, mbarësi e hapësira të reja kthjellimi shpirtëror e mendësior në të gjitha fushat e jetës. 
Qoftë kurdoherë mbi krye të shqiptarëve dora e bekuar e Shënjtit  Shënkoll!



Tiranë, 6 dhjetor 2014

No comments:

Post a Comment