Sunday, November 23, 2014

Dokumentar kushtuar Gjyste Nikollës (Televizioni Kopliku)


Ndoqëm me interesim filmin e TV Koplikut për figurën e Gjyste Nikollës.

U rrit ndera dhe u lumtë pena atyre që e kanë ideuar e realizuar këtë film, i cili dëshmon jetën dhe veprimtarinë e heshtur, por të nderuar të një gruaje malësore, e cila kishte mbetur në hije.

Filmi tregoi se njeriu vdes, por të mirat që ka bërë i mbeten si kujtim e vlerësim i pashuar.

I lumtë zonjës Rita Shkurtaj për idene, skenarin dhe punën e kujdesshme që ka bërë për të gjetur materialet dhe njerezit që e kanë njohur Gjyste Nikollën dhe që sollën copëza shumë domethënëse nga personaliteti dhe shpirti i saj bujar.

Falenderime të sinqerta dashamirëve që folen (Z. Gjon Runa, Z. Gjergj Murrizi, Z. Dedë Broqi, Z. Gjelosh Curi, Z. Pretash Gjekaj dhe Z. Dhesh Keka) dhe dëshmuan sa mbajnë mend vetë, si dhe sa kane dëgjuar nga prindët e tyre për Gjyste Nikollën, si grua malësore, si atdhetare e luftare për idealet clirimtare, por edhe për personaltetin e saj të paepur dhe mospajtimin me dhunën e komunizmit në Pjetroshan e me gjerë në Malësi.

Përgëzime dhe fjale miradije për regjisorin dhe krejt ekipin realizues te Tv Koplikut.

Ju paste Malësia, ju pacin kombi e Shqypnia, sepse kështu do t’ia nxirni në dukje edhe më mire meritat e vlerat e paçmueshme demokratike e atdhetare të Malësisë sonë të Madhe “Nderi i Kombit”. 

Gra si Gjyste Nikollja kanë qenë të shumta ne Malësinë e Madhe, ato me siguri kanë qenë edhe frymëzim per Gjysten e gratë e vajzat e tjera të Malësisë. Ato ka pasur ndërmend edhe Ndre Mjeda kur kendonte”:
“Që nder djepa rrisin nanat e Hotit djelmëninë ushtore, e idhnim n’anmikun nëpër gji u qesin”
Gjystja ishte nga Jerani, por jetoi gjithë jetën në Pjetroshanin, që e deshi dhe e nderoi sa qe gjallë, po edhe sot, mbas vdekjes me këtë film ku dëshmuan aq bukur e fisnikërisht pjetroshanasit, burra të vjetër e më të rinj.

Të gjithëve u faleminderit përzemërsisht,

No comments:

Post a Comment