Tuesday, November 18, 2014

Xhevat Avdalli: Këngëtarët vdesin, por kënga e tyre rron përjetë

nga Liri Çakërri dhe Gjovalin Shkurtaj


Këngëtarët vdesin, por kënga e tyre rron përjetë. I tillë, i paharrueshëm dhe i madhërishëm ishte edhe Xhevat Avdalli (1910-1992), kryemjeshtër i këngës polifonike gjirokastrite, Artist i Merituar, pa dyshim, një nga këngëtarët popullorë më të dashur jo vetëm nga bashkëqytetarët e tij të Gjirokastrës, të cilët e kishin pasur prej vitesh edhe furrëtar në lagjen Palorto, po edhe e donin se ishte njeri gojëmjaltë e, natyrisht, ia çmonin zërin si bilbil dhe intonacionet e thekura të polifonisë karakteristike të qytetit të gurtë.  

Furrëtar nga profesioni, i madh sa një mal e punëtor i pakursyer, gjatë ditës djersinte duke pjekur bukë e gatesa të nikoqireve gjirokastrite, të pakundshoqe për nga aftësia e të gauarit të gjellëve të shijshme, me mish po edhe “të rrema”, gati gjithmonë edhe duke kënduar nën zë motivet e kengëve të vjetra, po edhe duke krijuar të tjera, sipas modelit të bukur të të parëve. Qysh në moshë të re, i dalluar si djalë trupmadh e i pashëm, po edhe me dëshirën për të kënduar e për t’u argëtuar me shokë e miq, formoi  grupin e tij polifonik ku, me kohë, do të mblidhte ajkën e pleqve të qytetit dhe, me stilin e tij original të njohur edhe me termin “pleqërishte”, la një trashëgimi të vyer e të paçmueshme të polifonisë shqiptare. Kush  nuk i ka pëlqyer këngët e tij “Ç‘u mbush mali plot me rrush”, “Një ditë nga mali dola”, “Ç‘u ngreçë që menatë”, “Hiqe vallen shtruar” etj.

Xhevat Avdalli dhe grupi i tij kanë marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastërs, qysh nga fillimi në vitin 1968 e deri më 1988, duke u dalluar për hijeshinë dhe bukurinë e harmonizimit të zërit të tij në rolin e marrësit dhe të këngëtarëve të tjerë të grupit në rolin e kthyesit.

Kanë kaluar plot 22 vjet qëkur është ndarë nga jeta Xhevat Avdalli, por adhuruesit e këngëve të tij e mbajnë mend,  i dëgjojnë dhe i adhurojnë këngët e tij dhe, plot përmallim e krenari, e quajnë atë si artistin e dalë nga gjiri i popullit dhe që mbetet si përmendore madhështore e kulturës gjirokastrite dhe i krejt këngës polifonike shqiptare.

Vargjet e këngës së tij kushtuar Çerçiz Topullit: 
Mylazim, largo taborrë, o se ju kuq o ju bëj me bojë, Çerçiz Topulli more më thonë” 
kanë mbetur të gdhendura në mendjen e në ndjenjat atdhetare të çdo shqiptari, prandaj, sa herë kujtohet Heroi i Popullit Çerçiz  Topulli, shqiptarët kujtojnë edhe vargjet e ison e hijshme të këngëtarit të paharrueshëm, Xhevat Avdalli.

E si mund të harrohen monumentet e tilla të kulturës sonë shqiptare? Kurrë mos u harrofshin!

No comments:

Post a Comment