Sunday, September 7, 2014

Nënë Tereza dhe “rirja”e emrit të saj

nga Gjovalin Shkurtaj
Emri i Nënë Terezës, shenjtores së parë shqiptare, nobelistes me famë botërore, ka qenë dhe do të mbetet frymëzues dhe mirësindjellës.  Porositë e saj janë aq prekëse e të vyera dhe gjithmonë mësimdhënëse për të gjithë ata që dëshirojnë të lënë gjurmë të vërteta si veprimtarë shoqërorë e si njerëz të zotuar në mbrothësinë e përparimin e vet e të mbarë shoqërisë. Shpesh e sjell në mendje dhe ua citoj miqve e të afërmve porsinë e saj të urtë që thotë:
Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes sate gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”
Në verën e vitit 1989 edhe unë kam pasur rastin e lumtur  të kem qenë në takimin me Nënë Terezën, kur ajo, bashkë me disa nga motrat e saj, erdhi në ambasadën Shqiptare në Romë për të marrë vizën për vizitën e saj të parë në Shqipëri. Më kishte lënë mbresa të paharrueshme figura dhe personaliteti i saj, butësia dhe përvujtësia e saj, si dhe, mbi të gjitha, cilësia e saj që fliste më shumë me sy sesa më gojë dhe ajo veti hyjnore i shkonte plotësisht për shtat kurmit të saj të imtë e të brishtë dhe bekimit të saj të urtë të përmbledhur në urimin e saj :”Zoti ju bekoftë!
Qysh nga ai takim i paharrueshëm, shumë herë më shkonte në mendje dhe ëndërroja sa bukur do të ishte që kur të bëhesha gjysh, të kisha një mbesë me emrin Tereza. Djali dhe nusja për këtë mund të zbatonin traditën e “rirjes” (përtëritjes) së emrit të gjyshes, sepse se edhe nëna ime quhej Tereza.
Kaluan vite dhe, më 14 shkurt 1999, u bëra gjysh dhe erdhi në jetë pikërishtr një vajzë, e shumëpritur dhe e shumëdëshiruar, një gëzim i papërshkrueshëm dhe që e përjetojnë vetëm ata që janë bërë gjyshër. Të tjerët duhet të presin…
Nusja dhe djali, duke e ditur dëshirën time të kahershme, e pagëzuan me emrin Tereza. Ky ka qenë për mua gëzim mbi gëzime, sepse nëpërmjet këtij akti të bukur ata bënin “rirjen “e emrit Tereza,  sipas traditës së bukur shqiptare, por kjo ishte njëherazi edhe rirje e një emri aq të madh e të lavdishëm, një emri të shenjtëruar e të nderuar për të gjithë Botën, emrin e shenjtores Nënë Tereza, që i qëndron si Yll Drite kombit shqiptar, duke shndritur e shkëlzyer breznitë e sotme dhe ato që do të vijnë me rrezet e praruara të humanizimt e të shqiptarisë.
Sa herë flas nëpërmjet FaceTime-it me Terezën time të vogël, që është në Amerikë, tashmë nxënëse në një nga shkollat e mesme të Nju Jorkut, duke e krenaruar për emrin e bukur që mban, i kujtoj edhe vargjet e famshme të Terezës së Madhe, që thotë:
Ne s'mund të bëjmë dot gjëra të medha,vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Dhëntë Zoti që të gjithë shqiptarët, kudo që të ndodhen, ditë për ditë, të gjakojnë të kryejnë punë të vogla, por të mira, të mbara e me dashuri të madhe për njërëzimin e përparimin e gjithmbarshëm.

No comments:

Post a Comment