(Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar)
Kjo fundjavë e shtatorit 2014 do të mbetet për shumë kohë në kujtesën e shkruar e gojore të shqiptarëve, sepse më datën 21, ditën e diel, këmba e bekuar e Atit të Shenjtë, Papës Françesku i Parë, do të zbresë në tokën shqiptare, në aeroportin “Nënë Tereza”.
Një popull i tërë, një komb i vogël në përmasat e sasinë e njerëzore e truallsore, por i madh e lavdiplotë në përmasat e bujarisë e të lidhjes së tij të përjetshmë me “fe e atdhe”, ka çelë zemrat e dyert për të pritur një Mik të Madh, të dërguarin e Kishës së Romës, mëkëmbësine Hyjit në tokë, Shënjtërinë e Tij, Papa Prançeskun e Parë.
Sa veta që quhen Fran, Frano, Franc, Çesk, Frangjisk etj. në trojet shqiptare e në diasporat e hershme e të reja, deri në Amerikën e largët ku kam edhe unë një nip që quhet Françesko, do të mburren se një emnak i tyre i madh, Françesko Bergoglio, ipeshkëv i Romës dhe kreu i Kishës Katolike Botërore do të mbërrijë për t’i bekuar ata (dhe të gjithë shqiptarët) dhe do të meshojë në altarin e ngritur enkas për të në Sheshin “Nënë Tereza”.
Shenjtëria Juaj e lartë,
Ju zgjodhët të nderoni me ardhjen Tuaj një popull të vogël, një komb edhe sot ende të ndarë në disa shtete në Ballkan, po edhe më një diasporë e mërgatë (arbërore, arbëreshe, arbneshe, arnaute) në të gjithë Botën; një popull që, edhe fetarisht, historia e ka ndarë e përndarë në disa besime (katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashinj), por që, të gjithë sa jemi, për një mrekulli të vetë të Lartit Zot, e ndiejmë vetën shqiptarë (përkatësisht:arvanitë në Greqi, arbëreshë në Itali, arbneshë në Dalmaci, arnautë në Bullgari, Turqi etj.) dhe pavarësisht nga besimet fetare tashmë të ndryshme që kemi, ia duam të mirën njëri-tjetrit, rrojmë në paqe e harmoni të plotë, pa asnjë pengesë a ngatërresë ndërmjet tyre.
Për shqiptarët, si kishat, ashtu edhe xhamitë, sinagogat, tyrbet etj., janë “shtëpi të Zotit”, janë njësoj të respektueshme e të papërgojueshme. Ky ka qenë dhe vijon të jetë një mësim i madh kombëtar i shqiptarëve dhe, sigurisht, edhe Shënjtëria e Tij, Papa i Romës, Francesku i Parë, e çmoi lart dhe, me vizitën e Tij në tokën tonë, i blaton bekimin e Tij kësaj cilësie meritore të popullit shqiptar, duke pasur parasysh edhe rrethanën se, në rrjedhë të shekujve, deri në kohët e reja dhe ende të paharruara, pikërisht për arsye feje, gjuhe e dashurie për atdhe, populli ynë ka qenë edhe i martirizuar.
Ju, Atë i Shenjtë, po vini në Shqipëri për të sjellë urime e bekimin në këtë tokë të lashtë ilire e shqiptare, që ka nxjerrë edhe kardinalë e papë të mirënjohur, si dhe, ndër të tjera, po na sillni në Bibliotekën Kombëtare një dhuratë të vyer e që na bën krenarë si shqiptarë: “Mesharin“ e Gjon Buzukut, librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, prandaj, me dashuri, mirënjohje e përzemërsi, i madh e i vogël ju uron shqip e shqiptarisht:
Ardhshi i bardhë e qofshi këmbëmbarë! U bëftë vullnesa e të Madhit Zot dhe misioni, bekimi e fjalët Tuaja shkofshin në drejtimin e duhur, u ngulitshin thellë në mendjet e zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe kjo vizitë e Juaja, qoftë edhe një kthesë tjetër e madhe e popullit të thjeshtë dhe e qeveritarëve tanë drejt pajtimit kombëtar, drejt përparimit e mbrothësisë.
Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar.
Gjovalin Shkurtaj
Tiranë, 18 shtator 2014
No comments:
Post a Comment