nga Gjovalin Shkurtaj
Dola në foltoren e këtij tubimi të nderuar për të thënë vetëm pak fjalë. Pak, sespe nuk pata nge e rast t’i lexoja librat, ata thjesht sapo i mora në dorë dhe, ndërsa parafolësit e nderuar po kumtonin, unë munda vetëm sa “t’i përkëdhel” e t’i shfletoj me ëndje, sepse qysh nga titujt ndjeva joshje e, si të thuash, u përthitha prej tyre dhe, sigurisht, në ditët që vijnë do të ulem me shumë dëshirë t’i lexoj e të thellohem në sa ndejnë këto dy vepra të reja.
Libri “Politika si gramatikë dhe metaforë” më ngacmoi që nga titulli meqë mjeshtëria ime është ajo e gjuhëtarit, me profil më të ngushtë të dialektologjisë dhe sociolinguistikës, disiplina gjithmonë e më të afërta e në marrëdhënie me sociologjinë dhe politologjinë.
Teksa po i shfletoja përkëdheltazi më bëri përshtypje të mirë se autori shkruan bukur, ka akribi e kujdes të dukshëm jo vetëm për “metaforat e gramatikën” nga ana sociologjike, por edhe për gjithçka që lidhet me formësimin ligjërimor e me shprehjen e përmbajtjes që ka marrë të trajtojë. Shohim se atij fjala i rrjedh këndshëm e natyrshëm, atë që i buron nga mendja e përbluan duke e kaluar nga zemra me shkrirje të këndshme të arsyetimeve vetjake me shembujt e prurjet e refermet ditunore aq të shumta e të pikuara me dorë mjeshtri.
Libri “Politika si gramatikë dhe metaforë”, si dhe botime të mëparshme të autorit, kanë rëndësi edhe për sociologjinë e të folurit dhe për etnografinë e komunikimit dhe vura re me ëndje se zoti Tarifa operon me zotësi edhe me idetë e termat e sociolinguisticës, duke iu referuar disa prej emrave më në zë të sociolinguisticës së sotme amerikane e botërore, si Alessandro Duranti, George Lakoff, Mark Johnoson, Dell Hymes, Edward Sapir etj. Emra të tillë janë fort të njohur edhe për mua si sociolinguist dhe, madje, i kam cituar me përfitim edhe në librat e mi “Sociolinguistika” (Toena, 1999), “Etnografi e të folurt të shqipes” ( Kristalina-KH, 2004, Morava, 2010) dhe “Sociolinguistikë e shqipes së sotme” (Morava, 2009, 2013).
Mbi të gjitha me duken me interes sa parashtron prof.Tarifa në librin e tij lidhur me bashkësinë shoqërore dhe grupimet e nëngrupimet brenda saj, si faktorë me rëndësi edhe për shtresëzimet e problematikën e lëvizjeve të sotme gjuhësore e të marrëdhënieve gjuhë standarde-ligjërime të folura në qytetet e mëdha. Me interes shumë të madh për sot e për vitet që vijnë do të jetë bashkëpunimi i gjuhëtarëve, sidomos i sociolinguistëve dhe dialektologëve me sociologët e politologët për të njohur, përshkruar e studiuar plojën e shndërriemve demografike që është kryer gjatë njëzet viteve të fundit në Tiranë e në qytete e tjera të mëdha të Shqipërisë.
Jemi një vend i vogël, por bëhemi edhe më të vegjël, kur “mbyllemi” si në shtëpinë e “Vëllait të Madh” në skutat e ngushta të disiplinave, ndonëse të afërta, pa kaluar përtej “mureve” metaforike tashmë të vjetra e të vjetëruara.
Uroj që librat dhe sidomos idetë dhe disa trajtime shumë interesante të prof.Fatos Tarifës të na vlejnë për t’i zgjeruar kufijtë e trajtimeve sociologjike edhe në një plan më të gjerë sociolinguistik dhe të etnografisë së komunikimit.
Fatos Tarifa është tashmë i mirënjohur si sociolog, si politolog e si diplomat.[i] Kjo na gëzon dhe na krenaron, jo vetëm si miq, po edhe në përgjithësi si shqiptarë. Kemi shumë artistë me famë, të cilët janë të shquar dhe jetojnë e kanë bërë emër të mirë në Evropë e në Botë. Paçim sa më shumë të tillë, por sonte kemi rastin të themi se emra të shquar kemi tashmë edhe në fushën e shkencave. Një prej tyre është, pa asnjë dyshim, edhe Fatos Tarifa, të cilit i urojmë suksese të mëtejshme dhe e përgëzojmë miqësisht e çiltërsisht për dy librat e tij më të rinj, me të cilët e pasurova sot bibliotekën time vetjake.
[i]
Fatos Tarifa është Drejtor i Institutit të Studimeve Sociale dhe të Politikave
në Universitetin Europian të Tiranës nga viti 2008. Ai ka fituar gradat Master
of Arts dhe PhD në sociologji nga Universiteti i Karolinës së Veriut në Chapel
Hill (SHBA), si edhe gradën Doktor në shkencën politike nga Universitetit i
Tiranës. Tarifa ka mbajtur një sërë pozicionesh akademike në disa universitete
perëndimore si: The Institute of Social Studies (Hagë, 1993-1994), The
University of North Carolina (Chapel Hill, 1995-1998), Campbell University
(1996-1998), Webster University (1999-2001) dhe Eastern Michigan University
(2006-2008). Në UET, Tarifa është titullar i një sërë lëndësh në fushën e
sociologjisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare si, “Hyrje në Sociologji”,
“Teoritë sociologjike klasike” dhe “Mendimi sociologjik bashkëkohor” (progami
Bachelor), “Sociologjia politike”, “Gjeopolitika e shekullit XXI” dhe
“Marrëdhëniet transatlantike” (programi Master Shkencor) dhe “Teoritë sociale”
(programi Doktoral). Tarifa është autor i 33 librave (shumë prej të cilëve të
botuar në anglisht jashtë vendit), si Vengeance is Mine (2008), Europe Adrift
on the Wine Dark Sea (2007), Acrimonies of Transition (2007), To Albania, with
Love (2007), Social Problems of Transition (2003), The Balkans: A Mission neither
Accomplished nor Impossible (2002), The Quest for Legitimacy and the Withering
Away of Utopia (2001) etj. Ai është, gjithashtu, autor i më shumë se 50
artikujve studimorë të botuar në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara
si, Social Forces, Policy Review, Studies in Comparative International
Development, Development and Change, Journal of Applied Sociology, Modern Age,
International Review of Education, Societies without Borders, Mediterranean
Quarterly, East European Politics and Societies, Communist and Post-Communist
Studies, Higher Education in Europe, Childhood, etj. Tarifa është themelues (në
vitin 1998) dhe kryeredaktor i revistës ndërkombëtare Sociological Analysis dhe
kryeredaktor i revistës Academe, organi zyrtar i Akademisë Shqiptare të Arteve
dhe Shkencave. Ai është, gjithashtu, anëtar i bordeve editoriale të revistave
ndërkombëtare Journal of Social Sciences (nga viti 1997) dhe Journal of Applied
Social Science (nga viti 2006). Fatos Tarifa është një ndër anëtarët themelues
të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave (2011), anëtar i Shoqatës
Sociologjike Amerikane (nga viti 1992), anëtar i Akademisë së Shkencave
Politike me qendër në Nju Jork (nga viti 1995) dhe i shumë organizatave të
tjera profesionale amerikane e ndërkombëtare.
Ai është fitues i shumë granteve, fellowshipeve, çmimeve dhe medaljeve, përfshirë “The 2011 Distinguished Researcher President’s Prize” (UET), “Award for Outstanding Service” (Eastern Michigan University, 2008); Global Family Advocate Award (2004), “The Hattie Harris Good Spirits Club International Award for Encouragement of World Peace” (2004); Sociology Departmental Award (University of North Carolina at Chapel Hill, 1996), Senior Research Fellowship (Dutch Foreign Ministry, 1993-1994), Fulbright Senior Research Fellowship (1992), Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut të shquar në fushën e mësimdhënies në Universitetin e Tiranës (1987) dhe Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut në fushën e botimeve shkencore (1987). Fatos Tarifa ka qenë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2001-2005).
Ai është fitues i shumë granteve, fellowshipeve, çmimeve dhe medaljeve, përfshirë “The 2011 Distinguished Researcher President’s Prize” (UET), “Award for Outstanding Service” (Eastern Michigan University, 2008); Global Family Advocate Award (2004), “The Hattie Harris Good Spirits Club International Award for Encouragement of World Peace” (2004); Sociology Departmental Award (University of North Carolina at Chapel Hill, 1996), Senior Research Fellowship (Dutch Foreign Ministry, 1993-1994), Fulbright Senior Research Fellowship (1992), Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut të shquar në fushën e mësimdhënies në Universitetin e Tiranës (1987) dhe Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut në fushën e botimeve shkencore (1987). Fatos Tarifa ka qenë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2001-2005).
No comments:
Post a Comment