Sunday, August 2, 2009

Kultura e gjuhës në universitetet shqiptare në epokën e globalizimit: hapje dhe kufij kulturorë të domosdoshëm

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

 


Në përputhje me temën-bosht të Konferencës shkencore te UFO mendoj të kumtoj për temën “Kultura e gjuhës në universitetet shqiptare sot: hapje dhe kufij kultororë të domosdoshëm”, në të cilën do të vihet theksi në disa prej dukurive të përdorimit të shqipes standarde në universitetet shqiptare, duke u ndalur, sidomos, në disa bulëza të asaj që, ndërsa i kishim vënë re qëkur dhe jo pa shqetësim , si prirje, si rrezik potencial, tashmë mesa duket po bëhen më të shpesha se norma dhe, në këto rrethana, po të vazhdojmë të heshtim edhe më tej, do të biem në lojën e strucit. Kam bindjen se proceset e ndikimit të faktorëve shoqërorë në gjuhën e folur i kemi ndjekur fare pak, kryesisht në studimet dialektore, por jo edhe në hapësirat e tjera po aq të vlefshme për t’u njohur e marrë parasysh, kur është fjala për rrjedhat e sotme zhvillimore, qoftë brenda hapësirave mirëfilli shqiptare, po edhe në kahun e shndërrimeve të mëtejshme rruzullimore a globalizuese. Sigurisht, sikundër ka qenë vënë re prej kohësh edhe në gjuhësinë evropiane, duhet të ruhemi nga fetishizimi i gjuhës së shkruar, qoftë edhe i asaj që sot ne po e themi më shpesh “shqipja standarde”. Le të citojmë për këtë, vlerësimin e rëndësishëm të Sharl Balisë, i cili, qysh më 1952, ngulte këmbë me të drejtë se “asnjë përpjekje nuk arrin të ndalojë lëvizjen e pamposhtshme të shtysës jetësore e shoqërore, e cila përcakton zhvillimin (evoluimin) e gjuhës. Idioma (gjuha) vulgare dhe e folur vazhdon marshimin e saj të sigurtë edhe pse duket të jetë nëntokësore (e padukshme); ajo rrjedh si ujët e një lumi nën sipërfaqen e akullin e ngrirë të gjuhës së shkruar e kovencionale, por pastaj, një ditë të bukur me diell akulli shkrin ose thyhet, vala e gjuhës vulgare a popullore del me potere mbi sipërfaqen e palëvizshme të akullit, duke sjellë me vete përsëri jetën e gjallërinë” .

Me fjalë të tjera, zhvillimi i gjuhës nuk ka qenë dhe nuk është proces që varet nga vullneti i arsyeshëm i letrarëve dhe dijetarëve, qoftë edhe i gjuhëtarëve, por është i pavetëdijshëm e kolektiv, që shpesh vjen nga poshtë e ngjitet lart nga turma e gjallë (aktive). Gabimet, të paktën ato që jetojnë gjatë e i rezistojnë qortimit të ashpër nga normativizuesit a gjuhëruajtësit, janë shpesh prirje të thella të gjuhës në përgjithësi ose të një idiome në veçanti; kështu edhe kur i vëmë vetes qëllim për t’i flakur, nuk dihet a do t’ia arrinim po të injoronim burimin a shkakun: nuk mund të shërohet një sëmundje nëse injorohet shkaku. Globalizimi dhe procesi i pagëzuar me foljen: globalizoj, që shqip do të ishte më e kuptueshme: botërorizoj, rruzullimoj a rruzullimëzoj, pa diskutim, përbën sot një shkak shumë të lidhur me emocionet, me ngazëllimin dhe me ndjenjat e njerëzve të veçantë dhe të shtresave të caktuara, përherë e më të mëdha të bashkësive shoqërore kombëtare dhe të mbarë njerëzimit. Dhe, duke e rimarrë një ide të hershme të Sharl Balisë, nuk mund të mos theksojmë se “shumë gabime vijnë nga shkaku i kërkesave për të shprehur emocione”.

Hapja e Shqipërisë dhe e hapësirave të tjera etnike shqiptare ndaj botës dhe, sidomos, ndaj Evropës, shtimi i pakufizuar tashmë i shtegtimit fizik dhe virtual të njerëzve dhe të informacioneve e botimeve, kuptuar kjo: e fjalës së shkruar dhe të folur, e gjuhëve dhe e kulturave të ndryshme në shkallë evropiane e, me kohë, edhe ndërrruzullimore (ndërplanetare), edhe pse i shumëpritur e i mirëseardhur jo vetëm politikisht, po edhe kulturalisht, nuk mund të mos sillte me vete, krejt natyrshëm, edhe trysninë e sistemeve të ndryshme nga ai i shqipes, mbi shqipen e shkruar, po edhe mbi formën e saj të folur.Universitetet, qysh kur janë krijuar e deri në ditët tona, kurdoherë kanë qenë të hapura edhe për prurjet ditunore nga bota, për hir të të cilave, sigurisht, gjithmonë kanë ardhur e do të vijojnë të vijnë edhe fjalë, terma e mënyra të thëni tipike për botën universitare, për leksematikën e profesoratit dhe madje, deri për “zhargonin” e profesoratit dhe të studentëve. Ndikimi dhe, (thënë pa të keq e pa asnjë ironizim) përulja a, në mos tjetër, thyerja para së huajës, sepse ajo vjen nga pushtete më të fuqishme e si gjuhë e atyre që, siç thoshte i madhi dhe i ndjeri prof.Aleks Buda, përbëjnë “shtemëdhenjtë” e botës, ku zotëron gati plotësisht e gjithandej anglishtja dhe ligjërimet e deri këngët e prodhuara në atë gjuhë, sjellin dhe (patjetër) do të vijojnë ta përforcojnë atë trysni e ndikim që shfaqet, si prirje e përgjithshme, madje edhe si objektiv për t’u arritur, duke u paraqitur deri si tregues i mbërritjeve e i shkallës së arsimimit të brezit të ri. Dhe, le ta themi edhe më shkoqur e, siç thonë italianët, “pa qime në gjuhë”: nëse deri para nja dy-tre dhjetëvjeçarësh, kur sapo kishte vringëlluar trysnia e pohimit të anglishtes si gjuhë e parë e ndërkomunikimit në shkallë botërore, përballë gjuhëve të mëdha të Evropës, sidomos të frëngjishtes, gjermanishtes e rusishtes, ithtarë dhe përkrahës të asaj gjuhe ndërrruzullimore mbanin leksione e botonin edhe revista me titullin përpallës “Anglishtja gjuha e botës”, sot caqet kanë shkuar shumë e shumë më përpara. Tani, sipas disa studiuesve të autoritetshëm të sociolinguistikës, rreth 92% e botës e mësojnë anglishten si gjuhë të dytë. Dhe, për të dhënë një shembull konkret nga mjediset tona, një nga “sukseset” (për mua në thonjëza) të ish-Ministrit Pollo, ka qenë pohimi dhe vendimi i Ministrisë së drejtuar prej tij që anglishtes t’i jepet përparësi në formimin e nxënësve të shkollave të mesme shqiptare.

Nuk kam pasur e nuk kam ndonjë kundërshtim me atë politikë, sepse, në thelbin e vet, ideja që shqiptarët të dinë sa më mirë anglishten dhe gjuhët e huaja të Evropës është e mirë, porse mendoj se do të ishte mirë që të dinin edhe gjuhët e fqinjëve, me të cilat realisht sot hanë bukë më shumë se një milion shqiptarë, në Greqi e në Itali, po edhe shumëkund tjetër në vendet e Evropës Perëndimore, por, nuk mund të mos e them sot, sikundër nuk kam mënuar ta theksoj edhe disa herë të tjera, krejt qartë e shkoqur, katërcipërisht shkoqur: nuk më ka pëlqyer (dhe deri sa të marr frymë do të vijoj ta pohoj) se, ndërkaq, nuk i është dhënë kujdesi e vlerësimi që meriton gjuhës shqipe, e cila, faqe anglishtes, le ta themi ashtu si na ka hije edhe në këtë tubim shkencor: ka mbetur si dy thjeshtrat ndaj djalit të njerkës në rrotullën e njohur të Drenicës .

1.Pas kësaj hyrjeje, natyrisht, duhet të vijmë te ajo që na shqetëson sot secilin prej nesh, veç e veç dhe të tërëve së bashku: trysnia sistemore prej gjuhësh të huaja, sidomos prej anglishtes e gjuhëve të tjera që kanë pasur e kanë dallime të mëdha tipologjike dhe strukturore në krahasim me shqipen.
Kjo trysni ka qenë dhe vijon të jetë e fortë në botimet universitare, në librat originalë dhe sidomos në përkthimet, si dhenë ligjërimin e folur të pedagogëve e të asistentëve, pastaj edhe të studentëve. Shqipja, ashtu si gjuhët e mëdha e të vjetra, greqishtja e vjetër e latinishtja, ndonëse tashmë të vdekura, ashtu si gjermanishtja e disa gjuhë të tjera, në një farë mase edhe si rusishtja, ka eptim shumë të zhvilluar, ka shquarësinë dhe pashquarësinë e emrave, si dhe lakimin e tyre sipas të dyja këtyre trajtave. Këtë diferncim a dallim themelor ndërmjet shqipes dhe, p.sh. anglishtes, e dinë mirë dhe (në mos e ditshin teorikisht siç e dinë gjuhëtarët) e ndiejnë thellë të gjithë shqiptarët e brezit të vjetër e të mesëm, si dhe ata prej të rinjve që e kanë tërrënjosur sadopak ndiesinë e të qenit shqiptarë dhe të të folurit shqiptarisht. Ndërkaq, nuk mund të mos e vëmë re se, tashmë, ka edhe një kategori pedagogësh, kryesisht të rinj, por jo vetëm, që, duke qenë nën trysninë dhe modelin e gjuhëve të huaja, posaçërisht të anglishtes, kanë filluar të mos e ndiejnë (ose ta ndiejnë gjithmonë e më pak) se shqip duhet p.sh. Tiranë, 2009 (dhe jo Tirana 2009), vizita e Bush-it (dhe jo vizita e Bush), njësoj siç thuhet normalisht: vizita e Berishës (dhe jo vizita e Berisha), vizita e Thaçit (dhe jo vizita e Thaçi). Cilido që është shqiptar dhe i thotë bukës bukë e ujit ujë dhe që shqipen e ka gjuhë të nënës dhe jo të nxënë nga librat e nga larg si gjuhë të huaj, kur dëgjon (ose sheh të shkruar) togfjalësha si: vdekja e Arafat, faturat e KESH, vizita e Rise etj. i vjen për të vjellë me atë lloj shqipeje, jo sipas natyrës së saj, por të shartuar, sipas modelimit që lind si hibrid nën trysninë e anglishtes dhe të zellit për të qenë sa më “modernë” dhe, pa asnjë dyshim, sot “moderniteti” gjithandej shprehet duke dëshmuar njohjen e anglishtes. Gëzimi i shqiptarëve kur mbarojnë “Kafazi i artë” dhe “Big Bradher-i” është shumë i madh, sepse na bien veshët rehat nga shumë marrëzira e palavina, po edhe se shpëtojmë, së paku për një kohë, nga “refreni” i çmendur që përsëritet neveritshëm: shtëpia e Big Bradher. Nuk po guxojmë të themi se, me siguri, atë fjalë mund ta kishim mënjanuar krejtësisht, duke e thënë shqip ”Vëllai i madh”, sikundër e kanë thënë prej shumë vitesh italianët në atë lloj shfaqjeje (Grande Fratello), sepse do të na vinin “etiketimin” si anakronistë, ndoshta edhe si anglofobë a Zoti e di se çfarë, por, po mjaftohemi me atë që përbën “plasje të digës” në strukturën gramatikore të shqipes. Një fjalë, po edhe njëqind a njëmijë fjalë të huaja, nuk e prishin dot gjuhën, ato sikundër vërshojnë, edhe mund të zbythen, po të tregohet kujdes e po të zbatohet një politikë kulturore e mirë, kurse moszbatimi i rregullave eptimore, mosrespektimi i lakimit të emrave, qofshin të përgjithshëm,qofshin të përveçëm, duke zbatuar dallimin e shquarësisë dhe të pashquarësisë së emrave, përfshirë edhe shquarësinë formale të emrave të përveçëm shqiparë dhe të huazuar a të huaj, që sjell edhe moslakimin e tyre, përbën goditje të rëndë në strukturën gramatikore të shqipes. Jo më kot, kam bërë krahasimin me plasjen e digave dhe, jo vetëm inxhineierët po edhe njerëzit e thjeshtë, e dinë se çfarë shkaktojnë plasaritjet sado të lehta të digës në ujëmbledhësit gjigandë: prej tyre vjen pashmangshëm shembja. Për një plasaritje të tillë, madje edhe më të lehtë, shkrimtari Skifter Këlliçi, që nga Amerika e largët ku ka emigruar, i zemëruar ndaj atyre që, në dëm të natyrës së shqipes, të ndikuar nga italishtja, përdornin forma të së kryerës në vend të së kryerës së thjeshtë, shkroi kohë më parë artikullin kriktikues me titull “Atentat kundër së kryerës së thjeshtë”. Po ta vijonim metaforën e atij shkrimtari e komentatori fjalëbukur, mund të thoshim se, “atentatet” ndaj strukturës gramatikore të shqipes vazhdojnë dhe, për fat të keq, disa prej tyre po marrin përmasa gjuhëprishëse dhe gjuhëshëmtuese, sikundër është, ndër të tjera, përdorimi i tepruar dhe i panevojshëm i një-së në togfjalëshat që përmbajnë edhe përcaktorin përkatës, si: dha një ndihmesë të madhe (në vend të: ndihmesë të madhe) dhe, mbi të gjitha mosrespektimi i normës së shquarësisë dhe të pashquarësisë së emrave. Për fat të keq, ky lloj gabimesh po del gjithmonë e më shpesh edhe në botimet universitare, në libra e studime monografike, në leksione dhe në seminaret me shklrim.
Për këtë dukurinë e fundit, siç do ta thekesojmë e faktojmë edhe më poshtë, “atentatorët” më të shumtë sot për sot, janë në radhët e folësve dhe paraqitësve të programeve të RTV-ve shqiptare të Tiranës. Kam formuar përshtypjes se shumë prej folëseve të radiove dhe televizioneve tona, kaq shumë janë dhënë e dashuruar me të folurit sipas “gjedhes” anglicizuese, saqë duket sikur, çdo mëngjes në vend të kafes pinë ndonjë “elizir” shpërshqiptarizues dhe dukshëm “anglo-italianodëshmues”. Kjo situatë, le ta ritheksojmë, nuk vjen nga “padija”, por nga ajo që e përmendëm, nga dëshira e papaërmbajtur për t’u dukur “ndryshe” dhe pikërisht të qenët ndryshe, qoftë edhe pse gabim dhe kundër natyrës së shqipes, përbën bazën e atij emocioni shprehës. Në këtë pikë, sigurisht, nuk mbeten aspak mbrapa politikanët dhe shtetarët tanë, shumë prej të cilëve, sa herë flasin e japin intervista, e kanë bërë zakon që, përpos anglicizmave tashmë të përfolura e të mërzitshme, shfaqin bujshëm edhe vesin e të folurit me “poza” angloamerikanodëshmuese, siç është, të folurit me (aaa), që disa gjuhëtarë e kanë stigmatizuar si “të folur me të pëllitur”, si për të treguar se sa shumë i pengon të flasin shqip anglishtja e tyre. (Dhe, neve më të vjetërve, sigurisht, na vjen në mendje dialogu grotesk e fallcitetdëshmues i Ollgës te “Karanavalet e Korçës”, që ankohej se të bijën injorante, Afrovitin, ia pengon ta flasë frëngjishten “kjo e flamosur shqipe”.

2. Luhatje të normës: procese të dysorësisë dhe të paqëndrueshmërisë së disa trajtave drejtshkrimore, drejtshqiptimore dhe gramatikore.
Kush ka sy të shikojë, sa herë lexojmë shtypin, revistat dhe shumë prej botimeve, sidomos përkthimet e letërsisë artistike dhe të filmave, e sheh se disa trajta të shpallura si normative, tashmë janë zbehur ose mëjnanuar gati plotësisht; po ashtu, kush ka veshë dhe dëgjon radiot, televizionet dhe të folurit në tubime masive, jo vetëm nga politikanë e shtetarë në raste fushatash, po edhe nga paraqitës programesh, analistë etj., nuk mund të mos i bjerë në vesh, gjithashtu, fakti se shumë nga dukuritë jonormative, pavarësisht nga kritikat e vërejtjet e bëra nga gjuhëtarët, po lëshojnë rrënjë e po klyzohen duke mos mbetur më vend për asnjë mëdyshje: duhet ta pranojmë se disa trajta të normës drejtshkrimore e drejtshqiptimore, si dhe jo pak të tjera nga morfologjia emërore e foljore, natyrisht edhe shumë leksema e mënyra të thëni a frazeologjizma, kanë dhënë shenja se po zbythen nga trysnia e dendurisë së dysorëve jonaomativë që nden përdorimi në vend të tyre.Thashë në vend të tyre (e jo krahas tyre), sepse tashmë disa trajta normative, si p.sh. vajzës sime, nënës sime, motrës sonë, shoqes sonë; shtëpisë suaj, kohës suaj etj. folësit dhe shkruesit e brezit të ri u shmangen si djadhi temianit. Po atë rrugë po ndjekin edhe forma normative foljore të tipit shkrova, që gati është përmbytur nga dysorët jonormativë kryesisht dialektorë: shkrojta, shkruajta, madje edhe shkruva (!?); thosha (thoshe, thoshte, thoshim, thoshit, thoshin), po bjerrin truall ditë për ditë në të mirë të formave dysore, kryesisht nga toskërishtja: thoja ose thonja (thoje, thonte, thonim, thonit, thonin), të cilat ndihmohen fuqishëm nga analogjia me format normative të foljeve të tjera me-oj (punoja, punoje, punonte…). Më kot e kemi shpotitur dhe vijojmë ta qesëndisim njërin nga ish-kryetarët tanë të shtetit, i cili e kishte zakon të thoshte oreçast: “unë do të thonja”. Në mos fitoftë ajo formë, që sidoqoftë është jo vetëm dukshëm hipertoske, po edhe qartazi e shtresës së vjetëruar, me siguri nuk ka për t’u zbrapsur forma me -ja (thoja). Nga leximet e bëra enkas për këtë kumtesë këto kohët e fundit, na del se forma thoja, jo vetëm mbizotëron ndaj formës normative (thosha), po edhe ka prirje të zotërojë gjithandej në letërsinë e përkthyer që botohet, si dhe në shtyllat zanore të filmave artistikë e dokumentarë që jepen me folës ose me të shkruar (subtitrim).

Po, le të ndjekim sistemet përkatëse e të ndalemi në disa prej shenjave që, sipas nesh, janë me prirje më të dukshme kundër normës së sotme:

2.1.Në fushën e drejtshqiptimit, natyrisht, përveç shqiptimit e leximit në mënyrë gati analfabete, që mjafton të dëgjojmë pasqyrën e shtypit te “News 24” për t’u bindur sa keq kemi punuar me përgatitjen drejtshqiptimore në shkollat e larta, ku janë diplomuar shumica e gazetarëve dhe folësve të mediave të sotme, ndeshim edhe prirje të dëmshme, që, ndoshta, po të veprojmë me ngut e forcë, mund t’ua presim turrin. Nga më të shëmtuarat, por edhe nga më të mundshmet për t’u përgjithësuar, është prirja veskeqe për të shqiptuar shkronjat e alfabetit të shqipes sipas mënyrës së gjuhëve të huaja, sidomos duke imituar spellingun e anglishtes dhe të italishtes. Ka një jetë që shqiptarët ishin mësuar të thoshin FBI-ja, njësoj si KKB-ja, OKB-ja, SMT-ja etj., mirëpo folëset dhe folësit e disa prej mediave të sotme elektronike (radio, televizione dhe reklama) kanë filluar t’i “modernizojnë” këto shqiptime dhe, shpesh e më shpesh, po dëgjojmë të shqiptohen: eFBiaI, XhiDiPi, BiBiSi dhe, sidomos, e urryera CiVi.
Përgjithësisht, mesa duket, shkurtesat në shqipen dhe shkurtesa të marra ashtu siç janë në praktikën ndërkombëtare, ndejnë një situatë dyjarësie a dysorësie, si p.sh.KFOR (dhe KeiFor), ndaj së cilës, na duhet të ndihmojmë me anësimin tonë nga format tradicionale shqiptare dhe jo nga shqiptimi i huaj. Gjej rastin të theksoj, me këtë rast, përvojën gati përgjithësisht të lëvdueshme të mediave të shkrura e të folura të Kosovës, ku shkruhet rregullisht me trajtën e shquar sikundër këshillon norma drejtshkrimore: AAK-ja, e OKB-së, OKB-në, UNMIK-ut etj .
Me shqetësimin dhe kujdesin e nevojshëm duhen parë edhe termat e elektronikës dhe përgjithësisht të teknikës moderne që huazohen nga anglishtja. Fjalë si dixhital, dixhitalizoj , monitor, monitoroj etj. me siguri do të ndikojnë dhe do të nxjerrin probleme edhe për drejtshkrimin e normën morfologjike të shqipes. P.sh. tashmë po duket sheshit se, ata që thonë miush e mi për mausin janë betejëhumbur. Po ashtu edhe ata që thonë ruaj a kursej janë shumë më pak se ata që thonë seivoj, sikundër janë më të shumtë ata që thonë printoj e jo shtyp, printim e jo shtypje. (Anipse, në gjuhë të mëdha, si p.sh. në italishten, për ato fjalë përdoren gjerësisht fjalët ekzistuese, përkat. stampare “shtyp”, stampato “shtypur” etj.). Po, duke vijuar më këtë kategori fjalësh, le të marrim si të mirëqenë hyrjen e tyre dhe të mbetemi në fushën drejtshkrimore: si do të veprohet me fjalët e tilla si: file, live, line, mobil etj.? Gjithandej, këto fjalë dhe të tilla, po shkruhen si në anglisht prej nga janë marrë, mirëpo ato, ndërsa shihet se nuk kemi asnjë mundësi për t’i mënjanuar, na shtrojnë edhe problemin e madh të shqiptimit: pra, si do t’i shqiptojmë pas hyrjes në shqipen?

Ashtu si shkruhen- do të ishte përgjigjja e duhur, mirëpo kjo do të dukej shumë e parapmbetur, krejt e vjetëruar dhe aspak “moderne” për ata që i sollën dhe që, natyrisht, i mbajnë gjallë, në gojën e të cilëve shqiptimi është tashmë gjithandej sipas anglishtes (përkat. fail,-i a faill,-i, sh. faile-t a faille-t; lajf a llajf a llajv, si p.sh. muzikë lajf, këndon lajf; llajn o lajn si p.sh. Albania Online. Kemi pasur shumë fjalë të huazuara që përmbajnë rrënjën mikro- ( mikroskop, mikrob, mikrobiologji etj.), tashti kemi edhe Mikrosoftin, që shumëkush po e shqipton edhe Majkrofoft (?!). Amerikanët e shkruajnë Mikel dhe e lexojnë Majkëll, Marie dhe e lexojnë Maraja, Rice dhe e lexojnë Rajs; Jastin dhe e lexojnë Xhastin. Tashti, madje, edhe reklamat për telefoninë e lëvizshme a celulare po bëhen duke e “modernizuar” shqiptimin e fjalës mobil (Egëll Mobajll, Digitalb-Mobaile). Kushedi, mbase së afërmi do të fillojmë të themi edhe automobajll (?!) për të shkretin automobil dhe kështu me radhë. Kjo gjendje, sigurisht, nuk mund të mos na shqetësojë, kur dihet se kemi pasur në përdorim prej kohësh edhe aq fjalë që përmbajnë rrënjën e mësipërme, si automobil, mobilizohem, mobilizim, i mobilizuar; mobilje e mobiloj e mobilim.

2.2.Prirja për ta shqiptuar u-në e huazimeve si në angloamerikanishten.
Gjithmonë e më dendur në vend të klub në radiotelevizionet tona, po edhe përtej tyre, ka bulëzuar prirja për ta shqiptuar jo sipas traditës shqiptare, por sipas anglishtes dhe kemi: kllëb (p.sh. vodafon kllëb) dhe një farë radioje që shqip do të ishte Klubi FM na e “servirin” të modernizuar në Kllëb eFeM. Po të vazhdojë kjo “stuhi” anglofile, nuk do të jetë e largët dita kur, edhe Klubin e Selanikut do të na duhet ta shqiptojmë të “modernizuar”në Kllëbi i Selanikut, ndërsa për fjalën Republikë e republikan, me siguri, duke ecur pas shqiptimit te PUB > Pab, do t’u duhet shqiptarëve të thonë edhe Repablika, Partia Repablikane etj. dhe, pa dyshim, edhe mobaillizim e mobajllizohem.

Zoti na ruajtë! Por, plakat e mençura të Mbishkodrës sime, thoshin me të drejtë: Ruaju ti fort, që edhe Zoti të bëjë punën e vet. Ne, fatkeqësisht nuk po dimë (po mbi të gjitha nuk po duam) të ruhemi fare nga e huaja. Anomia sociale ose (thënë më hapur) mallkimi me zhdukje e tjetërsim, më shumë se në asnjë vend tjetër të Evropës është shfaqur e po vijon të zbatohet në trojet tona.

2.3. Një problem grafik jo pa rëndësi, që vjen nga prurjet e reja, është edhe shtimi i fjalëve dhe emrave të huaj, kryesisht anglo-amerikanë që përmbajnë shkronjën w apo sikundër po e shqiptojnë modernët “dabëll ju”. Kohëve të fundit, nga ndikimi përherë e më i fuqishëm i gjuhëve të huaja, kanë hyrë e po zënë vend në shqipen edhe disa fjalë, kryesisht emra të përveçëm, po edhe fjalë të artit e të politikës, që shkruhen si në gjuhët huazuese (Show, Show-Biz, News, News-24, Euro-News). Kemi shtënë në përdorim kompjuterin dhe aty, ndër të tjera, kemi edhe programet e tilla, kryesore, si Word, Word-Perfckt, Window etj. Pyetja që shtrohet është edhe këtu: si do të shkruhen fjalë të tilla?

Mesa shihet, shtimi i fjalëve dhe emrave të huaj të tillë po sjell edhe domosdoshmërinë e përfilljes së shkronjës /w/ në shqipen. Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke u nisur nga situata e kohës kur me atë shkronjë dilnin vetëm disa emra personalitetesh të shkencës e të letrave, si Wat, Wiliam, Wilson etj. kishte parashikuar që në shqipen emra të tillë të jepen ose me U (p.sh.Uljam, Nju Jork, Uilson) .

Prirja është e dukshme dhe anon nga forma huaj. Edhe ndaj kësaj dukurie normativistët nuk mund të vijojnë më tej me “lojën e strucit”. Prurjet gjithmonë në shtim të fjalëve të tilla dhe përdorimi i gjerë që kanë disa prej tyre në mediat e sotme, natyrisht, nuk mund të kalohen vetëm me qesendisje a shpotitje ironizuese. Ditë për ditë dëgjojmë të jepen reklamat duke shënuar edhe adresën e faqeve të internetit, të cilat, duam apo nuk duam, fillojnë patjetër me tri dopio-v njërën pas tjeterës. Edhe këtu, sigurisht, mund të kishim zgjidhje të ndryshme, duke përfituar edhe nga sa kanë bërë fqinjët tanë, p.sh. italianët, e shkruajnë w si në gjuhën dhënëse, por e shqiptojnë sipas traditës italiane: vu-vu-vu, prej nga edhe ne mund të merrnim gjedhen positive të thoshim vë-vë, vë-vë, vë-vë, porse ka edhe asish që e thonë Dabëll, si p.sh. kur i referohen Bushit: Georges W.Bush (shqiptohet Xhorxh Dabëll Bush).

3. Prirja veskeqe dhe të dëmshme për të folur sido. Shumëçka e pamirë, jo vetëm në drejtshqiptim e në drejtshkrim, po edhe përgjithësisht në qëndrimin ndaj shqipes standarde, këto vitet e fundit, ka qenë e lidhur me një farë mode a sjelljeje “moderniste” që, nga ana e jashtme, shfaqet në prirjen e shumë vetave, sidomos të artistëve e gazetarëve për t’u veshur “pa protokoll” në mjedise publike, qoftë edhe në emisione televizive, në shfaqje etj., që sigurisht ka edhe të mirën e vet, porse ajo ka sjellë me vete edhe prirjen veskeqe dhe të dëmshme për të folur sido. Le të kuptohemi: nuk po them se medoemos të gjithë sa janë folës, gazetarë e parqitës programesh duhet të jenë gjithmonë të veshur “me xhaketë e kollare”. Vetëm kjo nuk na shpëton, sepse të gjithë e kemi parë se, p.sh., në Kuvendin e Shqipërisë, shumë prej atyre që shkojnë atje të veshur“me protokoll”, me kostume të shtrenjta e “firmato”, kur flasin dëshmojnë se cili është nivlei i yre dhe nuk kursejnë as sharjet me nënë, me motër e deri me kunatë. Ka pasur dhe (për fat të keq) vijon të ketë ende raste që, ndër ne, shtetarë e politikanë flasin enkas në gjuhë të trashë, aq sa, dukshëm, shfaqen si përfaqësues të rrugës dhe jo të ligjërimit normal, qoftë edhe dialektor, të qyteteve që gjoja përfaqësojnë. Po jap shembuj pa përmendur personazhin, por janë të vetëmjaftueshëm dhe të gjithëve do t’ju kujtohet edhe kush i thotë ashtu: llakabond, pulatik, merrnie për zhelesh etj. Po të ishte gjallë i ndjeri Atë Anton Harapi, me të drejtë do ta thoshte me gojën plot ankesën e tij të njohur: ”na mbuloi horlleku”.
Por, dëshirojmë të ndalemi e të tërheqim vëmendjen e mediave, sidomos të atyre që i drejtojnë ato, të kenë më shumë kujdes për të shmangur vulgarizmat e fjalët e ndyra, të cilat prodhojnë atë lloj të qeshuri që vetëm humor nuk mund të quhet. (Po lejohem të kujtoj, ndër të tjera, kritikën e rreptë dhe të pamëshirshme që i kam bërë disa vjet më parë emsionit të RTSh-së “Mini-Mini SHOW” dhe, disa herë radhazi, “pornoligjërimeve” të disa mediave e shfaqjeve të humorit).Në librin tim “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”, kam trajtuar gjerë dhe besoj ta kem përthekuar mjaft qartë idenë se “liria e shypit nuk do të thotë aspak liri për gojështhurje”. (f.40-46) 4. Në të njëjtin grup e për të njëjtat arsye, që shprehin edhe përuljen ndaj së huajës, dalin edhe prirjet kundërnormative të të shkruarit të emrave vetjakë të huaj (dhe të onomastikës së huaj) si në origjinalin nga mirren e jo sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes. Për këtë dukuri, ndërkaq, mendoj se është shkruar e folur gjerë, çfarë kam pasur për të thënë e kam shkruar edhe në artikuj edhe në faqet e librave të mi .Po citoj vetëm një vlerësim të përkthyesit e njohësit të pashoq të shqipes, Robert Shvarcit të ndjerë, i cili jo shumë kohë para se të ndahej së gjallësh, pikërisht në një artikull të botuar edhe te “Gjuha jonë”, duke kritikuar rreptë gabimin trashaman të atyre që i përdorin në trajtë të pashquar emrat e përveçëm të huaj si dhe shkurtesat, thotë: ”…kësaj i thonë të luash mnga mendt e kokës!”.

5.Me shqetësim të madh e shikoj edhe shtimin e papërligjshëm të një-së jo shquese, për të cilën, gjithashtu, jam shprehur edhe disa herë të tjera . Po ritheksoj se aty ndikimi i gjuhëve të huaja, sidomos i atyre gjuhëve që nuk e kanë kategorinë gramatikore të shquarësisë e të pashquarësisë është dëmprurës dhe mund të shkaktojë gërryerjen e plasjen e strukturës së shqipes.

6.Nga fusha e morfologjisë, përveç sa shprehëm lidhur me formën e së kryerës së thjeshtë të them, shkruaj, mendoj se duhet të ndalemi edhe te format e së kryerëss ë thjeshtë të foljeve lyej, ngjyej, çlyej, shqyej, gërryej. Format e cilësuara në gramatika si normative (leva, ngjeva, çleva, shqeva, gërreva), sot kanë ngjyresë të vjetëruar dhe, pjesa më e madhe e njerëzve, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, anojnë kryesisht nga format dysore, sot për sot të cilësuara si jonormative (përkat. lyejta, ngjyejta, çlyejta ose òlyva, shqyejta, gërryejta).

7. Nga fusha e etnografisë së të folurit, gjithashtu, si prirje të rrezikshme dhe të atillë që e shëmton shumë shqipen, po edhe bie në kundërshtim të plotë me tradtën shqiptare, është të folurit duke përmendur vend e pa vend emrin e vet. Kemi të bëjmë aty me një ndikim të politikës dhe të snobizmit të disa politikanëve, sigurisht edhe të jo pak gazetarëve që u shkojnë pas “avazit’, që kujtojnë se duke folur në vetën e tretë e duke cituar vetveten, do të bëhen më “tërheqës”. Bota e qytetëruar i largohet asaj praktike, duke shtënë në punë sidomos format “maestatis”, si p.sh. ne (fr. Nous, rus. Mëi, it. Noi) në vend të unë dhe sidomos në vend të emrit të përveçëm të atij që pyetet ose që flet.
Pra, në praktikën shqiptare, janë për t’u kritikuar, së pari, gazetarët që i formulojnë pyetjet gabim dhe, në vend të : Si mendoni ju, zoti X, thonë për së mbrapshti: Çfarë mendon për këtë F. N. (ose S.B) dhe, prej kësaj pyetjeje, si për inerci, edhe përgjigjja do të shkojë po ashtu mbrapsht: F.N. mendon (në vend të ne mendojmë); S.B. do të realizojë…(në vend të ne do të realizojmë).
Edhe këtë formë, që është pa dyshim, nga më të pabukurat e më të paparanueshmet në etnografinë e të folurit të shqipes, sikundër e dinë ata që i ndjekin sa shkruajmë, e kemi kritikuar ashpër, madje edhe jo pa guxim se mund të zemëroheshin “zeusat” .

Së fundi, në mbyllje të kësaj kumtese, nuk mund të lëmë pa përfshirë edhe shqetësimin e ligjshëm që vjen nga zgjerimi i gjeografisë letrare të shqipes apo, me fjalë të tjera, nga zbatimi i shqipes në shkrimtarinë e diasporës dhe të diasporës së diasporës.
Zgjerimi i gjeografisë letrare në hapësira tashmë mbarërruzullimore, përderisa sot shqiptarë dhe gjuhë shqipe ka në krejt rruzullin apo në mbarë botën, duhet parë si gurrë pasurimi e jo si “shprishje” e shqipes. Sot në qytete të Evropës, të Amerikës , të Australisë etj. ka shqiptarë që jo vetëm e flasin shqipen, por edhe shkruajnë e botojnë artikuj, libra e revista a gazeta në gjuhën shqipe. Shkrimtaria dhe fjala e tyre nuk është “voce in deserto”, por prodhimtari që mëton të pasurojë rrjedhat dhe hapësirat e shqipes e të kulturës shqiptare, prandaj edhe duhet t’i përfillim e t’i vlerësojmë më shumë.Mbi të gjitha, është e nevojshme t’i njohim e t’ua bëjmë të njohur shkollarëve, studiuesve dhe më gjerë njerëzve tanë. E kam fjalën, sidomos, për figura të tilla si përkthyesi Stavri Dajo në Selanik (Greqi), poeti Nokë Sinishtaj në Lucernë (Zvicër), Luigj Çekaj e Gjek Marina në SHBA etj., vargu i të cilëve do të shkonte shumë i gjatë po t’i përmendnim të gjithë.