Sunday, August 2, 2009

Gjuha shqipe dhe mendësia shqiptare në Ballkanin shumetnik e shumëgjuhës

nga Prof. Gjovalin Shkurtaj

1. Së pari, do të trajtojmë në vija të përgjithshme disa probleme themelore lidhur me shtrirjen, gjendjen dhe statusin e gjuhës shqipe në trojet kompakte ballkanike dhe në diasporën arbëreshe e shqiptare, duke mëtuar të bëhet një shtjellim sa më objektiv dhe në dritën e sociolinguistikës moderne. Do të prekim huazimet, ndërkalimet dhe situatat dy- dhe shumëgjuhëse, pa u ndikuar nga asnjë mllef a ngjyresë e rastit, por duke synuar që të japim një ndihmesë modeste për t' i zhdavaritur e kthjelluar sa më mirë gjërat në pikëpamje shkencore, në mënyrë që ashtu (dhe vetëm ashtu) të mund të dilet jashtë kuadrit të ngushtë e veskeq të politikave nacionaliste e shoviniste që janë zbatuar e, mjerisht, vijojnë të mbahen gjallë edhe sot e gjithë ditën në Ballkan nga politikanët e që shkojnë, për fat të keq, krejt kundër rrjedhave përbashkuese e integruese të bashkësive të ndryshme plurietnike e plurinacionale të shumicës së shteteve ballkanike. Nyja apo çështja-bosht e kumtesës sonë do të jetë: ndeshja, përzierja e kodeve (codsmixting) dhe prishja e kodeve (codswiching) në mjediset shqiptare dhe arbëreshe ku shqipja është gjuhë në kontakt me gjuhët e popujve fqinjë të Ballkanit.

1.1.Bashkësitë gjuhësore, sado të pastra dhe unitare që të duken, shpesh janë dy- ose shumëgjuhëse. P. sh., shqiptarët janë një popull i Ballkanit që flasin një gjuhë të veçantë, pa lidhje birërie (filiacioni) me asnjërën nga gjuhët e popujve fqinjë. Mjafton të kujtojmë se në drurin gjenealogjik të August Shlajherit shqipja vihet në mes të latinishtes e të greqishtes, porse pa lidhje birërie më asnjërën prej tyre. Ndërkaq, siç ka theksuar dijetari ynë i madh, prof. E. Çabej, vendi që zuri ndër shekuj populli shqiptar në brigjet e Adriatikut e të Jonit, (pranë grekëve, romakëve dhe, pas dyndjeve sllave, pranë popujve sllavofonë, si : serbët e malazezët në Veri e në Verilindje, maqedonët në Lindje), do të përcaktonte edhe fatet historike të gjuhës e të kulturës së tij. Shqiptarët, si fqinjë me grekët qysh në periudhën parahistorike, do të merrnin e jepnin me njëri-tjetrin dhe, natyrisht, do të shkëmbenin edhe gjuhësisht si shefitarë. Nga të dy anët, ku më shumë e ku më pak, do të depërtohej përtej pyetjes "ç'do të thotë" apo "ç'është kjo"? Kështu edhe fqinjët sllavë që zbritën në Ballkan shumë shekuj pas iliro-shqiptarëve. Grupe pak a shumë masive barinjsh shtegtarë nga Vllahia e moçme do të gjenin kullota e vendbanime të përkohshme nëpër fushat bregdetare të Shqipërisë e, më vonë, prej tyre do të krijoheshin edhe disa enklava arumune. Këta njerëz flisnin një tjetër gjuhë dhe, natyrisht, për të komunikuar me shqiptarët kishin nevojë edhe ata të merreshin vesh, të kuptoheshin e të kuptonin.

Kjo kërkesë u ka dalë shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre ndër shekuj, sidomos në kohë dyndjesh të pushtuesve të huaj, të ardhur nga vise fqinje, si, p.sh., romakët, që e mbajtën Ilirinë nën sundimin e tyre për shumë shekuj, apo të ardhur nga larg, si osmanët, hordhitë zaptuese të të cilëve u dyndën që nga Anadolli dhe e mbajtën nën pushtim për rreth pesë shekuj.

Krijimi i shteteve të mëdha ballkanike do të shkaktonte mospërkime të shumta midis kufijve etnikë e gjuhësorë dhe atyre politikë të shqiptarëve, në mënyrë që, një pjesë e madhe e trojeve dhe e popullsisë shqiptare të mbeteshin në shtetet e huaja fqinje, si në ish- Jugosllavi : Kosova, trevat shqiptare të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Serbisë dhe të Serbisë Jugore; në Greqi: gjithë Çamëria, dmth. trevat shqiptare që nga Konispoli e deri në Prevezë. Ndërkaq, brenda kufijve politikë të shtetit shqiptar, do të mbetej edhe një element joshqiptar, me gjuhë dhe tradita joshqiptare, i ardhur kryesisht në formë diaspore, si minoriteti grek në Dropull e në disa vise të tjera të skajit jugor, pastaj minoriteti maqedonas në anët e Prespës e të Gollobordës, si dhe një mikrominoritet malazez në ndonjë fshat të Mbishkodrës (Vrakë e Kamicë) etj. Porse, shqiptarë dhe gjuhë shqipe, në rrjedhë të shekujve, janë shpërngulur edhe në shumë vise fqinje apo të largëta. Mund të thuhet se historikisht Evropa Juglindore është hapësira e natyrshme e shqiptarëve. Shqipëria e sotme, Kosova dhe zonat përreth në Serbinë Jugore, në Mal të Zi, në Maqedoninë Perëndimore, Çamëria dhe pjesët përreth në Greqinë Veriore, përbëjnë truallin etnik shqiptar. Brigjet e Adriatikut Verior, zonat rreth Selanikut, Stambolli dhe hapësirat përreth, pjesë rreth Detit të Zi, qytete të Rumanisë dhe të Bullgarisë, Athina përbëjnë hapësirën e mërgimeve të vazhdueshme ekonomike e të tjera, të qendrave ku ruhet e kaluara dhe lidhje të shumta me të sotmen. Për më tepër ato, siç shkruan akademiku kosovar Rexhep Ismajli, janë edhe qendra të veprimit intensiv kulturor e politik të shqiptarëve, shpesh drejtpërsëdrejti emancipues, për rrjedhat në truallin etnik. Jugosllavia me qendrat e saj, si : Beogradi, Sarajeva, Lubjana etj. , në këta shtatëdhjetë vjetët e fundit, paraqet poashtu një hapësirë të mërgimit ekonomik, por edhe të veprimit kulturor. Në disa prej këtyre viseve, si në Zarë, në Turqi, në Greqi, në Bullgari, në Rumani shqiptarët kanë diasporat historike me të cilat mbajnë lidhje të shumanshme, herë më të zëshme e herë të heshtura fare. Me një fjalë, ndryshe nga hapësirat e tjera të Evropës Perëndimore, ku shqiptarët shtrihen vazhdimisht si një mërgatë ekonomike e politike, nga hapësirat e botës arabe me diasporë historike, hapësira e Evropës Juglindore është gjithnjë aty shumë e gjallë, pavarësisht nga ndarjet me kufij më pak a më shumë të pakapërcyeshëm.

Nëse duam të bëjmë një klasifikim në frymën e dijetarit frëng M. Ruks, do të mund të thoshim se : Shqipëria dhe trojet shqiptare në ish-Jugosllavi bashkë me Çamërinë do të përbënin hapësirën e Evropës Juglindore të identitetit shqiptar. Atika, Peleponezi, ujdhesat greke, Turqia Evropiane dhe Anadolli, Zara, vise dhe qytete të Rumanisë e të Bullgarisë- hapësirën e diasporës historike dhe të mërgimit të pashkëputur ekonomik të shqiptarëve, posaçërisht të intensifikuar në kohën tonë. Këto hapësira, sipas R. Ismajlit, karakterizohen sot nga dy procese të papajtueshme me njëri-tjetrin: nga njëra anë, shprishja dhe rreziku i shpërbërjes së vazhdueshme të truallit etnik, që nxitet enkas edhe nga shtetet hegjemoniste aktuale, nga ana tjetër, këto hapësira mund të luajnë dhe po luajnë një rol pozitiv në dinamizimin e jetës e të rrjedhave kulturore shqiptare në përgjithësi, sepse ato po bëhen qendra të veprimeve të ndaluara nga shteti në truallin etnik, po edhe për shkak se po sjellin përvoja të reja. (Le të përmendim, ndër të tjera, rolin e mërgimtarëve kosovarë për mbajtjen e transmetimit të emisioneve të televizionit shqiptar me satelit, sponsorizimet e shfaqjeve artistike të grupeve nga Shqipëria e nga Kosova etj. dhe, së fundi, por më së forti, përkrahjen e zjarrtë dhe aq dobiprurëse të UÇK-së dhe për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar në të mirë të çështjes së Kosovës).

Në situatën e njërës nga ndarjet më absurde të truallit dhe të kulturës e të hapësirës etnike që njeh bota e sotme, vështrimi i shqiptarëve, i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në kontekstin e Evropës Juglindore, siguron mundësinë e vështrimit integral dhe patjetër më thelbësor të kulturës shqiptare. Në këtë klasifikim, megjithatë, mbetet diçka jashtë: mbeten mërgimet shqiptare në Perëndim (në Evropë, në Amerikë), si dhe përgjithësisht në pellgun mesdhetar përmes vetë Shqipërisë dhe diasporave në botën arabe, hapësira e mërgimit intensiv në Evropën Perëndimore dhe në SHBA, e vendosin etninë dhe kulturën shqiptare qenësisht në botën e sotme moderne, ndërsa hapja edhe më e madhe ndaj tyre, komunikimi më normal, do ta bënin të mundur integrimin dhe kristalizimin më cilësor të tipareve të saj më autentike.

Pas kësaj paraqitjeje të gjerë të situatës së etnisë shqiptare e të shprishjes së saj të kahershme e të sotme nëpër botë, mund të themi se në vise të ndryshme të Evropës e më gjerë, sot ka arbëreshë apo shqiptarë të moçëm, të cilët diku quhen arbëreshë apo arbërorë a arvanitë, diku arrnautë, diku arbneshë, siç janë, përkatësisht: arvanitët apo arbërorët e Greqisë, arbëreshët e Italisë, arrnautët apo shqiptarët e Turqisë, arbneshët e Zarës (Dalmaci). Por ka edhe shumë ngulime shqiptare më të reja, si në Evropë: fshati Mandrica në Bullgari, fshatrat Zallëf, Ibriktepe, Alltëntash, Sulltan Kiçi, Pazar-Dere, dy fshatra në Marmara dhe vetë Stambolli në Turqi, si një nga metropolet shekullore ku janë dyndur shqiptarë. Në fillim të shekullit të 19-të nga Devni i Varnës, një masë shqiptarësh u shpërngulën, së pari, në Karakurt e pastaj themeluan tri fshatra buzë detit Azov: Gamovka, Georgievka dhe Devenska. Deri vonë, këta shqiptarë të Rusisë, mbanin lidhje me atdheun dhe ruanin gjuhën shqipe.

Jo të vogla dhe jo të papërfillshme kanë qenë edhe diasporat e shqiptarëve në viset e ndryshme të Rumanisë, me gjasë qysh nga shekulli XVII, por të dendësuara në shek. XIX dhe në fillim të shekullit tonë.

Në Bullgari dhe në Rumani, në qendrat Sofje, Bukuresht, Brailë etj., në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit tonë, është zhvilluar një veprimtari kulturore shqiptare, në të cilën kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të diasporës së hershme. Përmendim, një emër të mirënjohur siç është Naum Veqilharxhi, i cili veproi në atë ngulim shqiptar.

Edhe Turqia, Siria, Egjipti dhe gjithë bota arabe, kanë qenë zona ku popullsia shqiptare ka gravituar vazhdimisht. Në anët e Lindjes, diasporat janë shkrirë e tretur, por ka edhe atje ndonjë vis ku shqiptarët rrojnë e mbahen të tillë deri më sot, si në Siri, kurse në Turqi, për shkak të numrit shumë të madh të tyre, si dhe të përtëritjes së tyre të vazhdueshme, shqiptarët ndihen shumë. Vlerësohet se vetëm nga ish-Jugosllavia, në vitet 1953-1960 janë shpërngulur në Turqi mbi 400.000 shqiptarë. Sot në Turqi, sipas disa studiuesve, ka rreth një deri dy milionë shqiptarë që rrojnë kryesisht në Stamboll, Burgas, Bursë dhe deri në Ankara. Shumë prej tyre e ruajnë gjuhën shqipe.

Fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i shekullit tonë për arsye të varfërimit të vendit sollën valë të reja mërgimtarësh shqiptarë në botën e zhvilluar perëndimore. Kjo mërgatë, që mëtonte të kthehej përsëri pasi të fitonte diçka, veproi dhe u njoh sidomos në Belgjikë, Londër, Paris etj., qoftë duke bashkëvepruar me të shpërngulurit e mëhershëm apo me qendrat e tjera si, Bukureshti, Damasku, Stambolli, Kajroja, Aleksandria, Triestja etj. Deri në fillim të shek. XX vlerësohet se në Amerikë nuk ka pasur më shumë se 30.000 shqiptarë, kurse sot mendohet se atje ka rreth 400.000 deri në 500.000 shqiptarë. Kjo rritje kaq e madhe është pasojë e rrethanave të vështira të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi, por edhe e shpërnguljeve nga vise të tjera si dhe nga diaspora arbëreshe. Po kështu, në Evropën Perëndimore, vlerësohet se sot ka rreth 500.000 shqiptarë të vendosur përkohësisht pas bukës së gojës apo si të ikur politikë, ku mbizotërojnë të ikurit nga ish-Jugosllavia. Valët e reja të eksodeve shqiptare, të përziera e të shkrira me shtresat e mërgimtarëve relativisht më të moçme, kanë përtëritur e shtuar dukshëm elementin shqiptar e gjuhën shqipe në botë. Krahas pyetjes se ku ndodhen e sa janë sot shqiptarët në botë, së cilës i janë përgjigjur e i përgjigjen antropologët socialë, shtrohet edhe pyetja e statusit dhe e gjendjes së gjuhës shqipe në ato vise, dmth. : a flitet, ku flitet, me ç' status është shqipja në krahasim me gjuhët zyrtare të shteteve përkatëse. Kështu, dashur pa dashur, dalim në fushën e vrojtimeve a kërkimeve sociolinguistike, duke kundruar me doemos bashkësitë e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe gjithë ç' përmban ajo në gji të saj, duke përfillur e vlerësuar edhe ato elemente a bashkësi joshqiptare, sado të vogla qofshin, pastaj bashkësitë e shqiptarëve në trojet e veta, por të përfshira në strukturën e shteteve të tjera fqinje, si në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Greqi; një vështrim të veçantë, sigurisht, meritojnë edhe bashkësitë e shqiptarëve shqipfolës të diasporës së hershme e të asaj më të re, në Greqi, në Itali, në Dalmaci, në Turqi, në Egjipt, në Amerikë etj.

Në të gjitha këto bashkësi shqipja na shfaqet edhe si gjuhë në kontakt, dmth. si gjuhë pranë (apo krahas) një gjuhe tjetër, duke qenë shqipja gjuhë e parë (L1), kurse gjuha e huaj e dytë (L2). P.sh.: shqip-serbisht në Kosovë, shqip-maqedonisht në Maqedoni, shqip-stokavisht në Mal të Zi, shqip-greqisht në Çamëri (Greqi) ose duke qenë shqipja si gjuhë e dytë (L2), p.sh., stokavisht-shqip në minoritetin malazez në anët e Mbishkodrës, greqisht-shqip në minoritetin grek në Shqipëri të Jugut, maqedonisht-shqip në minoritetin maqedonas në anët e Prespës e të Gollobordës, arumunisht-shqip në diasporën vllehe në Shqipërinë Qendrore e në atë Juglindore etj. Së këtejmi rrjedh se, ata që flasin shqip, mund të jenë shqiptarë ose arbëreshë, që e kanë shqipen gjuhë amtare (L1); këtë idiomë ata e mësojnë nga nënat e tyre dhe e flasin në shtëpi, në gjitoni e kudo me shqiptarë apo arbëreshë. Kjo gjuhë shqipe, ndërkaq, për bashkësi të ndryshme shqiptare, ka statuse të ndryshme, dmth. ka bashkësi që flasin vetëm shqip dhe nuk dinë (sepse nuk u duhet) tjetër gjuhë. Në këtë rast gjuha e zemrës është njëherazi edhe gjuhë e bukës. E tillë është shqipja e pjesës dërmuese të shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe në bashkësitë shqiptare që ndodhen në pjesët e tjera të Ballkanit dhe që u përmendën më lart. Në ato vise shqipja është gjuhë amtare, e mësojnë qysh në gji të nënës, e flasin në shtëpi, në gjitoni, në rrugë e kudo, porse ajo nuk është gjuhë e njohur nga shteti ose mund të jetë e njohur vetëm formalisht, dmth. krahas shqipes së folur, për nevoja të komunikimit zyrtar, shqiptarët në shtetet e tjera të Ballkanit duhet të përdorin një gjuhë të huaj, përkatësisht serbokroatishten në Kosovë dhe në Mal të Zi, maqedonishten në Maqedoni, greqishten në Greqi. Po kështu edhe arbëreshët e shqiptarët në vise të tjera të botës. Në këtë rast kemi të bëjmë me dialekte të pambuluara, apo siç i quan H. Klosi "Dachlose Mundarten", sepse nuk mbulohen nga gjuha kombëtare e vet, por nga një gjuhë tjetër kombëtare, pra nga një gjuhë e tjetërkujt. Kemi, kështu, një tip të kontaktit a takimit gjuhësor, ku shqipja - gjuhë e zemrës - nuk përputhet me gjuhën e bukës. Gjuha e bukës apo gjuha zyrtare e shtetit është ajo pjesë e dytë e binomit e cila zotëron në të gjitha rastet me karakter zyrtar, si gjuhë e administratës, e mjeteve të komunikimit masiv etj.

Për të mos shpërdoruar më tej me durimin e të pranishmëve, nuk po ndalem këtu në trajtime e shtjellime që ftillojnë rastet e takimit të shqipes me gjuhët fqinje dhe gjendjen e gjuhës shqipe në ato mjedise. Atyre u kemi kushtuar shumë faqe në ligjeratat universitare të Sociolinguistikës si dhe në tekstin përkatës që sapo doli këto ditë nga shtypi në një version të ri e të zgjeruar. Po theksoj vetëm faktin e rëndësishëm që këto trajtime si dhe shumëçka tjetër që ka libri ynë i sociolinguistikës përbëjnë kahe dhe sprova të reja, qoftë edhe të guximshme, ndonjëherë edhe krejt në zgrip të lajthitjeve, por që nisen pikërisht nga mëtimi i mbarë dhe i hapët i trajtimeve shkencore e pa mllefe shoviniste të asaj që nden realisht mjedisi shumëgjuhës e shumetnik i Ballkanit tonë, ndonëse mjerisht edhe aq të trazuar.

Kurdoherë, ashtu si në fillesat e shqyrtimeve e paraqitjeve për informimin e formimin e studentëve, të dhënat e fqinjësisë së shqipes me gjuhët ballkanike, janë parë e duhen parë në dritën e një ideje që jep dorë për objektivitet po edhe për maturi, duke ndjekur ato hulli që kryemjeshtri i albanologjisë shqiptare, Eqrem Çabej, e shprehte në binomin: "objektivë, por jo indiferentë".

1.2. Në tekstet e shkollës së lartë për degën gjuhë-letërsi, qysh në agimet e arsimt të lartë, ka qenë një fat i madh që, në lëndën "Historia e gjuhës shqipe - Fonetka historike e shqipes" të mbajtur për shumë vjet nga vetë prof. Çabej, si dhe në "Gramatika historike e shqipes" fillimisht të prof. Mahir Domit, pastaj të prof. Shaban Demirajt, breza të tërë studentësh dhe pasuniveritarësh, kanë marrë një paraqitje të shëndoshë dhe shumë të nevojshme rreth marrëdhënive të shqipes me gjuhët tjera fqinje, duke parë aty, jo vetëm huazimet prej gjuhëve të huaja në shqipen, punë që ka dobinë e vet dhe s' ka pse të fshihet, por edhe rolin dhënës të shqipes, sidomos shtegtimin e jo pak fjalëve të sferave blegtorale e të veshjeve, të veglave muzikore etj. në areale të gjera të viseve ballkanike fqinje, gjë që ndillte mbarë pikërisht për aso trajtimesh e hulumtimesh shkencore ku huazimi shihet si ndikim kulturor i ndërsjellë dhe jo si tregues "epërsie".

Mund t themi se, më vonë, lëndët e përmendura më lart, kanë vijuar të pasurohn edhe me trajtime e shtjellime të reja, nga titullarë të tjerë, si prof. Seit Mansaku, prof. Ethem Likaj, prof. Kolec Topalli.

Të njëjtën gjë duhet të themi edhe për trajtimet në ligjeratat, tekstet dhe botimet shkencore jo të pakta të profesorëve shqiptarë të trevave përtej kufijve të RSH-së, sidomos për lëndët e historisë së gjuhës shqipe e të gramatikës historike të shqipes , të mbajtura fillimisht nga akademik Idriz Ajeti në Universitetin e Prishtinës, pastaj edhe nga ligjërues të tjerë të atjeshëm si prof. Besim Bokshi e prof.Rexhep Ismajli etj. Këtu është rasti të themi se, krahas teksteve-bazë të historisë së gjuhës shqipe e të gramatikës historike, këta dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetët e fundit, janë shënuar mbërritje e janë botuar edhe një numër veprash monografike, të cilat u japin një shtysë të mëtejme kërkimeve në lëmin e ballkanologjisë dhe krijojnë një mbështetje më të sigurtë edhe për mësimdhënien e historisë së gjuhës shqipe si lëndë universitare. Të tilla janë "Gjuhësi ballkanike"(1994) e Sh. Demirajt, "Sistemi i eptimit në gjuhët ballkanike" dhe "Prapavendosja e nyjës në gjuhën shqipe e në gjuhë të tjera ballkanike" të Besim Bokshit, "Konservacione dhe inovacione gjuhësore në fushë të shqipes" të Q. Muratit si dhe një numër monografish të kohëve të fundit nga E.Likaj, Xh. Ylli , B. Demiraj etj.

Trajtime të hapëta dhe me vlerë rreth ndikimeve të ndërsjella të shqipes me gjuhët fqinje të Ballkanit nuk kanë munguar edhe në tekste të lëndëve të tjera gjuhësore, si p. sh. në lëndën e leksikologjisë dhe të semantikës (dhe tekstin përkatës) që mbahet qysh prej gati 40 vjetësh nga prof. Jani Thomai, në ligjeratat e "Gjuhësisë ballkanike" dhe të "Historisë së albanologjisë", të mbajtura për disa vjet radhazi nga prof. Mahir Domi, pastaj edhe nga ligjërues të tjerë më të rinj.

1.3.Viteve të fundit, në kuadrin e shtimit të lëndëve të reja në planin mësimor të shkollës së lartë, në degën tonë të gjuhës e të letërsisë, kemi shtuar edhe "lëndë të formimit special" si dhe të "lëndë me të zgjedhur", ku hyjnë edhe gjuhësia ballkanike e gjuhët ballkanike. Prej më se pesë vjetësh tek ne mësohen si gjuhë të dyta me dëshirë greqishtja e re, serbokroatishtja, bullgarishtja dhe rumanishtja. Do të dëshiroja që, krijimi dhe puna e zellshme e Institutit tonë të Studimeve Ballkanike të ketë jehonë të mirë po edhe të vlejë si shtysë për t' i shpënë më tej punët, kërkimet dhe hulumtimet në ndriçimin e hapët e pa asnjë mllef të marrëdhënieve të vjetra e të reja të popujve, gjuhëve, kulturave në Ballkanin tonë multietnik e pluriling.

Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ka disa vjet që është çelur e po mëkëmbet edhe departamenti i gjuhëve ballkanike, duke u çelur aty katedra e degët përkatëse për mësimdhënien e greqishtes, të turqishtes, të bullgarishtes, ndërsa pranë degës sonë të gjuhë-letërsisë, ndër vite, sipas mundësive e nevojave për gatitjen e kuadrit të duhur, janë çelur disa herë edhe kurse të rumanishtes. Duhet të vemë re se në këto katedra ka pasur edhe shkëmbime lektorësh nga vendet përkatëse dhe, disa herë, ata kanë qenë edhe studiues te njohur, të cilët edhe kanë dhënë ndihmesa të mira gjatë qendrimit të tyre në Shqipëri. Përmendim, p. sh. studiuesen e njohur Petja Asenova, që ishte si "gast-professor" tek ne gjatë vitit 1995-96 dhe që, gjatë asaj periudhe, përveç e krahas mësimdhënies së gjuhës bullgare, ka marrë pjesë në veprimtaritë shkencore të Departamentit tonë dhe botoi në revistën "Studime Albanologjike" studimin e saj shumë interesant "Gruaja monolinge ne Ballkanin biling" . Nuk mund të mos përmend, gjithashtu, edhe një lektore tjetër bullgare, që ishte pranë Departamentit të gjuhëve ballkanike gjatë vitit që kaloi (1998-99), As. Prof. Pravda Këneva, e cila bashkëpunoi mjaft me studiuesit tanë dhe drejtoi një punim diplome të një studenteje të departamentit tonë të gjuhësisë me temë "Vështrim përqasës i sistemeve fonologjike të gjuhës bullgare dhe të gjuhës shqipe në planin nyjëtimor e korrelativ". Mendoj se kjo përvojë duhet thelluar e shpënë edhe më tej. Prej bashkëpunimeve të tilla vijnë me siguri vetëm ndihmesa të mira.
Së fundi, por gjithnjë në vijim të asaj që u theksua më lart, mendoj se në të ardhshmen, sidomos pas situatës më të re në Kosovë, bashkë me këndelljen e rifillimin e veprimtarisë shkencore të Universitetit të Prishtinës e të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, në kuadrin e nismave që do të marrë dhe punëve që do të kryejë Instituti ynë i Studimeve Ballkanike, duhet të ndiqen më mirë rezultatet dhe botimet e balkanologëve të huaj. P. sh. mund të bëhet ribotimi dhe përurimi i disa veprave me rëndësi siç janë "Gjuhë dhe etni" apo "Etni dhe modernitet" të Akademikut Rexhep Ismajli, si dhe i veprave të tjera që pakkush i ka ndër ne. Nga fusha e historisë, gjithashtu, do të përmendja për të njëjtat arsye veprën monografike "Kosova" të studiuesit italian Marko Dogo, profesor i historisë së Ballkanit në Universitetin e Triestes. Mjerisht, një vepër aq interesante as nuk njihet, as nuk është recensionuar a bërë e njohur për studentët e më gjerë.

I bindur se shembuj si këta mund të jenë të shumtë edhe nga fusha e letërsisë dhe e lëmijeve të tjera, propozoj që në ISB dhe në departamentet tona përkatëse, të ngremë një "Lektorium të përhershëm" ku të referohet e të diskutohet për veprat dhe botimet e rëndësishme të ballkanologjisë. Kur të jetë e mundur edhe duke ftuar autorët e tyre, gjë që, veç së tjerash, do ta bënte edhe më të vlefshëm shkëmbimin e mendimeve dhe të ideve rreth çështjeve të mëdha të historisë, të gjuhës dhe përgjithësisht të kulturës në Ballkanin tonë shumëgjuhës e shumetnik.