Akademik Kolec Topalli
Gjuha
popullore, që jeton përmes dialekteve, është ajo që i jep jetë e gjallëri
standardit, që e freskon dhe e njom, e përtërin, e këndell dhe e ardhang duke e
mbrojtur nga shtërpësia e thatësira dhe nga krijimet me gjedhe të huaja.
Sidomos standardi i shqipes, që është i ri, ka nevojë për pasurinë e
dialekteve, për krijimet popullore, që mund të gjenden në të folmet e popullit.
Nëse e përbashkëta e krijuar, gjuha standarde, shkëputet nga baza e vet prej së
cilës ka dalë, ajo rrezikon të shterpëzohet e të dobësohet, duke u ushqyer jo
më me gjakun e vet, por me gjak të huaj.
Jetojmë
në epokën e globalizmit, kur marrëdhëniet e dendura ndërmjet shteteve, krahinave
e gjuhëve janë shtuar së tepërmi; kur këmbimet kulturore, letrare e artistike
janë shumëfishuar, kur zhvillimi i vrullshëm i shkencës e teknikës ecën me
ritme të paparashikuara. Në kushte të tilla, të gjitha gjuhët ndodhen para një
dukurie të re, që është globalizmi gjuhësor. Gjuhët e mëdha e të zhvilluara, që
kanë përparësinë e zhvillimit ekonomik, shkencor, teknik e artistik, gëzojnë
edhe përparësinë gjuhësore duke u bërë rrezatuese të fjalëve, shprehjeve dhe
formave të reja në të gjitha gjuhët me të cilat janë në kontakt popujt e
vendeve të ndryshme të globit. Një dukuri e tillë është e pashmangshme edhe për
shqipen, madje, në një shkallë edhe më të lartë se gjuhët e tjera, që kanë
pasur stabilitet më të hershëm kombëtar e gjuhësor, krahas stabilitetit
politik, ekonomik e shoqëror.
Për
gjuhën shqipe, globalizmi është një dukuri e pashmangshme. Shumë fjalë,
shprehje dhe ndërtime gramatikore të gjuhëve të huaja depërtojnë çdo ditë, orë
e minutë në gjuhën shqipe. Ky depërtim është i fuqishëm nga dy burime: nga
gjuhët romane, për arsye të traditës së krijuar prej disa shekujsh, sipas së
cilës elementet e reja të gjuhës kanë depërtuar kryesisht nga këto gjuhë,
sidomos prej italishtes e frëngjishtes; e para me kontakte të drejtpërdrejta
prej marrëdhënieve historike; e dyta si gjuhë kulture kudo në Evropë në shekujt
e fundit. Burimi i dytë është anglishtja, fuqia e së cilës si gjuha me
prestigjin më të madh botëror, është bërë e ndieshme në të gjitha gjuhët
europiane, sidomos në shekullin e fundit, duke përfshirë edhe shqipen.
Në
rrethana të tilla, duke qenë globalizmi një dukuri e pashmangshme, në shumë
raste mund të mënjanohet duke përdorur në vend të fjalëve, shprehjeve a
strukturave të huaja sintaksore, elemente dhe materiale prej brumit të vetë
shqipes, që janë farkuar me mjeshtri prej popullit dhe mund të gjenden në
dialekte e në të folmet të veçanta, që vijojnë të gjallojnë e të bëjnë jetën e
tyre. Po jap ndonjë shembull. Për fjalën e huaj model, populli i krahinës së Elbasanit ka krijuar gjedhe, që shkon me foljen zgjedh, domethënë “ajo që zgjidhet”. Për
foljen krijoj arbëneshët e Dalmacisë
kanë lentoj nga fjala e shqipes landë. Janë dy shembuj që dëshmojnë se
sa ndihmesë mund të sjellin dialektet për të mënjanuar fjalët e huaja, që po
vërshojnë me fuqi e shpejtësi të madhe në gjuhën shqipe.
Shkrimtarët
e mëdhenj dallohen për një punë të vullnetshme dhe frytdhënëse për gjurmimin e
thesarit popullor, çka i jep jetë e gjallëri veprave të tyre. Po sjell vetëm
ndonjë shembull nga fjalori i Fishtës, ku spikat puna e tij e madhe për të
gjetur, për të hulumtuar e për të vënë në qarkullim fjalë të rralla të shqipes,
siç janë ato që i kemi nxjerrë nga vepra “Lahuta e Malcis”, p.sh., adra
për “dokrra”, ag për “drita e
mëngjesit”, angërr për “të
brendshmet”, avër për “rrasë akulli”,
baetë për “një lloj arme, hobe”, bercak për “peshk i vogël”, boenë për “përmbytje”, brâsh për “pjepër i vogël”, bubazhel për “gogol”, camerdhok për “fëmijë i vogël”, cecas për “grimcoj”, cokël për “copa të vogla druri”, çakla për “sende shtëpie” e shumë të
tjera, që janë një pasuri e madhe dialektore, por edhe e mbarë shqipes po të
vihen në qarkullim të përgjithshëm gjuhësor.
Standardi i
shqipes, që kryen funksionet e tij kudo ku ka shqiptarë, ka nevojë për
përmirësim, për latim e pasurim, për përsosje e zgjerim të mëtejshëm të
funksioneve të tij. Të gjitha këto mund të realizohen më së miri duke u
mbështetur në pasurinë e madhe që kanë krijuar prej shekujsh dialektet, në
gjedhet e farkuara me mjetet e shqipes. Shqipja standarde krijon marrëdhënie
bashkëveprimi të vazhdueshëm me dialektet e të folmet e veçanta të shqipes.
Nëpërmjet lidhjeve të ngushta e të përhershme që mban me dialektet, ajo
pasurohet e përsoset. Kontaktet e standardit me dialektet janë shumëfishuar dhe
përshpejtuar sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit, kur shqiptarët, që për gati
një shekull qenë të copëtuar në disa shtete, hoqën kufijtë ndarës dhe filluan
lëvizjen e lirë, duke rritur ndjeshëm komunikimin e drejtpërdrejtë gjuhësor me
njëri-tjetrin.
Në
fushën e leksikut, janë të gjitha mundësitë që shumë fjalë të huaja të
zëvendësohen me fjalët shqipe; si p.sh.: për absorboj mund të përdoret përthith;
për adaptoj, përshtas, për afirmoj, pohoj, për aks, bosht, për akumuloj, grumbulloj, për akut, i mprehtë, për alivan, të
fikët, për aluvion, lyshtër e lymishtë, për angazhohem,
zotohem etj.
Në
fushën e frazeologjisë, ku dialektet kanë ruajtuar shprehje të bukura
popullore, janë mundësitë e përdorimit të tyre për të zëvendësuar shprehjet e
huaja frazeologjike, që shfaqen si kalke gjuhësore; si p.sh.: njeri gjysmë i vdekur, sipas gjerm. halbtot, mund të zëvendësohet me gati i vdekur a si i vdekur; shprehja kam një
besim të verbër sipas fr. avoir une
confiance aveugle mund të zëvendësohet me vë dorën në zjarr; shprehja ishte
i mirënjohur sipas it. era ben
conosciuto mund të zëvendësohet me e
njihnin të gjithë etj.
Veçanërisht
të dëmshme e të rrezikshme janë gjedhet e huaja në sintaksë, në ndërtimin e
fjalive. Si një gjuhë e lashtë që ka mundur t’u shpëtojë shumë ndikimeve të
huaja, shqipja ka krijuar gjedhet e saj të ndërtimit të fjalive, të cilat më
mirë se askund tjetër ruhen nëpër dialekte. Por në ditët tona, kur kontaktet me
gjuhë të huaja janë shtuar së tepërmi, është rritur edhe rreziku i depërtimit
të strukturave të huaja në fushën e sintakës, një rrezik që mund të mënjanohet
letësisht duke studiuar e duke vënë në qarkullim strukturat e gjedhet
popullore, që gjenden në çdo dialekt të shqipes. Sintaksa dhe morfologjia, me
një fjalë gramatika, është kështjella e fundit që mund të tjetërsojë një gjuhë.
Shformimi i tyre prish palcën kurrizore të gjuhës, skeletin e saj; prandaj
ruajtja e tyre është detyrë parësore e çdo gjuhëtari, shkrimtari a intelektuali
që përdor gjuhën amtare. Disa shembuj ku mund të mënjanohet ndikimi i huaj,
janë: përdorimi i përemrit gjithë
para përcjellores, në raste si: gjithë
duke ecur, sipas fr. tout en marchant;
përdorimi i lidhores pas foljeve që shprehin të parë, të dëgjuar, të ndier
etj., në raste si: jam i kënaqur ta kem
njohur atë njeri, sipas fr. Je suis
content d’avoir connu cet homme; përdorime të gabuara të parafjalëve, në
raste si: i pasur në minerale, sipas
gjerm. reich an Erzen; nën mbikqyrjen e tij sipas it. sotto la sorveglianza, pra, edhe nën edhe mbi etj.
Drejtimet
e një pune të mirëfilltë shkencore për mbrojtjen e pasurisë dialektore mund të
jenë sa vijojnë: mbledhja, evidentimi dhe hulumtimi i fjalëve, shprehjeve dhe
strukturave ndërtimore të dialekteve, me qëllim që të bëhen pasuri e standardit
duke ndihmuar mënjanimin e elementeve të huaja; studimi i pasurisë gjuhësore të
autorëve të ndaluar ose të mënjanuar në periudhën e diktaturës komuniste për të
marrë prej tyre atë pasuri që ata e shfrytëzuan nga thesari popullor për të
krijuar veprat e tyre; hartimi i fjalorëve dialektorë, sidomos për të folme
ende të pastudiuara; hartimi i një fjalori të tipit thesaurus, ku të përfshihet e gjithë pasuria leksikore e dialekteve
të shqipes etj. Për të gjitha këto, nuk mjafton puna e kujdesshme dhe e
vazhdueshme e institucioneve shkencore të specializuara, por nevojitet edhe
qëndrmi i ndërgjegjshëm i të gjithë shoqërisë shqiptare, veçanërisht i
intelektualëve që kultivojnë gjuhën amtare.
Kliko këtu për videon: http://youtu.be/1BsniGUQlNM
No comments:
Post a Comment