Showing posts with label Ismail Qemali. Show all posts
Showing posts with label Ismail Qemali. Show all posts

Friday, February 14, 2014

Gjuha shqipe si simbol përbashkues dhe tregues i njësisë etnike dhe kombëtare të shqiptarëve (nga Gjovalin Shkurtaj)

(Diskutim  për Forumin e 6-të Publik të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave - me temë: “ Kosova-shteti me i ri evropian”, e premte, më 14 shkurt 2014)

Të nderuar organizatorë të Forumit të 6-të Publik me temë: “ Kosova-shteti më i ri evropian”,

Të nderuar akademikë, kumtues dhe pjesëmarrës në këtë tubim me rëndësi shkencore e kombëtare,

Së pari, shpreh falënderimin tim për ftesën dhe përgëzimet e mia të çiltra për idenë e mbarë dhe frymëgjatë të kësaj veprimtarie shkencore, e cila i kushtohet një teme kaq të prekshme për sot e për më tej: Kosova-shteti më i ri evropian.

Së dyti, dëshiroj të shpreh  fjalë miradie për referatet dhe kumtesat që u mbajtën sot, të cilat i konsideroj ndihmesa të vyera e me theksin e nevojshëm kombëtar shqiptar, duke nisur me të nderuarin Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe  të akademikëve të tjerë, historianë dhe figura të njohura të botës shkencore e politike shqiptare.

Po lejohem, me këtë rast, të shpreh edhe unë ndonjë mendim, që shkon në të njëjtën vijë me tehun atdhetar dhe kombëtar shqiptar të kumtesave të mbajtura, por duke trajtuar disa vlera e vlerësime për gjuhën shqipe, si simbol përbashkues i njësisë etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.
Jam i bindur se të gjithë sa jemi e kemi ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, rënien e kujdesit ndaj gjuhës shqipe dhe plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve të papërshtatshme, jo vetëm të huaja, kur janë edhe të panevojshme, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur.

Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe  si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit  kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.

Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që për herë të parë sot,por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend  edhe një herë se, këtu e 101 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:

 “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”[1] Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit”[2].

Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht pse po flitet për shtetin Kosovës, i cili, ndërkaq, ndonëse është ”shteti më i ri i  Evropës”,  për fatin e bardhë të atij shteti dhe të popullit shqiptar të Kosovës, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të  Kosovës në Kongresin e Drejtshkrmit të Gjuhës Shqipe dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese  edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sot, duke përfituar nga volia që më dhatë duke më ftuar  e duke më bërë pjesë  të këtij tubimi shkencor, duke qenë se ndodhem midis historianësh dhe personalitetesh me rëndësi historike, po lejohem të përmend me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshin  gordian “Një komb-një gjuhë letrare”, të formuluar nga akademiku kosovar, i ndjeri dhe i shquari, Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit”.

Rasti sotëm e lyp që të pohojmë e ta  lëvdojmë lart pikërisht  rolin e madh dhe ndihmesën themelore që kanë dhënë forcat intelektuale të Kosovës, gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, arsimtarët  dhe veprimtarët kulturorë për zbatimin në ballë të gjerë e pa asnjë mëdyshje të  drejtshkrimit të njësuar dhe të përudhjes së shqipes letrare të përbashkët e të standardizuar njësoj si në Shqipëri, po me atë moto kombëtare që kishte nisur qysh në Konsultën e Prishtinës.

Kemi vënë re me kënaqësi se, edhe Qeveria e re e Kosovës, në të gjitha botimet dhe në krejt praktikën shkrimore zyrtare u është përmbajtur me mjaft kujdes normave të shqipes së përbashkët dhe mund të thuhet se,për sa i përket shqipes standarde, të dyja anët ecin krahas e paralelisht, duke shënuar ngjashëm edhe mbërritje të lakmueshme, po edhe ndonjë të metë të rritjes e që shpresojmë e besojmë të jenë, si këndej ashtu edhe andej,  në të anët kalimtare  e të kapërxyeshme.   

Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Ka pasur një rendje të natyrshme pas gjuhëve të huaja. Kjo është punë shumë e mirë. Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të  mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë, (ndoshta edhe sa s’ka ku të vejë më mirë), gjuhët e huaja. Kjo duhet  vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Shikoni si  flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës  së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa  mëtojmë (dhe arrijmë  përherë e më shumë) të flasim  dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera.

Dhe, krejt në mbyllje, po theksoj se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.

Pohova  dhe ritheksoj se jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si  mbërritje  me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të  kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam  i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme  gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem  ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur  rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehjes, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde,por edhe mund të mbetën jashtë saj.Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.

Mendoj se folësit më të mirë të radiove e të televizioneve shqiptare, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e kudo që emteohet në gjuhën shqipe, janë jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si presidentja e Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një  i huaj nga Suedia, Ul Mar Kuik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor  i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t). Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar  se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues  të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes.

Tiranë, 14 shkurt 2014



[1]  ”Lajmim”, botuar  në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913.
[2] Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17.

Thursday, November 28, 2013

Ismail Qemali: "Kush nuk mëson gjuhën shqipe nuk ka vend në administratë"



Këto ditë doli nga shtypi libri “Himni Kombëtar” i  akademikut Vasil S.Tole, studimi monografik rreth njërit prej simboleve më të rëndësihme të njësisë dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Kam kënaqësinë që këtë libër, ashtu si dhe disa prej botimeve të mëparshme të mikut e kolegut tonë, akademikut Vasil S.Tole, e mora si  dhuratë nga autori pikërisht në prag të përurimit që do t’i bëhet atij libri në Akademnë tonë të Shkencave.

Libri është një studim historik dhe muzikologjik,pra edhe disi në shmang të interesave të mia të mirëfillta si gjuhëtar, porse, qysh nga  nëntitulli joshës e kurreshtjendjellës “Betimi mi flamur” më solli në mendje “betimin mbi gur”, që shqiptarët e zbatonin në raste pajtimesh e përbetimesh. Qysh në kreun e parë të tij, gjeta edhe shumëçka interesante e që dëshmon se udha e himnit tonë kombëtar ka qenë   e njëkohshme dhe e njëjkahshme  edhe me dy prej simboleve të mëdha të kombit: me flamurin dhe me njësimin e alafabetit të shqipes  dhe, të tria këto simbole kombëtare, do të  shenjtëroheshin madhërishëm në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend: në shpalljen e Pavarësisë dhe në veprën madhore kombëtare të krijimit të shtetit të parë shqiptar të “mosvarëm” nga Ismail Qemal Vlora, më 28 nënto 1012, në Vlorë.

Po lejohem, me këtë rast, të bëj disa  vlerësime  e shpallime rreth vlerave të këtij  libri, të nyjëtuara në tri kahe shkencore meritore dhe me vlerë të shënueshme historike dhe aktuale:

Së pari, mund të përmendim vlerat e librit   “Himni Kombëtar” në lidhje me  tematikën e ngushtë, që lidhet me himnin si krijim poetik dhe muzikor, për të cilin autori, me kompetencë të plotë, shqyrton e përthekon dijet dhe pohimet e bëra më parë dhe ato që i takojnë edhe sot zanafillës dhe realizimit  poetik e muzikor të tij. Akademiku V.Tole, ende  i ri në moshë, por me përvojë tashmë të gjatë e të respektueshme si muziktar e studiues i shquar i vlerave etnomuzikologjike dhe historiko-kulturore të popullit shqiptar, i ka hyrë kësaj teme duke ndjekur shembullin e muziktarëve pararendës të tij, të prof.dr.Fatmir Hysit, i cli është edhe redaktor muzikor i studimit të pranishëm, po edhe  të prof.Ramadan Sokolit e muziktarëve të tjerë. Kështu, në libër janë kundruar, peshuar e vlerësuar pohimet e nismëtarëve e veprimtarëve adhetarë shqiptarë, të trojeve e të ngulimeve shqiptare jashtë, sidomos të shqiptarëve të Bukureshtit. Autori  merr  në mbrojtje me të drejtë duke nënvizuar vlerat e mëdha historike e kombëtare të atyre burrave të shquar e atdhetarë shqiptarë, që ia hynë punës për ta realizuar atë, sidomos të poetit e veprimartit atdhetar Aleksandër Stavre Drenovës (Asdrenit), si dhe të krejt vatrës atdhedashëse të shqipatrëve të mërguar me banim në Bukuresht. Aty, me shumë kujdes e me trajtime të argumentuara e të mbështetura në literaturë të gjerë burimore nga botimet e dokumentacioni i arkivave, jepet pamja më e plotë dhe e qartë e udhës së Himnit tonë Kombëtar. Dhe është ajo, në tërësinë e vet, një udhë e ndritur, një udhë  që ka shkuar krahas me ngritjen e vetëdijes kombëtare  dhe me përpjekjet e luftën e gjatë të patriotëve dhe ideologëve të Pavarësisë  së Shqipërisë për të shkuar në ditën fatlume të shpalljes së pavarësië me “pajën” e nevojshme  të solemnitetit të rastit: me Flamurin Kombëtar dhe me Himnin zyrtar të shtetit të parë shqiptar.

Së dyti, duhet theksuar  ndihmesa e librit në lidhje me simbolet e tjera kombëtare të shqiptarëve, duke  theksuar  vlerën përbashkuese të tyre dhe, mbi të gjitha, konsiderojmë të dobishme ndihmesat e këtij studimi për të nxjerrë në pah një rrethanë shumë të rëndësishme e me vlerë kombëtare madhore: lidhjen e ngushtë të përfaqësuese të Shkodrës, Korçës, Vlorës etj. në kahun e mbarë mjedjan”: Geg’e toskë Malësi Jallija, janë një komb m’u da s’duron, fund e maje nja asht Shqypnija, e një gjuhë të tanve na bashkon”.

Libri i Vaso Toles, në një farë mënyre, duke përshkruar udhën që ka përshkuar himini kombëtar i shqiptarëve, ka përthekuar e përmbledhur në mënyrë racionale e të urtë se,  në ato vite të ndezura e të ethshme  të kurorëzimit, qoftë edhe me aq vonesë, të ëndrrës  shumëshekullore për të qënë më vete, shqiptarët e trojeve kompakte ballkanike dhe bijtë e shquar të diasporës në dhe të huaj, u gjendën si kurrë më parë së bashku, pikërist ashtu sikundër e thotë edhe vargu i parë i vjershës së Asdrenit “Rreth falmurit të përbashkuar”. Ata që  e pëlqyen, e mbështetën dhe e brohoritën këtë himn, po edhe që e kënduan më zjarr e afsh liridashës, qysh para se të shpallej Pavarësia në Vlorë, kanë qenë  figura të mëdha të kombiut tonë, burra të penës e të gishtit të pushkës, si Hilë Mosi nga Shkodra, Pandeli Cale, Thanas V. Floqi, Spiridon Ilo dhe P. Mborja nga Korça, si Murat Toptani, Lef Nosi, Ferit Vokopola etj, të cilët ishin në lidhje e bashkëpunim të ngushtë me figura të tjera të kohës, sidomos nga Korça dhe nga shoqëria  e shqiptarëve të Bukureshtit, si Dhimtitër Zografi, Dhimtitër Mborja e Dhimtitër Berati. Të gjithë ata, në këtë studim përmenden dhe vlerësohen me të drejtë ashtu si u takon dhe lexuesi fiton pamjen më të saktë e të bindshme rreth asaj nisme e përpjekjeje madhore, që do të kurorëzohej me shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Së treti, libri nxjerr në dukje dhe pohon sa të rëndësishme kanë qenë për shqiptarët vlerat e himnit, flamurit dhe gjuhës amtare shqipe,  si trinomi frymëzues dhe i patjetërsueshëm i shpirtit të kombit tonë. Vetë autori e nis një nga sythat e librit pikërisht me këto fjalë: ”Na duhet të pohojmë se flamuri, himni dhe gjuha shqipe, si simbole të identitetit kulturor dhe politik shqiptar, ishin në qendër të ditës së shpalljes së Pavarësisë, si një dëshim e qartë e Shqipërisë “më vehte, të lirë e të mosvarme”.(f.87)

Dhe, në këtë pikë, nuk mud të mos ndalem diçka më gjatë, jo thjesht pse jam gjuhëtar dhe më pëlqen mësimi i mbarë që del nga ky libër edhe për vlerat e shqipes e peshën e saj shpirtërore kombëtare të atillë që ka pasur e ka ajo në jetën e konstitucionin shpirtëror të shqiparëve. Kjo, po se po, por,  dëshiroj të theksoj edhe  disa konotacione aktuale, do të thosha krejt të ditës, që mbart lënda e  kësaj vepre lidhur me qëndrimin ndaj shqipes nga Ismail Qemali dhe Qeveria e parë  e Shqipërisë së “ mosvarme”. Kreun e dytë me titullin “Pranimi  dhe popullarizimi i himnit kombëtar, përhapja e “këngëve kombiare”, autori e nis me sythin e goditur e shumë domethënës: “Ismail Qemal Bej Vlora, bekuesi i simboleve tona kombëtare”, ku  shqyrton e mbështet (me dije të shumta  dhe referenca të plotvlershme) pohimin rreth njohjes që kishte I.Qemali për simbolet shpirtërore për një komb dhe fuqinë e tyre në krijimin e unitetit kombëtar. Dhe, ajo që më intereson më së forti mua si gjuhëtar,po  besoj edhe të gjithë dashamirëve të tjerë të shqipes e të shqiptarisë, është një fakt që e sjell libri i V.Toles në f.88, ku, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit , sjell edhe një shënim në fund të faqes, ku jepet edhe pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë. Aty  lexojmë: “Në gazetën “përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913 botohet ”Lajmim”:  “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies  së tij Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnënë qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”(Shënimi nr.222)

E citova këtë “lajmim” dhe, pikërisht për vlerat e idenë dorëmbarë që ngërthen ajo nismë e Qeverisë së I.Qemalit, do të lejohem të përmend se, pikërisht atë ide kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulkturën e gjuhës së shtetit”.(Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17) Të gjithë jemi dëshmitarë se sot shkollarët dhe pasuniversitarët janë të interesuar dhe, madje, të drithëruar për dhënien provim e pajisjen me dëshminë e njohjes së anglishtes, pra për “Toeflin”, por askush nuk shqetësohet për gjendjen jashtëzakonisht të pamirë të shqipes së shkruar e të folur në zyrat e shtetit, në universitetet publike e private e kudo. Dhe kjo situatë do të vazhdojë nëse nuk do të kemi edhe ne zyrtarisht kërkesën me ligj të provimit dhe njohjes së gjuhës shqipe si kusht për të pasur një vend të caktuar në administratë (vendore apo qendrore). Pra, le ta bëjmë pa humbur kohë atë që pat ideuar dhe shpallur aq bukur e qartë Qeveria e Ismail Qemalit.

Së mbrami,  përfundoj duke  pohuar  se vepra si “Himni kombëtar” i  akademikut Vasil S.Tole meritojnë jo vetëm fjalë e vlerësime të mira, por edhe mirënjohje e çmimin më të lartë edhe zyrtar shtetëror. E di se është edhe një institucion, që quhet Akademia-Kult, e cila ndan edhe çmime. Uroj që ëdhe aty kjo vepër e zotit Tole të pëlqehet e të vlerësohet, por, mbi të gjitha, shfrytëzoj rastin të bëj edhe një propozim tjetër: Akademia jonë e Shkencave duhet të ideojë, ta themelojë dhe ta zbatojë dhënien e çmimeve të larta për veprat më të mira strudimore e shkencore të realizuara me dinjitet e akribi, sikundër është edhe ky libër, vërtet i vlershëm, i kolegut e mikut tonë, akademikut më të ri në moshë, por edhe nga më meritorët që ka Akademia jonë.
Urime të sinqerta dhe, për ta thënë sipas traditës shqiptare: Të lumshin duart, mjeshtër!

Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj
Akademik i asociuar

Anëtar i Këshillit Ndërkademik të Gjuhës Shqipe