Showing posts with label e folmja e hotit. Show all posts
Showing posts with label e folmja e hotit. Show all posts

Sunday, February 8, 2015

Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik (nga Akad. Kolec Topalli)

Akad. Kolec Topalli 
            Hoti është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, me faqe historie të përgjakshme por të lavdishme, me tradita e zakone fisnike, të ruajtura e të kultivuara brez pas brezi e me përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur gjallë besën e të parëve. Banorët e kësaj treve, të izoluar nga kohët e pushtimeve, por edhe të lidhur me besë e burrni me pjesët e tjera të atdheut, kanë mundur të ruajnë si gjënë më të vyer gjuhën, shqipen e kulluet e të pastër, ashtu siç janë përpjekur të ruajnë lirinë, qenien e tyre shqiptare e çdo gjë që i lidh me tokën, ajrin, fushën e malin. Edhe pse kjo krahinë u nda padrejtësisht në dy shtete, duke u kufizuar shqiptarët me shqiptarë, banorët e saj e kanë ruajtur identitetin dhe unitetin, duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat. 

            E folmja e Hotit, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit. Karakteri konservativ i kësaj të folmeje lidhet me historinë e kësaj krahine, e cila, e strukur në vetvete dhe e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.