Tuesday, November 20, 2012
Tuesday, January 4, 2011
Në shtëpinë ku lindi shqipja do flitet vetëm maqedonisht
Në shtëpinë muze ku u mbajt Kongresi i Manastirit, që vendosi alfabetin e gjuhës shqipe, do të përdoret si gjuhë zyrtare vetëm maqedonishtja.
Në vendim përfshihet edhe vendosja e emrit të muzeut që i trashëgoi shqiptarëve gjuhën e sotme do të shkruhet me gërma maqedonase. Në fakt vendimi për shpalljen muze të këtij institucioni ishte marrë një vit më parë por u zvarrit pasi pala maqedonase e cilësonte të papranueshme kërkesën shqiptare që në këtë muze të përdoret edhe gjuha shqipe.
“Problemet ishin me statutin e muzeut. Nuk e nënshkruajtën për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe, në vulat e muzeut dhe në emrin e muzeut. Tani muzeu do të figurojë vetëm në gjuhën maqedonase sepse nuk jemi 20 përqind në komunën e Manastirit”, deklaroi drejtori i Muzeut të Alfabetit, Gazmend Hoxhaj.
Sipas historianëve shqiptarë në Maqedoni me këtë veprim skandaloz i bëhet edhe një padrejtësi e madhe muzeut të alfabetit.
“Problemet që i nxjerrin në vazhdimësi këtij institucioni të shenjtë për shqiptarët, vijnë për shkak edhe të mungesës së interesimit të faktorit politik shqiptar në Shkup, Tiranë e Prishtinë”, shprehet historiani Skënder Hasani.
Dhe sikur të mos mjaftonte padrejtësia maqedonase, muzeu ka nevojë edhe për përkujdesje pasi prej kohësh ndodhet në gjendje të mjerueshme.
Thursday, December 23, 2010
Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme
Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj
Anëtar i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe
Tiranë, 17.10.2010
Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme dhe, si e tillë, ajo duhet mbrojtur, ruajtur e përkrahur edhe më tej,sepse përbën treguesin themelor të përbashkësisë shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen: brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë në trojet kompakte ballkanike dhe në diasporat arbëreshe e shqiptare kudo në botë.
Kjo bazë e njëjtë dhe e përbashkët e të shkruarit dhe e të folurit shqip në situata formale (zyrtare) i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për ta mbajtur edhe më tej peshën e komunikimit të shqiptarëve me shkrim e me gojë, duke u bërë vend edhe prurjeve pasuruese, përtëritëse që mund të sjellin bartësit e saj nga vise dhe mjedise të ndryshme shqiptare.
Kam qenë dhe jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si mbërritje me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” sipas rasteve dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehejs, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse.Për mua, gjuha dhe dialektet nuk janë dy ushtri që ndeshen dhe njëra do ta asgjësojë tjetrën, por ujëra të cilat nisen nga treva të ndryshme dhe shkojnë në të njëjtin det të përbashkët.Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mëynra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde,por edhe mund të mbetën jashtë saj.Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën,ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen përj dialekteve,kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.
Kam qenë dhe jam, natyrisht, edhe kundër disa “hipertoskizmave” që e kanë dëmtuar sadopak rregullsinë e disa pikave të Drejtshkrimit (si p.sh. i gjerë në vend të i gjërë, që do të ishte sipas tipit nana>nënë, bana>bëra; disa raste të ë-së fundore; shumësi emrave me nj që mund të ishin me -j të tipit ulli, kufi etj. e të tjera).
Jam mbështëtës i idevë që në drejtshkrimin e shqipes mund të kishte më pak përjashtime dhe nuk më duket objektiv orientimi “sipas shqiptimit më të përgjithshëm” që u ka paraprirë autorëve të Rregullave në disa raste.
Mendoj se Rregullat e drejtshkrimit dhe Fajlori drejtshkrimor duhen ribotuar, duke pasqyruar në to edhe disa përmirësime e ndreqje të pjesshme, por pa e prekur themelin e tyre.Sigurisht, ribotimi parakupton edhe një punë të mirë e të ngeshme pasqyruese, pa ngut e diletantizëm,po edhe pa pasione autorësie. Ato janë hartuar nga një grup a komison pune, i nderuar edhe me çmim Republike,porse nuk ka qenë dhe nuk janë “pronë” e tyre. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.
Së fundmi, kam mendimin se nuk ka qenë e drejtë shpërfillja e punës së Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe.Në të kanë qenë të caktuar 17 profesorë nga Shqipëria, Kosova, hapësirat shqiptare të Maqedonisë dhe nga diaspora arbëreshe; ata (midis të cilëve kam qenë edhe unë)kanë punuar duke u mbledhur disa herë në Tiranë dhe në Prishtinë, kanë marrë në shqyrtim e e kanë diskutuar për një varg pikash me rëndësi të Drejtshkrimit dhe ajo punë, sigurisht, nuk duhej flakur e shpërfillur.Ai Komision, natyrisht, nëse do të ishte e udhës, edhe mund të rinovohej, të shtohen edhe të tjerë, por kurrsesi nuk duhej injoruar.
Profesorët që kanë punuar në atë Këshill nuk janë fidanë duhani që mbillen e hiqen nga ara kur si të duam; ata janë personalitete dhe profesionistë të gjuhësisë, kanë punar seriozisht dhe rezultati i punës së tyre, edhe në qoftë se do të vlerësohej i paparanueshëm, përësëri kjo nuk mund të bëhej nëpërmjet injorimit, por, përkundrazi, nëpërmet një vlerësimi të qartë e zyrtar.
Sunday, December 19, 2010
Gjuha shqipe, 40 intelektualë kundër konferencës për standardin
kliko ketu per te lexuar me shume ne ZemraShqiptare.net
Siç është bërë tashmë e njohur, më 15-17 dhjetor zhvillon punimet konferenca shkencore me temë "Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit", e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Në këtë tubim, që mbahet në një hotel turistik në Durrës, marrin pjesë vetëm ata persona që janë përzgjedhur nga një komision i posaçëm i kësaj Qendre. Kështu, për herë të parë mbahet një konferencë e mbyllur për specialistët e interesuar.
Në një varg shkrimesh e bisedash në televizion që i kanë paraprirë kësaj konference, po përhapen një numër të pavërtetash rreth shqipes standarde. Duke ia skuqur kësaj biografinë, si një mbeturinë e fundit e regjimit komunist, persona dhe rrethe të caktuara, të paçliruar nga mendësitë e vjetra, synojnë të sheshojnë politikisht dhe ideologjikisht rrugën për të ndërmarrë politikat e tyre "të guximshme" për përmirësimin e standardit, në të vërtetë për t'i ndërruar shkallë-shkallë bazën e sotme dialektore, për të krijuar një të ashtuquajtur neostandard. Diskutimet thjesht gjuhësore të zhvilluara në këtë frymë, rrahin të përligjin motivet jashtëgjuhësore për rishikimin e gjuhës standarde shqipe.
Si studiues e si pedagogë me përvojë shumëvjeçare, si lëvrues e dashamirë të gjuhës shqipe, e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin shoqëror shqiptar për disa çështje thelbësore rreth këtij diskutimi, që kapërcen fushën e gjuhësisë dhe ka përmasat e një problemi kulturor kombëtar.
Së pari, kundërshtimet dhe kontestimet ndaj standardit po sundohen nga një politizim i skajshëm, që shkon ndonjëherë deri atje, saqë qëndrimi ndaj gjuhës standarde të vlerësohet si qëndrim ndaj demokracisë: kush mbron standardin e sotëm, është kundër demokracisë; kush e kritikon dhe kërkon ndryshime, rishikime, rindërtime etj., me një fjalë një standard të ri ose neostandard, është me demokracinë! Kjo është një reminishencë e së kaluarës, kur qëndrimet ndaj çështjesh të ndryshme trajtoheshin si "guri i provës", që ndante armiqtë e partisë e të popullit nga ata që ishin me partinë dhe me popullin.
Së dyti, gjuha e sotme standarde trajtohet si një krijim i dhunshëm, i arritur nën diktatin e udhëheqjes komuniste shqiptare në Kongresin e Drejtshkrimit në nëntor 1972, rrjedhimisht si një mbijetesë e komunizmit, e papajtueshme me realitetin e sotshëm. Kjo është katërcipërisht e pavër-tetë. Askund, revolucionet ose kthesat politike nuk kanë shërbyer si arsye për të ndërmarrë përmbysje e kthesa gjuhësore. Askund partitë politike, edhe në diktaturë, nuk kanë prodhuar gjuhë letrare ose gjuhë standarde sipas shijes ose dëshirës së tyre. Gjuhët standarde nuk krijohen me planifikime as socialiste, as kapitaliste. Ato janë produkte kolektive të zhvillimeve kulturore e shoqërore. Gjuhësia vetëm kodifikon me kriteret e saj shkencore atë që është arritur realisht në praktikën e lëvrimit e të përdorimit të gjuhës letrare. Ajo ngre në standard atë që është arritur në praktikë dhe nuk krijon gjuhë standarde në epruvetë sipas ndonjë porosie.
Së treti, paraqitet në një dritë të rrejshme Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 20-25 nëntor 1972. Ndër 87 delegatë të këtij Kongresi, vetëm njëri ishte personalitet politik, dhe ai për shkak të detyrës: ministri i Arsimit, Thoma Deljana, më pas i internuar e i përndjekur. Të gjithë të tjerët ishin studiues dhe pedagogë të gjuhës shqipe të shkollave të larta, mësues, shkrimtarë, gazetarë, botues nga Shqipëria, Kosova,
Së katërti, mëtohet se në formimin e gjuhës standarde dialektit të Veriut i është bërë padrejtësi. Sqarojmë se konceptet drejtësi - padrejtësi janë të zbatueshme në fusha të tjera të jetës shoqërore, por jo në formimin e gjuhëve standarde. "Drejtësia" në këtë rast do të parakuptonte që të gjitha të folmet e variantet letrare me baza të ndryshme dialektore të merrnin pjesë në gjuhën standarde në mënyrë pak a shumë të përpjesëtuar ose të përziheshin në mënyrë artificiale e arbitrare elemente prej dialektesh të ndryshme. Kjo nuk ka ndodhur me asnjë gjuhë e nuk mund të ndodhte as në rastin e gjuhës shqipe. Çdo gjuhë standarde ka një bazë të caktuar dialektore mbi të cilën ndërtohet si një variant mbidialektor, që përfshin edhe elemente të nevojshme me burime të ndryshme dialektore dhe strehon nën kulmin e vet edhe variantet e mëparshme letrare.
Së pesti, flitet shpesh për ndalimin e gegërishtes si një akt politik nga regjimi komunist. Kjo nuk përputhet me faktet. Partia komuniste dhe regjimi komunist interesoheshin në radhë të parë për përhapjen e ideologjisë së tyre me çdo mjet të mundshëm. Ata nuk shqetësoheshin fort nëse krijoheshin vepra letrare a këngë në këtë ose atë të dialekt: mjaftonte që ato t'i thurnin lavde partisë dhe udhëheqësit të saj, t'i bënin jehonë asaj çka thoshte partia. Prandaj janë të shumta veprat letrare dhe krijimet popullore edhe në dialektin e Veriut. Ndërprerja e botimeve në gegërishte te ne ndodhi pas Konsultës Gjuhësore që organizoi në prill të vitit 1968 Instituti Albanologjik i Prishtinës. Në këtë Konsultë u vendos njëzëri që në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi e në vise të tjera me popullsi shqiptare në Jugosllavi të përdorej gjuha letrare e Shqipërisë dhe drejtshkrimi i saj sipas parimit: "Një komb - një gjuhë letrare kombëtare". Pas kësaj, edhe në Shqipëri, pa ndonjë vendim administrativ, praktika e mëparshme e krijimit dhe botimit të letërsisë artistike dhe shkencore në gegërishte u vetëndërpre si një akt solidarizimi vullnetar me vendimin e Konsultës së Prishtinës. Përdorimi i një forme të njësuar të gjuhës dhe zbatimi sa më i përpiktë i normës letrare u ndien si detyrim qytetar i përgjithshëm. Në kushtet kur veprimtaria botuese ishte vetëm në duart e shtetit, kjo u absolutizua dhe iu mohua krijuesve e drejta e natyrshme për të zgjedhur vetë formën gjuhësore të shprehjes. Por prej 20 vjetësh rrethanat politike kanë ndryshuar dhe askush sot nuk mund të pengohet administrativisht të shkruajë e të botojë në formën gjuhësore që i pël-qen. Ndërsa shteti në veprimtarinë e vet zbaton një standard gjuhësor të vetëm.
Së gjashti, propagandohet sikur çë-shtja e gjuhës letra-re deri në vitin 1944 ishte thuajse e zgji-dhur dhe pas këtij viti iu ndërrua dhu-nshëm drejtimi rrje-dhës së zhvillimit të gjuhës.
E vërteta është se deri në vitin 1944 administrata e shtetit shqiptar përdorte në shkresa të ashtuquajturin "dialekt zyrtar" të mbështetur kryesisht në të folmen e Elbasanit. Në të gjitha veprimtaritë e tjera, si letërsia artistike, shtypi, tekstet dhe veprimtaria shkollore, përdoreshin lirisht të dy dialektet, me një mbizotërim të toskërishtes letrare, që mbështetej nga gjendja arsimore e kulturore e vendit dhe nga njësimi i saj i brendshëm më i madh. Është e njohur se rreth rrugëve të zgjidhjes së çështjes gjuhësore ka pasur atëherë pikëpamje të ndryshme dhe mjaft diskutime.
Së shtati, vlerësojmë se sot detyra kryesore është përhapja më e organizuar dhe më sistematike e kulturës gjuhësore, theksimi i kërkesës për zbatimin e normës letrare, vendosja e një disipline më të qëndrueshme në zbatimin e rregullave gjuhësore, mbrojtja e gjuhës shqipe nga shteti, ashtu siç e sanksionon edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Mendojmë se diskutimet për përmirësimin e standardit duhet të dalin si pasojë e natyrshme nga veprimtaria praktike për vepra themelore të standardit, në radhë të parë për një fjalor të ri të madh të gjuhës shqipe dhe për një gramatikë të re akademike, që të përshkruajë më me hollësi dhe të trajtojë në nivelin e gjuhësisë së sotme strukturën gramatikore të gjuhës shqipe. Këto diskutime duhet të përgatiten me kujdes, jo në mënyrë të përshpejtuar dhe si nisma të njëanshme, po me bashkëpunim institucional, sidomos të departamenteve të gjuhës në universitetet dhe në institutet albanologjike, duke krijuar kushte për një pjesëmarrje të frytshme të studiuesve që merren drejtpërdrejt me probleme të gjuhës së sotme shqipe e të normës letrare. Me këtë rast i bëjmë thirrje shkollës kombëtare që të vijojë traditën e saj të ndritur në fushën e mësimit të gjuhës shqipe me gjithë trysnitë e disa personave që shprehin qëndrime prapavajtëse e të politizuara ndaj shqipes letrare. U bëjmë thirrje veçanërisht mësuesve të gjuhës shqipe e të letërsisë, mësuesve të gjuhëve të huaja, që të kujdesen më shumë për një nivel më të lartë të kulturës gjuhësore amtare, për të rrënjosur te brezat e rinj dashurinë dhe nderimin për gjuhën tonë të bukur e të pasur, që është njëkohësisht edhe pasaporta jonë kulturore. U bëjmë thirrje shkrimtarëve e letrarëve, shtypit të shkruar e të folur, që të bëhen më të vetëdijshëm për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në pasurimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, për ndikimin e madh që ushtron puna e tyre në kulturën gjuhësore të lexuesve e të dëgjuesve. U bëjmë thirrje të gjithëve që e çmojnë vlerën dhe rëndësinë e një gjuhe letrare të njësuar për mbarë kombin shqiptar, që të mos lejojnë të cenohet e të dëmtohet kjo vlerë e lartë kulturore kombëtare!
