Qeveria maqedonase ka shënuar një tjetër rast të paprecedent nacionalist në dëm të shqiptarëve.
Në shtëpinë muze ku u mbajt Kongresi i Manastirit, që vendosi alfabetin e gjuhës shqipe, do të përdoret si gjuhë zyrtare vetëm maqedonishtja.
Në vendim përfshihet edhe vendosja e emrit të muzeut që i trashëgoi shqiptarëve gjuhën e sotme do të shkruhet me gërma maqedonase. Në fakt vendimi për shpalljen muze të këtij institucioni ishte marrë një vit më parë por u zvarrit pasi pala maqedonase e cilësonte të papranueshme kërkesën shqiptare që në këtë muze të përdoret edhe gjuha shqipe.
“Problemet ishin me statutin e muzeut. Nuk e nënshkruajtën për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe, në vulat e muzeut dhe në emrin e muzeut. Tani muzeu do të figurojë vetëm në gjuhën maqedonase sepse nuk jemi 20 përqind në komunën e Manastirit”, deklaroi drejtori i Muzeut të Alfabetit, Gazmend Hoxhaj.
Sipas historianëve shqiptarë në Maqedoni me këtë veprim skandaloz i bëhet edhe një padrejtësi e madhe muzeut të alfabetit.
“Problemet që i nxjerrin në vazhdimësi këtij institucioni të shenjtë për shqiptarët, vijnë për shkak edhe të mungesës së interesimit të faktorit politik shqiptar në Shkup, Tiranë e Prishtinë”, shprehet historiani Skënder Hasani.
Dhe sikur të mos mjaftonte padrejtësia maqedonase, muzeu ka nevojë edhe për përkujdesje pasi prej kohësh ndodhet në gjendje të mjerueshme.
No comments:
Post a Comment