Tuesday, November 13, 2012

Sali Berisha: "Meshari një kryevepër e gjuhës sonë liturgjike".


Kliko ketu per ta lexuar te plote ne Keshilli i Ministrave: http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=17311

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ekspozimin për herë të parë, në Shqipëri, të Mesharit të Gjon Buzukut


Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në mbrëmje, në ekspozimin për herë të parë, të Mesharit të Gjon Buzukut, librit më të vjetër në gjuhën shqipe, (1555), në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri. Me një marrëveshje të qeverisë shqiptare me Selinë e Shenjtë, u bë e mundur që ekzemplari unikal i Meshari të Buzukut të dërgohet nga biblioteka Apostullore e Vatikanit dhe të ekspozohet për publikun shqiptar, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Meshari është ekspozuar përkrah librave, të një rëndësie të madhe historike gjithashtu, të Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Arbërit e Kuvendit të 1706, Varibobës, Kazazit etj..
Kryeministri Berisha e konsideroi ekspozimin e Mesharit për herë të parë në Shqipëri, një ngjarje të madhe kombëtare dhe falenderoi Vatikanin për ruajtjen e shkëlqyer që i është bërë këtij dokumenti të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe.
“Një mirënjohje të thellë i shprehim Selisë së Shenjtë, Bibliotekës së Vatikanit, për mënyrën e shkëlqyer që e ka ruajtur në shekuj, këtë dokument të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe, të shkruar në atë kohë, nëalfabetin latin, në atë alfabet që shkruhet edhe sot kjo gjuhë.”

AS TV: Shkurtaj: Shqipja e ka një standard, ta ruajmë nga fjalët e huaja

Kliko ketu per ta lexuar te plote ne Albanian Screen TV: http://news.albanianscreen.tv/pages/news_detail/50796/ALB


Tiranë - 
Gjuhëtarët nuk bashkohen në një mendim, se për gjuhën shqipe duhen studime të mëtejshme. Gjovalin Shkurtaj, një prej studiuesve të shqipes thotë se ne kemi trashëguar shume studime nga e kaluara dhe tashmë shqipja e ka një standard. Sigurisht - shprehet profesor Shkurtaj- ka nevojë edhe për përmirësime, kjo përsa i përket drejtshkrimit apo pasurimit të gjuhës nga ana folklorike. Një rrezik i madh janë edhe fjalët e huaja të cilat do të vazhdojmë ti trashëgojmë si pasojë e globalizmit.

"Gjuha shqipe ka pasur një hulli të drejtë në ecjen e saj dhe se zgjidhjet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, me gjithë ndonjë gjë të vogël që mund të përmirësohet...nuk themi se nuk ka për tu përmirësuar, por në thelb janë të asaj tipologjie siç janë të gjitha tipet e drejtshkrimeve të botës. Ne kemi fjalë të huaja nga halli dhe nga malli. Sa herë që marrim një objekt i cili ka dh emërtimin e vet, nëse është i prodhuar në vend tjetër ne do ta themi me emrin që ka. Malli është që ka dhe njerëz, sidomos në shtresa të caktuara, edhe elitare, të cilët pëlqejnë në mëdyshjen për ta thënë shqip, bukur dhe qartë, apo me një fjalë të huaj, pëlqejnë të huajën se kështu duken më të mençur, më të ditur", thotë prof. Gjovalin Shkurtaj, studies i gjuhës.

Gjuhëtarët thonë se duhet që shqipja të integrohet më mirë në tekstet e shkollave të mesme. Të rinjtë e sotëm thotë profesor Shkurtaj nuk e marrin si duhet nivelin gjuhësor në bankat e shkollave. "Rreziku më i madh është mungesa e kujdesit, dhe mungesa e studimit. Në shkollën e mesme duhet studiuar gjuha më mirë, nxënësi duhet ta ketë të qartë se cilat janë fjalët e huaja të mënjanueshme dhe cilat janë fjalët e huaja të pamënjanueshme", vijon ai.

Një ditë më parë, në çeljen e javës së Albanologjisë, gjuhëtarë të njohur në vendin tonë ngritën shqetësimin se mungojnë studimet e mirëfillta për gjuhën. Dhe se duhen kryer sa më parë të tilla pasi ka mangësi të theksuara në folklor e drejtshkrim.

Edlira Sulejmani

Balkanweb: Rrokaj: Duhen ndryshime në gjuhën shqipe, pa cënuar standardin


Kliko ketu per ta lexuar te plote ne Balkanweb: http://www.balkanweb.com/kulturė/2691/rrokaj-duhen-ndryshime-ne-gjuhen-shqipe-pa-cenuar-standardin-109486.html

Nga: MARIGLEN MËRTIRI
Rrokaj: Duhen ndryshime në gjuhën shqipe, pa cënuar standardinTIRANË- Dekani i Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, Shezai Rrokaj, ka deklaruar se gjuhës shqipe duhet t'i bëhen rregullimet e nevojshme, por pa e cënuar standardin e saj. Sipas Rrokaj duhen studime të mirëfillta të brendshme të folklorit, etnologjisë dhe jo t'i kushtojmë rëndësi gjuhësisë historike të jashtme.

Më tej Rrokaj nënvizoi se duhen bërë rregullimet e nevojshme të gjuhës sipas rregullave që janë përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit. Deklarata e Dekanit Rrokaj bëhet në aktivitetin ‘Java e Albanologjisë’, që organizohet në kuadër të 100-vjetorit.

“Të bëhen edhe rregullimet e nevojshme, për rregullat që janë përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit, sepse ne tanimë kemi një periudhë gjatë së cilës shqiptarët e kanë përdorur dhe përdorin standartin. Kjo periudhë tashmë mundëson të bëjmë verifikimet e kësaj natyre dhe të bëjmë ato ndreqje të nevojshme, pa e cënuar standartin dhe jo t'i kushtojmë një rëndësi asaj që quhet gjuhësi historike e jashtme siç kemi pasur prirje deri më sot”,- deklaroi Rrokaj. 

Saturday, November 10, 2012

Pasqyrë interesante dhe me vlerë e gjuhëtarëve shqiptarë dhe albanologëve

nga Gjovalin Shkurtaj


Rreth librit “Leksikon: Gjuhëtarë shqiptarë dhe Albanologë” (800 f.), hartuar nga A. Haxhi e T.Topalli, shtypur nga shtëpia e re botuese “FIORENTIA”






Mbas veprës “Historia e albanologjisë” të prof.dr.Jup Kastratit, pa dyshim, libri që sapo ka dalë nga shtypi me titull  “Leksikon: Gjuhëtarë shqiptarë dhe Albanologë”, i hartuar nga binomi i njohur A. Haxhi e T.Topalli, që të dy profesorë të Universitetit të Shkodrës “L.Gurakuqi”, i shkon përshat atmosferës së gëzueshme e festive të jubileut të 100-vjetorit të Pavaërëssisë së Shqipërisë. Aty, në fakt, pasqyrohet gati plotësisht paraqitja e albanologëve dhe e gjuhëtarëve shqiptarë, duke theksuar edhe me vlerësime e pjesë krestomacie, ndihmesat dhe prurjet e secilit prej 69 gjuhëtarëve shqiptarë dhe 51 albanologëve të huaj, vargu i të cilëve nis, për gjuhëtarët, me Kostantin Kristoforidhin e Sami Frashërin dhe vjen deri te brezi më i ri i gjuhëtarëve të sotëm, kurse për albanologët e huaj, qysh nga Gotfrid Lajbnici  e Hans Tunmani, deri te Robert Elsie. 

Ashtu sikundër kam pasur nderin ta shpreh edhe në vlerësimin tim si njëri prej recensuesve të saj, vepra “Leksikon: Gjuhëtarë shqiptarë dhe Albanologë” është me të vërtetë një kurs albanologjie, pasi të dhënat e thelluara  që japin autorët për kërkimet e gjuh`tarëve shqiptarë dhe të albanologëve të huaj, prej më se dy shekujsh, ravijëzojnë historinë e  gjuhës sonë të shkruar, nga etapa teorike e studimit të saj, prejardhjes, familjes gjuhësore ku bën pjesë, leksikut autokton, huazimet dhe kontaktet me gjuhët fqinje, periodizimin e saj, alfabetizimin dhe planifikimin gjuhësor. Kjo përmbledhje në formë krestomacie është mjaft e pasur me literaturë shkencore, burime të drejtpërdrejta, që do t’u shërbejnë lexuesve dhe studiuesve për një njohje  edhe më të gjerë se përmbajtja e këtij leksikoni. Nga ana tjetër, veprat e gjuhëtarëve tanë më të shquar, pasqyrojnë orientimin e studimit bashkëkohor të dukurive të shqipes moderne, sipas disiplinave, drejtimeve dhe shkollave më të përparuara të kohës. 

Duhet vënë në dukje se  mjaft analiza për veprat e gjuhëtarëve  dhe albanologëve të njohur janë bërë në veprimtaritë e pasura shkencore që ka zhvilluar Universiteti i Shkodrës, ku autorët e këtij libri, kolegët e nderuar A.Haxhi e T.Topalli, kanë qenë  pjesëmarrës aktivë me shkrimet e tyre.