Kliko ketu per te lexuar artikullin ne Gazeten Telegraf
INTERVISTA/ Flet Prof. Dr.
Shezai Rrokaj, arkitekti i librit të parë të abetares të gjuhës shqipe,
fituese e konkursit mbarëkombëtar
- Prof. Rrokaj, copëzimi gjeografik i trojeve shqiptare, çfarë pasoja ka sjellë edhe në evoluimin e gjuhës shqipe?
- Padrejtësia historike që i është bërë
kombit tonë nëpërmjet copëzimit, ka lënë gjurmë të thella në tërë
përbërjen e tij materiale e shpirtërore. Ndarja e tij në shtete me gjuhë
dhe kultura të tjetërfarta, trysnia e tyre e pashmangshme, e mbarsur në
mjaft raste me ideologji etnike bizantine e vrasëse të shteteve
përqark, mbyllja e shtetit komunist shqiptar dhe politizimi i kulturës,
kanë sjellë pasoja të tilla që i kanë detyruar shpeshherë shqiptarët të
sillen ndaj njërit-tjetrit, jo si bashkëkombës, por si fqinjë. Njësimi
është një proces vetëdijesimi i përbashkët për tërësinë e vlerave
shoqërore, historike, kulturore e gjuhësore. Ai kryhet në kushtet kur
këto vlera nuk mbeten vetëm potenciale, por kthehen në pjesë përbërëse
të çdo individi.
- Sa dhe si e njohim ne shqiptarët njëri- tjetrin, sa dhe si e njohim historinë, kulturën dhe gjuhën tonë të përbashkët?
- Vetë çrregullimi demografik e politik i areas gjuhësore të shqipes nuk
vinte në ndihmë për një njësim të natyrshëm, pasi folësit e saj
gjendeshin në kushte veçimi tejet specifike por, ndërkaq, edhe njësimi i
pretenduar është ende larg së qeni gjithëpërfshirës. Mirëpo, pas viteve
‘90-të, kanë ndodhur dy dukuri demografike me ndikim të drejtpërdrejtë
në arealin gjuhësor të shqipes. Janë hequr pengesat gjeopolitike që
pengonin qarkullimin e njerëzve e, bashkë me ta, edhe mallrave, ideve,
marrëdhënieve shoqërore e kulturore, të cilat gjejnë shprehje në rrjetën
e shenjave gjuhësore. Gjithmonë e më shumë, shqiptarët po dalin nga
enklavat, ku i pati vendosur padrejtësia historike dhe po
homogjeneizohen. Bashkë me ta edhe kultura, gjuha, institucionet, mënyra
e njëjtë e perceptimit të botës dhe formimit të vetëdijes gjuhësore e
kombëtare. Përpos kësaj dukurie makrolinguistike, një dukuri tjetër po
ndodh në arealin e shqipes: zhvendosja e lirë e njerëzve brenda
enklavave, hap pas hapi, po “prish” dialektet dhe të folmet, të paktën
në kuptimin klasik të këtyre koncepteve, duke dhënë një pamje të re në
atlantin gjuhësor të shqipes. Kjo gjë ka bërë të mundur që brumi i
shqipes të vihet në lëvizje shumë më të gjerë, duke rritur ndjeshëm
kontaktet. Në këto kushte, çështja e standardit nuk mund të trajtohet me
të njëjtin këndvështrim si më parë. Në këto kushte, roli i edukimit
shkollor duhet të rrokë gjithë hapësirën shqipfolëse, prej trevave deri
në diasporë. Në këtë drejtim po shkojnë edhe politikat e edukimit
nëpërmjet shkollës dhe kulturës në tërësi. Kjo sintoni vjen në përputhje
me zhvillimet strategjike të cilat përkthehen në vizione politike,
ekonomike, shoqërore njësuese e integruese.
- Abetarja e njësuar çfarë vlerash përfaqëson?
- Që prej Abetares së N. Veqilharxhit, në një hapësirë kohore prej gati
150 vitesh janë hartuar mbi 160 abetare për t’u mësuar fëmijëve abc-në e
gjuhës shqipe. Është, pra, një traditë e madhe dhe një vlerë e vyer ky
përkushtim ngulmues për t’u sjellë fëmijëve tanë Librin e librave, atë
që më mirë se gjithçka tjetër u mëson me urtësi gjuhën e nënës. Parë në
këtë vështrim, Abetarja fituese ishte fryt i një përvoje dhe një tradite
qindravjeçare të shumë dijetarëve për të përmirësuar këtë libër të
artë. Abetarja fituese e konkursit mbarëkombëtar të shpallur nga
qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës është një kurrikul i ri, i cili
synon t’u japë nxënësve të klasave të para një kurrikul, ku ata të
gjejnë veten dhe mundësi për ta mësuar me lehtësi lexim-shkrimin dhe për
të arritur një cilësi të mirë në aftësitë e tyre për të lexuar dhe për
të shkruar.
- Cilat janë risitë e abetares së njësuar?
- Si libri i parë i fjalëve, ky libër mëton t’u japë nxënësve shqiptarë,
kudo që janë, gjuhën shqipe, pasurinë e saj leksikore dhe strukturore.
Ai u jep gjuhën standarde shqipe të pastër e të bukur, ashtu siç është.
Nisur edhe nga interesat e shkollës shqiptare, për një reformim në
kurrikul, Abetarja e re synon të paraqesë një paketë të re kurrikulare
të mbështetur në kritere të reja shkencore dhe metodike. Është bërë
përpjekje për të gjetur zgjidhjet më të mira, si në planin e metodave të
përdorura, ashtu edhe në gjetjen e strategjive dhe teknikave, që jep
nëpërmjet tekstit të mësuesit. Në këtë këndvështrim, Abetarja është më
tepër se një libër për nxënësit. Ajo jep një informacion të ri edukativ
si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, informacion, i cili do të
përvetësohet shkallë-shkallë nga të dyja palët në punën e tyre të
përditshme.
Duke qenë një nismë mbarëkombëtare, ne shpresojmë që kjo Abetare të
plotësojë interesat dhe t’u përshtatet fëmijëve shqiptarë, kudo që ata
janë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë e kudo ku ka
shqiptarë të hershëm e të rinj. Abetarja jonë jep një përmbajtje të re
të mbështetur në parimet e didaktikës bashkëkohore dhe në studimet e
fundit në fushën e lexim- shkrimit. E gjejmë me vend të përmendim këtu
se për lexim-shkrimin fillestar bashkëveprojnë metodat globale,
analitike, sintetike dhe alfabetike. Në studimet e fundit thuhet se
metodat e mësipërme, kur bashkëveprojnë me parimin e të mësuarit
kontekstual (të mësuarit me fusha tematike apo të mësuarit me tema),
ndikojnë shumë në cilësinë e të mësuarit të nxënësve.
Lexim-shkrimi paraprihet nga një periudhë përgatitore e organizuar me
shumë vëmendje dhe e studiuar mirë në planin e kërkesave dhe të
rëndësisë që ka kjo periudhë për të përgatitur nxënësin dhe për ta bërë
të aftë për të filluar mësimin e lexim-shkrimit në mënyrë të organizuar
dhe të disiplinuar. Nëpërmjet kësaj periudhe synohet të aftësohen
fëmijët për të folur, për ta pasuruar fjalorin bazë, për të risistemuar
strukturat gjuhësore të fituara në këtë moshë, për unifikimin e një
gjuhe të përbashkët shkollore për shmangien e streseve të moshës të
diktuara nga mjedisi i ri (shkolla), për zhvillimin e një sërë aftësish
motorike të nevojshme për lexim-shkrimin etj.. Periudha e mësimit të
abetares është shumë e rëndësishme. Ajo kërkon që të jenë të gjetura dhe
të gërshetuara mirë parimet dhe metodat që veprojnë në zhvillimin e
saj. Për këtë qëllim, në tekstin tonë, ne jemi treguar të vëmendshëm për
të bërë një gërshetim të metodave të përmendura më sipër. Abetarja jonë
nuk i jep përparësi njërës metodë në raport me tjetrën, por në këtë
tekst është treguar kujdes që të ketë një gërshetim, duke i dhënë
rëndësi, sidomos në fazën e parë të mësimit të saj, procesit të analizës
së strukturës së fjalisë dhe të fjalës. Në çdo faqe abetareje shihet
qartas kujdesi që tregohet për këtë gërshetim. Që nga rreshti i parë, në
të cilin janë vendosur të gjitha shkronjat e alfabetit e, më pas,
fjalori, në pjesët anësore të fjalëve, duke vazhduar me temën e ditës me
strukturën bazë të fjalisë, që analizohet dhe, duke zbritur deri në
analizën dhe sintezën e fjalëve të veçanta të cilat janë edhe çështja
kryesore, vihet re se të gjitha janë në funksion të realizimit të
procesit të analizës dhe sintezës në situata të caktuara komunikimi.
Mësimi i lexim-shkrimit pasohet nga një pasabetare, për të cilën ne do ,
të këshillojmë vetëm disa objektiva dhe pjesë leximi me aparate të
thjeshta pedagogjike, të cilat kemi bashkëngjitur abetares, pa
përjashtuar mundësinë edhe për t’i dhënë edhe të ndara. Po për këtë
periudhë ne kemi përgatitur një libër pune shumë tërheqës, i cili synon
t’i aftësojë nxënësit për më shumë zhdërvjelltësi komunikimi gjuhësor të
mbështetur në logjikën intuitive të tyre. Pas çdo ushtrimi të
parashtruar në këtë libër pune, qëndrojnë dukuri gjuhësore, të cilat do
t’i zgjerojnë më tej aftësitë e tyre.
- Ju faleminderit!