Sunday, December 19, 2010

Behar Gjoka: Gjuha shqipe, proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve

Kliko ket per te lexuar kte artikull ne SOT

Gazeta SOT

Studiuesi kërkon që gjuhës mos t’i vihen diga penguese në lëvrimin e saj

“Gjuha shqipe gjendet e rrezikuar nga përdorimi vend e pa vend i fjalëve të huaja, si dhe shpesh herë nga përdorimi i gabuar i saj, si ligjërim i shkruar apo i folur”, kështu u shpreh studiuesi Behar Gjoka. I njohur në fushën e studimit letrar, ai tregon se në këtë aspekt jemi më tepër në pasojë, si rezultat i ndërprerjes së kapilarëve të sistemit të gjuhës shqipe, që detyrimisht

herë pas here duhet të përfshijë në përdorim të gjitha prurjet e varianteve dhe dialekteve. Për debatin që ka lindur së fundmi mes gjuhëtarëve shqiptarë sa i takon shqipes standarde, studiuesi Behar Gjoka tregon se kur bëhet një debat secila palë ka të drejtë të shprehë idenë, mendimin dhe arritjen, gjithnjë sipas asaj që ai mendon. “Të debatosh do të thotë të prekësh procesin, e në gjuhe procesi është i hapur, pra ka vend për trajtime dhe shqyrtime, ka vend për të parë hapësirat e munguara, siç është lënia jashtë rrjedhave të verifikimit të dëgjimit të shkruar dhe të folur në të gjithë hapësirat shqipfolëse. Mungesa e pasurisë gjuhësore të variantit të gegnishtes dhe arbërishtes, është një çështje të cilës duhet t'i qasemi, por jo vetëm gjuhëtarët, por edhe studiuesit dhe shkrimtarët”, tregon Behar Gjoka studiues. Ndërkohë që i pyetur mbi refuzimin e pjesëmarrjes së disa albanologëve kosovarë në konferencën e datës 15 dhjetor në Tiranë ai u përgjigj: “Druaj se mosbesimi politik ka zënë vend edhe në hapësirat e tjera të jetës së qenies, në ligjëratat për shkencat apo letërsinë, si dhe një problem që gjithnjë e më shumë, na shpërfaqen njerëz që i dinë të gjitha, dhe i japin drejtim çdo debati, madje duke realizuar një mungesë të debatit shkencor”. Sipas studiuesit Behar Gjoka, gjuha shqipe në fakt përfaqëson një sistem, ku sipas mendimit të tij bën pjesë gjuha e njësuar, por edhe variantet, pra gegnishtaj dhe arbërishtja dhe çdo formë tjetër e ligjërimit të shkruar apo të folur. “Më shumë se sa çështja flamurësh dhe flamurtarësh, kalash dhe kështjellarësh, gjuha shqipe është një proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve, sidomos të ligjërimit letrar, pra të atij procesi real të rrugëve të pasurimit të gjuhës. Gjuhës nuk i duhen vënë diga pengues të lëvrimit të saj, sepse ajo shkon drejt një artificializmi të pagjasshëm, së paku po të marrësh në konsideratë mbijetesën e shqipes nëpër kaq shekuj, por edhe nivelin shprehës se ku ka mbërritur”, tregon studiuesi.

-Sipas jush, cilat janë sot problemet e gjuhës shqipe?
Gjuha shqipe gjendet e rrezikuar nga përdorimi vend e pa vend i fjalëve të huaja, si dhe shpesh herë nga përdorimi i gabuar i saj, si ligjërim i shkruar apo i folur. Natyrisht këtu jemi më tepër në pasojë, si rezultat i ndërprerjes së kapilarëve të sistemit të gjuhës shqipe, që detyrimisht herë pas here duhet të përfshijë në përdorim të gjitha prurjet e varianteve dhe dialekteve.

-E ndërkohë, pse kanë lindur kaq shumë debate mes gjuhëtarëve shqiptarë dhe kosovarë, për shqipen standarde?
Kur bëhet një debat secila palë ka të drejtë të shprehë idenë, mendimin dhe arritjen, gjithnjë sipas asaj që ai mendon. Të debatosh do të thotë të prekësh procesin, e në gjuhe procesi është i hapur, pra ka vend për trajtime dhe shqyrtime, ka vend për të parë hapësirat e munguara, siç është lënia jashtë rrjedhave të verifikimit të dëgjimit të shkruar dhe të folur në të gjithë hapësirat shqipfolëse. Mungesa e pasurisë gjuhësore të variantit të gegnishtes dhe arbërishtes, është një çështje të cilës duhet t'i qasemi, por jo vetëm gjuhëtarët, por edhe studiuesit dhe shkrimtarët.

-Çfarë duhet të bëjnë strukturat shtetërore për të mbrojtur gjuhën shqipe?
Strukturat shtetërore duhet që të krijojnë hapësirat e nevojshme, që gjuha shqipe, kjo pasuri që na vjen nga shekujt, të ruhet dhe pasurohet, por në rastin e gjuhës shqipe, çdo ndërhyrje në këtë proces duhet të marrë në konsideratë faktin që gjuha shqipe flitet deh shkruhet edhe jashtë kufijve shtetërorë, pra së pari duhet hartuar një strategji kombëtare, e pastaj në zbërthim të asaj edhe shteti, i këndej kufirit mundet që marrë për sipër diçka.

-Si e komentoni refuzimin që disa albanologë kosovarë i kanë bërë konferencës shkencore të 15 dhjetorit, që do të zhvillohet në Tiranë?
Në fakt një pjesë e tyre jo vetëm e refuzuan, por bën gjithçka që ta denigronin dhe pa u zhvilluar ende. Druaj se mosbesimi politik ka zënë vend edhe në hapësirat e tjera të jetës së qenies, në ligjëratat për shkencat apo letërsinë, si dhe një problem që gjithnjë e më shumë, na shpërfaqen njerëz që i dinë të gjitha, dhe i japin drejtim çdo debati, madje duke realizuar një mungesë të debatit shkencor.

-Sipas jush, duhet ruajtur shqipja standarde apo duhet të përshtatet me zhvillimin e kohës?
Gjuha shqipe, në fakt përfaqëson një sistem, ku sipas mendimit tim bën pjesë gjuha e njësuar, por edhe variantet, pra gegnishtaj dhe arbërishtja dhe çdo formë tjetër e ligjërimit të shkruar apo të folur, pra më shumë se sa çështja flamurësh dhe flamurtarësh, kalash dhe kështjellarësh, gjuha shqipe është një proces i hapur ndaj të gjitha prurjeve, sidomos të ligjërimit letrar, pra të atij procesi real të rrugëve të pasurimit të gjuhës. Gjuhës nuk i duhen vënë diga pengues të lëvrimit të saj, sepse ajo shkon drejt një artificializmi të pagjasshëm, së paku po të marrësh në konsideratë mbijetesën e shqipes nëpër kaq shekuj, por edhe nivelin shprehës se ku ka mbërritur.

Reagime: Gjuhëtarët shqiptarë mbi debatin

Ali Aliu: Shqipja standarde nuk duhet prekur


“Debatet për mua shpeshherë përplasen më shumë për ambicie dhe për ide të ndryshme të gjuhëtarëve, por unë e theksoj që standardi nuk duhet prekur”, u shpreh studiuesi dhe akademiku Ali Aliu. Akademiku dhe studiuesi tregon se nuk duhet të ngrihen në debate, pasi tashmë është një problem i zgjidhur prej kohësh. “Ne kemi gjuhën standarde dhe nuk duhet prekur, që duhet të ushqehet dhe të plotësohet dhe pasurohet, si çdo gjuhë në të gjitha gjuhët e zhvilluara fjalorët ribotohen çdo 2-3 vjet dhe plotësohen me fjalë të reja, por që standardi mbetet i tillë”, pohon akademiku Ali Aliu. Më tej i pyetur mbi ata albanologë kosovarë që nuk pranojnë të marrin pjesë në konferencën e albanologjisë që pritet të zhvillohet në Tiranë me 15 dhjetor akademiku u përgjigj se: “Janë probleme të gjuhëtarëve dhe nuk duhet ngritur në nivel konfliktesh, pasi nuk ka asnjë arsye”.


Emil Lafe: Shqipja standarde nuk duhet parë si krijesë të ideologjisë komuniste

“Unë e shoh të drejtë qëndrimin e gjuhëtarëve të Institutit Albanologjik në Prishtinë lidhur me konferencën e 15 dhjetorit në Tiranë”, u shpreh akademiku prof. Emil Lafe. Në debatin që po trajtohet në gazetën “SOT”gjuhëtarë dhe studiues të ndryshëm flasin mbi problemin që po has sot shqipja standarde, por ndërkohë që ka dhe një përplasje mes albanologëve kosovarë dhe atyre të Tiranës. Për të gjitha këto akademiku prof. Emil Lafe shprehet se debatet janë gjithnjë gjë e mirë, kur zhvillohen me kritere shkencore akademike për të ndriçuar më mirë një çështje, për të gjetur një zgjidhje, ndërsa shton se për fat të keq, në rastin e debatit për gjuhën disa janë të prirë ta trajtojnë çështjen si pjesë e luftës për çrrënjosjen e komunizmit, pasi e shohin shqipen standarde si krijesë të ideologjisë komuniste.


Rami Memushaj: Ndërhyrja në gjuhë është tagër i gjuhësorë dhe jo i amatorëve
Profesori i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tiranës tregon se nuk ka modifikime të standardit. “Ndërhyrja në gjuhë është tagër i planifikuesve gjuhësorë dhe jo i amatorëve. Po të shprehemi në mënyrë të figurshme, ata e dinë se “ku pikon çatia”, kështu u shpreh prof. dr. Rami Memushaj profesor në Departamentin e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Ai flet mbi problemet që kanë lindur për shqipen standarde, duke theksuar se planifikues gjuhësorë janë ata studiues që pjesë të veprimtarisë së tyre kërkimore kanë pasur edhe problemet e normave të gjuhës standarde. Më tej prof.dr. Rami Memushaj tregon se vend për amatorë në këtë punë nuk ka. “Sa u përket termave “ndërhyrje” e “modifikim”, do thënë se janë të papërshtatshëm. Mund të flitet për përmirësim e përsosje të normave të gjuhës standarde, po jo për modifikime. Në gjuhë duhet vepruar me kujdes të madh dhe jo të lëvizim si një “ka në një shitore porcelanesh”, thekson ndër të tjera gjuhëtari Memushaj. Ai tregon se ndryshimet në fushën e fonetikës, morfologjisë e sintaksës vijnë natyrshëm si rrjedhim i studimit të këtyre sistemeve.


Qemal Murati: Kontestimi i vazhdueshëm i standardit sentiment arkaik retrograd

Këshilltari shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës në Sektorin e Kulturës së Gjuhës Qema Murati reagon për debatin e fundit mbi shqipen standarde. Sipas Muratit studiuesit kosovarë kanë refuzuar pjesëmarrjen në konferencën shqipja në etapën e sotme politika e pasurimit dhe e përmirësimit të standardit, sepse dyshojnë në qëllimet e kësaj konference organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Prof.dr. Qemal Murati tregon se për çështjen e shqipes standarde, nuk ka debate e kundërshti mes gjuhëtarëve të Tiranës dhe atyre të Prishtinës, nuk ka taborë linguistikë kundërshtarë në vijën Tiranë-Prishtinë, por ka debate mes gjuhëtarëve dhe disa të vetëquajturve gjuhëtarë, të cilët kanë dëshirë të hiqen si gjuhëtarë, por që në fakt janë shumë larg në punët e gjuhës e të filologjisë dhe punojnë pa grant për gjuhën shqipe.

ORA NEWS: - Gjuhetaret: Shqipja ka nevojë ti nënshtrohet studimeve shkencore

Në përfundimin e konferencës së përmirësimit të gjuhës standarde shqipe, e organizuar nga qëndra e studimeve albanologjike në Durrës, gjuhëtarët kanë vendosur të përmirësojnë 12 pika. Sipas tyre gjuha shqipe ka nevojë ti nënshtrohet studimeve shkencore dhe gjithashtu është e nevojshme të rishqyrtohen disa rregulla të drejshkrimit, me qëllim shmangien e konflikteve. Gjuhëtarët kanë vendosur të studjojnë mundësinë e futjes së paskajores gegë në gjuhën standarte shqipe. Në konferencë u shfaqën shumë mendime e teza të veçanta lidhur me standardin dhe më përdorimin e shqipes.

Saturday, December 11, 2010

Balkanweb: Tiranë, ja aktivitetet kulturore të javës

Kliko ketu per BalkanWeb

Tiranë, ja aktivitetet  kulturore të javësInstitucionet kulturore në Tiranë parashikojnë disa aktivitete për publikun këtë fundjavë dhe në vazhdim. Disa prej tyre janë:
Teatër:
Teatri Kombëtar shfaq në datat 11 dhe 12 dhjetor, ora 19:00, premierën e dramës “Një Tablo absurde” të autorit Ferdinand Hysi, e cila kthen vëmendjen nga jeta e artistit në komunizëm. Me regjinë e Milto Kutalit dhe një kast aktorësh si, Fatos Sela, Roland Trebicka, Naun Shundi, Olta Daku, Anila Bisha dhe Dritan Boriçi, drama bazohet në një histori të vërtetë. Në qendër të dramës është një tablo e pikturuar gjatë periudhës komuniste nga një piktor i njohur, por që në periudhën postkomuniste u bë nga më të ndjekurat, jo më shumë për vlerat artistike, se për kalvarin e kësaj pikture dhe autorit te saj.

Teatri i Metropolit në Tiranë shfaq në datat 11,12 dhe 16,17,18,19 dhjetor, ora 20:00, komedinë “Çifti i shqyer” të dramaturgut italian Dario Fo, me regji të Julia Sinanit dhe Armela Demaj, nën interpretimin e aktorëve Klodjana Keco dhe Ledion Zoi. Komedia trajton në mënyrë groteske historinë e një çifti të martuar. Gruaja është një femër në depresion, e cila ka tentuar disa herë vetëvrasjen e zhgënjyer nga tradhtitë e vazhdueshme të të shoqit. Nga ana tjetër, burri është në një përpjekje të vazhdueshme për ta paraqitur këtë mënyrë jetese si diçka normale.

Në datën 13 dhjetor, ora 18:00, në skenën e Akademisë së Arteve vjen komedia “Të Brendshmet” e regjisorit dhe pedagogut të kësaj shkolle, Milto Kutali, si pjesë e projektit “Qyteti i arteve” i cili do të përmbajë një sërë aktivitetesh në fushat si, muzikë, art skenik ndërdisiplinor dhe pamor.

Në datën 12 dhjetor, ora 19:00, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë, në kuadrin e Javës Teatrore të të Rinjve, shfaqet komedia “Andi dhe Norman” e Neil Simon, me regji të Andia Xhungës. Kjo komedi tregon historinë e një trekëndëshi dashurie të përzier me politikë.

Në datat 15 dhe 16 dhjetor, ora 19:00, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar, në kuadrin e Javës Teatrore të të Rinjve, shfaqet drama “Për mua, atë dhe të tretin?” e autorit kosovar Haqif Mulliqit, me regji të Sonila Kapidanit. Kjo eshte nje shfaqje psikologjike, ku ndërthuret realiteti dhe ëndrra, ndjenja e fajit dhe dëshira për të zbuluar vetveten, marrëdhëniet njerëzore që shpalosen sa dramatike po aq edhe komike. Luajnë aktorët Ledjon Zoi, Dori Caushi, Qëndrim Rijani dhe aktori nga Maqedonia Petrit Neziri.

Në kuadër të Javës Teatrore të të Rinjve, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë do të shfaqet në datën 17 dhjetor, ora 19:00, premiera e komedisë “Pse nuk rri për mëngjes” të Ray Cooney dhe Gene Stone, me regji të Rozina Kostanit. George Clarke, personazhi kryesor i komedisë është një nëpunës i nderuar civil, që jeton i lumtur vetëm në një apartament të mirë, por kur në jetën e tij hyn Luiza Hamilaton, një vajzë e bukur dhe shtatzënë, jeta e rregullt e Georgit kthehet përmbys.

“Nusja dhe vjehrra” do të shfaqet në Teatrin Kombëtar në 18 dhjetor, ora 19:00 e Carlo Goldoni me regji të Alma Hotit. Në qendër të komedisë është një familje, babai, nëna, djali dhe një nuse, që nuk është e preferuar e vjehrrës, pasi vinte nga një familje aristokrate. Djali vihet në udhëkryq, sepse nuk di se kujt t’ia prishë apo t’ia ndreqë mes nënës dhe nuses. Luajnë aktorët Julian Deda, Anila Muça, Ledio Janushi, Manjola Merlika, Gentian Zeneli, Klodian Hoxha, Ledian Gjeçi, Sonjela Leco, Arbër Islami dhe Florian Kokona.

Koncerte:
Ditën e shtunë, datë 11 dhjetor, trioja “Saule Kilaite and The Madrix” nga Italia do të japë në skenën TKOB-së koncertin me titull “Trio performancë për violinë”. Muzikantja shoqërohet në koncertin e saj në Tiranë nga kitaristi Max Guglielmonene dhe Adriano Sangineto, i cili luan në harpë, klarinetë dhe këndon.

Në kuadrin e “Stinës koncertore VI”- Dimër 2010 – 2011, ne 18 dhjetor, ora 19.00, në sallën e madhe të koncerteve të Akademisë së Arteve në Tiranë do të jepet një koncert me piano - duo, ku pianistet studente Merita Balliu dhe Mimoza Kongo do të luajnë për publikun kryeqytetas vepra nga Mozart, Brahms, Gershwin.
Gjatë kësaj stine do të zhvillohen 19 koncerte me pjesëmarrës studentë dhe profesorë të Akademisë. Koncertet kanë filluar në datën 8 dhjetor dhe do vazhdojnë deri në datën 31 janar 2011.

Në 12 dhjetor, ora 19:00, në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë në Tiranë një orkestër italiane do të japë një koncert me muzikë popullore. Orkestra Piccola La Viola është themeluar në vitin 1994 me qëllim ruajtjen e rrënjëve të muzikës tradicionale popullore italiane.

Arte pamore:
Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi me titull “Mbi gjurmët e Nënë Terezës së Kalkutës” në kuadër të aktiviteteve të 100 vjetorit të lindjes se saj. Në këtë ekspozitë janë paraqitur imazhe të marra nga vëllimi “Bukuri e harruar -The forgotten beauty” i dy autoreve italiane Elisa Venturelli dhe Federica Miglio.

Ekspozita “Antoni Clave -Një Botë Arti. Veprat 1934 – 2002” do të qëndroje e hapur në Galerinë e Arteve në Tiranë deri në datën 15 dhjetor. Në ketë ekspozitë janë paraqitur 44 vepra të autorit në fjalë, të cilat janë seleksionuar nga koleksione private. Në të përfshihen kolazhe, postera kinematografikë, skenografi teatrale dhe piktura, por të gjitha shprehin krijimtarinë e gjerë të artistit.

Teatër për fëmijë:

Teatri Kombëtar për Fëmijë do të shfaqë në fundjavë, në datat 18 dhe 19 dhjetor, pjesën për fëmijë “Miss pylli”. Të shtunave shfaqjet fillojnë në 11:00, ndërsa të dielave jepen dy shfaqje dhe pikërisht në oraret 10:30 dhe 11:00.

Teatri i Metropolit për fëmijë vazhdon të shfaq këtë fundjavë dhe atë në vazhdim shfaqjet e Milena Selimi, “Treni Magjik” dhe “Ishulli pa emër”. Shfaqjet fillojnë në orën 10:30 në sallën “Çehov”.

Cirk:
Cirku i Metropolit në Tiranë shfaq çdo të shtunë dhe të diele ora 11:00 pjesën “Përpëlitje në mjegull”, premierë është një përzgjedhje artistike me numra akrobatikë dhe elemente të tjerë konceptuar nga mjeshtri Fatos Roshi dhe të shoqëruar nga orkestra e Cirkut të Metropolit nën drejtimin e Leonard Topi.

Kinema:
Edicioni i 8-të i Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Tiranë hapet në 13 dhjetor deri në 18 dhjetor në kinema të ndryshme dhe në fund, do të shpallen fituesit e çmimeve përkatëse sipas kategorisë së konkurrimit.

Kinema “Millenium”. Filmi “Harry Potter and the Deathly Halloës: Part 1” do të vazhdojë të shfaqet në këtë kinema deri në 16 dhjetor, kur fillon shfaqja e filmit “Wall Street”.

Kinema “Imperial”. Në këtë kinema do të shfaqen filmat “Harry Potter and the Deathly Halloës: Part 1”, si dhe komeditë “Going the Distance” dhe “Dinner for the Schmucks”.
(atsh/BalaknWeb)

Balkanweb: Margarita Xhepa: Filmi nuk diskrediton as priftin e as hoxhën

Margarita Xhepa: Filmi nuk diskrediton  as priftin e as hoxhënTIRANE- Duket se tek filmi "Kronikë provinciale" janë lënë pas dore vlerat artistike pas debatit të ndezur për mesazhet që ai përcjell. Margarita Xhepa, e cila interpreton një rol të vogël në këtë film, thotë se synimi i tij nuk është diskreditimi i beratasve e as i Beratit.
E pyetur nga Gazeta pas forumit me prononcime nga intelektualë beratas, ajo thotë se filmi mund të ishte xhiruar edhe në qytete të tjera, e jo në Berat, dhe zgjedhja e këtij qyteti për të realizuar skenat, kurrsesi nuk ka pasur si qëllim ofendimin e tij.

Meqenëse filmi "Kronikë provinciale" i Artan Minarollit, me skenar të Ylljet Aliçkës, ka sjellë reagime të forta të klerikëve, qytetarëve dhe intelektualëve beratas brenda dhe jashtë vendit, të cilët bashkëjetesën fetare e konsiderojnë si gjënë më të shenjtë dhe shprehen se nuk lejojnë askënd ta prekë atë, aktorja ka reaguar përmes Gazetës. Sipas saj, në epiqendër nuk janë ofendimet për besimet fetare apo marrëdhëniet mes besimeve, por marrëdhënia e çiftit.

Më tej aktorja shton se Berati u zgjodh sepse është qytet i bukur, jo për ta denigruar atë apo për ta bërë këtë duke nxjerrë në pah fanatizmin, thashethemet apo diçka tjetër.

Këto ditë ka pasur një sërë reagimesh aspak pozitive sa i takon filmit "Kronikë provinciale" nga intelektualët beratas. Si i shihni këto pakënaqësi?

Kur filmi u shfaq në Berat, unë isha aty prezente dhe me sa jam në dijeni, nuk pati asnjë reagim ose unë nuk pashë të kishte ndonjë reagim të kësaj natyre. Por mbase, bisedat edhe ato ditë ata i kanë bërë me njëri-tjetrin. Filmi nuk asnjë qëllim që të diskreditojë priftin apo hoxhën e qytetit. Është një provincë, ku ka thashetheme karshi një çifti të dashuruar e ky i fundit, për shkak të lodhjes nga thashethemet, vendos të ikë nga qyteti.
A i denigron filmi qytetarët apo qytetin?

Unë mendoj se filmi nuk është denigrues dhe aq më tepër nuk ka qenë denigrimi qëllim i regjisorit apo skenaristit të produksionit kinematografik. Përkundrazi, evidentohet dashuria e pastër dhe e çiltër e këtyre dy të rinjve, e cila bezdiset nga të tjerët që gjenden rreth e rrotull. Unë kështu e shikoj dhe në epiqendër nuk janë ofendimet për besimet fetare apo marrëdhëniet mes besimeve, por marrëdhënia e çiftit.
Beratasit e shohin si përçues të mesazheve negative atë...
Arti ngjit jetën në skenë, ngjit dukuri shoqërore duke i përjetësuar ato. Unë mendoj se nuk ka asgjë në këtë film që të denigrojë askënd, as të ofendojë një palë e as të mbrojë një tjetër. Unë kam biseduar edhe me regjisorin e skenaristin dhe në bisedat me ta nuk kam dëgjuar apo nuk kam kuptuar të ketë pasur ironi apo diçka të ngjashme. Përkundrazi, mesazhi që jep filmi është se dashuria triumfon, pasi të rinjtë ikin dhe e përjetojnë ndjenjën e tyre.

Një tjetër akuzë e hedhur ndaj filmit është "dëmtimi i harmonisë fetare". Si e shihni ju këtë?

S'ka të bëjë fare. Besimet tona fetare kanë marrëdhënie të mrekullueshme njëra me tjetrën dhe rasti i Shqipërisë është një rast i veçantë në të gjithë botën. Unë vetë jam martuar me një burrë mysliman para 55 viteve. Ne kemi shkuar shumë mirë me njëri-tjetrin dhe nuk ka pasur ironi mes nesh sa u takon feve të cilave iu përkasim. Edhe ne që kemi marrë pjesë në realizimin e filmit, e dimë se si janë marrëdhëniet mes feve dhe nuk kemi përse të dëmtojmë harmoninë fetare. Ky është një film dhe filmi është art.

A trajtohet Berati si provincë?

Jo, nuk mendoj se ai del si provincë në kuptimin që është marrë. Është zgjedhur Berati për të realizuar xhirimet, por mund të ishte zgjedhur edhe një qytet tjetër, si Lushnja, Kuçova, Korça apo Shkodra. U mor Berati sepse është qytet i bukur, jo për ta denigruar atë apo për ta bërë këtë duke nxjerrë në pah fanatizmin, thashethemet ose diçka tjetër.
Ju si aktore, keni ndonjë mesazh për beratasit?

Besoj se pak a shumë e thashë. Duhet kuptuar që filmi nuk u nis me qëllim të ofendojë Beratin apo kulturën e tij. Përkundrazi, filmi trajton një problem social që ekziston, siç janë thashethemet, fjalët që përhapen lart e poshtë pa u vërtetuar. Besoj se filmi tregon një realitet shqiptar, që jo domosdo është i Beatit sepse Berati ka dhënë për filmin skenat, por nuk është marrë ai qytet për t'u vënë në shënje-stër, sepse siç e thashë, mund të ishte edhe një qytet tjetër

(G.SH/BalkanWeb)

BalkanWeb: Pas 30 vitesh Chapman: Pse e vrava Xhon Lenonin?


LONDER
-Ishte mbrëmja e 8 dhjetor 1980. Xhon Lenon (John Winston Ono Lennon 9.10.1940-8.12.1980) po hynte në apartamentin e tij në New York, së bashku me gruan, Yoko Ono. Përpara tij ndodhej vrasësi Mark David Chapman. Xhon do të vdiste në autoveturën e policisë, ndërsa e transportonin për në spital. Ishte 40 vjeç.
Në procesin gjyqësor të zhvilluar, Mark Chapman u deklarua fajtor dhe u dënua më 20 vjet burgim. Ai e vuajti dënimin në burgun e Atikës.
Përse e vrave Lenon?
Chapman: "Xhon Lenon mbushte plotësisht një zbrazëtirë brënda meje, një zbrazetirë të thellë. Duke e vrarë, mendova se do të bëhesha pronar i famës së tij, i suksesit të tij".
Kjo ishte ëndrra e Chapman?
Chapman: "Të isha i famshëm. Unë që isha askushi".
Chapman zuri vend në mendjet e qindramijerave të rinjve të mbledhur në Central Park, për të qarë idhullin e tyre. Mendime të mbushura me dhimbje, me indinjate, me urrejtje të miliona të rinjve të tjerë nga e gjithë Bota, që e donin dhe e adhuronin Xhon Lenon, sikundër edhe ai i donte ata.
Chapman: "E doja Xhonin, e doja vazhdimisht, deri kur brenda meje lindi idea për t'a vrarë. Edhe unë do t'a urreja cilindo që do të donte të më bënte keq. Mund t'i kuptoj këta të rinj. Sot jam në gjendje të përballoj realitetin dhe të arrij të shikoj atë që kam bërë nga një këndvështrim racional. Në kujtesë kthehem vazhdimisht prapa për të kujtuar atë që ndodhi atë natë".
Mark Chapman kishte qënë një fëmijë i vetmuar. Për t'a kapërcyer, për t'i ikur kësaj vetmije, krijonte një Botë imagjinare. Një qytet - mbretëri të mbushur me qindramijëra persona. Ai i kundërvihej kësaj mbretërie. "The Beatles" ishin kolona e tij e preferuar. Gjatë gjithë fëminisë dhe adoleshëncës dëgjonte disqet e tyre në mënyrë të pandërprerë, besonte në këngët e tyre, në mesazhin e tyre. Por megjithatë vetmia nuk e kishte lënë. Duke u rritur humbiste vazhdimisht lidhjet me realitetin. Humbiste në mënyrë të përsëritur vendet e punës. Ndjehej përherë i ndryshëm nga të tjerët.
Chapman: "Por ja se çfarë ndodhi. Dua të tregoj se si më lindi idea për të vrarë Xhon Lenon. Shkoja vazhdimisht në bibliotekë. Ishte ky vendoazi im i vetëm dhe i preferuar, ku gjeja paqe. Një ditë, gjeta në një sirtar një libër të Anthony Fawcett që titullohej "Xhon Lenon one day at the time". Fillova t'a shfletoj për të parë fotot e Xhon Lenon. Por ja, nga këto foto dilte jashtë një tjetër Xhon, që jetonte në New York, në një pallat shumë të madh në Dacotta Building. Një pallat ku jetonin të pasur. Për mua ishte një deziluzion i madh. Më indinjoi shumë. I doja "The Beatles" dhe besoja në këngët e tyre, në atë që thonin, në idealin e tyre që ngjasonte me idealin tim. Prej asaj dite në bibliotekë, Xhon u transformua në sytë e mi në një hipokrit. Brenda meje shpërthente një indinjatë dhe dhunë e papërmbajtur kundër tij".
Mark atëhere vendosi të blinte një pistoletë, një kaliber "38" dhe një biletë për në New York. Ditën e fundit, firmosi në regjistrin e prezencës në punë, duke shënuar emërin Xhon Lenon.
Chapman: "Ishte një ditë shumë e gjatë. Ishte mjegull. Qëndroja me orë të tëra në këmbë në hyrje të pallatit ku banonte Xhon Lenon. Ndërsa isha aty duke pritur, kalonin njerëz që më shikonin.
Improvizoja sikur ai po dilte. Më kalonte përpara dhe unë i kërkoja një autograf në kopertinën e albumit të tij të fundit. Firmosi kështu: - Xhon Lenon. 1980 -. Ky ishte një moment tepër i vështirë për mua. Xhon dukej i qeshur dhe xhentil. Nuk më dukej aspak një burrë fals, një i shtirur. Isha tepër konfuz...
Kaluan shumë orë, një, dy, tre... Ishte errësirë. Ja limuzina e tij tek ndalon para hyrjes së pallatit. Shoferi nuk zbriti. Përkundrazi, e para zbriti Yoko nga dera e pasme. Kaloi para meje pa u ndalur, pa pritur Xhonin. Menjëherë më pas zbret Xhon, duke u drejtuar para hyrjes së pallatit. Kaloi para meje dhe më shikoi.
Atë çast dëgjova brenda meje një zë, që më përsëriste vazhdimisht: - Vrite atë, vrite atë -. Ishte një tjetër "unë" Brenda meje, që më dha urdhër.
Në atë çast nxora nga xhepi revolverin. Mora pozicion qitje. Ngrita revolverin dhe shtrëngova me dorën e lirë pulsin për të ndaluar dridhjen. Pastaj qëllova. Ishin pesë goditje drejt gjoksit të Xhon Lenon.
Fundi i këtij momenti, për mua ishte sikur të mbaronte një film. Arriti policia dhe në ndaloi. Më pas më mbyllën në një autoveturë. Qëndroja për minuta të tëra ulur në sedilen e pasme, përpara së të më dërgonin në rajonin qendror të policisë. Vështroja një figurë që ju afrua autoveturës dhe më shikoi në sy, ndërsa isha brenda. Ishte Yoko Ono. Më mbërtheu ai vështrim. Donte të më shikonte në fytyrë… Akoma sot ai vështrimi saj më torturon.
"Yoko, të lutem përpiqu të më kuptosh. Unë nuk vrava një person të gjallë. Unë vrava një imagjinacion në kopertinën e diskut".
Ka shumë vuajtje në këtë Botë. Po unë shkaktova atë më të rëndën. Vrava një gjeni, një bashkëshort, një baba. Para se t'a vrisja, pashë atë ditë Sean (Shonin), djalin e Xhonit. Ishte vetëm 5 vjeç. Mjaftonte vetëm kjo për të më ndalur. Nuk pres të jem i falur... por të lutem besomë, më vjen keq, më vjen keq...".
Përktheu: Linda Poda