Marre nga Gazeta Republika dt 25 Maj 2013
Interviste me Akademik Ass. Prof Gjovalin Shkurtaj
Vazhdimi dhe përqendrimi juaj në fushën e Gjuhësisë, fillimisht ka qenë dëshirë e juaja apo një rastësi në dhënien e bursave të studimit të asaj kohe? Në çfarë dege ju doli e drejta për studimet e larta dhe si u ndjetë, çarë emocione provuat?
Qysh i vogël kam pasur dy dhunti të këndshme për ata që më donin: këndoja bukur dhe më pëlqente t’i imitoja njerëzit simbas zërit e të folurit. Në dialektin verior kësaj vetie i thonë “me shpotit” ose “me vu në shpotë”. Të kënduarit, mbas adoloshencës zërin e bukur të djalërisë e humba, kurse aftësia për t’i imituar të folmet e njerëzve të ndryshëm jo vetëm më ka mbetur, por edhe më ka shërbyer sidomos në anketimet dialektologjike. Në vendet ku shkoja për ekspedita, gjithmonë, jam përpjekur ta përshtas të folurit tim me atë të vendasve. Këtë e kam bërë, jo vetëm në Malësi të Madhe, po edhe gjetkë, në Shqipërinë e Jugut, në Kosovë, në Mal të Zi dhe, madje, edhe te arbëreshët e Italisë. Në Kosovë, për të qenë sa më i atillë që të mos ndruhen prej pyetjeve të mia, edhe emrin e ndërroja. Atje u thosha se quhem Xhemajl, kurse te arbëreshët e Italisë natyrshëm unë quhesha Xhovan ose Xhuanin. Por, si i thonë fjalës, le t’i lëmë “mahitë” dhe po i përgjigjem pyetjes suaj. Në vitet 1958-1962 ndoqa dhe kreva Shkollën e Mesme Pedagogjike të Shkodrës dhe ajo periudhë ka qenë fatlume për mua, sepse shumica e mësuesve tanë ishin aq cilësorë në mësimdhënie, si dhe aq të përgatitur teorikisht e shkencërisht, saqë edhe na përudhën në dëshirën për dije e, në mos tjetër, na dhanë modelin se si duhej të gjakonim të bëheshim. Kishim asokohe mësues të gjuhës e të letërsisë si Neki Lezha, Luigj Franja, Shefik Osmani, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Tomor Osmani etj., të cilët, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik (sot Universiteti) i Shkodrës, do të ishin nga më të parët pedagogë të tij. Pra, sigurisht, dëshira që të bëhesha, nuk po them gjuhëtar, por së paku mësues i gjuhës e i letërsisë shqipe, më është zgjuar qysh në shkollën e mesme. Kjo dëshirë do të shkonte më tej, kur pata, përsëri, fatin e mirë të fitoja bursë shteti për Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega e gjuhës dhe e letërsisë (1962-1966). Në ato vite aty jepnin mësim figurat më të dallura të gjuhësisë shqiptare, si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Selman Riza, Anastas Dodi etj. si dhe kishim, gjithashtu, pedagogë të lavdishëm të letërsisë botërore e shqiptare, si Zijaudin Kodra, Mark Gurakuqi, Muzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami, Nasho Jorgaqi etj. Kishim pedagogë të latinishtes e të gjermanishtes që ishin figura të mirënjohura të filologjisë shqiptare, si Henrik Lacaj në latinisht, Pashko Geci në gjermanisht, Shpresa Kseno në rusisht etj. Prej tyre morëm jo vetëm dije të vlefshme, po edhe modelin e bukur të mësimdhënësve sa të zotë e të përkushtuar, aq edhe objektivë e të drejtë. Sidomos të drejtë e të paanshëm. Prej asaj cilësie të tyre, natyrisht, kam pasur edhe unë fatin e lumtur që të vlerësohesha e të cilësohesha si student me prirje për t’u marrë me studime gjuhësore. Dhe, po përmend vetëm një fakt të paharrueshëm e që më ka mbetur për gjithë jetën si peng nderimi e mirënjohjeje. Kur mbrojta diplomën me temën “Vëzhgime për të folmen e Kastratit”, megjithëse nuk ishte oponent zyrtar, për temën time foli edhe prof. E.Çabej, idhulli ynë i atëhershëm dhe i përhershëm, i cili, ndër të tjera, tha se për rastin tim duhej të mendohej që të kisha edhe një vend pune në fushën e dialektologjisë. Ajo fjalë e mirë, ndonëse në fillim do të emërohesha në Breg të Matës si mësues, pa shkuar shumë kohë, në vitin 1967 do të realizohej dhe unë fillova punën si dialektolog. Për 10 vjet radhazi, kam pasur gëzimin e nderin të isha në një zyrë me Eqrem Çabejn. Ato dhjetë vjet në atë zyrë, ku punonin edhe disa kolegë të tjerë, unë i quaj si shkolla ime e vërtetë pasuniversitare. Mbi të gjitha aty kishte disiplinë pune dhe kjo për hir të pranisë dhe metodës së punës që na impononte pikërisht prania aty e një figure kaq të madhe e kaq serioze si Ai. Më ka dashur dhe më ka afruar shumë, gjithmonë me stilin e tij gjermanik, pa lejuar asnjë konfidencë të tepërt, por kurdoherë me dashamirësi e gatishmëri për të na ndihmuar. I jam gjithmonë mirënjohës atij dhe kolegëve të tjerë më të moshuar, më të rëndësishëm se ne, por që na mbajtën pranë dhe prej modelit të tyre edhe ne ecëm përpara. Në Institutin tonë të Gjuhësisë e të Historisë në ato vite ka pasur burra të shquar (e që rrallë mund t’i përsëriten kombit tonë), si Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Injac Zamputi, Stavri Naci etj. prej të cilëve edhe pse ishin historianë e në sektorë të ndarë prej nesh, dëgjonim sidomos diskutmet në mbledhjet e mëdha të analizës vjetore, kumtimet dhe raportet e punës që na gdhendeshin në tru si modele gojëtarie e ligjërimesh panagjerike. Kur diskutonte prof. Aleks Buda na dukej sikur fjalët i kishte të shkruara në pentagram dhe i këngëzonte në atë mënyrë që na linte me gojë hapur. Aty kemi pasur edhe një brez kolegësh më të rinjë se të lartpërmendurit, por që dinin shumë gjuhë të huaja dhe ne më të rinjtë përfitonim prej tyre dhe flisnim ndonjëherë edhe për t’u ushtruar në frëngjisht, në italisht, gjermanisht etj. Kjo ndodhte sidomos kur dilnim për të pirë kafe, aty nga ora dhjetë e mëngjesit dhe, në oborr e deri te bufeja ku pinim kafen, diku te Toena e sotme, dalloheshin disa grupe dijetarësh: grupi i gjuhëtarëve dhe historianëve; grupi i përkthyesve të Shtëpisë Botuese “N.Frashëri”, ku shquheshin sidomos Jusuf Vrioni e Zef Simoni; grupi i studiueve të psikologjisë e pedagogjisë, ku danin në shenj sidomos Hamit Beqja, Nuri Çaushi e Shefik Osmani. Ndonjëherë edhe përziheshim duke pritur radhën për kafe dhe shkëmbenim ndonjë “batutë”. Njëherë ishim me Ferdinand Lekën dhe takuam një prej miqve të tij përkthyes, poliglot, i cili i tha latinisht: “Multa tempus eripit mihi linguae stranierae studendi” (Më duhet shumë kohë për të nxënë gjuhë të huaja). E mbaj mend edhe mbas kaq shumë vitesh. Kam shumë përmallim për atë kohë.
Në vitet 1966 -1967 ju emëruan mësues në fshatin Rrilë të Lezhës. Çfarë kujtimesh keni për mësuesinë e atyre viteve?
Diku në shënimet e mia kam edhe një sasi faqesh të shkruara me dorë, kur nuk kisha kompjuter, me titullin “Kujtimet e Bregut të Matës”. Gati i kisha harruar dhe do t’i gjej, mbase, ndonjëherë, kur të lirohem nga disa punë e projekte që ende i kam për t’i kryer, do t’i marr në dorë, por mbaj mend se ai vit shkollor në Shënkoll të Bregut të Matës, ndonëse nuk e kisha menduar se do të caktohesha aty, sepse edhe ëndërroja e shpresoja për “më lart”, në mos tjetër në një shkollë të mesme, p.sh.në Koplikun tim, e jo në një shkollë tetëvjeçare dhe aq larg, kur nëpër gjimnaze, qoftë në Shkodër, qoftë edhe në qytetin e Lezhës, kishte ende arsimtarë pa shkollë të lartë katërvjeçare. Por, si i thonë fjalës, shpejt ai vend dhe banorët e tij të mirë më bënë për vete. Më kanë dashur, më kanë pritur e më kanë dhënë materiale të vlefshme dialektore dhe onomatike. Mbi atë bazë, brenda atij viti shkollor, hartova edhe një studim të gjerë për të folmen e Bregut të Matës dhe e botova, së pari, të përmbledhur në almanakun “Lissus”, nr.1,1968, që e nxirte rrethi shkencor i arsimtarëve të Lezhës, pasatj e kam botuar më të gjerë në “Studime fililogjike”. Kam qëndruar vetëm nëntë muaj si mësues atje, por ish-nnxënësit e mi të atij viti më kanë kujtuar e më kujtojnë shpesh.Disa edhe kanë ardhur ndonjëherë në Tiranë, si Pjetr Mili, Kol Gjeto Leka, Pjetër Vata etj. Në atë brez miqsh hyn edhe gazetari i shquar Fran Gjoka, i cili pikërisht sepse është nga ajo zonë, jo vetëm nuk i kam thënë “jo” për intervistat që i kam dhënë, po edhe e vlerësoj se përfaqëson cilësitë më të vyera të malësorëve të Lezhës. Ishulli i Lezhës, gjithashtu, më kujton ditët kur mblidhja lënë për studimin tim të cituar dhe aty,një nga mësuesit,Ndue Lala, edhe pse ishte me origjinë nga Mirdita, më ka shoqëruar dhe më ka gjetur informatorë shumë të mirë. Prej tij, gjithashtu, kam shënuar toponimin Divel, të anëve të Velës së Vendit në Mirditë dhe unë, pastaj, e kam shtënë në punë për të përqasur me toponimin e hershëm ilir Dimali, që e ka shpjeguar E.Çabej si “dy+male”. Kam gjetur, pastaj, edhe motërzimin Dimele (dy male) në Çamëri dhe i kam shqyrtuar gjerë të sythi toponimet e shqipes të fortmuara nga numërorë.
Krahas ushtrimit të mësuesisë kini dalë me monografinë e parë studimore “Të folmet e Bregut të Matës”. Si është pritur studim i parë juaji?
Kur u emërova si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë, në shtator të vitit 1997, ndonëse kisha vetëm një vit punë mbas diplomimit, në krahasim me kOlegët që filluam punën njëherësh, unë kisha përparësinë se kisha botuar në “Studime filologjike” monografinë për të folmen e Kastratit (në dy numra, 2 dhe 3,1967) dhe ato ditë sapo kishte dalë nga shtypi. Po kisha botuar në “Lissus” shkurtoren e monografisë për të folmet e Bregut të Matës,të Ishullit të Lezhës e të Shëngjinit. Gjithashtu, isha miratuar edhe si kumtues në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, që do të mbahej në janar të viti 1968, kushtuar 500-vjetorit të Gj. Kastriotit-Skënderbeut dhe, ashtu “fringo” i ri në pamje, përballë kolegëve të Institutit ku fillova punën, përveç nishanit në ballë që ma ka falë Zoti, kisha tashmë edhe dallimin se kisha botuar disa punime. Kjo natyrisht edhe më trimëronte e më bënte të punoja sa më shumë që të mos e prishja atë fillim. Dhe, sikundër thotë fjala popullore “fillimi i mirë është gjysma e punës”. E fillova mirë dhe, me modestinë e nevojshme, mund të them se kjo hulli e nisur në Breg të Matës do të më dilte për mbarë. Shumë nga fjalët e mbledhura e të botuara në studimet e mia filluan të citoheshin edhe nga E.Çabej në studimet etimologjike,ndërsa monografinë për të folmen e Kastratit, prof.Gjinari ua rekomandoi si model pune studentëve të degës së gjuhës, që do të merrnin tema diplome nga dialektologjia.
Për kulturë të lexuesit, mund të na thoni përse dialekti toskë u zgjodh bazë për gjuhën zyrtare, atë standarde? Mendoni se është i nevojshëm ristandardizimi i gjuhës shqipe?
Ideja ime e hershme dhe e sotme mbetet se kahu me i mbarë i përbashkimit dhe i njësimit gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dhe mbetet ai që niset prej dialektit dhe shkon te gjuha e njësuar, duke qenë ato, kurdoherë, si uji në enët komunikuese.Ajo që vjen prej dialekteve, edhe kur sjell ndonjë turbullim të pjesshëm, e pasuron gjuhën, kurse ajo që vjen prej standardit dhe përhapet në nënstandardet e deri te të folmet popullore, pa dyshim, e kthjellon dhe e zhdërvjelltëson shprehjen dhe fuqinë realizuese të kumtimit mbarëshqiptar. Madje, sikundër ka shtjelluar me kompetencë të lëvdueshme Mikele Familjeti (Famiglieti) për diasporën arbëreshe të Italisë, edhe në raste të gjuhëve në kontakt e të diasporave, rruga më e drejtë është nga pikëpikëpamja psiko-pedagogjike dhe formative, ecuria që shkon: nga dialekti te gjuha e përbashkët, pra edhe nga “gjuha e zemrës” te “gjuha e bukës”, aq sa (ku dhe kur) është e mundshme. Standardi, sigurisht, duhet kuptuar si synimi më i lartë, si pika më e përtejme e mbërritjes, kurse e folmja a idiolekti i individit, bashkë më sociolektin përkatës të njësisë a qelizës më të vogël: mjedisit familjar, farefisnor dhe dalëngadalë krahinor a vendor, është kurdoherë vetëm pikënisja. Sipas fazave e stadeve zhvillimore moshore e në përputhje me faktorët jashtëgjuhësorë (arsimorë, kulturorë, mendësiorë etj.) të gjithë sa janë, përderisa e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe, do të shfaqin edhe prirjet e veta e do të marrin kahun e përparuar, largvajtës që do t’i shpjerë drejt standardit ose, përkundrazi, do t’i mbajë të mbërthyer në një tjetër tip ligjërimor, ku lakmia për standardizim mund të jetë më e pakët ose edhe e aspaktë. Ka pasur, ka e do të ketë njerëz që, gjatë gjithë jetës së tyre, p.sh. si bujq a blegtorë pa shkollë ose me shumë pak shkollë, pa lidhje e përfshirje në parti e në lëvizje politike a shoqata të ndryshme, të dhënë e të mbyllur kryesisht pas punës së vet, të cilët jo vetëm që nuk e lakmojnë standardin subjektivisht e vullnetarisht, por edhe mund të shfaqin mospëlqim të hapur ndaj tij e, për pasojë, ata do të na shfaqen gati gjithmonë si dialektalë, me ligjërim të prekur pak ose aspak nga zhvillimet e vetëdijshme e me vetëdashje, por ata do të kenë marrë aq sa merret kudo e kurdoherë në mënyrë të pavetëdijshme e të pavullnetshme. Gjithashtu, ka pasur, ka e (kushedi) ndoshta do të ketë edhe më tej, njerëz që, me dashje, me vetëdije të plotë, dalin në të kundërtën e rrjedhës zhvillimore të kahut normativues e standardizues, duke e quajtur dialektin e vet si “gjuhë” tjetër nga varianti standard, sikundër jemi mësuar tashmë ta dëgjojmë si rrufe në qiell të kthjellët nga ndonjë analist e gazetar në hapësirat shqiptare kompakte ballkanike, si dhe në diasporë. Nuk ka munguar, gjithashtu, edhe një zogori pseudogjuhëtarësh e “specialistësh për gjithçka”, të cilët, kryesisht për arsye protagonizmi e me mëtime të dukshme turbulluese e punëprishëse i hakërrohen standardit e procesit përbashkues e përnjësues shpirtëror e kulturor të shqiptarëve, duke shitur si të reja, çfarëdo mendimesh a qëndrimesh separatiste e tribaliste që janë tejkaluar e duhet të mbetën të mbyllura në periferitë e së shkuarës së errët e të pamirë të kulturës shqiptare. Hapja e tyre, qoftë edhe për arsye “historiati”, nuk i ka sjellë e nuk do t’i sillte asgjë të mirë as gjuhës shqipe, as kulturës shqiptare. Bashkohem plotësisht me vlerësimin dhe konceptimin e shëndetshëm dhe fatmirësisht mbizotërues ndër dijetarët më të autoritetshëm të letrave shqipe, se “qëndrimet e tilla, deshëm s’deshëm ta pranojmë, na ballafaqojnë me një alternativë prapakthyese politike dhe kombëtare”.
Faleminderit!
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Nga FRAN GJOKA
Nga FRAN GJOKA
No comments:
Post a Comment