Kliko ketu per ta lexuar te plote kete shkrim ne Gazeta Shqip
Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por atëherë mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo tani vonë, pas disa komunikimesh me bijën e tij, zonjën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrova këto kujtimet për këtë pedagog, studiues dhe njeri të madh.
Prof. Çabej në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë jepte kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet e rralla kur përputhen te një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, profesor Çabeji ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua prej askujt, dëshmi e vlerave të tij.
Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Tepër i sjellshëm, ngrinte dorën dhe e çonte pak kapelën republikë kur salutonte. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit nuk e pashë kurrë të nervozuar. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë në këmbë te katedra duke folur, rrallë lexonte ndonjë fragment të shkurtër. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, nuk përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.
Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin edhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij.
Ora e fundit e mësimit me të, dhjetor 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndihem fajtor. Ndihem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej...
Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi me shprehjen: Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.
No comments:
Post a Comment