Saturday, February 28, 2015

Një interpretim i shkëlyer i Mehdi Malkajt në monodramën “Marr guximin”

Dje në mbrëmje, bashkë me time shoqe, Leonorën, ishim në shfaqje dhe pamë me shumë kënaqësi monodramën “Marr guximin”, interpretuar aq mjeshtërisht nga Mehdi Malkaj.

Mehdi Malkajn e kam njohur qysh kur ka qenë student në Akademinë e Arteve, në degën e dramës dhe e kam ndjekur shpesh në shfaqjet teatrore dhe në disa filma ku ai ka interpretuar, duke shfaqur talentin e tij të rrallë për role karakteresh dhe kryesisht të tipave tragjikomikë. I tillë është edhe personazhi i monodramës “Marr guximin”, që u rishfaq këto ditë në Tiranë.

Friday, February 20, 2015

Problemet me shkrimin e gjuhës shqipe - në emisionin 'Ditë e re' në Ora News TV

Sot fola në Emisionin “Ditë e re” te Ora  News, të drejtuar nga Edvin Peçi dhe Stela Kotri.

E fillova bisedën me parafrazmin e një  këngë shkodrane,që thotë : “Ke me u pendue, por atëherë ka me kenë vonë ” dhe  me këtë doja të  theksoja shqetësimin tim dhe mendimin se do të pendohemi për qëndrimin e padrejtë e pakujdesitë ndaj gjuhës shqipe, por, kur të  na vijnë mendtë, me siguri, do të  jetë vonë.

Sunday, February 15, 2015

Romani “Unaza e virgjëreshës”: Një rrugëtim mjeshtëror në traditat dhe zakonet e veriut të Shqipërisë

Ndue Dedaj është një nga autorët më prodhimtarë të letërsisë së sotme: poet, shkrimtar dhe studiues e analist i mirënjohur nga Mirdita. Emri i tij është nga më të shpeshët në faqet e gazetave dhe revistave kulturore. Ka botuar shumë artikuj e studime qysh në vitet ’70, ndërsa në vitin 1998 ka botuar librin e tij të parë me titull “Ajsbergu i Hanes”. Në vijim, ka botuar librat  “Toka e katedraleve” (1999 dhe ribotim me rivështrime e pasurime me 2006), monografinë “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”(2010), disa vëllime me vjersha dhe, këto ditë, doli nga shtypi romani i tij “Unaza e virgjëreshës”, një libër prej 372 faqesh, kushtuar një teme sa interesante e tërheqëse, aq edhe të lidhur me palcën e dokeve e traditave të Shqiperise veriore e sidomos te Mirditës, ku ka qenë deri vonë edhe zakoni i vajzave virgjëresha, të pamartuara e të përkushtuara mbajtjes gjallë të familjeve në mungesë të meshkujve.

Romani është shkruar bukur, me njohje të thellë jo vetëm të tematikës së trajtuar në të, por edhe me prurje të një pasurie të madhe fjalësh e frazeologjizmash  aq mbresëlënëse e funksionale nga e folmja e Mirditës.

I urojmë suksese autorit dhe i ftojmë lexuesit ta marrin këtë roman të ri, duke qenë të bindur se do të gjejnë në të jo vetëm rrëfim kureshtar e befasues, po edhe gërshetim mjeshtëror të subjektit me thurjen ligjërimore, ashtu si e ka zakon autori Ndue Dedaj.


Sunday, February 8, 2015

Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik (nga Akad. Kolec Topalli)

Akad. Kolec Topalli 
            Hoti është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, me faqe historie të përgjakshme por të lavdishme, me tradita e zakone fisnike, të ruajtura e të kultivuara brez pas brezi e me përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur gjallë besën e të parëve. Banorët e kësaj treve, të izoluar nga kohët e pushtimeve, por edhe të lidhur me besë e burrni me pjesët e tjera të atdheut, kanë mundur të ruajnë si gjënë më të vyer gjuhën, shqipen e kulluet e të pastër, ashtu siç janë përpjekur të ruajnë lirinë, qenien e tyre shqiptare e çdo gjë që i lidh me tokën, ajrin, fushën e malin. Edhe pse kjo krahinë u nda padrejtësisht në dy shtete, duke u kufizuar shqiptarët me shqiptarë, banorët e saj e kanë ruajtur identitetin dhe unitetin, duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat. 

            E folmja e Hotit, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit. Karakteri konservativ i kësaj të folmeje lidhet me historinë e kësaj krahine, e cila, e strukur në vetvete dhe e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.