Showing posts with label eqrem çabej. Show all posts
Showing posts with label eqrem çabej. Show all posts

Tuesday, December 23, 2014

Revista “Studime Filologjike” tribunë e mendimit shkencor Albanologjik

nga Gjovalin Shkurtaj

Tubimi i sotëm, me temën që i kushtohet 50-vjetorit të daljes së numrit të parë të revistës SF, përtej (dhe krahas) pohimit të rëndësisë dhe vlerave që ka pasur në vite kjo revistë, si tribunë e mendimit shkencor albanologjik, ka edhe rethanën që, pikërisht domosdoshmëria për të faktuar me objektivitet se si e mbajmë mend dhe sa kemi përfituar prej këtij organi shkencor, na shtyn të biem në pohime të njëjta ose, në mos tjetër,të ngjashme e të atilla që shkojnë sipas një metafore të bukur, që u përdor edhe nga parafolësit: Jani Thomai e quajti revistën “shkollë gjuhësore”, që shkon në të njëjtën hulli me “tribunën” që po  përdor unë dhe,natyrisht me krejt qerthullin e fjalëve miradijepohuese e përlëvduese që po i  blatohen sot në kumtesat tona.

Bashkohem, pra, me cilësimin e SF-së si “shkollë gjuhësore” dhe shtoj se asaj reviste i takon t’ia themi me gojën plot cilësimin si organ dorëmbarë e frymëgjatë, si tribunë e mendimit shkencor, e ideuar dhe e drejtuar nga burra të mëdhenj (po përmend emrat e anëtarëve të redaksisë së numrit të parë: Androkli Kostallari (kryeredaktor), Dhimitër Shuteriqi, Eqrem Çabej, Koço Bihiku, Mahir Domi (Zv/Kryeredaktor), Spiro Floqi, Shaban Demiraj, Zihni Sako), të cilët ndiqnin hullinë e mbarë të BISH dhe BUSHT,SSHSH, por që,  duke ia zgjeruar hapësirat albanologjisë, shpejt, ia dolën që revista SF të merrte pamjen e vet të veçantë, duke u klyzuar e zhvilluar si një tribunë albanologjike më vete dhe do të ecte duke u rritur, numër pas numri e vit pas viti, ashtu siç fiskajohet e lartësohet pilashnjoku i ri në trungun me rrënjë të forta.

SF, ka filluar të dalë më 1964 dhe, po të përdorja një togfjalësh të sistemit të numërimit të malësorëve të Mbishkodrës sime, i bie që, plot pesëdhet pa dy vjet më parë, kam nisur ta blej, ta lexoj e ta koleksionoj në raftin tim...

Dhe, vijmë kështu, tek pika më e rëndësishme që i takon SF-së në jubileun e saj të 50-të: serioziteti dhe kujdesi që tregonin drejtuesit dhe anëtarët e Redaksisë për afrimin e autorëve që të shkruanin në revistë, po, mbi të gjitha, për shqyrtimin e kujdesshëm e me përgjegjësi të artikujve a ndihmesave që pranoheshin për t’u botuar në faqet e SF-së. Jo vetëm nga diskutimi i punimit tim të parë, që i takon pranverës së vitit 1967, po edhe i të gjithë artikujve, recensioneve,qoftë edhe kronikave a nekrologjive, që kam  botuar aty në rrjedhë të viteve e,sidomos nga shtatori i vitit 1967 deri në maj të vitit 1990, kur kam qenë punonjës efektiv i IGJL-së, e ndiej si detyrë morale të theksoj se anëtarët e Redaksisë dhe oponentët që caktoheshin për t’i vlerësuar me shkrim e zyrtarisht artikujt, kanë pasur jo vetëm përkushtimin e seriozitetin më të lartë në punë, po edhe meritojnë të vlerësohen si editorë të lëvdueshëm e themelvëns së një tradite të të shkruarit me kujdes,me akribi e me zbatim të kërkesave të larta të hartimit e botimit shkencor.


Revista SF ka qenë në vite, organi ku janë botuar jo vetëm artikuj e kumtesa nga fusha e dialektologjisë, po edhe skica e monografi të plota dialektologjike derisa do të themelohej seria “Dialektologjia shqiptare” (në vitin 1971), duke ushqyer kështu jo vetëm studiuesit e interesuar mirëfilli për gjuhësinë , po edhe  masën e gjerë  të  arsimtarëve anëmbanë Shqipërisë, madje edhe më gjerë, aq sa mund të mbërrinin në atë kohë botimet shqiptare, sidomos në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi dhe në diasporën arbëreshe. Po përmend se aty në përmasat dhe hapësirat që i takonin dialektologjisë si njëra nga disiplinat a pjesët e IGJL-s (herë si pjesë e sektorit të gramatikës, herë (për një farë kohe) si sektor më vete),    janë botuar studime dhe artikuj për dialektet dhe të folmet e shqipes nga studiues specialistë të IGJS-së, si J.Gjinari, M.Totoni, M. Çeliku, B.Beci, Gj.Shkurtaj, Xh.Gosturani,V.Milkani etj.; po edhe nga të tjerë, bashkëpunëtorë të jashtëm, si: Q.Haxhihasani, F.Luli, H.Xhaferri, F. Mehmeti etj., janë botuar artikuj e ndihmesa të studiuesve nga Kosova, si: I.Ajeti, L.Mulaku, R.Ismajli, si edhe nga diaspora arbëreshe (F.Solano, F.Altimari, A.Guzzetta), duke zbatuar kurdoherë edhe një strategji të caktuar,që revista të kishte përfshirje sa më të gjerë kombëtare.

Nxjerrja  në formë elektronike e bibliografisë së artikujve dhe studimeve të botuara në revistën SF, punë që e kishte kryer në vite me zell e përkushtim të lëvdueshëm i ndjeri Palok Daka, na jep mundësinë të shohim se kush, kur dhe çfarë kanë shkruar në lëmin e dialektologjisë. Kjo punë shumë e mirë e bërë në vitet e fundit nga IGJL-ja, prej së cilës, edhe për të hartuar këtë kumtesë, përfitova shumë dhe nuk pata më nevojë t’i rishkruaj titujt që më duheshin, por i mora me “copy-past”,  më solli në mendje një propozim, i cili ndoshta edhe mund të jetë në mendjen e drejtuesve të IGJL-s: në pamundësi për t’i ribotuar në letër të gjithë numrat e SF-së, do të ishte mirë të bëhet dixhitalizimi i tyre dhe vënia në përdorim me CD ose në botim “On-line”, sikundër ka bërë, p.sh.Universiteti i Kalabrisë me revistën “Zjarri” dhe me botime të tjera të rralla, por të kërkuara e të domosdoshme për studiuesit e rinj.

Nga kalimi “diagonal” i shkrimeve në SF për dialektet dhe të folmet e shqipes, si edhe për marrëdhëniet gjuhë standard-dialekt si një nga pjesët e rëndësishme  të sociolinguistikës, del se ndihmesa e dialektologëve të IGJL-së dhe e bashkëpunëtorëve të jashtëm që kanë botuar në faqet e kësaj reviste ka qenë e rendësishme dhe me vlera, jo vetëm për atë kohë, po edhe për kohën tonë, porse ato shkrime tashmë janë të pagjendshme, janë të pakët studiuesit e rinj që mund t’i kenë në dorë e t’i shfrytëzojnë. Edhe koleksionet në bibliotekat kryesore të kryeqytetit e të qyteteve të mëdha nuk i kanë të gjithë numrat, ose i kanë, por, shpesh, janë të dëmtuara dhe mungojnë pikërisht artikujt e rëndësishëm të fushës sonë. Hera e mbarë e përkujtimit të 50-vjetorit të SF-së e pruri që, në këtë kumtesë, ashtu si kolegët e tjerë për fushat përkatëse, të nxjerr edhe një “inventar” të plotë të titujve të skicave, monografive, artikujve, recensioneve dhe kronikave ku flitet për dialektet dhe të folmet ose për ekspeditat dialektologjike. Mund të pohoj me gojën plot se ato, përveç vlerave si studime të mirëfillëta, kanë edhe vlerën e modeleve të të shkruarit.

Dhëntë Zoti që, një ditë, sikundër e shpreha, ato edhe të dixhitalizohen e të vihen në shërbim të studiuesve dhe studentëve. Sidomos të studentëve, të cilët, për hir të së vëtetës, në faqet e studimeve filologjike, jo vetëm për dialektologjinë, mund të gjejnë shumëçka të vlefshme, do të thosha edhe të domosdoshme, për formimin e tyre filologjik e alabanologjik që gjakojmë t’u japim.

Pasqyra bibliografike e shkrimeve për dialektet në faqet e revistës SF:

Së pari, përmendim se, në rrjedhë të viteve, deri sa do të fillointe botimi i serisë “Dialektologjia  Shqiptare”, po edhe mbas saj, në faqet e Revistës SF janë botuar skica e monografi dialektologjike për një numër të folmesh të shqipes, si:

Menella Totoni, E folmja e Bregdetit të Poshtëm I ,SF,1964/1, f. 129.
Menella Totoni, E folmja e Bregdetit të Poshtëm II, ,SF,1964/2,, f. 121.
Jorgji Gjinari, Vëzhgime mbi të folme të Krujës dhe Malësisë së Krujës I,SF, 1964/3, f. 91.
Emil Lafe, E folmja e Nikaj-Merturit ,SF,1964/3, f. 107.
Jorgji Gjinari, Vëzhgime mbi të folme të Krujës dhe Malësisë së Krujës II , SF,1964/4 f. 117.
Bahri Beci, E folmja e Reç-e-Dardhës së Dibrës I ,SF,1964/4, f. 135.
Mahir Domi & Dhimitër S. Shuteriqi, Një vështrim mbi të folmen shqipe të Mandricës ,SF, 1965/2, f. 103.
Dhimitër S. Shuteriqi, Fjalorth i të folmes shqipe të fshatit Mandricë (Bullgari) ,SF,1965/2, f. 153.
Menella Totoni, Vëzhgime për të folmen e Muzinës,SF, 1965/3, , f. 101.
Mehmet I. Çeliku, Vëzhgime mbi të folmen e krahinës së Peqinit , SF,1965/4, f. 91.
Menella Totoni, Vëzhgime rreth të folmes së qytetit të Gjirokastrës ,SF,1966/1, f. 77.
Mehmet Çeliku, Vëzhgime mbi të folmen e Kërrabës I ,SF,1966/1, f. 119.
Mehmet Çeliku, Vëzhgime mbi të folmen e Kërrabës II ,SF,1966/3, f. 99.
Gjovalin Shkurtaj, E folmja e Kastratit I ,SF,1967/2, , f. 35.
Gjovalin Shkurtaj, E folmja e Kastratit II ,SF,1967/3, f. 47.
Vaskë Milkani, E folmja e Bulgarecit, SF,1971/4, f. 163
Gjovalin Shkurtaj, Vëzhgime rreth të folmeve të banorëve të Bregut të Matës, ishullit të Lezhës dhe ishullit të Shëngjinit,SF, 1972/2, f. 81.
Bahri Beci, E folmja e Grykës së Madhe të Dibrës ,SF,1972/3, f. 85.
Fran Luli, E folmja e Postrripës , SF,1974/3, , f. 67.
Frano Luli, E folmja e Postribës II ,SF, 1975/1, f. 79
Gjovalin Shkurtaj, Shënime për të folmen arbëreshe të San Marcanos ,SF,1979/4, f. 113.
Gjovalin Shkurtaj, Disa veçori të të folmeve shqipe në Mal të Zi ,SF,1982/1, f. 179.
Elsa Maria Muzakio, Shënime në sistemin fonetik të së folmes arbëreshe të Portokanones ,SF, 1989/1, f. 63.

Së dyti, kanë qenë me  rëndësi artikujt me karakter përgjithësues për ndarjen ose grupimin e të folmeve të shqies, si dhe për dukuri të rëndësishme dialektore,si rotacizmi, hundorësia e zanoreve, gjatësia e zanoreve, grupet e bashkëtingëlloreve etj., ku janë për t’u përmendur artikujt:

Mehmet Çeliku, Rotacizmi në të folmet kalimtare të gjuhës shqipe ,SF,1964/1, f. 159.
Menella Totoni, Trajtat e pjesores të foljeve me temë më likuide në toskërishten , SF, 1965/4, f. 133.
Jorgji Gjinari, Mbi disa elemente sllave në të folmet veriore të Shqipërisë jugore , SF, 1966/1, f. 157.
Jorgji Gjinari, Diftongjet ua/ue, ie dhe ye në të folmet e gjuhës shqipe, SF, 1968/1, f. 97.
Mehmet Çeliku, Mbi grupimin e të folmeve të gegërishtes jugore dhe mbi disa tipare të tyre ,SF,1968/3, f. 123.
Jorgji Gjinari, Për historinë e dialekteve të gjuhës shqipe,SF, 1968/4, f. 127.
Gjovalin Shkurtaj, Rreth disa veçorive të gjuhës së këngëve popullore ,SF,1969/1, f. 135.
Gjovalin Shkurtaj, Një vështrim mbi përdorimin e pasthirrmave dhe pjesëzave thirrëse në të folmet e Malësisë së Madhe ,SF,1972/1, f. 113.
Jorgji Gjinari, Dialektologjia shqiptare në vendin tonë gjatë 25 vjetve të çlirimit – Rezultate, probleme dhe detyra , SF,1969/4,, f. 99.
Bahri Beci, Gjurmimi i të folmeve qendrore të dialektit të veriut ,SF,1970/1, f. 109.
Bahri Beci, Grupi perëndimor i nëndialektit verior të gegërishtes ,SF,1970/3, f. 125.
Gjovalin Shkurtaj, Emrat e kafshëve sipas ngjyrës ,SF,1971/1, f. 95.
Bahri Beci, Realizime në studimin e të folmeve lindore të dialektit verior të shqipes , SF, 1971/1, f. 165.
Idriz Ajeti, Rreth disa veçorive të të folmeve të shqiptarëve të rrethit të Preshevës dhe të Bujanovcit,SF, 1971/3 , f. 65
Mehmet Çeliku, Kuantiteti i zanoreve të theksuara në të folmet e shqipes ,SF,1971/4, f. 65.
Gjovalin Shkurtaj, Vështrim mbi trajtat foljore të mënyrës dëftore të të folmeve arbëreshe të krahinës së Kozencës , SF,1975/2, , f. 71.
Jorgji Gjinari, Ndërtime me folje që tregojnë fillimin e veprimit në të folmet e arbëreshëve të Italisë , SF,1975/3, f. 121.
Jorgji Gjinari, Struktura dialektore e shqipes e parë në lidhje me historinë e popullit ,SF,1975/3, f. 127.
Gjovalin Shkurtaj, Të dhëna gjuhësore për lashtësinë e bujqësisë ndër shqiptarë ,SF,1975/3 f. 149.
Jorgji Gjinari, Sistemi i fonemave bashkëtingëllore të dialekteve të shqipes i krahasuar me sistemin e gjuhës letrare , SF,1977/4, f. 3.
Bahri Beci, Rreth tipareve karakteristike të dy dialekteve të shqipes,SF, 1978/4, f. 53.
Menella Totoni, Çështje të studimit të sintaksës dialektore ,SF,1978/4f. 89.
Eqrem Çabej, Nga leksiku i dialekteve arbëreshe të Kalabrisë ,SF,1979/2, f. 51.
Jorgji Gjinari, Zanoret hundore të gegërishtes dhe ë-ja e theksuar e toskërishtes , SF,1981/3, f. 49.
Bahri Beci, Vëzhgime për hundorësinë e zanoreve në të folmet veriore të shqipes , SF,1981/3], f. 143.
Xheladin Gosturani, Sistemi i bashkëtingëlloreve në të folmen e qytetit të Elbasanit , SF,1981/3], f. 165.
Androkli Kostallari, Vëzhgime mbi disa grupe fjalësh popullore të trojeve verilindore të , SF,1982/1, f. 105.
Bahri Beci, Lashtësia e dialekteve të shqipes – dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve ,SF,1982/1, f. 65.
Bahri Beci, Mbi disa veçori fonetike të të folmeve të gjuhës shqipe në përqasje me gjuhën letrare ,SF,1982/4, f. 51.
Xheladin Gosturani, Dukuri fonetike në sistemin e zanoreve të së folmes së qytetit të Elbasanit ,SF,1983/1, f. 87.
Alessandro Konstantino, Një dyfishim në arbërishte udhës e udhës ,SF,1983/3, f. 143.
Xheladin Gosturani, Veçori gjuhësore të gegërishtes verilindore ,SF,1983/4, f. 57.
Bahri Beci, Sistemi i zanoreve hundore në të folmen e Shkodrës , SF,1984/2, , f. 45.
Jorgji Gjinari, Sprovë për një klasifikim të dallimeve morfologjike të dialekteve të gjuhës shqipe ,SF,1984/3, f. 89.
Jorgji Gjinari, Dialektologjia shqiptare pas Çlirimit , SF,1984/4], f. 203.
Xheladin Gosturani, E pakryera në të folmet e gegërishtes verilindore, ,SF,f. 107.
Jorgji Gjinari, Vështrim i përgjithshëm mbi ndryshimet në sistemin e fonemave të dialekteve të shqipes gjatë historisë së tyre ,SF,1986/1, f. 137.
Xheladin Gosturani, Disa ndërtime të periudhës në të folmen e Elbasanit ,SF,1986/1, f. 87.
Androkli Kostallari, Disa veçori të arbërishtes së ngulimeve të Atikës në dritën e një “Fjalorthi” të Kristo N. Petro-Mesogjitit ,SF,1987/1, f. 45
Jani Thomai, Rreth leksikut popullor në të folmet verilindore të shqipes ,SF,1987/2, f. 55.
Xheladin Gosturani, Disa ndërtime togfjalëshash në të folmen e Elbasanit ,SF,1987/2, f. 107.
Bahri Beci, Gegërishtja veriore dhe grupimi i të folmeve të saj ,SF,1987/3, f. 61.
Gjovalin Shkurtaj, Disa veçori strukturore e semantike të toponimeve të formuara me mjetet e shqipes ,SF,1987/3, f. 99.
Androkli Kostallari & Gjovalin Shkurtaj, Ndihmesa të reja të studiuesve arbëreshë për gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare,  1988/2, f. 81.
Jorgji Gjinari, Ndihmesa e prof. E. Çabejt në fushën e dialektologjisë shqiptare , SF,1988/3
, f. 93.
Bahri Beci, Pyetësori i parë për “Atlasin gjuhësor shqiptar” hartuar nga prof. E. Çabej ,SF, 988/3 , f. 99.
Gjovalin Shkurtaj, Prof. E. Çabej për të folmet e diasporës shqiptare , SF,1988/3 , f. 107.
Bahri Beci, Hundorësia e zanoreve të shqipes në gjendjen e sotme ,SF,1990/1, f. 79.
Xheladin Gosturani, Disa ndërtime togfjalëshash foljorë në të folmet e gegërishtes verilindore , SF,1990/3 , f. 127.
Xheladin Gosturani, Vëzhgime për formimin e fjalëve në gegërishten verilindore ,SF,1992/1-4, f. 115.
Xheladin Gosturani, Format e pashtjelluara të foljes në të folmet e gegërishtes verilindore ,SF,1994/1-4, f. 131.
Bahri Beci, Marrëdhëniet e shqipes me greqishten në dritën e të dhënave të dialektologjisë shqiptare , SF,1997/1-4, f. 79.
Mehmet Çeliku, Rreth studimit të formave të pashtjelluara në rrafshin dialektor ,SF,2000/3-4, f. 161.
Rami Memushaj & Helena Grillo, Vendi i së folmes së Himarës në dialektin jugor të shqipes , SF, 2009/1-2, f. 29.

Së treti, studime për “të folmet shoqërore”, pastaj edhe për marrëdhëniet e dialekteve me shqipen standarde dhe,dalëngadalë,edhe artikuj e trajtesa për dukuri të ndryshme sociolinguistike, si:

Qemal Haxhihasani, Të folmet shoqnore, SF,  1964/1, f. 99.
Qemal Haxhihasani, Dogançja, e folmja shoqnore e zejtarëve shetitës të rrethit të Përmetit dhe Leskovikut, SF,1964/2,  f. 141.
Qemal Haxhihasani, Elemente nga fjalori i dogançes. Fragmente bisedash dhe tekste në këtë të folme , SF,1964/3, f. 149.
Gjovalin Shkurtaj, Për një vështrim sociolinguistik të të folmeve të fshehta të shqipes, 2004/1-2, f. 123-138.
Gjovalin Shkurtaj, Rreth ndryshimeve në gjuhën e fshatit të sotëm të Veriut (Sipas vëzhgimeve në zonën e Koplikut, rrethi i Shkodrës) , 1969/4, , f. 161.
Jorgji Gjinari, Gjuha letrare, drejtshkrimi dhe dialektet e shqipes , SF,1973/1, f. 131.
Gjovalin Shkurtaj, Zbunimi si shkak i lindjes së trajtave të dyta të emrave vetjakë, 1977/2, f. 51-65.
Gjovalin Shkurtaj, Vëzhgime mbi shtresat leksikore dialektore e letrare në të folmen e Lezhës,  SF,1981/3, f. 155.
Gjovalin Shkurtaj, Shtresëzime dhe risi gjuhësore në qytetin e Lezhës , SF,1984/2, f. 75.
Jorgji Gjinari, Marrëdhëniet e sotme të gjuhës letrare me dialektet ,SF,1985/1, f. 43.
Xheladin Gosturani, Vëzhgime për ndikimin e gjuhës letrare kombëtare në të folmet verilindore të shqipes 1988/2, f. 109.
Gjovalin Shkurtaj, Shqyrtime sociolinguistike për emrat e farefisnisë dhe për emrat vetjakë të shqipes ,SF,1999/3-4, f. 69.
Gjovalin Shkurtaj, Disa dukuri të së folmes së Kurbinit në dritën e sociolinguistikës , SF, 2000/3-4, f. 139.
Françesko Altimari, Heteroglosia arbëreshe, të folmet dhe shqipja standarde , SF,2002/3-4, f. 55.
Gjovalin Shkurtaj, Selman Riza për bashkëveprimin ndërdialektor , SF, 2010/1-2, f. 115.

Së katërti, shkrime për ADGJSH-në:

Jorgji Gjinari, “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” (ADGjSh) ,SF,1987/2, f. 3
Artur Lamaj, Mbi variacionin leksikor në veprën “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” , SF, 2011/3-4, f. 99.

Së pesti, recensione dhe shënime për botimet dialektologjike:

Xheladin Gosturani, Dialektologjia shqiptare I Botim i Sektorit të Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, Tiranë, 1971, f. 488,SF, 1974/1], f. 201.
Xheladin Gosturani, Dialektologjia shqiptare II. Botim i Sektorit të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë, 1974, 443 f, SF,1975/2,  f. 153.
Gjovalin Shkurtaj, Studime Gjuhësore I (Dialektologji). Botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë 1978, 571 f. [Studime gjuhësore I (Dialektologji, SF,1980/2,  f. 175.
Gjovalin Shkurtaj, Françesko Solano, Le parlate albanesi di S. Basile e Plataci “Rradhonjtë e Zjarrit” (Quaderni di Zjarri), 4, 1979 , SF,1980/4, f. 215.
Jorgji Gjinari, Dr. Idriz Ajeti “Kërkime gjuhësore”, Prishtinë, 1978 ,SF,1982/1, f. 215.
Ludmila Buxheli, Dialektologjia shqiptare, V , SF,1988/2, f. 207.
Gjovalin Shkurtaj, Haki Ymeri “E folmja shqipe e Karshiakës”, Ndërmarrja Botuese “Shkupi”, 1997 ,SF,1999/1-2, f. 211.
Gjovalin Shkurtaj, Giuseppina Turano “Tratti linguistici e culturali dell’Arbëria crotonese”, Rende, 2001, SF, 2003/1-2, f. 187.
Gjovalin Shkurtaj, Idriz Ajeti, “Studime dialektore dhe etimologjike”, Tiranë, 2005 , SF, 2004/1-2,  f. 157.

Së gjashti, jeta shkencore dhe kronika:

Ekspeditat dialektologjike të vitit 1963,SF, 1964/1f. 201.
Ekspeditat dialektologjike të v. 1964 ,SF,1965/, f. 214.
Ekspeditat dialektologjike të vitit 1969,SF, 1969/3, f. 231.
Ekspeditë gjuhësore tek arbëreshët e Italisë , SF,1973/3, f. 213
Seminar dhe sesion shkencor për probleme të dialektologjisë dhe të toponomastikës në Shkodër , SF,1978/2, f. 223.
Sesion shkencor për gjuhën shqipe në rrethin e Krujës , SF, 1978/2, f. 226.
Sesion shkencor në rrethin e Dibrës për probleme të dialektologjisë dhe të toponimisë, SF, 1978/2 f. 229.

Në mbyllje, do të thosha se, e parë në tërësinë e vet, revista SF mund të vlerësohet se, nga viti 1964 kur u themelua, për një periudhë 25- a 30-vjeçare, ka qenë revista kryesore albanologjike në Shqipëri, përballë së cilës, qoftë për nga mëtimet,qoftë edhe për nga kujdesi për botimin e cilësinë e artikujve, mund të përafroheshin vetëm “Gjurmime Albanologjike” e Prishtinës dhe Buletini i Institutit (sot Universitetit) të Shkodrës. Pjesa kryesore e lëndës së botuar në SF, mbi bazën edhe të një përzgjedhjeje e përpunimi të mëtejshëm furnizonte edhe revistën  “Studia Albanica”, që dilet në gjuhën frënge. Më vonë, do të forcohej edhe revista “Kultura popllore”. Kurse artikujt kushtuar kulturës së gjuhës, qysh nga viti 1981 do t’i kalonin kryesisht revistës “Gjuha jonë”.

Ndërkaq, me krijimin e universiteteve në rrethe do të shtheshin edhe buletine të tjera, si përmbledhje periodike ose edhe si revista universitare, gjë që, viteve të fundit, e ka pakësuar dukshëm numrin a atyre që botojnë në SF nga rrethet.

Urojmë që revista jo vetëm të vazhdojë të dalë edhe për shumë vjet të tjera, por edhe të gjakojë t’i ruajtë seriozitetin dhe kujdesin për të qenë edhe më tej jo një nga revistat, por Revista kryesore albanologjike.

Tiranë, 23 dhjetor 2014

Sunday, June 16, 2013

Kujtime për prof. EQREM ÇABEJIN (nga Prof. Ass. Dr. Thanas Gjika)


Kliko ketu per ta lexuar te plote kete shkrim ne Gazeta Shqip 

Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por atëherë mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo tani vonë, pas disa komunikimesh me bijën e tij, zonjën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrova këto kujtimet për këtë pedagog, studiues dhe njeri të madh.

Prof. Çabej në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë jepte kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet e rralla kur përputhen te një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, profesor Çabeji ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua prej askujt, dëshmi e vlerave të tij.
Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Tepër i sjellshëm, ngrinte dorën dhe e çonte pak kapelën republikë kur salutonte. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit nuk e pashë kurrë të nervozuar. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë në këmbë te katedra duke folur, rrallë lexonte ndonjë fragment të shkurtër. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, nuk përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.
Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin edhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij.
Ora e fundit e mësimit me të, dhjetor 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndihem fajtor. Ndihem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej...
Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi me shprehjen: Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.

Kliko ketu per ta lexuar te plote kete shkrim ne Gazeta Shqip