Këto ditë doli nga shtypi libri
“Himni Kombëtar” i akademikut Vasil
S.Tole, studimi monografik rreth njërit prej simboleve më të rëndësihme të njësisë
dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Kam kënaqësinë që këtë libër, ashtu si
dhe disa prej botimeve të mëparshme të mikut e kolegut tonë, akademikut Vasil S.Tole,
e mora si dhuratë nga autori pikërisht në
prag të përurimit që do t’i bëhet atij libri në Akademnë tonë të Shkencave.
Libri është një studim historik
dhe muzikologjik,pra edhe disi në shmang të interesave të mia të mirëfillta si
gjuhëtar, porse, qysh nga nëntitulli
joshës e kurreshtjendjellës “Betimi mi flamur”
më solli në mendje “betimin mbi gur”, që shqiptarët e zbatonin në raste
pajtimesh e përbetimesh. Qysh në kreun e parë të tij, gjeta edhe shumëçka
interesante e që dëshmon se udha e himnit tonë kombëtar ka qenë e njëkohshme
dhe e njëjkahshme edhe me dy prej
simboleve të mëdha të kombit: me
flamurin dhe me njësimin e
alafabetit të shqipes dhe, të tria këto
simbole kombëtare, do të shenjtëroheshin
madhërishëm në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend: në shpalljen e Pavarësisë
dhe në veprën madhore kombëtare të krijimit të shtetit të parë shqiptar të
“mosvarëm” nga Ismail Qemal Vlora, më 28 nënto 1012, në Vlorë.
Po lejohem, me këtë rast, të bëj
disa vlerësime e shpallime rreth vlerave të këtij libri, të nyjëtuara në tri kahe shkencore meritore
dhe me vlerë të shënueshme historike
dhe aktuale:
Së
pari,
mund të përmendim vlerat e librit
“Himni Kombëtar” në lidhje me
tematikën e ngushtë, që lidhet me himnin si krijim poetik dhe muzikor, për
të cilin autori, me kompetencë të plotë, shqyrton e përthekon dijet dhe pohimet
e bëra më parë dhe ato që i takojnë edhe sot zanafillës dhe realizimit poetik e muzikor të tij. Akademiku V.Tole,
ende i ri në moshë, por me përvojë tashmë
të gjatë e të respektueshme si muziktar e studiues i shquar i vlerave
etnomuzikologjike dhe historiko-kulturore të popullit shqiptar, i ka hyrë kësaj
teme duke ndjekur shembullin e muziktarëve pararendës të tij, të prof.dr.Fatmir
Hysit, i cli është edhe redaktor muzikor i studimit të pranishëm, po edhe të prof.Ramadan Sokolit e muziktarëve të tjerë.
Kështu, në libër janë kundruar, peshuar e vlerësuar pohimet e nismëtarëve e
veprimtarëve adhetarë shqiptarë, të trojeve e të ngulimeve shqiptare jashtë,
sidomos të shqiptarëve të Bukureshtit. Autori merr në
mbrojtje me të drejtë duke nënvizuar vlerat e mëdha historike e kombëtare të
atyre burrave të shquar e atdhetarë shqiptarë, që ia hynë punës për ta
realizuar atë, sidomos të poetit e veprimartit atdhetar Aleksandër Stavre
Drenovës (Asdrenit), si dhe të krejt vatrës atdhedashëse të shqipatrëve të mërguar
me banim në Bukuresht. Aty, me shumë kujdes e me trajtime të argumentuara e të
mbështetura në literaturë të gjerë burimore nga botimet e dokumentacioni i
arkivave, jepet pamja më e plotë dhe e qartë e udhës së Himnit tonë Kombëtar.
Dhe është ajo, në tërësinë e vet, një udhë e ndritur, një udhë që ka shkuar krahas me ngritjen e vetëdijes
kombëtare dhe me përpjekjet e luftën e
gjatë të patriotëve dhe ideologëve të Pavarësisë së Shqipërisë për të shkuar në ditën fatlume
të shpalljes së pavarësië me “pajën” e nevojshme të solemnitetit të rastit: me Flamurin Kombëtar
dhe me Himnin zyrtar të shtetit të parë shqiptar.
Së
dyti,
duhet theksuar ndihmesa e librit në
lidhje me simbolet e tjera kombëtare të shqiptarëve, duke theksuar
vlerën përbashkuese të tyre dhe, mbi të gjitha, konsiderojmë të dobishme
ndihmesat e këtij studimi për të nxjerrë në pah një rrethanë shumë të rëndësishme
e me vlerë kombëtare madhore: lidhjen e ngushtë të përfaqësuese të Shkodrës,
Korçës, Vlorës etj. në kahun e mbarë mjedjan”: Geg’e toskë Malësi Jallija, janë një komb m’u da s’duron, fund e maje
nja asht Shqypnija, e një gjuhë të tanve na bashkon”.
Libri i Vaso Toles, në një farë
mënyre, duke përshkruar udhën që ka përshkuar himini kombëtar i shqiptarëve, ka
përthekuar e përmbledhur në mënyrë racionale e të urtë se, në ato vite të ndezura e të ethshme të kurorëzimit, qoftë edhe me aq vonesë, të ëndrrës shumëshekullore për të qënë më vete, shqiptarët
e trojeve kompakte ballkanike dhe bijtë e shquar të diasporës në dhe të huaj, u
gjendën si kurrë më parë së bashku, pikërist ashtu sikundër e thotë edhe vargu i
parë i vjershës së Asdrenit “Rreth
falmurit të përbashkuar”. Ata që e pëlqyen,
e mbështetën dhe e brohoritën këtë himn, po edhe që e kënduan më zjarr e afsh
liridashës, qysh para se të shpallej Pavarësia në Vlorë, kanë qenë figura të mëdha të kombiut tonë, burra të penës
e të gishtit të pushkës, si Hilë Mosi nga Shkodra, Pandeli Cale, Thanas V. Floqi,
Spiridon Ilo dhe P. Mborja nga Korça, si Murat Toptani, Lef Nosi, Ferit
Vokopola etj, të cilët ishin në lidhje e bashkëpunim të ngushtë me figura të
tjera të kohës, sidomos nga Korça dhe nga shoqëria e shqiptarëve të Bukureshtit, si Dhimtitër
Zografi, Dhimtitër Mborja e Dhimtitër Berati. Të gjithë ata, në këtë studim përmenden
dhe vlerësohen me të drejtë ashtu si u takon dhe lexuesi fiton pamjen më të
saktë e të bindshme rreth asaj nisme e përpjekjeje madhore, që do të kurorëzohej
me shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Së
treti, libri nxjerr në dukje dhe pohon sa të rëndësishme kanë qenë
për shqiptarët vlerat e himnit, flamurit dhe gjuhës amtare shqipe, si trinomi
frymëzues dhe i patjetërsueshëm i shpirtit të kombit tonë. Vetë autori e
nis një nga sythat e librit pikërisht me këto fjalë: ”Na duhet të pohojmë se flamuri, himni dhe gjuha shqipe, si simbole të
identitetit kulturor dhe politik shqiptar, ishin në qendër të ditës së
shpalljes së Pavarësisë, si një dëshim e qartë e Shqipërisë “më vehte, të lirë
e të mosvarme”.(f.87)
Dhe, në këtë pikë, nuk mud të mos
ndalem diçka më gjatë, jo thjesht pse jam gjuhëtar dhe më pëlqen mësimi i mbarë
që del nga ky libër edhe për vlerat e shqipes e peshën e saj shpirtërore kombëtare
të atillë që ka pasur e ka ajo në jetën e konstitucionin shpirtëror të shqiparëve.
Kjo, po se po, por, dëshiroj të theksoj
edhe disa konotacione aktuale, do të thosha krejt të ditës, që mbart lënda
e kësaj vepre lidhur me qëndrimin ndaj
shqipes nga Ismail Qemali dhe Qeveria e parë
e Shqipërisë së “ mosvarme”. Kreun e dytë me titullin “Pranimi dhe popullarizimi i himnit kombëtar, përhapja
e “këngëve kombiare”, autori e nis me sythin e goditur e shumë domethënës: “Ismail Qemal Bej Vlora, bekuesi i simboleve
tona kombëtare”, ku shqyrton e mbështet
(me dije të shumta dhe referenca të
plotvlershme) pohimin rreth njohjes që kishte I.Qemali për simbolet shpirtërore
për një komb dhe fuqinë e tyre në krijimin e unitetit kombëtar. Dhe, ajo që më
intereson më së forti mua si gjuhëtar,po besoj edhe të gjithë dashamirëve të tjerë të
shqipes e të shqiptarisë, është një fakt që e sjell libri i V.Toles në f.88,
ku, në mbështetje të vlerësimit për
pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail
Qemalit , sjell edhe një shënim në fund të faqes, ku jepet edhe pohimi dorëmbarë
i këtij shtetari e diplomati të urtë. Aty
lexojmë: “Në gazetën “përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht
1913 botohet ”Lajmim”: “Pas dëshirës dhe
n’emën të Zotënies së tij Kryetarit të
qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën
fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e
vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a
lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën
amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën
shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata
që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a
mësojnënë qoftë se kanë dëshirë të
mbeten në shërbim.”(Shënimi nr.222)
E citova këtë “lajmim” dhe, pikërisht për vlerat
e idenë dorëmbarë që ngërthen ajo nismë e Qeverisë së I.Qemalit, do të lejohem
të përmend se, pikërisht atë ide kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve
të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për
kulkturën e gjuhës së shtetit”.(Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17) Të gjithë jemi dëshmitarë se sot
shkollarët dhe pasuniversitarët janë të interesuar dhe, madje, të drithëruar
për dhënien provim e pajisjen me dëshminë e njohjes së anglishtes, pra për
“Toeflin”, por askush nuk shqetësohet për gjendjen jashtëzakonisht të pamirë të
shqipes së shkruar e të folur në zyrat e shtetit, në universitetet publike e
private e kudo. Dhe kjo situatë do të vazhdojë nëse nuk do
të kemi edhe ne zyrtarisht kërkesën me ligj të provimit dhe njohjes së gjuhës
shqipe si kusht për të pasur një vend të caktuar në administratë (vendore apo
qendrore). Pra, le ta bëjmë pa humbur kohë atë që pat ideuar dhe shpallur aq
bukur e qartë Qeveria e Ismail Qemalit.
Së
mbrami, përfundoj duke pohuar
se vepra si “Himni kombëtar” i
akademikut Vasil S.Tole meritojnë jo vetëm fjalë e vlerësime të mira,
por edhe mirënjohje e çmimin më të lartë edhe zyrtar shtetëror. E di se është
edhe një institucion, që quhet Akademia-Kult, e cila ndan edhe çmime. Uroj që
ëdhe aty kjo vepër e zotit Tole të pëlqehet e të vlerësohet, por, mbi të
gjitha, shfrytëzoj rastin të bëj edhe një propozim tjetër: Akademia jonë e
Shkencave duhet të ideojë, ta themelojë dhe ta zbatojë dhënien e çmimeve të
larta për veprat më të mira strudimore e shkencore të realizuara me dinjitet e
akribi, sikundër është edhe ky libër, vërtet i vlershëm, i kolegut e mikut
tonë, akademikut më të ri në moshë, por edhe nga më meritorët që ka Akademia
jonë.
Urime të sinqerta dhe, për ta thënë
sipas traditës shqiptare: Të lumshin duart, mjeshtër!
Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj
Akademik i asociuar
Anëtar i Këshillit Ndërkademik
të Gjuhës Shqipe