Showing posts with label papa francesco. Show all posts
Showing posts with label papa francesco. Show all posts

Monday, December 22, 2014

Simboli dhe domethënia e Krishtlindjeve

nga Gjovalin Shkurtaj

Simboli i Krishtlindjeve është bredhi  me gjethet e tij gjithmonë të blerta, që simbolizon  jetën që nuk soset kurrë. Imazhi  i pemës a drurit të njomë,  si simbol i rilindjes dhe i rigjallërimit të jetës, ka qenë qysh në kohët e lashta  temë e njohur edhe në besimet pagane; madje ështëe pranuar dhe praktikuar si në botën antike, ashtu edhe në periudhën mesjetare.

Megjithatë, prejardhja dhe praktika e përdorimit modern të traditës së pemës së Vitit të Ri dhe të Krishtlindjeve nuk është provuar ende me qartësi. Besohet se  ajo ka lindur dhe është përhapur nga Gjermania e shek.XVI. Por, ka edhe gojëdhëna e legjenda, që e shpien  shumë shekuj më parë.

P.sh. njihet edhe një histori që e lidh pemën e Krishtlindjeve  me Shën Bonifacin, shenjt i lindur në Angli rreth vitit  680 dhe që kreu edhe evangjelizimin  e popullsive gjermanike. Tregohet se Shën Bonifaci takoi paganët e mbledhur pranë Qarrit të Shenjtë të  Bubullimës të Geismar-it, për të adhuruar zotin Thor.

Shenjti, me një grup dishepujsh,  mbërriti te grumbulli që ishte rreth “Qarrit të Shenjtë” dhe, duke kryer një rit shenjtëror, thirri: “Ky është qarri juaj i Bubulimës, kurse ky është kryqi i Krishtit që do ta bëjë copë-copë çekanin e Thorit të rremë”.

Mori një sëpatë dhe filloi ta godiste me të drurin e shenjtë. Një erë e fuqishme  u ngrit paparitur, druri ra dhe u nda në katër copa. Mbas qarrit të madh qëndronte një bredh i  ri  dhe  i gjelbër.

Shën Bonifaci iu drejtua përsëri paganëve, duke u thënë : 

“Kjo pemë e vogël, ky fëmijë i vogël i pyllit, do të jetë druri i shenjtë sonte. Ky është druri i jetës së pasosur, sepse  gjethet e tij janë gjithmonë të blerta. Shikoni se si drejtohet nga qielli. Kjo qoftë pema e Krishtit fëmijë! Mblidhuni rreth saj, jo në pyll, por në shtëpitë tuaja; atje nuk do të kryhen rite gjaksore, por dhurata  dashurie dhe rite të mirësisë”.

Bonifaci ia doli t’i bindte paganët të konvertoheshin dhe kryetari i fshatit vuri një bredh në shtëpinë e tij, duke vënë mbi degët e tij qirinj.

Nga dëshmitë e para historike për traditën e pemës së Krishtlindjeve, shkenca, nëpërmjet etnologut Ingeborg Weber-Keller  ka identifikuar  një kronikë të vitit 1570 (në Brema), që tregon për një pemë të zbukuruar me mollë, arra, hurma dhe lule prej letre.

Por, është Riga, kryeqyteti i Letonisë, që shpallet si qendër e pemës së parë të Krishtlindjeve në histori: në sheshin kryesor ndodhet një pllakatë e shkruar në tetë gjuhë, ku thuhet se “pema e parë e Vitit të ri” ka qenë realizuar në atë qytet më 1510.

Domethënia e Krishlindjeve

Festa e Krishtlindjeve, apo sikundër quhej në Shqipen e hershme Kshndellat (nga lat.Cristi Natale) është festa me domethënien më të bukur e që e fton njeriun drejt mbarësisë, drejt harmmonisë dhe  gjetjes së ecurisë, që prin nga përvujtënia dhe mirësia për veten dhe për të afërmit e krejt njerëzimin.

Papa Françesku e thotë qartë e thjeshtë këtë domethënie: “Krishtlindjet janë takimi i Zotit me popullin e vet”. Mesnata e Krishtlindjeve, me vajtjen masive në kishë, me ritualet e rastit dhe, mbi të gjitha, me të drejtuarit e mendjes  e zemrës nga misteri i lindjes së Krishtit, si simbol i shpresës dhe i mbarësisë e i përparimit, ka qenë dhe mbetet si pika e adhurimit dhe e ngushëllimit shpirtëror jo vetëm për të krishterët, por edhe për mbarë njerëzimin.

Krishtlindjet për  njeriun e sotëm  janë besimi dhe qasja te dhembshuria dhe shpresa. Zoti duke u takuar me njerëzit u kujton atyre dy gjëra. E para është: të kenë shpresë. Ai u prin nga e mbara, u hap dyert e udhës së mirësisë e të ngushëllimit shpirtëror dhe kurrë nuk ua mbyll horizontet. E dyta është: të mos ndruhemi kurrë nga dhembshuria. Kur njerëzim harron shpresën dhe dhemshurinë, atëherë edhe Kisha bëhet e ftohtë dhe njerëzia shket në udhët e ideologjive të mbrapshta e të kotësive mondane.

“Kam frikë nga kur të krishterët i humbin shpresën dhe aftësinë për të përqafuar dhe përkëdhelur”-thotë Papa Françesku. Krishtlindjet, më ëmbël e më bukur se çdo rast tjetër, na kujtojnë edhe fjalën e urtë e të hershme, por gjithmonë me vlerë e aktuale: kujdesin ndaj të pamundurve, ndaj fëmijëve e të moshuarve, dhembshurinë ndaj gjindjes në nevojë:

“Atë që flë shumë, zgjoje, atë që rrëzohet ndihmoje të ngrihet,  vogëlushin e të miturin zbunoje e, në mos tjetër, ndiej dhembshuri për të dhe përqafoje; plakun e të mjerin afroje dhe gëzoje së paku me një gjest dhembshurie  e me fjalë dashamirëse”.

Edhe vetë misteri i Krishtlindjeve lidhet pikërisht me kujdesin ndaj fëmijëve si e ardhshmja e mbarë njerëzimit. Zoti zbriti nga qiell dhe u bë fëmijë, që të provojë e të përjetojë kujdesin, dashurinë, dhembshurinë prej njerëzimit. Kjo është edhe arsyeja që Krishtlindjet japin kaq shumë gëzim, shpresë e jetësi në zemrat e njerëzimit.

Tiranë, 22 dhjetor 2014


Wednesday, September 17, 2014

Mirësevini Ati i Shenjtë, Papa Françesku i Parë


(Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar)

Kjo fundjavë e shtatorit 2014 do të mbetet për shumë kohë në kujtesën e shkruar e gojore të shqiptarëve, sepse më datën 21, ditën e diel, këmba e bekuar e Atit të Shenjtë, Papës Françesku i Parë, do të zbresë në tokën shqiptare, në aeroportin “Nënë Tereza”.

Një popull i tërë, një komb i vogël në përmasat e sasinë e njerëzore e truallsore, por i madh e lavdiplotë në përmasat e bujarisë e të lidhjes së tij të përjetshmë me “fe e atdhe”, ka çelë zemrat e dyert për të pritur një Mik të Madh, të dërguarin e Kishës së Romës, mëkëmbësine Hyjit në tokë, Shënjtërinë e Tij, Papa Prançeskun e Parë.

Sa veta që quhen Fran, Frano, Franc, Çesk, Frangjisk etj. në trojet shqiptare e në diasporat e hershme e të reja, deri në Amerikën e largët ku kam edhe unë një nip që quhet Françesko, do të mburren  se një emnak i tyre i madh, Françesko Bergoglio, ipeshkëv i Romës dhe kreu i Kishës Katolike Botërore do të mbërrijë për t’i bekuar ata (dhe të gjithë shqiptarët) dhe do të meshojë në altarin e ngritur enkas për të në Sheshin “Nënë Tereza”.

Shenjtëria Juaj e lartë,

Ju zgjodhët të nderoni me ardhjen Tuaj një popull të vogël, një komb edhe sot ende të ndarë në disa shtete në Ballkan, po edhe më një diasporë e mërgatë (arbërore, arbëreshe, arbneshe, arnaute) në të gjithë Botën; një popull që, edhe fetarisht, historia e ka ndarë e përndarë në disa besime (katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashinj), por që, të gjithë sa jemi, për një mrekulli të vetë të Lartit Zot, e ndiejmë vetën shqiptarë (përkatësisht:arvanitë në Greqi, arbëreshë në Itali, arbneshë në Dalmaci, arnautë në Bullgari, Turqi etj.) dhe pavarësisht nga besimet fetare tashmë të ndryshme që kemi, ia duam të mirën njëri-tjetrit, rrojmë në paqe e harmoni të plotë, pa asnjë pengesë a ngatërresë ndërmjet tyre.

Për shqiptarët, si kishat, ashtu edhe xhamitë, sinagogat, tyrbet etj., janë “shtëpi të Zotit”, janë njësoj të respektueshme e të papërgojueshme. Ky ka qenë  dhe vijon të jetë një mësim i madh kombëtar i shqiptarëve dhe, sigurisht, edhe Shënjtëria e Tij, Papa i Romës, Francesku i Parë, e çmoi lart dhe, me vizitën e Tij në tokën tonë, i blaton bekimin e Tij kësaj cilësie meritore të popullit shqiptar, duke pasur parasysh edhe rrethanën se, në rrjedhë të shekujve, deri në kohët e reja dhe ende të paharruara, pikërisht për arsye feje, gjuhe e dashurie për atdhe, populli ynë ka qenë edhe i martirizuar. 

Ju, Atë i Shenjtë, po vini në Shqipëri për të sjellë urime e bekimin në këtë tokë të lashtë ilire e shqiptare, që ka nxjerrë edhe kardinalë e papë të mirënjohur, si dhe, ndër të tjera, po na sillni në Bibliotekën Kombëtare një dhuratë të vyer e që na bën krenarë si shqiptarë: “Mesharin“ e Gjon Buzukut, librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, prandaj, me dashuri, mirënjohje e përzemërsi, i madh e i vogël ju uron shqip e shqiptarisht:

Ardhshi i bardhë e qofshi këmbëmbarë! U bëftë vullnesa e të Madhit Zot dhe misioni, bekimi e fjalët Tuaja shkofshin në drejtimin e duhur, u ngulitshin thellë në mendjet e zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe kjo vizitë e Juaja, qoftë edhe një kthesë tjetër e madhe e popullit të thjeshtë dhe e qeveritarëve tanë drejt pajtimit kombëtar, drejt përparimit e mbrothësisë.

Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar.

Gjovalin Shkurtaj

Tiranë, 18 shtator 2014