Thursday, October 28, 2010

Fondacioni për liri ekonomike promovon librin e Selami Xhepës


Zhurma e krizës financiare e cila pati nje ndikim të madh në opinionin publik si dhe efekti i saj real në ekonominë shqiptare, është analizuar edhe nga Dr.Selami Xhepa autor i shumë punimeve studimore mbi çështjet e ekonomisë dhe të financave. Libri i tij i fundit “Miti mbi krizat dhe fundin e tregut” u promovua sot nga bordi i fondacionit për liri ekonomike.
Selami Xhepa : “Rasti i ekonomisë shqiptare ndoshta është ilustrimi më i mirë i asaj çfarë është në gjendje të bëjë një ekonomi e cila respekton dhe zgjeron liritë e saj, liritë e individit, zgjedhjes së firmave dhe të agjentëve ekonomikë. Nga një ekonomi ndër më të prapambeturat, sot kemi një ekonomi të shëndetshme e cila provoi që është e aftë t’i rezistojë presioneve negative që burojnë nga krizat. Besoj se kemi të bëjmë me një sistem ekonomik të shëndetshëm”.
Në ceremoninë promovuese kanë marrë pjesë politikanë, intelektualë dhe figura njohura. I ftuar nderi në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri Sali Berisha.
Sali Berisha : “Dëshiroj të përgëzoj zotin Xhepa dhe bordin për këtë iniciativë të shkëlqyer me qëllimin në të mirë të mbrojtjes së lirisë ekonomike në Shqipëri.Themeli i të gjitha arritjeve ekonomike të njeriut qëndron në lirinë e tij. E mbështes nismën tuaj e cila promovon dhe mbron një doktrinë ekonomike e cila qëndron në themel të prosperitetit të njeriut, shoqërisë dhe botës”.
Me një përmbledhje të disa eseve deskriptive autori Selami Xhepa ka analizuar hollësisht ecurinë e krizave dhe implikimeve që ato sjellin në tregje. Ky botim ka gjetur mbështetjen maksimale nga ana e bordit të fondacionit për liri ekonomike.

No comments:

Post a Comment