Sunday, October 31, 2010
ASUF organizon darke multietnike ne Firenze
Thursday, October 28, 2010
Bumerangu i Poetit Betim Muço Nga Natasha Lako
Bumerangu, kjo lojë e të voglit dhe të madhit njeri
Teksa merrja në dorë librin me poezi Bumerang të Betim Muços, mendimi i parë që më erdhi ndërmend ishte se çdo takim me librin po bëhet gjithnjë e më i beftë dhe i rastësishëm. Kështu faktori kohë, nga monark i madh ku dëshërojmë të pasqyrohemi të gjithë, ndërhyn, si ndonjë vegël e marrosur, në përmasat e sekondave dhe bën shpesh që të mos i ndahesh më botës të një krijuesi, a te njeriu, si mund të quhet fare thjesht poezia. Por koha ndonjëherë bëhet aq e stërgjatur në stërmundimet e saj të mëdha letrare, shoqërore dhe fizike sa na vjen në ndihmë për të kuptuar se Bumerangu i sotëm i Betim Muços, s’është gjë tjetër në lëndën e tij të brendshme, vetem se një shënjestër e re e qytetërimit të sotëm shqiptar dhe një pozicionim shënjetar i njeriut të sotëm, i cili kësaj here ka një emër kaq të personalizuar dhe të vendosur. Betim Muço.
Janë të rralla përputhjet e plota të një emri autori me epokën në të cilën ai jeton, dhe të cilës ai i përgjigjet, dhe kjo ndodh vetëm atëhere kur frymëmarja poetike është po aq e natyrshme sa frymëmarja e njeriut. Dhe ketë e arrin vetëm profesioni poetik ku bën pjesë edhe Betim Muço. Por me që jetojmë në kohë dhe në hapësirë, duhet të themi se që të arrish deri te poezia e Betim Muços, mbetet të kapërxesh labirinthe të mëdha. Jo vetëm sepse hapësirat e njeriut janë zgjeruar më tepër dhe hapësirat e brëndëshme shpirtërore janë zmadhuar apo zvogëluar, apo tentojnë të marrin dimensione të tjera më të lëvizëshme, por edhe se sot Betim Muço punon dhe jeton në Maryland, shumë pranë vendit ku ruhen gurët që krijuan shtetin dhe kryeqytetin e Federatës së Parë të Pavarur Amerikane.
Mendimi i dytë që më erdhi ndërmend kur takova librin e Betim Muços ishte se asnjë autor serioz nuk vjen rastësisht. Materia e tij artistike ndron ujërat e këndvështrimeve, si ndrohen ujrat e çdo stine. Madje edhe Bumerangun e shpikur prej njeriut. Dhe ky fat nuk u bie të gjithë autorëve.
Luigj Gurakuqi , financier dhe gjuhëtar i shqipes, ishte i pari që në vitn 1906 botoi një broshurë të vogël kritike për veprat e pakta të letërsisë shqipe që ishin botuar deri atëhere, por që ndikuan në shtrimin e të giithë terrenit kombëtar. Vetëm një vit përpara këtij pamfleti të parë të kritikës, në vitin 1905, Ajnshtajni kishte hyrë në vitin e tij të mrekullirave, duke botuar katër a pesë pamflete të ndryshme mbi realitivetin që e shtynë botën në jetën dhe konceptet e sotme moderne, së bashku me botimet e Frojdit. Që nga ajo kohë deri më sot, procesi letrar shqiptar hyri dhe doli nëpër katakombe të ndryshme vargjesh, e them këtë pasi nuk ka letërsi që nuk mbritet me mundim, deri sa të çlirojë plotësisht vetveten.
Por me që unë dhe Betim Muço, i takojmë një gjenerate të largët me kohën kur Dali përpiqej të takohej dhe të bisedonte me Frojdin, dhe vazhdojmë më tepër të bisedojmë me veten se sa me të tjerët, pra vazhdojmë të jetojmë ende në një kohë të mbyllur, më duhet të sqaroj lexuesit e sotëm, se pas kaq e kaq plejadave jemi me fat përsëri që mbajmë në duar një libër të mirë, si mund të quhen të gjithë ata që të detyrojnë të krijosh një bashkëbisedim të hapur. Libiri i Betim Muços shtron sa diskutime mbi nevojat letrare të njerëzimit, për të bashkuar krijimin me të vërteta të mëdha, aq edhe për shprehjen dhe mbishprehjen poetike, përplasjen e vazhdueshme dhe të sinqertë të njeriut me veten, rrugët e pafundme të shpalosjes së mendjes përmbi shpirtin, apo anasjelltas, dhe më tepër zbulimin e asaj peshe njerëzore të fituar në çdo çast. A munden që këto reflekse përvoje të nisen për diku vetëm duke u kthyer te vetja dhe çfarë dimensione i japin njeriut, të gjithë këto nuk mund të kenë një përgjigje përfundimtare. Por ato japin përgjigjen e çdo çasti në vetvete. Të gjithë këto diskutime të mëdha shumëdimesionale i kanë mbetur poezisë. Por Betim Muços i ka mbetur edhe diçka më tepër në poezinë shqipe. Të tregojë se njeriu që quhet apo nuk quhet thjesht poet, njesoj si adresën e tij te banimit, ka edhe pozicionimin e tij të sigurt dhe të vendosur pa të cilin nuk e krijon dot personalitetin e vet. Jam e sigurt se të gjithë ata që do të marrin librin Bumerang në duar do të gjejnë një adresë të fortë personaliteti. Pa ç’ka se sa herë flasim për një libër ngurojmë të flasim për jetën e autorit, poezia të tradhëton. Dhe në rastin e poezisë së Betim Muços, ajo tregon në mënyrë të plotë pikëvendosjen e qartë të një njeriu që i ka dalë ballë përballë jetës. Dhe këtë Betim Muço e ka kryer edhe me profesionin e tij të shkencave të tokës, edhe kur përballë një fondi poetik të mrekullueshme botëror ka kryer një punë të jashtëzakonshe serioze përkthimi për t’i bërë të njohur shqiptarëve të sotëm poetët më të përzgjedhur të shekullit të tyre. Sado që kritika të rreket të ndajë veprën nga vetë krijimtaria, gjë që për poezinë është pothuajse e pamundur, Betim Muço është personaliteti njerëzor që i bashkon ato si në një pikë me pozicionimin e tij të plotë.
Kështu me librin Bumerang Betim Muço krijon figurën e një poeti të sotëm të rrallë shqiptar, që i del përballë dhe drejtpërdrejt epokës së vet dhe lexuesve të vet. Përfaqësues dhe konfrontues, i dashuruar dhe ndëshkues me poezinë e tij për njeriun e sotëm, ai ndoshta në këtë mënyrë i ngjan një toreadori, me pëlhurën e kuqe të poezisë.
Dhe prej së këtejmi ose andejmi prapë se prapë kam dëshirë t’i drejtohem direkt Betim Muços, dhe ndoshta t’i jap disa përgjigje edhe vetes edhe lexuesit, përse pas kaq e kaq vitesh të letërsisë shqipe është egzistenca e librit të tij që na kërkon të gjithëve.
Përgjigja e parë: Burrëria dhe vizionet e saj
Në vazhdën e letërsisë botërore, janë të shumtë shëmbujt e poezisë ku autorët shprehin të plotë dhe drejtperdrejt botën e tyre poetike, për t’u bërë pjesëmarrës energjikë të shoqërisë njerëzore.
Edhe vetë Dante, krijuesi hyjnor i ferrit dhe parajsës njerëzore, e ndjeu të nevojshme, i shoqëruar prej Beatriçes, të shfaqë aty brenda edhe veten.
Të shprehësh veten tënde plotësisht dhe pa asnjë ekuivok është një nga burrëritë më të mëdha të kësaj bote moderne dhe postmoderne, ku edhe teknologjia e sotme - si e kanë pohuar të tjerët më parë dhe jo unë, është një vazhdim i taktikave të kalit të Trojës të Odisesë, këtij shpikësi të madh të qytetërimit të sotëm.
Libri Bumerang shpreh me një kapacitet të veçantë jetësor dhe autenticitet të plotë ndërgjegjen e konsoliduar të nje njeriu që ka lindur në terrenin shqiptar të shekullit të XX dhe në kapërxim, të kthyer në të vërteta të mëdha dhe të shumëfishuara që lindin prej vetes.
Bumerang është libri mbi dhimbjet, diziluzioniet, ankthet, vrojtimet, përvojën , dashuritë dhe mungesat e një njeriu që jeton në një kohë të caktuar dhe në një çast të caktuar, pa pasur frikë të përplaset me të vërtetat e vetes dhe të shoqërisë së tij. Betim Muco është një nga autorët e rrallë shqiptare, që vjen nga bota e shkencës, posaçërisht studimit të tokës, një fjalë ndoshta që nuk haset shpesh në fjalorin e librit, por që na bën ta quajmë autorin një nga poetët me tokësore të letërsisë së sotme poetike. Mundet që fjalën tokësor ta zëvëndësojmë me fjalën bazament, nga ai ku qëndrojmë të sigurt, paçka se poshtë nesh lëvizin shtresa të ndyshme të tokës. Ky bazament është së pari letërsia e krijuar prej tij për disa dekada, si dhe një botë vetijake që Betim Muço e zotëron plotësisht dhe që nga duart e tij, kalon në vargjet e tij me peshë të rëndë dhe solide. Baba, Dashnor, Mik, Shok, Trup, Fabrikë e vogël ushqimi, Udhëtar, Një antivete në pasqyrë të hapsirës, që gjithëçka e bën të kundërt me mua, një njeri i plotë që derdh ujët e hollë në kanalet e ujrave të zeza, në Savanah të shtetit Xhorxhia.
Kjo është bota e njeriut të sotëm, që jeton njëkohësisht në Tiranë apo në Paris, në Maryland apo në Teksas. Lënda poetike e tij shpreh një personalitet të skalitur dhe të ridimensionuar në çdo çast të jetës, njësoj si autoportretet e Leonardo da Vinçit dhe ndoshta edhe të ndonjë tjetri. Përfaqësues i një kohe që lind kohë të tjera edhe më të largëta, siç thotë vetë ai, sikur të ketë lindur në një vijë horizonti, krijimtaria e Betim Muços bëhet edhe më burrërore, pasi është një krijimtari e perspektivës dhe jo e retrospektivës, që kërkon të vërtetat dhe sheh njeriun drejt në sy.
Do t’i thosha lexuesit shqiptar dhe vetë Betim Muços, se ka njerez në botë që konkurojnë vetëm me luanët, që jetojnë për të mbrojtuar në mënyrë të shkëlqyer territoret e tyre dhe për këtë arsye quhen kafshët më sociale të botës. Por për një njeri të vetëm si Betim Muço, misioni është më i thjeshtë.Të mbrojë veten e tij, ose thjesht njeriun, jo të kohërave të tjera, por të përjetimeve të sotme kaq të shumëfishuara.
Betim Muço, ky shqiptar i thinjur prej shekullit të kaluar me sa duket bën pjesë në luanët poetikë të një vendi që kërkon të fitojë peshën dhe soliditetin e vet, vetëm duke fituar peshën dhe soliditetin e njeriut që jeton brenda kësaj bote, e cila, siç thotë vetë poeti, është bërë tepër e madhe dhe që unë do të shtoja për shkak të marifeteve të shkencëtarëve, ku bën pjesë edhe ai vetë. Të krijosh pika takimi në këtë botë të madhe është gjë edhe më e vështirë.
Dhe kjo ndoshta kërkon një përgjigje tjetër, për një polemikë të hapur prej vetë të vërtetave të poezisë së Betim Muços.
Përgjigja e dytë: Para se ta mbrosh duhet ta fitosh veten
Në një nga poezitë e vëllimit Bumerang Betim Muço thotë: A do ta mësojnë njerëzit dot vallë zanatin e thjeshtë të të rrojturit? As pakënaqësi, as ankesë, as revoltë, as mister. Thjesht një bashkëbisedim i hapur. Por edhe ky bashkëbisedim i hapur shumëfishohet gjithënjë e më tepër pasi si thotë vetë autori, ne fluturojmë në nivele të ndryshme miku im.
Polemikë, konflikt, realitet i përditshëm, qetësi, stoicizëm apo kritikë, tërheqje, prehje, rëndësi ka që vargjet e Betim Muços mbartin kuintesencën e trazimeve të brendëshme dhe të konfrontimit të vazhdueshëm me veten dhe me të tjerët. Betim Muço është një poet i moshës së të korrave të përvojës së tij të gjatë. Janë të veçantë në letërsinë shqipe autorë kaq indipendentë, që kanë truallin e tyre personal. Dhe pikërisht është ky truall i begatë prej të cilit Betim Muço e ka kapërxyer prej kohësh përmasën rurale-zakonore-mortore apo teknikat e konsumuara, apo partiturat ku vijnë për të luajtur të gjithë. Poezia e tij sjell të korrat e qytetërimit shqiptar që kërkon të tregojë frutet e veta, diziluzionet, mundësinë dhe njëkohësisht pamundësinë e njeriut, ballafaqimin më të gjithë erërat dhe magjitë, por gjithsesi vendosjen e tij të palëkundur, dhe drejtpeshimin e tij të kërkuar në tash e sa e sa sekonda dhe shekuj. Megjithatë njeriu ka nevojë të bisedojë edhe me një ketër, për raportet e njeriut me njeriun.
Dhe ketri i Betim Muços i thotë njeriut:
Kjo nuk është gjë më tha,
Ta dish ti se ç’heqim ne me tanët
Dhe në mes dilemave dhe konfrontimeve njerëzore të shprehura në vargje të rëndë dhe solide, libri Bumerang jep para syve të lexuesit lindjen e vetë personalitetit të njeriut.
Ndoshta në poezinë shqipe, pas Lasgush Poradecit, është Betim Muço, që shpalos në mënyrë të plotë dhe të qashtër në poezi të gjithë autenticitetin e tij poetik dhe njerëzor të shkrirë në një, pavarësisht nga senset e tyre të kundërta dhe pavarësisht se njerit i takon diçka më tepër nga
traditat e ekspresionizmit europian të shartuar me dritërat e fushëzave shqiptare dhe tjetrit i takojnë kryqëzimet e superstradave të sotme poetike.Vetëm diçka është e përbashkët për të gjithë. Nga shpalosja e plotë e personalitetit të njeriut lind nje poezi e drejtpërdrejtë.
Kjo është një mundësi e re përballjeje, e cila në vëllimin Bumerang shpallet në poezinë Metafora gënjeshtare ku poeti thotë:
Mos i beso metaforat e dashur,/ato të gjitha gënjejnë.
Nuk janë metaforat, por të vërtetat e njeriut që ndërthurren njera me tjetrën dhe krijojnë poezinë.
Rrufenë e bën reja dhe mali/stuhinë toka dhe qielli,/luftën dy njerëz armiq,
……………………………./Dashurinë e bëjmë ne të d y/Dhe poezinë ah poezinë,/ Vetëm unë i vetëm,/Si zoti që bën botën
Të vërtetat nuk kanë nevojë për kambjale të tjera fjalësh.
Duke qenë një poezi kaq e lirë dhe e drejtpërdrejtë e lidhur me përjetime - deri tek lumturia që fiton njeriu kur nuk ka mundësi që edhe elefanti t’i lëshojë glasa mbi kokë, kthjelltësia mbetet tipari i parë i poezisë kaq të natyshme të Betim Muços, pasi mendimi ka kohë që është shburgosur, në sajë të pozicionimit të tij të qartë.
Kështu libri Bumerang e rendit përfundimisht dhe cilësisht autorin në radhën e krijuesve të sotëm të kthjellët dhe të qartë, për atë që kanë arritur, atë që kërkojnë dhe atë që polemizojnë. Kjo është një kthjelltësi sublime, për të cilën ia vlen të jetosh. Dhe kështu gjatë një procesi të vërtetë dhe të kristaltë krijues lindin vargje përplasjesjeje dhe ballafaqimesh, prej të cilave, me ndihmën e rremave të mendimit, piqet një vetëdijë e caktuar njerëzore, e hapur për të gjithë. Dhe për poetë si Betim Muço edhe kjo vetëdijë kërkon të gjejë pozicionimin e vet.
Përdorimi i gjuhës së thjeshtë, e folura e përditëhsme, adresime të gjithëkujt dhe të fateve të lidhura me njeri tjetrin, thjeshtësia njerëzore e të qëmtuarit, i japin poezisë një shpirt të ri komunikimi.
Përgjigja ose polemika e tretë: Dritat e makinave janë më të lumtura se njerezit brenda tyre
Një numur autorësh shqiptare që krijuan bazamentin e tyre të mirëfilltë letrar dhe poetik vijnë nga një shoqëri kur kritika letrare e kishte lehtë të përdorte një shprehje standarte, veçanërisht për poezinë. Ky autor ka dashur të thotë. Me dhjetra komente letrare deri në ditët tona madje në provimet e testeve për letërsinë, përmbajnë klishe etike që rrjedhin prej motivimeve për të thënë diçka. Dihet se sa rëndësi i vihet fjalës, që nga tekstet biblike e deri më sot, në lojën e saj të parë përmbushëse. Por kjo më kujton një pavion të muzeut të holokaustit, pikërisht pranë folesë më të re të ngritur nga Betim Muço, ku vihet në pah roli i madh i fjalës në shoqëritë propagandistike, si ka qenë edhe ajo e jona, dhe si deliron çdo shoqëri e propagandës utilitare.
Ndoshta sado që të luash me fjalën, ajo mund të mos të çojë gjëkundi. Rëndësi ka kush je dhe kush shfaqesh, cilit shekull dhe frymëmarrje njerëzore i takon, cilat janë të korrat e jetës personale njerëzore, dhe sa të largët e ke këndvëshrimin.
Mund të themi se në letërsinë shqipe janë të rralla etapat dhe autorët që sjellin një zhvendsosje në hapësirë dhe në kohë, ku çdo njeri megjithëse nuk ka marrë përsipër të thënat e Zarathustrës, paraqet një sferë personale të vendosur shoqërore.
Duke qenë se tani për tani jemi edhe në Maryland, mund të themi se kjo poezi i ngjan atij gurit të rëndë të vendosur për të filluar një jetë tjetër shoqërore.
Me gurin poetik të Betim Muços në librin Bumerang, shënohet një etapë e jetës së sotme civile të një shqiptari, që di të krijojë frytet e veta. Poezia Mbrëmë është Mbrëmë vetëm e Betim Muços, trupi i poetit është trupi si anije e drobitur, Mars është vetëm Mars i Betim Muços, pse ndodh që ç’është larg na ngushëllon më tepër, është një nga përjetimet e tij kërkuese. Poezia mendja ime, ku parimet e mëdha janë shpesh ylbere të pakapshëm, ku varen surrogatot e ditës, është mendja e Betim Muços. Por brenda kontrasteve edhe lojërave të mëdha njerëzit prapë se prapë kanë orbitat e tyre, njëkohësisht si natyra së bashku me bimët e pamata dhe kafshët e kopshtit amerikan. Sa do që ngjall polemikë të vazhdueshme me veten, në poezinë e Betim Muços nuk përplasesh dot me askënd tjetër pasi njerëzit, si thamë më lart , fluturojnë në nivele të ndryshme të hapësirës. Rëndësi ka që të kesh peshën dhe vendin që mëriton. Dhe mjafton ta shohësh poezinë ku njeriu ështrë fryti më i çmuar i gjithësisë.
Pra e thëna duket se ka marrë fund dhe është shfaqur vetë njeriu, njëherë nëpër rrugët e qyteteve më të njohura amerikane, njëherë nëpër rrugët e Tiranës. Në për këto rrugë poeti shpesh gjendet krejt i vetmuar dhe shpesh në shoqëri me poetë të tjerë namuzqare, që më tepër se gjithëçka tjetër kërkojnë mendimin e drejtpërdrejtë që vesh trupin dhe shpirtin.
Dhe të tillë kthehen të gjithë në bashkëkohës.
Le të supozojmë se bota është rritur edhe më nga egsistenca e poezisë së Betim Muços.
Dhe nuk është fjala e plotë, por shfaqja e plotë e njeriut, ashtu si thotë Betim Muço.
Dhe poeti shpall më në fund parabolën e madhe.
E gjithë kjo bota jonë më e vogël është bërë,
Por më të vegjël janë bërë edhe banorët e saj.
Është një nga rastet më të ralla ku metafora dhe realiteti, genjeshtra dhe e vërteta, janë kthyer në një, në një sintezë të plotë poetike.
Dhe ndoshta vetëm për këto dy vargje ja vlen që të flasim përsëri dhe përsëri për poezinë e Betim Muços dhe ballafaqimin e tij të hapur. Dhe mund ta vendosim këtë varg në të gjithë bisedat tona.
Por Bumerangu, sa do që të ndrohen kohërat, kthehet gjithënjë andej prej nga është nisur.
Dhe më në fund përgjigja e katërt, ose Sikur.
Sikur poeti Betim Muço të ishte ulur në vitn 2010 për të shkruar vetëm poezinë Sikur, do t’ja vlente që në të gjithë mjediset shqiptare , mbi rërën e plazhit apo në orë të veçanta meditimi të fshehtë, të përsërisnim si ai.
Unë do të doja të isha një milingonë,
Për të parë sa i madh është njeriu.
Lekë Tasi, Tirana e viteve ’40 në pikturë
http://tvklan.tv/lajmi.php?id=13345 Tirana e viteve ‘40 dhe ndryshimet që pësoi ajo më vonë janë disa nga punët e hedhura së fundmi në kanavacë nga piktori Lekë Tasi. Lekë Tasi është fjalëpak për tablotë që përbëjnë ekspozitën e tij të fundit. Por piktori 81–vjeçar thotë se i ka qëndruar larg realizmit në pikturë dhe se është përpjekur t’i japë jetë në ketë formë imagjinatës së tij. Lek Tasi: “E kam lënë realizimin dhe pikturën që i shfaq gjërat ashtu siç janë. Unë përdor imagjinatën dhe bashkoj të kaluarën me realitetin”. Edhe pse temat e këtyre tablove shkojnë nga jeta e fshatit, në sport e politikë, ato bashkohen nga prezenca e qënies njerëzore, e cila transformohet për t’iu larguar të zakonshmes. Lek Tasi: “Në pikturën time është gjithmonë njeriu, ai është personazh në të gjithë temat”. Ekspozita personale e Tasit do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 tetor. |
"Këngët e Shekullit", emocione dhe duartrokitje në natën e dytë
Evis Mula, nga La Scala në “Marie Kraja”
Evis Mula: “Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe shumë e rëndësishme për mua e cila erdhi menjëherë pasi fitova çmimin e parë në festivalin “Marije Kraja, një festival shumë i rëndësishëm”.
Zana Çela drejtore e këtij festivali ndërkombëtar pranon se Evis Mula është një nga shembujt e shumtë të zërave lirik të cilët kanë janë promovuar nga festival i rëndësishëm.
Zana Çela: “Edicioni i 11-të edhe më i konsoliduar, në mbështetjen e kryeministrit dhe vetëm pak ditë përpara lajmit të madhe të heqjes së vizave”.
Edicioni i 11-të e festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marije Kraja” do të bëhet më datat 30 dhe 31 tetor në sallën e Akademisë së Arteve. Në të do të konkurojnë për tre çmime artistë lirik nga disa vende të botës.
Fondacioni për liri ekonomike promovon librin e Selami Xhepës
Selami Xhepa : “Rasti i ekonomisë shqiptare ndoshta është ilustrimi më i mirë i asaj çfarë është në gjendje të bëjë një ekonomi e cila respekton dhe zgjeron liritë e saj, liritë e individit, zgjedhjes së firmave dhe të agjentëve ekonomikë. Nga një ekonomi ndër më të prapambeturat, sot kemi një ekonomi të shëndetshme e cila provoi që është e aftë t’i rezistojë presioneve negative që burojnë nga krizat. Besoj se kemi të bëjmë me një sistem ekonomik të shëndetshëm”.
Në ceremoninë promovuese kanë marrë pjesë politikanë, intelektualë dhe figura njohura. I ftuar nderi në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri Sali Berisha.
Sali Berisha : “Dëshiroj të përgëzoj zotin Xhepa dhe bordin për këtë iniciativë të shkëlqyer me qëllimin në të mirë të mbrojtjes së lirisë ekonomike në Shqipëri.Themeli i të gjitha arritjeve ekonomike të njeriut qëndron në lirinë e tij. E mbështes nismën tuaj e cila promovon dhe mbron një doktrinë ekonomike e cila qëndron në themel të prosperitetit të njeriut, shoqërisë dhe botës”.
Me një përmbledhje të disa eseve deskriptive autori Selami Xhepa ka analizuar hollësisht ecurinë e krizave dhe implikimeve që ato sjellin në tregje. Ky botim ka gjetur mbështetjen maksimale nga ana e bordit të fondacionit për liri ekonomike.