Saturday, March 19, 2016

Urimi im për Prof.dr. Hamit Boriçin me rastin e 87-vjetorit të ditëlindjes

Hamit Boriçi është një burrë i rrallë, me emër të madh, me dije të gjera e zemër të bardhë: gazetar i shquar e drejtues i mediave, veprimtar shoqëror i spikatur, autor i shumë librave themelorë për gazetarinë shqiptare dhe për letërsinë.

Atij i shkojnë plotësisht cilësimet më të larta: si njeri i ndershëm e serioz, si burrë, si mik e shok që lum kush ka pasur të bëjë me të; si familjar shembullor, si shkodran fisnik, si qytetar e si atdhetar shqiptar.

Edhe 100 vjeç, miku ynë i shtrenjtë!

Ju paçim midis nesh edhe për shumë mot, kështu si sot, me forca të pashtershme e shpirt të paplakshëm”.


Gjovalin Shkurtaj

Saturday, February 20, 2016

Emisioni 11 - Ndikimi gjuhësor i letërsisë në jetën e shoqërisë



Populli shqiptar mund të karakterizohet si artist dhe poet në shpirt. Edhe në kohët më të mugëta, edhe në ditët më të errëta të historisë së tij, populli ka ngritur këngë për heronjtë e bëmat e tyre, ka thurur legjenda, ka krijuar fjalë të urta e përralla me bukuri të atillë që mahnitin lexuesin dhe studiuesin. Edhe në lëmin e fjalës, ai përpiqej ta shprehte këtë botë me legjenda e me përralla, me mjete jo gjithmonë të pasura e të përpunuara. Kurse sot, nga lartësi të reja, me larmi e begati stilesh, me një gjuhë plastike e të njësuar, të lëvruar, të pasuruar e të pastruar, të shkathët, të zhdërvjellët e me figurshmëri, krijuesit tanë më të mirë pasqyrojnë jetën me vepra të atilla artistike, të cilat u krijojnë lexuesve kënaqësi të veçanta estetike. Në gjuhën letrare shqipe janë sot të përkthyera edhe kryevepra të letërsisë botërore. ”Gjuha e letërsisë artistike përbën stilin a variantin më të gjerë e më të larmishëm të gjuhës sonë letrare kombëtare. Ajo ka gjithashtu mundësitë më të mëdha për të qëndruar fort në truallin e gjuhës popullore e për t’u ushqyer prej saj dhe njëkohësisht për t’u lidhur më ngusht me traditën e gjuhës letrare, sepse në asnjë fushë gjallëria e forca e gjuhës letrare nuk është aq e fuqishme e jetëgjatë sa në letërsinë artistike”[1].

Letërsia ushtron ndikim të ndjeshëm gjuhësor në jetën e shoqërisë. Nëpërmjet letërsisë së shkruar, masat e gjera të lexuesve njihen me pasurinë e leksikut të shqipes popullore, me fjalë e shprehje të reja të krijuara prej shkrimtarëve dhe i bëjnë ato pronë të ligjërimit të tyre. Në mënyrë të veçantë ndikojnë në popull veprat e shkrimtarëve më të pëlqyer, pesha e fjalës së të cilëve ndihet e fuqishme në kulturën ligjërimore e shkrimore të popullit. 



[1] Shih: A. Kostallari, “Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë”, (Referat), Tiranë, 1984, f.38.
[1] A. Xhuvani, Vepra, vëll. I, 1980, I, 1980, f. 33.

Thursday, November 26, 2015

Radio: Nderim e vlerësim meritor për Ded Goon Lulin - Emisioni 4

(Me rastin e 100-vjetorit të rënies dhe të përurimit të Shtatores së tij në lulishten e Muzeut Historik Kombëtar, më 27 nëntor 2015)
 

Emri i Ded Gjon Lulit është emër nderues dhe peng madhështor i atdhetarisë e i qëndresës heroike për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Ai ka qenë dhe mbetet njëri prej emrave më të ndritur të burrërisë dhe trimërisë shqiptare, emri i një malësori që ishte një shkëmb i gjallë midis rrasave, shkrepave e shkëmbinjve të Hotit, ku lindi dhe jetoi duke gëzuar nderimin e dashurinë e  krejt Malësisë së Madhe. Madje, për utësinë, zgjuarësinë dhe zotësinë e tij për t’i pasur malësorët jo thjesht mbas vetes në beteja, por për të qenë gjithnjë midis tyre, si njëri prej tyre, si luftari që i njihte emër për emër të gjithë burrat e Malësisë derë për derë, gjithmonë me urtësinë e lindur, po edhe me  përvojën e fituar në përballimin e plojës, prapashpinave dhe dëmeve nga armiqtë njësoj si të gjithë malësorët. Ai qe, ashtu si është cilësuar nga të gjithë historianët, kronikanët e kohës, shqiptarë e të huaj: “pushkë e ngehur për Shqipërinë”. Ai i dha truallit shqiptar gjakun e dy djemve, Gjergjit e Kolës, po edhe një nga luftëtaret më të shquara, si Nora e Kol Dedë Gjo Lulit ose thjesht Nore Kolja.

Qysh  nga viti 2012 Malësia e Madhe është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” dhe, pa dyshim, për atë titull, po edhe për nderimin e vlerësimin që i takon asaj krahine kreshnike e gjithmonë të papërkulshme ndaj të huajve, kanë çuar peshë fuqimisht emri, bëmat trimërore dhe ndihmesa e pavdirë e Dedë Gjon Lulit.

I pamposhtur nga pushtuesit osmanë, që sa herë provuan  u zbrapsën me turp e thyen qafën në shtigjet e thepat e Malësisë, ku kushtrimi për mbrojtjen e vatanit ishte gjithmonë më i ndjerë se britma “yxhym”  e armiqve; i panënshtuuar as nga prapashpinat e fqinjëve grabitqarë, të cilët provuan më kot edhe ta “blenin” me shuma të mëdha të hollash Dedë Gjon Lulin, por ai pranoi më mirë varfërinë dhe jetën e ndershme, sesa robërimin e kokën e ulur mbi thesin e florinjve.

Malësia e Madhe, me Dedë Gjo Lulin e burrat e tjerë si ai, do të gjenin lavdi e zulmë në penën e kronikanëve, po edhe në vjershat e poetëve të shquar bashkëkohës e bashkëmendimtar të Dedës.
Ndre Mjeda, në sonetin e tij të famshëm “Liria”, duke pasur parasysh Dedën e trimat e tij nga Hoti, thotë:’

“...qe ndër djepa rrisin nanat e Hotit, djelmninë ushtore, e hidhnim n’anmikun nëpër gji u qesin”

kurse Apa i letrave shqipe, Poet i Madh kombëtar Gjergj  Fishta, i cili jetoi shumë kohë si famullitar në Malësi dhe ia dinte vlerat  trimëroire e urtinë e kuvendit,  do të këndonte për të në “Mrizi i Zanave”, sa viool:

“M’kambë Dedë Gjo’Luli!Thonë se t’birit t’shkinës,Lekët e Malcisë sod t’dhetat do ja lajnë,Se edhe do t’vejnë kapicën e Cetinës.A ‘imend thue, ti kaq marre do ta bajnë,Ata sokolat tu, Lekët e Malcisë,Jo kurr, jo kurr...Po djelm Shqyptar kushdo ka le,N’mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’hijë n’dhe!”
Breza të tërë shqiptarësh janë rritur e do të madhështohen, me të mirat e të mbarat e kohëve të reja të sodit, por kurrë nuk do të harrojnë se janë nipat e stërnipat e Dedë Gjon Lulit, i cili, prej shkrepave të Traboinit ia niste me këmbëngulje letrat e  kërkesën për pavarësinë e Shqipërisë autoriteve osmane, sikundër këndohet edhe në këngën  “Dedë Gjon Luli ka shkrue letër”, që aq  madhërishëm e ka përjetësuar në zemrat shqiptare  bilbili i këngës shkodrane, Bik Ndoja:
“Dedë Gjon Luli ka shkrue letër”,Valisë s’ Shkodrës ia ka çue,Se Shqyptari nuk don tjetër,Don veç vedin  me sundue!”
Le të jetë emisoni i sotëm një zë i thjeshtë, por i çiltër e kushtimplotë për atë Burrë të Madh të Malësisë  së Madhe “Nderi i Kombit”, i cili, prej datës 27 nëntor 2015 e mbrapa, do ta ketë shtatoren në kryeqytetin e Shqipërisë, në lulishten para Muzeut Historik Kombëtar, aty ku u takon të jenë burrave të mëdhenj të Kombit si Dedë Gjon Luli.


Gjovalin Shkurtaj
Tiranë, 21 nëntor 2015