Emri i Ded Gjon Lulit është emër nderues dhe peng
madhështor i atdhetarisë e i qëndresës heroike për mbrojtjen e trojeve
shqiptare.
Ai
ka qenë dhe mbetet njëri prej emrave më të ndritur të burrërisë dhe trimërisë
shqiptare, emri i një malësori që ishte një shkëmb i gjallë midis rrasave,
shkrepave e shkëmbinjve të Hotit, ku lindi dhe jetoi duke gëzuar nderimin e
dashurinë e krejt Malësisë së Madhe.
Madje, për utësinë, zgjuarësinë dhe zotësinë e tij për t’i pasur malësorët jo
thjesht mbas vetes në beteja, por për të qenë gjithnjë midis tyre, si njëri
prej tyre, si luftari që i njihte emër për emër të gjithë burrat e Malësisë derë
për derë, gjithmonë me urtësinë e lindur, po edhe me përvojën e fituar në përballimin e plojës, prapashpinave
dhe dëmeve nga armiqtë njësoj si të gjithë malësorët. Ai qe, ashtu si është
cilësuar nga të gjithë historianët, kronikanët e kohës, shqiptarë e të huaj:
“pushkë e ngehur për Shqipërinë”. Ai i dha truallit shqiptar gjakun e dy
djemve, Gjergjit e Kolës, po edhe një nga luftëtaret më të shquara, si Nora e
Kol Dedë Gjo Lulit ose thjesht Nore Kolja.
Qysh nga viti 2012 Malësia e Madhe është nderuar me
titullin e lartë “Nderi i Kombit” dhe, pa dyshim, për atë titull, po edhe për
nderimin e vlerësimin që i takon asaj krahine kreshnike e gjithmonë të papërkulshme
ndaj të huajve, kanë çuar peshë fuqimisht emri, bëmat trimërore dhe ndihmesa e
pavdirë e Dedë Gjon Lulit.
I pamposhtur nga
pushtuesit osmanë, që sa herë provuan u
zbrapsën me turp e thyen qafën në shtigjet e thepat e Malësisë, ku kushtrimi për mbrojtjen e vatanit ishte
gjithmonë më i ndjerë se britma “yxhym”
e armiqve; i panënshtuuar as nga prapashpinat e fqinjëve grabitqarë, të
cilët provuan më kot edhe ta “blenin” me shuma të mëdha të hollash Dedë Gjon
Lulin, por ai pranoi më mirë varfërinë dhe jetën e ndershme, sesa robërimin e
kokën e ulur mbi thesin e florinjve.
Malësia e Madhe, me Dedë
Gjo Lulin e burrat e tjerë si ai, do të gjenin lavdi e zulmë në penën e
kronikanëve, po edhe në vjershat e poetëve të shquar bashkëkohës e bashkëmendimtar
të Dedës.
Ndre Mjeda, në sonetin e
tij të famshëm “Liria”, duke pasur parasysh Dedën e trimat e tij nga Hoti, thotë:’
“...qe ndër djepa rrisin nanat e Hotit, djelmninë ushtore, e hidhnim n’anmikun nëpër gji u qesin”
kurse Apa i letrave
shqipe, Poet i Madh kombëtar Gjergj Fishta, i cili jetoi shumë kohë si famullitar
në Malësi dhe ia dinte vlerat trimëroire
e urtinë e kuvendit, do të këndonte për
të në “Mrizi i Zanave”, sa viool:
“M’kambë Dedë Gjo’Luli!Thonë se t’birit t’shkinës,Lekët e Malcisë sod t’dhetat do ja lajnë,Se edhe do t’vejnë kapicën e Cetinës.A ‘imend thue, ti kaq marre do ta bajnë,Ata sokolat tu, Lekët e Malcisë,Jo kurr, jo kurr...Po djelm Shqyptar kushdo ka le,N’mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’hijë n’dhe!”
Breza të tërë shqiptarësh
janë rritur e do të madhështohen, me të mirat e të mbarat e kohëve të reja të
sodit, por kurrë nuk do të harrojnë se janë nipat e stërnipat e Dedë Gjon
Lulit, i cili, prej shkrepave të Traboinit ia niste me këmbëngulje letrat
e kërkesën për pavarësinë e Shqipërisë
autoriteve osmane, sikundër këndohet edhe në këngën “Dedë Gjon Luli ka shkrue letër”, që aq madhërishëm e ka përjetësuar në zemrat
shqiptare bilbili i këngës shkodrane, Bik
Ndoja:
“Dedë Gjon Luli ka shkrue letër”,Valisë s’ Shkodrës ia ka çue,Se Shqyptari nuk don tjetër,Don veç vedin me sundue!”
Le të jetë emisoni i
sotëm një zë i thjeshtë, por i çiltër e kushtimplotë për atë Burrë të Madh të
Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, i
cili, prej datës 27 nëntor 2015 e mbrapa, do ta ketë shtatoren në kryeqytetin e
Shqipërisë, në lulishten para Muzeut Historik Kombëtar, aty ku u takon të jenë
burrave të mëdhenj të Kombit si Dedë Gjon Luli.
Gjovalin Shkurtaj
Tiranë, 21 nëntor 2015