Monday, September 22, 2014

Nderim e pikëllim për ndarjen nga jeta të aktores së shquar Besa Imami

nga Gjovalin Shkurtaj


Besa Imami do të mbahet mend si aktore me dhunti e talent të spikatur, si artiste me pamje të hijshme dhe zë të bukur skenik, me intonacion e diksion krejt të veçantë e mbresëlënës.
Kam parë të gjithë filmat dhe shumë nga shfaqjet teatrore që ka interpretuar ajo, qënga filmi “Skëndërbeu”, ku ajo mishëroi aq këndshëm rolin e  Donikës, deri  te Malësorja në “Streha e të harruarve”(2004) në Teatrin Kombëtar.
E kam përmendur shpesh në shkrimet e librat e mi kushtuar kulturës së gjuhës në skenë dhe në ekran, duke e cilësuar si një nga yjet e fjalës së bukur shqipe; e kujtoj me nderim e duke i blatuar vlerësimet e larta për interpretimet e saj meritore e të paharrueshme.

I qoftë e lehtë lëndina e Atdheut për të cilin ajo dha ndihmesat e saj të vyera si artiste e madhe e skenës dhe e ekranit shqiptar.



Sunday, September 21, 2014

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Brooklyn hap dyert e saj për vitin e ri mësimor 2014-2015 (nga Gazeta Dielli)

2 shkolla
Bilbili i Gjuhës Shqipe Rafael Gjona m’u përgjegj se: “Dakord që mund të dali nga shkolla jonë një president për në Amerikë, por mund të kemi dhe një president të ardhshëm për Shqipërinë, pse jo”?…/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në Brooklyn në një nga qytetet historike dhe ndër më të populluara të Nju Jorkut si dhe në Amerikë nxënësit shqiptarë filluan shkollën Shqipe.

Në mjediset e shkollës publike amerikane nxënësit shqiptarë të lindur në Amerikë u ulën për të filluar vitin shkollor akademik 2014-2015. Ishte një ditë e bukur shtatori me fllad Oqeani një ditë që do të ngelet përgjithmonë në kujtesën e nxënësve. Shumë prej tyre njiheshin nga vitet e mëparshme dhe takoheshin me mall, sepse ishin me sezonin e pushimeve dhe kishin pothuajse gjithë verën që nuk ishin takuar, ngase dikush kishte shkuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Dibër, Çamëri ose vende të ndryshme të botës që ata i tregonin me aq mbresa dhe bukuriza fëminore.

Disa prej tyre uleshin për herë të parë në bangat e shkollës dhe që më të mëdhenjtë tregoheshin tepër të kujdesshëm për t’u dhënë ngrohtësi dhe dashuri si më të “vjetër” të shkollës shqipe. Nxënësit erdhën të shoqëruar nga prindërit e tyre të cilët me emocion dhe mirënjohje tregonin kujdes të posaçëm që ata të dëgjonin mësueset e tyre dhe të mësonin sa më shumë SHQIP.

- Lexoni të gjithë shkrimin në Gazetën Dielli: http://gazetadielli.com/nxenesit-e-shkolles-shqipe-alba-life-ne-brooklyn-filluan-vitin-e-ri-mesimor-2014-2015/#sthash.vMsVZMdq.dpuf

Wednesday, September 17, 2014

Mirësevini Ati i Shenjtë, Papa Françesku i Parë


(Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar)

Kjo fundjavë e shtatorit 2014 do të mbetet për shumë kohë në kujtesën e shkruar e gojore të shqiptarëve, sepse më datën 21, ditën e diel, këmba e bekuar e Atit të Shenjtë, Papës Françesku i Parë, do të zbresë në tokën shqiptare, në aeroportin “Nënë Tereza”.

Një popull i tërë, një komb i vogël në përmasat e sasinë e njerëzore e truallsore, por i madh e lavdiplotë në përmasat e bujarisë e të lidhjes së tij të përjetshmë me “fe e atdhe”, ka çelë zemrat e dyert për të pritur një Mik të Madh, të dërguarin e Kishës së Romës, mëkëmbësine Hyjit në tokë, Shënjtërinë e Tij, Papa Prançeskun e Parë.

Sa veta që quhen Fran, Frano, Franc, Çesk, Frangjisk etj. në trojet shqiptare e në diasporat e hershme e të reja, deri në Amerikën e largët ku kam edhe unë një nip që quhet Françesko, do të mburren  se një emnak i tyre i madh, Françesko Bergoglio, ipeshkëv i Romës dhe kreu i Kishës Katolike Botërore do të mbërrijë për t’i bekuar ata (dhe të gjithë shqiptarët) dhe do të meshojë në altarin e ngritur enkas për të në Sheshin “Nënë Tereza”.

Shenjtëria Juaj e lartë,

Ju zgjodhët të nderoni me ardhjen Tuaj një popull të vogël, një komb edhe sot ende të ndarë në disa shtete në Ballkan, po edhe më një diasporë e mërgatë (arbërore, arbëreshe, arbneshe, arnaute) në të gjithë Botën; një popull që, edhe fetarisht, historia e ka ndarë e përndarë në disa besime (katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashinj), por që, të gjithë sa jemi, për një mrekulli të vetë të Lartit Zot, e ndiejmë vetën shqiptarë (përkatësisht:arvanitë në Greqi, arbëreshë në Itali, arbneshë në Dalmaci, arnautë në Bullgari, Turqi etj.) dhe pavarësisht nga besimet fetare tashmë të ndryshme që kemi, ia duam të mirën njëri-tjetrit, rrojmë në paqe e harmoni të plotë, pa asnjë pengesë a ngatërresë ndërmjet tyre.

Për shqiptarët, si kishat, ashtu edhe xhamitë, sinagogat, tyrbet etj., janë “shtëpi të Zotit”, janë njësoj të respektueshme e të papërgojueshme. Ky ka qenë  dhe vijon të jetë një mësim i madh kombëtar i shqiptarëve dhe, sigurisht, edhe Shënjtëria e Tij, Papa i Romës, Francesku i Parë, e çmoi lart dhe, me vizitën e Tij në tokën tonë, i blaton bekimin e Tij kësaj cilësie meritore të popullit shqiptar, duke pasur parasysh edhe rrethanën se, në rrjedhë të shekujve, deri në kohët e reja dhe ende të paharruara, pikërisht për arsye feje, gjuhe e dashurie për atdhe, populli ynë ka qenë edhe i martirizuar. 

Ju, Atë i Shenjtë, po vini në Shqipëri për të sjellë urime e bekimin në këtë tokë të lashtë ilire e shqiptare, që ka nxjerrë edhe kardinalë e papë të mirënjohur, si dhe, ndër të tjera, po na sillni në Bibliotekën Kombëtare një dhuratë të vyer e që na bën krenarë si shqiptarë: “Mesharin“ e Gjon Buzukut, librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, prandaj, me dashuri, mirënjohje e përzemërsi, i madh e i vogël ju uron shqip e shqiptarisht:

Ardhshi i bardhë e qofshi këmbëmbarë! U bëftë vullnesa e të Madhit Zot dhe misioni, bekimi e fjalët Tuaja shkofshin në drejtimin e duhur, u ngulitshin thellë në mendjet e zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe kjo vizitë e Juaja, qoftë edhe një kthesë tjetër e madhe e popullit të thjeshtë dhe e qeveritarëve tanë drejt pajtimit kombëtar, drejt përparimit e mbrothësisë.

Adhurim, nderim e ndjesë nga mbarë kombi shqiptar.

Gjovalin Shkurtaj

Tiranë, 18 shtator 2014

Sunday, September 7, 2014

Nënë Tereza dhe “rirja”e emrit të saj

nga Gjovalin Shkurtaj
Emri i Nënë Terezës, shenjtores së parë shqiptare, nobelistes me famë botërore, ka qenë dhe do të mbetet frymëzues dhe mirësindjellës.  Porositë e saj janë aq prekëse e të vyera dhe gjithmonë mësimdhënëse për të gjithë ata që dëshirojnë të lënë gjurmë të vërteta si veprimtarë shoqërorë e si njerëz të zotuar në mbrothësinë e përparimin e vet e të mbarë shoqërisë. Shpesh e sjell në mendje dhe ua citoj miqve e të afërmve porsinë e saj të urtë që thotë:
Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes sate gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”
Në verën e vitit 1989 edhe unë kam pasur rastin e lumtur  të kem qenë në takimin me Nënë Terezën, kur ajo, bashkë me disa nga motrat e saj, erdhi në ambasadën Shqiptare në Romë për të marrë vizën për vizitën e saj të parë në Shqipëri. Më kishte lënë mbresa të paharrueshme figura dhe personaliteti i saj, butësia dhe përvujtësia e saj, si dhe, mbi të gjitha, cilësia e saj që fliste më shumë me sy sesa më gojë dhe ajo veti hyjnore i shkonte plotësisht për shtat kurmit të saj të imtë e të brishtë dhe bekimit të saj të urtë të përmbledhur në urimin e saj :”Zoti ju bekoftë!
Qysh nga ai takim i paharrueshëm, shumë herë më shkonte në mendje dhe ëndërroja sa bukur do të ishte që kur të bëhesha gjysh, të kisha një mbesë me emrin Tereza. Djali dhe nusja për këtë mund të zbatonin traditën e “rirjes” (përtëritjes) së emrit të gjyshes, sepse se edhe nëna ime quhej Tereza.
Kaluan vite dhe, më 14 shkurt 1999, u bëra gjysh dhe erdhi në jetë pikërishtr një vajzë, e shumëpritur dhe e shumëdëshiruar, një gëzim i papërshkrueshëm dhe që e përjetojnë vetëm ata që janë bërë gjyshër. Të tjerët duhet të presin…
Nusja dhe djali, duke e ditur dëshirën time të kahershme, e pagëzuan me emrin Tereza. Ky ka qenë për mua gëzim mbi gëzime, sepse nëpërmjet këtij akti të bukur ata bënin “rirjen “e emrit Tereza,  sipas traditës së bukur shqiptare, por kjo ishte njëherazi edhe rirje e një emri aq të madh e të lavdishëm, një emri të shenjtëruar e të nderuar për të gjithë Botën, emrin e shenjtores Nënë Tereza, që i qëndron si Yll Drite kombit shqiptar, duke shndritur e shkëlzyer breznitë e sotme dhe ato që do të vijnë me rrezet e praruara të humanizimt e të shqiptarisë.
Sa herë flas nëpërmjet FaceTime-it me Terezën time të vogël, që është në Amerikë, tashmë nxënëse në një nga shkollat e mesme të Nju Jorkut, duke e krenaruar për emrin e bukur që mban, i kujtoj edhe vargjet e famshme të Terezës së Madhe, që thotë:
Ne s'mund të bëjmë dot gjëra të medha,vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Dhëntë Zoti që të gjithë shqiptarët, kudo që të ndodhen, ditë për ditë, të gjakojnë të kryejnë punë të vogla, por të mira, të mbara e me dashuri të madhe për njërëzimin e përparimin e gjithmbarshëm.